
Vlera e qëndresës së Jasharajve dhe të UÇK-së në tërësi, duhet të mbrohet si argumenti më i fuqishëm për të ardhmen e Kosovës. Është një testament i dëshmorëve që na obligon të punojmë për lulëzimin e atdheut. Është një dashuri që na e kanë lënë amanet, që ta duam më shumë njëri-tjetrin, që të ndërtojmë një shoqëri të njerëzve të lirë, ku jeta do të ketë kuptimin më të thellë të mundshëm, në pajtim me misionin që i ka dhënë njeriut Krijuesi i tij.
————
Milazim KRASNIQI
Kaq vite pas qëndresës dhe rënies heroike të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit dhe të më të dashurve të tij, vendi për të cilin ata luftuan dhe ranë me nder, ka rastin që të reflektojë më shumë se kurrë më parë për atë epokë, e cila asnjëherë nuk do të mund të rrëfehet e plotë me fjalë, në tërë përmasat e saj. Tash më shumë është momenti për ta shprehur nderimin, duke gjetur brenda vetes atë ndjenjë që na bën të ndiejmë dashuri njerëzore për vlerat e lirisë dhe që na ndihmon të identifikohemi me idealet e saj.
Heronjtë janë të përtejkohshëm
Vërtet, lufta heroike e Adem Jasharit dhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në ballë të së cilës ai ishte, më duket se duhet të përjetohen si dashuri e tyre për jetën dhe për ne. Por, jo për çfarëdo jete. Ata e deshën një jetë të lirë dhe deshën të na shohin si njerëz të lirë. Pa atë dashuri të pakufishme për lirinë dhe dinjitetin njerëzor, pa atë ideal dhe guxim të parrëfyeshëm, nuk mund të mirret me mend hyrja në luftë me pushtuesin, i cili ishte shumëfish më i armatosur dhe i motivuar me një egërsi shfarosëse. Sot është më e qartë se kurrë se Adem Jashari dhe më të dashurit e tij, e deshën atdheun dhe lirinë tonë më shumë se gjithçka tjetër, dhe atë dashuri na e kanë lënë testament. Rrjedhimisht, Adem Jashari dhe bashkëluftëtarët e tij, përveç që ishin idealistë dhe humanistë, ata ishin edhe ishin vizionarë, sepse e ndien se dashuria e tyre për lirinë e atdheut, ishte më e fortë se urrejtja dhe armët e pushtuesit. Dashuria e tyre për atdheun dhe për lirinë e tij, e manifestuar edhe gjatë luftimeve me këngën, i kalon përmasat që të jetë e kapshme nga logjika e zakonshme njerëzore. Prandaj, heronjtë edhe janë të përtejkohshëm.
Pas një lufte heroike, trupat e pajetë të Ademit, Hamzës, Shabanit dhe të më të dashurve të tyre, pushtuesi i egër serb, i pati “ekspozuar” në një depo në dalje të Skënderajt, për të tmerruar shqiptarët, që ende u duhej të prisnin radhën e masakrave të kriminelëve serbë. Ai veprim morbid ishte bërë për të shkaktuar paralizë të plotë mentale dhe vepruese të shqiptarëve. Të gjithë duhej ta kuptonin se Serbia do t’i vriste egërsisht, me gra e me fëmijë, deri në zhbërje totale të familjeve, nëse do të guxonin të kundërshtonin robërinë. Më tutje, masakra kundër Jasharajve ishte menduar për të shërbyer si mjet për thyerjen e rezistencës së armatosur dhe për të ngritur kundër UÇK-së akuzën se “ajo ishte shkaktare” e kasaphanës. Ajo ishte një djallëzi sllavo-bizantine, e injektuar me anën e propaganës, thashethemeve, intrigave dhe shpifjeve, që pati dhënë jo edhe pak pemë të egra. E mbaj mend me dhimbje se më 5 mars 1998, deri sa në Prekaz Serbia po bënte një gjenocid kundër shqiptarëve, në Prishtinë shërbëtorët e regjimit terrorist serb, përhapën një atmosferë paniku të jashtëzakonshëm. Në orët e pasditës, Prishtina praktikisht ishte e tëra e ngujuar në shtëpi. Ishte një elektro-shok i propagandës serbe, për të mbytur reagimin e shqiptarëve, ende pa lindur mirë i plotë. Por, përveç goditjes së parë trullosëse, nuk ndodhi paraliza, që e kërkonin vrasësit serbë. Filloi të ndodhte e kundërta.
Historia e vërtetë e shqiptarëve të Kosovës
Fillimisht, ndodhi shpërthimi i një vullkani të urrejtjes ndaj pushtuesit. Pamjet e trupave të pajetë të Jasharajve të masakruar, pamjet e shtëpive të djegura, mblidhnin pikë-pikë urrejtjen e njeriut shqiptar ndaj egërsisë së pushtuesit. Pastaj filloi të vdiste frika. Radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës filluan të zgjerohen me një shpejtësi të habitshme. Dashuria dhe sakrifica e Jasharajve për lirinë e atdheut, ishte shndërruar në një ortek të fuqishëm, i cili do të përlante para vetes frikën, hamendjen, dykuptimësinë, hilenë, tradhtinë. Dashuria për atdheun dhe lirinë e tij, e Adem Jasharit dhe e bashkëluftëtarëve të tij, kishte mundur ftohtësinë e vdekjes. Heroizmi i tij ishte i përtejkohshëm. Edhe kur ne na është dukur se e kemi parë trupin e tij të pajetë, ai ka qenë me fuqi vepruese mbi ndërgjegjen e bashkëkombasve më shumë se çdo i gjallë tjetër.
Sot, në shtetin tonë të pavarur, çdo njeri që mendon, që jeton dhe që vepron shqip, e di se Adem Jashari dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, janë bërë shtyllat më të forta të historisë dhe të lirisë së këtij vendi. Pa atë qëndresë heroike, kush mund të thotë se Kosova do të mund të ishte e çliruar nga thika çetnike? Nuk ka qenë e thënë dhe as e domosdoshme që të gjithë shqiptarët ta dinin përnjeherë këtë të vërtetë. Por, pas kaq vitesh, vërtet kush mund të argumentojë se pa atë qëndresë, pa atë sakrificë, pa tërë atë luftë, do të ndodhte intervenimi ndërkombëtar, dëbimi i Serbisë, rindërtimi i Kosovës dhe pavarësia e saj? Pra, tashmë dihet se lufta e Adem Jasharit dhe ushtria e tij, është historia fitimtare e shqiptarëve të Kosovës. Mirëpo, kjo histori duhet të shndërrohet në vlerë zotëruese në jetën e këtij vendi dhe të këtij kombi. Vlera e qëndresës së Jasharajve dhe e UÇK-së në tërësi, duhet të mbrohet si argumenti më i fuqishëm për të ardhmen e Kosovës. Është një lumë gjaku që na ka ndarë për jetë të jetëve nga vrasësit tanë. Është një testament i dëshmorëve që na obligon të punojmë për lulëzimin e atdheut. Është një dashuri që na e kanë lënë amanet, që të duam më shumë njëri-tjetrin, që të ndërtojmë një shoqëri të njerëzve të lirë, ku jeta do të ketë kuptimin më të thellë të mundshëm, në pajtim me misionin që i ka dhënë njeriut Krijuesi i tij.
Shndërrimi në vlerë të parevokueshme kombëtare, i qëndresës së Jasharajve dhe të UÇK-së në tërësi, është një proces që po vazhdon. I shoqëruar nganjëherë me elemente të moskuptimit të dimensionit historik, i shoqëruar edhe më tutje nga intrigat dhe inskenimet e mbeturinave të pushtuesit. I shoqëruar edhe nga ndjenja të turbullta, të paartikuluara të njerëzve të painformuar, të atyre që kujtojnë se mund të deklarohen me fjalë për heronjtë dhe ushtrinë e lavdishme çlirimtare, ndërsa nga ana tjetër të rreshtohen në radhët e sabotuese ndaj atyre vlerave. Por, procesi i akceptimit dhe i vlerësimit, është i pakthyeshëm. Adem Jashari edhe ushtria që e vazhdoi amanetin e tij, janë pragu nën të cilin më kurrë nuk do të mund të ulet liria e Kosovës.
ÇKA SHIHNIN ATA BURRA PËRTEJ TERRIT
(Ademit e Hamzës))
Çka shihnin ata burra përtej territ
Që të nxirrte sytë me verbëri robërie
Përtej tymit që shpërthente
nga themelet e shtëpive të tyre
ku fëmijët po i bënin detyrat e fundit
duke rënë pranë nënave të vdekura
Ne nuk do ta dimë kurrë
Çka shihnin Ademi e Hamza
Përtej vdekjes
Por teksa shohim lirinë tonë
Mund ta marrim me mend
Se ata na shihnin ne
Këtu ku jemi tash e atje për ku jemi nisur
Sepse ashtu janë heronjtë
Shohin të ardhmen që larg
Nga lartësia ku i shpie trimëria