-Kryeministri Albin Kurti nëse do të ruajë miqësinë dhe marrdhëniet e Kosovës me SHBA-në si dhe të shpëtojë varkën e qeverisë së tij që po i mbytet pa nis lundrimin, duhet të ftillohet dhe të dëgjojë zërat që vijnë nga Washingtoni dhe ambasada Amerikane në Prishtinë…
NGA DALIP GRECA/
Kur e gjithë bota është e alarmuar nga epidemia e Koronavirusit, në Prishtinë, qeveria e kryeministrit Albin Kurtit, provokon krizë qeveritare për shkaqe egoiste(sepse ministri përkrahu presidentin për shpalljen e gjendjes së emergjencës për frenimin e koronavirusit!).Shkarkimi i ministrit të LDK-së, pa u konsultuar me partnerin e koalicionit, ndërkohë që në marrveshjen bashkëqeverisëse është e shkruar se nuk mund të shkarkohet ministri pa bisedime paraprake, duket se i ka dhënë goditje kolacionit qeverisës. Kryetari i LDK Isa Mustafa deklaroi se po inicion mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, ku dhe partia e tij është pjesë. Duket absurde për faktin se kërkesa të tilla në fakt i paraqet opozita. Në deklaratën e tij Mustafa tha: “Kemi vendosë që LDK-ja të iniciojë mocionin e mosbesimit për rrëzimin e qeverisë Kurti, sepse ne nuk dëshirojmë të jemi pjesë e një qeverisje të tillë dhe po ashtu jemi të bindur se një qeveri e tillë rrezikon marrëdhëniet me SHBA-të dhe prezencën ushtarake dhe paqësore amerikane këtu, prezencën e saj ekonomike dhe po ashtu përkrahjen politike që kemi pasur dhe duhet ta kemi në të ardhmen për njohje të reja, jo për çnjohje dhe për rrugën euroatlantike të vendeve tona sepse ne presim dhe synojmë të jemi pjesë e aleancës së NATO me FSK-në tonë dhe assesi që amerikanët të tërhiqen nga FSK dhe të mos kemi perspektivë ekonomike, as sociale as ushtarake”.
Në këtë situatë konfliktuale partnerësh, Kryeparlamentarja e Kosovës, që i përket LDK, Vjosa Osmani, ka takuar sot ambasadorin amerikan Philip Kosnett. Ambasadori ka shkuar në zyrën e kryeparlamentares. Deklarata zyrtare është e koduar:” Osmani dhe Kosnett biseduan për zhvilimet politike dhe masat anti Covid-19 “. Kaq!
Në fakt dhe tërmetin e koalicionit qeverisës e ka shkaktuar Covid-19, por shkaqet janë më të thella:
Dy të parët e Kosovës, nuk po merren vesh me njeri-tjetrin. Presidenti Hashim Thaci deklaroi se do të dërgonte në Kuvend dekretin për të shpallë gjendjen e jashtzakonshme për shkak të Koronavirusit pasi mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare me 17 mars. Mirëpo Kryeministrit Kurti nuk i pëlqeu vendimi i presidentit dhe nxori në media zv/kryeministrin Abazi, që të deklarojë se”Kosova nuk ka pse nxitohet, nuk jemi ende në emrgjencë”!
… Nga ana tjetër, ministri i LDK Agim Veliu, doli dhe deklaroi në media se ishte kundër Kryeministrit dhe përkrahte Presidentin. Ky karshillëk nuk i erdhi për shtat Kryeministrit, i cili deklaroi se do ta shkarkonte ministrin.
Të duket si lojë fëmijësh grindja mes kryeministrit dhe presidentit dhe pa logjikë argumentuse, por kriza qeveritare tashmë është fakt.
Grindja President –Kryeministër, është një imitim i keq i dualitetit kryeministër-president në Shqipëri. Është parë që në fillim se Thaci dhe Kurti bisedonin me njeri tjetrin duke pasë një mur në mes. Po si mund të merren vesh në këtë mënyrë? Dualiteti po reflekton pasoja negative dhe duhet mënjanuar një orë e më parë. Kosova nuk ka shpatulla që të mbajë mbi vete konflikte të tilla, ndërkohë që ka probleme më të rëndësishme për të zgjidhur si për anëtarësimin në organizmat ndërkombëtare ashtu edhe për njohjet që në vend të rriten po zvoglohen.Duke analizuar faktet duket se problemi është më i thellë se sa një grindje mes kryeministrit dhe presidentit. Kryeministri Albin Kurti duhet të jetë më i vëmendshëm ndaj zërave që vijnë nga Washingtoni. Presidenti duket se është më I ftilluar kur deklaron se “deri në vdekje me Amerikën”, ndërsa Kurti po duket se tenton të sfidojë Washingtonin, duke mos iu përgjigjur thirrjeve për heqjen e taksave me Serbinë dhe duke tentuar që të bëjë tifo me Evropën për inat të Thaçit. Një këmbëngulje e tillë nuk është në favor të Kosovës. Deri kur do të vazhdojë Kryeministri të neglizhojë thirrjet e Washingtonit? A i merr kryeministri sinjalet e Washingtonit apo nuk dëgjon nga ai vesh? Duket se atë nuk e lënë zilet e tij të dëgjojë këmbanat e Washingtonit, por vonesa mund të ketë kosto të lartë.Jo më larg se sot, e mërkurë 18 mars, ambasada amerikane në Prishtinë, ia përsëriti thirrjen qeverisë së Kosovës që të heqë tarifat ndaj mallrave serbe.
Në komunikatën e ambasadës shkruhej: “në kohëra si këto, bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar është thelbësor. Është koha për Kosovën dhe fqinjët të mënjanojnë pengesat për lëvizjen e lirë të mallrave. Sërish i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës të hedhë hapin e parë të guximshëm dhe ti heqë tarifat tani”!
Kurti ende nuk e ka parë të arsyeshme të përgjigjet dhe duket se nuk është i vëmendshëm dhe i pa predispozuar për t’i dëgjuar thirrjet dhe për t’i kapë sinalet e Washingtonit, të cilët besoj se janë të mjaftushëm.
Ka tre sinjale të forta që Washingtoni i ka dhënë me kohë për Prishtinën:
Sinjali i parë: u përcoll lajmi se Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA (MCC) ka pezulluar programet të cilat kanë qenë në zbatim në Kosovë, si pasojë e mosbindjes së kryeministrit Albin Kurti për heqjen e taksës me Serbinë. Vlera e programit kapte shumën prej 50 milionë dollarë amerikan. Ky program i pezulluar ishte fokusuar në reformat e dy fushave më kritike të identifikuara si pengesa për zhvillim në Kosovë, siç janë: mungesa e qëndrueshmërisë së energjisë elektrike si dhe dobësitë dhe mangësitë reale në sundimin e ligjit. Specialistët dhe analistët e kanë interpretuar këtë tërheqje si shenjë negative në marrdhëniet mes Prishtinës dhe Washingtonit.
Sinjali i dytë: Kompania Contour Global deklaroi se tërhiqet nga planet për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re. Qeveria e Kosovës ka nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen me kompaninë amerikane Contour Global për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro.
Opozita më e madhe e Kosovës, PDK-ja e ka vlerësuar si humbje të madhe tërheqjen e kompanisë amerikane nga Kosova. Ajo deklaroi: “Kjo është një goditje e madhe për ekonominë, fuqinë e ardhshme energjetike të Kosovës dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat sot janë në stadin më të keq të tyre. Sjellja e Qeverisë Kurti në raport me njërin prej investimeve më të mëdha amerikane në vendin tonë është e papranueshme dhe po tregon që në javët e para për drejtimin e mbrapshtë që ka marrë”.
Sinjali i Tretë, që nga radha duhej renditë i pari:- Tërheqja e Trupave amerikane nga Kosova. Me 9 Mars 2020,duke komentuar zhvillimet politike në Kosovë dhe mungesën e një vendimi nga Qeveria kosovare për heqjen e taksës, senatori amerikan David Perdue, shkroi në Twitter se në rast se Kosova nuk e shfuqizon tarifën ndaj Serbisë dhe nuk tregohet e përkushtuar për paqen, atëherë SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë.
U duk si shaka kur Donald Trump Junior, djali i presidentit amerikan, Donald Trump, e mbështeti këtë deklaratë të senatorit dhe shkroi në Twitter se “është koha që t’i kthejmë trupat në shtëpi”.
Korit të zërave të tërheqjes së trupave amerikane iu shtua si për t’i vënë vulën edhe i dërguari i presidentit Trump për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Richard Grenell, i cili shkroi në Twitter se e mbështeste deklaratën e senatorit Perdue. Në fakt Grenell ka kërkuar fort që Qeveria Kurti t’i shfuqizojë në tërësi masat tarifore dhe të mundësojë vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Deklarata e senatorit Perdue u mbështet edhe nga llogaria zyrtare në Twitter e Këshillit për Siguri Kombëtare në SHBA.
A i ka kapur Prishtina zyrtare këto sinjale të forta? Presidenti Thaçi është deklaruar publikisht se mbështet Washingtonin. Po ashtu edhe partneri i Albin Kurtit, Isa Mustafa me LDK-në.Edhe Opozita është me Washingtonin. Vetë Albini luan rolin e të pabindurit dhe të mosbesuesit: “Unë nuk mendoj se KFOR-i amerikan duhet të tërhiqet nga Kosova, përkundrazi dhe besoj se nuk do të tërhiqet nga Kosova. Kemi parë një dëshirë të djalit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por kjo nuk ka lidhje me tarifën 100 për qind. Nëse ajo dëshirë bëhet vendim i presidentit amerikan, sërish nuk ka lidhje me tarifën100 për qind, ka të bëjë me një reduktim të trupave që SHBA-ja e ka bërë edhe në Afganistan edhe në Siri”, tha Kurti për mediat, duke shtuar se beson që SHBA-ja do të qëndrojë në Kosovë në të gjitha format e saj shtetërore.”
Albini nuk duhet të luajë me fjalët, beson apo jo, është punë e tij, por Amerika nuk ka kohë të merret gjatë me Kosovën sepse bota është e madhe, dhe Kosova e vogël. Shqiptarëve të Kosovës iu tha një herë në Rambuje kjo e vërtetë nga ish sekretarja Madeleine Albright.
Në këto konflikte: Qeveri-Amerikë, Kryeministër-President dhe Vetëvendosje-LDK, duket e vështirë mbijetsa e Qeverisë Kurti 1. Kryeminisitri Albin Kurti nëse do ta shpëtojë miqësinë dhe marrdhëniet me SHBA-në si dhe të shpëtojë varkën e qeverisë së tij që po i mbytet pa nis lundrimin, duhet të ftillohet dhe të dëgjojë zërat që vijnë nga Washingtoni dhe ambasada Amerikane në Prishtinë.
Ai duhet të dëgjojë edhe zërin e shqiptarëve të Amerikës që po i kërkojnë me këmbëngulje ,që ta dëgjojë me kujdes dhe respekt Washingtonin. Marrdhëniet e Kosovës me Amerikën kanë për kumbar Shqiptarët e Amerikës dhe Albini nuk mund ta minojë miqsinë shqiptaro-amerikane.