
Nga Ledio Xhoxhi, punonjës shkencor në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë/
Libri “Pas takimit me alienin” i prof.dr. Arian Kadiut, është një është një roman për fëmijët nga mosha 8 – 13 vjeç. Përpara lexuesit shfaqen personazhe origjinalë dhe interesantë, përshkruhen episode dhe ngjarje që ngacmojnë fantazinë, të vënë në mendime dhe të bëjnë të ndjesh dhe të përjetosh thellë bukurinë e një vepre të vërtetë letrare. Libri të zhyt në venturat e Albit, ku ripërcaktohen kufijtë e imagjinatës. Krijesat magjike, luginat e magjepsura dhe e pamundura janë vetëm disa nga ato që zbulohen në këtë libër. Romani i cili na vjen nga autori dhe shkrimtari i dashur shqiptar Arian Kadiu, tani mund të lexohet edhe në gjuhën angleze, botuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kur lexon romanin për fëmijë “Pas takimit me alienin” qëndron i menduar një copë herë. Libri të vë në mendime, ai të nxit imagjinatën, duke ngacmuar ato mendime, deri atëherë të fjetura; duke i vënë ato në lëvizje, dhe, kësisoj, lexuesi i vogël kërkon të ketë jetën dhe aventurat e Albit, të shoqëruar me episode dhe ngjarje interesante. Ashtu si dhe personazhi kryesor i librit Albi, edhe lexuesi ëndërron dhe përfytyron, nxitet dhe dëshiron, teksa librin e mban shtrënguar në duart e tij. Është kjo mjeshtëria e shkrimtarit Arian Kadiu, i cili ndodhet në çdo shkronjë dhe faqe të librit, me fantazinë dhe krijimtarinë e tij, ndërkohë që e nxit vazhdimisht lexuesin, duke u ndaluar dhe duke menduar herë për njërin tregim dhe herë për tjetrin. Fantazia dhe imagjinata fëmijërore bëjnë hapat e tyre të mëdhenj drejt realizimit të ëndrrave dhe dëshirave për jetën, për shkollën, për lodrat, për aventurat, për dashurinë për familjen, për njerëzit dhe atdheun.
Autori Arian Kadiu është diplomur në Universitetin Tiranës, në fakultetin Histori-Filologji, dega gjuhë-letërsi shqipe. Ka fituar grada dhe tituj shkencorë si “Profesor Doktor” (2007), “Mjeshtër i Madh” (2017), “Nder i qytetit të Peshkopisë” (2012). Ka punuar gazetar dhe redaktor në gazetën “Mësuesi”, specialist në kabinetin pedagogjik të Peshkopisë, specialist kombëtar në Institutin e Studimeve Pedagogjike, kryeredaktor i revistës shkencore “Univers”, pedagog i jashtëm në Universitet, autor i mjaft tekstesh para dhe pasuniversitar etj., me disa specializime ndërkombëtare për psikologjinë e moshave të reja.
Përvojën e tij në fushën e pedagogjisë, sociologjisë dhe psikologjisë, por edhe personalitetin e tij si pedagog dhe shkrimtar, prof. Kadiu e ka shprehur në kolanën e madhe të librave dhe botimeve të tij, që janë mirëpritur dhe mbeten gjithnjë në dispozicion të lexuesve, studiuesve dhe veçanërisht të mësuesve. Gjithashtu ai është autor i mbi 450 artikujve problemore të botuara në shtypin e përditshëm, periodikë e në gazeta dhe revista të ndryshme.
Dëshiroj të sjell në kujtesën e lexuesit një sërë titujsh librash të së njëjtës zhanër nga Arian Kadiu, si: “Aventurat e pabesueshme të Batos” (novelë-përrallë, 2002), fitues i çmimit të parë në konkursin shpallur nga shoqata e shkrimtarëve për fëmijë, “Pendimi i arushit pa bisht” (pjesë për kukulla,1975), fitues i çmimit të dytë në konkursin e 30-vjetorit të çlirimit të atdheut, “Një ndodhi në det” (tregime, 1997), “Pse dridhet harku i violinës” (tregime, 1974), “Trishtimi i blertë” (novela për adoleshentë, 2003), “Qyteti prej rëre dhe pallati i vërtetë” (tregime, 1978) etj.
Tek libri “Pas takimit me alienin”, tashmë për të gjithë fëmijët edhe në gjuhën angleze, shkrimtari e vendos personazhin e tij në situata të magjishme, interesante dhe të pëlqyeshme për fëmijët, por edhe që nxisin kureshtjen e tyre për të mësuar vazhdimin. Albi shfaqet përpara lexuesit si një djalë me zemër të gjerë, me botë të madhe shpirtërore, me merak që të mos shohë vetëm veten e tij, por të ndihmojë edhe njerëz të tjerët që kanë halle dhe, në këtë veprim-ndihmë, ai gjen kënaqësi.
Romani “Pas takimit me alienin” rrëfen historitë që na kanë formuar dhe frymëzuar, histori që na ndriçojnë mendjen në realitetin e përditshëm. Ashtu si një objekt të përditshmërisë tonë, këtë roman duhet ta ndajmë me njëri-tjetrin, ashtu siç bëjmë kur dëgjojmë një muzikë të bukur.
Pa lexuesin, libri nuk ka asnjë vlerë, leximi është në fakt qëllimi final i kulturës së librit. Libri “After the Alien Encounter” (“Pas takimit me alienin”) duhet marrë, prekur, blerë, huazuar, dhuruar, për të pasuruar bibliotekën e çdo fëmije, për ta kujtuar, për t’ia kthyer cepin e fletës që t’i rikthehemi sërish, për t’i nënvizuar rreshtat, për t’i shkëputur fletën e pjesës së parapëlqyer, për ta fotografuar mbase, për të kujtuar dikë, për të nxitur fantazinë, për të kopjuar një fjali, për t’u izoluar në një jetë paralele mes fletëve, në jetën që nuk e ka por që na e jep ky roman…
Recensë mbi librin me titull
“After the Alien Encounter” (“Pas takimit me alienin”)
Nga Ledio Xhoxhi, punonjës shkencor në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë