Shukrije Ramadani bashkëshortja e Heroit të Kosovës Komandant Agim Ramadanit, në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli – Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, dhënë Editorit Sokol Paja, rrëfen pas në kohë jetën e heroit të Kosovës Agim Ramadanit, fëmijërinë, familjen, pasionet, pengjet, pëndjekjen dhe represionin prej serbëve, rënien heroike dhe betejën e sotme të UÇK për drejtësi.
FËMIJËRIA E AGIM RAMADANIT
Ka lindur më datën 3 maj të vitit 1963 në Zhegër të Gjilanit. Zhegra është një fshat i bukur pitoresk me kodra e pllaja të bukura. Grykë e mrekullueshme e Karadakut, e cila gjithmonë ka qenë krenare për mikpritje, bujari e trimëri. Si fëmijë ishte i njohur në fshatin e tij me mbi 5000 banorë për zgjuarsinë e tij në shkollë dhe humorin e lehtë që e paraqiste përmes parodive para publikut në orët e shpeshta letrare. Ishte vazhdimisht kryetar apo zëvendës-kryetar shkolle, udhëheqës i Klubit Letrar dhe i Klubit të Artistëve të rinj dhe shkolla mburrej me çmimet e para, të cilat vazhdimisht i fitonte Agimi.
SHUKRIJA DHE AGIMI, NJË DASHURI QË NË BANKAT E SHKOLLËS
Ishim bashkërisht në të njëjtën gjeneratë në shkollën fillore ‘’Bashkimi”, që sot mban me krenari emrin e Agim Ramadanit. Deri në klasën e tetë e kisha kundërshtarin më të madh, ngaqë ishte më i fortë se unë në shumë drejtime. Kur ai ishte kryetar shkolle, unë duhet te kënaqesha me titullin zëvendës Kryetare apo e kundërta. Në çdo pjesë teatrale luante sherrin apo kundërshtarin tim. Se di kur u dashuruam, por duhet të ketë qenë diku pas përfundimit të shkollës së mesme. Kishim filluar të ëndërronim dhe planifikonim bashkë për të shkuar dhe studiuar në Akademi Ushtarake në Kroaci. Po ëndërronim se si ti futeshim armikut nga brenda. Për fatin tim jo të mirë unë nuk arrita që t’i bashkohem Agimit, pasi që asokohe u dënova si kundërshtare e pushtetit për pjesëmarrjen në demonstratat e vitit 1981.
LARGIMI NË KROACI PËR STUDIME
Kjo bëri që nuk mu lejua të studioja bashkërisht me të në Kroaci. Pushteti na kishte prishur planet e përbashkëta, por asnjëherë nuk na theu në dashurinë tonë për njëri-tjetrin. Në kryeqytetin e Kroacisë, Agimi kishte kaluar nëpër shumë vështirësi, vuajtje dhe pengesa që vetëm e vetëm mos ta përfundonte Akademinë. Ata kishin shkuar aq larg saqë ia ndaluan martesën me mua, ngaqë unë isha shpallur irredentiste, nacionaliste e çka jo tjetër. Letrat e shumta që i ne i dërgonim njëri-tjetrit për të përmbushur mallin e pritjes më duhej t’ia shkruaj me adresën e një serbe në gjuhën serbe që t’i lejonin t’i merrte. Ishte vërtetë pushtet i egër, por duket se me egërsisë e tij na bënte më të forte dhe më këmbëngulës për ta luftuar në çdo hap. Jo rastësisht thuhet se ajo që nuk të vret të bën edhe më të fortë. Sapo diplomoi në ditën e dytë të diplomimit u martuam ashtu siç i kishim premtuar njëri-tjetrit dhe jeta filloi me sfidat e reja të punës ku kundërshtarët nuk harronin t’ia rëndonin çdo hap. Por, ai ishte më i fortë, më i zgjuar dhe më i vendosur se ata. Ngaqë e dinte se vetëm duke ua njohur dobësitë dhe duke përfituar nga njohuritë e shumta mund t’i mundnim në fushën ku ata ishin më të fortë, në armatë e armatim. Për 5 vite me radhë sa jetuam në Kroaci ku na lindën dy djemtë Jetoni dhe Edoni, ai përgatiti, mbështeti dhe aftësoi grupe të rinjsh, të cilët e ndjenin veten të rrezikuar nga pushteti dhe mbështetjen e vetme e gjenin te oficerët e guximshëm, të cilët ishin të paktë në ish Armatën Jugosllave. Ditën fundit, që iku nga ushtria ai me vete mori 5 djemtë e fundit shqiptarë, që kishin mbetur në armatë, i shpërndau në shtëpitë e tyre në Kosovë, me urdhrin që vetëm të njoftonin familjet që ishin gjallë dhe të nesërmen të gjithë të largoheshin nga Kosova bashkë me ne dhe dy fëmijët tanë.
LARGIMI FAMILJARISHT DREJTË ZVICRËS
Në fund të dhjetorit 1990 ikëm për në Zvicër, ku na u bashkuan edhe 3 ushtarët e tij dhe që nga ajo ditë ende jetoj në Zvicër, bashkë me djemtë Jetonin, Edonin dhe vajzën Lorinën, e cila është e martuar tani dhe ka vajzën e saj Emën dhe me fëmijët e Jetonit; nipin Agimin e Kolosin dhe mbesën Katanën. As në Zvicër nuk e patëm lehtë në fillim. Ishim vendosur në qendra refugjatësh, ku ishin grumbulluar mijëra të rinj dhe familje nga Kosova, të cilët kishin ikur nga represioni serb. Por, me kohë e morëm veten, u punësuam të dytë dhe krijuam qerdhen tonë të ngrohtë pas shumë peripecish e sulmesh mbi Agimin. Dora e zgjatur serbe kujdesej për mos rehatinë tonë edhe në Zvicër. Kështu që në vitin 1995 na dogjën shtëpinë ku jetonim me 3 familje tjera, por fati Agimi qëlloi në shtëpi bashkë me djalin e vogël dhe arriti t’i shpëtonte të gjithë banorët, të cilët u ngujuan brenda nga paniku dhe zjarri i madh që kaploi shtëpinë menjëherë. Unë isha në fshatin afër ku punoja si mësuese për fëmijët tanë në gjuhën shqipe dhe policia na propozoi të gjenim banim tjetër, por as në vendbanimin tjetër se patëm lehtë. Rreth një vit më pas në postën tonë na arriti një paketë e vogël, që mu duk e dyshimtë dhe në vend se ta hapja thirra policinë, të cilët alarmuan tërë bllokun ku jetonim dhe për dy vite s’kisha të drejtë te hapja letrat e as pakot pa praninë e policisë.
UNË DO TË SHKOJ ATJE KU MË THËRRET GJAKU I FËMIJËVE DHE I NJERËZVE TË PAFAJSHËM QË VRITEN, VETËM PSE JANË SHQIPTARË
Këto bënin që Agimi të stërvitej vazhdimisht dhe të ishte i gatshëm për luftë në çdo moment dhe nga momenti kur Familja Jashari u flijua heroikisht, ai më nuk priti as kërkesë e as urdhër nga udhëheqja e Kosovës dhe Komandanti i Përgjithshëm, por para kolegëve të tij oficerë deklaroi: “Unë do të shkoj atje ku më thërret gjaku i fëmijëve dhe i njerëzve të pafajshëm që vriten, vetëm pse janë shqiptarë”. Iu bashkua luftës dhe me 23 mars, 1998 dhe ra në Altarin e Lirisë më 11 prill, 1999. Për aksionet e shumta dhe suksesin e tyre mund t’ju flasin ata që përjetuan udhëheqjen e Agimit dhe mbrojtjen e tij në kohë lufte. Por, fakt është që sa ishte Agimi gjallë nga aksionet e shumta që udhëhoqi asnjëherë nuk iu vra asnjë ushtarë, ngaqë prioritet kishte mbrojtjen dhe sigurinë e çdo ushtari të tij. Ata i konsideronte si fëmijët e tij. Amaneti i vetëm që më la si në shaka, sa ishte në Zvicër për të rekrutuar të rinjtë tanë për në luftë, më luti “se në rast se më ndodh gjë, të lutem mos mi rëndo shokët‘‘. Dhe kjo më ndihmoi të qëndroja krenare para tyre kur shkova në Koshare pasi më thanë se ishte plagosur, gjë që s’ishte e vërtetë ngaqë ai kishte vdekur në vend nga plumbi i snajperës, e cila e kishte tejshkuar nga krahu në zemër.
DERISA TË MOS MBETET KËMBË ARMIKU NË ATDHEUN TONË…
Kur Komandant, Rrustem Berisha, deshi të mi dorëzonte armët e Agimit e luta që armët e Agimit të mos pushonin deri të mos mbetej këmbë armiku në atdheun tonë dhe armën e krahut të Agimit ia dorëzova atij, ndërsa armën e dorës shokut të tij, Xhafer Gashit. Ajo që ka qenë më e vështira gjatë kësaj kohe sa kam qëndruar në luftën e Koshares, ku kam bartur uniformën e Agimit dhe armët e tij, ishte gënjeshtra që më duhej tu thonim ushtarëve se Agimi ishte gjallë dhe për momentin ishte i zanun në frontin tjetër. Kjo ishte e domosdoshme ngaqë armiku kërkonte dobësimin e radhëve të UÇK-së, duke shpërndarë frikë e mosbesim. Ushtarët ishin të lidhur me Agimin, ngaqë ai u printe në çdo betejë dhe sfida që vet t’i bindja se Agimi ishte gjallë ishte sfidë e rëndë emocionale, por edhe gënjeshtër që më ndihmonte ta kaloja dhimbjen më lehtë. Nga njëra anë ngaqë s‘doja ta pranoja realitetin dhe nga ana tjetër ngaqë sa mendonin se ai ishte gjallë jetonte vërtetë si udhëheqës i tyre. Gjatë asaj kohe në telefonin satelitorë veterani, Sali Qeku, e thirrte vazhdimisht, ngaqë ende se dinte se çka kishte ndodhur dhe Xhaferi ma ofroi mua telefonin me lutjen t’i përgjigjesha. Kur u përgjigja unë veterani i habitur me pyeti pse isha aty. Përgjigja ime ishte e shkurtë, ‘‘Ti e din ku asht Agimi jam edhe unë‘‘. Ai e kishte kuptuar se Agimi nuk ishte më dhe pas një jave edhe ai iu bashkua në Altarin e Lirisë.
JETA PA AGIM RAMADANIN, KRENARI, DHIMBJE, TRISHTIM…
Jeta ime pa Agimin nuk ishte e lehtë. Humba shokun e fëmijërisë, dashurinë e vetme, me të cilën u rrita dhe trishtimi vazhdon të jetë pjesë e përditshmërisë, njëjtë si krenaria e mburrja që kisha një shok trim të pa zëvendësueshëm. Vazhdoj të sillem njëjtë me të në zemër, duke u përpjekur çdo moment për të plotësuar një dëshirë të tij të pa realizuar, një udhëtim të mbetur peng, një ekspozitë të dëshiruar për ta parë apo realizuar diku, e mijëra dëshira të mbetura peng, që e kam vështirë t’i plotësoj, mbi të gjitha ai deshi lumturinë time dhe të fëmijëve të tij dhe të gjithë fëmijëve të Kosovës, për të cilët u flijua. Uroj që gjeneratat e reja të marrin mësim nga dashuria deri në flijim për atdheun. Fëmijët tanë tani janë rritur dhe e kam shumë më lehtë, kam mbështetjen e tyre të vazhdueshme si të Jetonit, Edonit dhe Lorinës, e cila ka lindur në Zvicër dhe ka qenë misi i babit. Sa i përket përkujtimeve dhe nderimit nga shteti i Kosovës mendoj se nuk është bërë mjaft as për Agimin tim e as për mijëra Agim të tjerë që na sollën lirinë. Ngaqë përkujtimi në datat e caktuara shihet si mundësi për paraqitje të vlerave personale e për shumicën është i bezdisshëm dhe i panevojshëm tani pas 23 vitesh. Po sillemi sikur lufta ka qenë e panevojshme dhe heronjtë e viktimat e luftës kanë shkuar më kot për gjeneratat që s’duan të njohin pjesën tonë të vuajtjeve, sfidave dhe ëndrrave të këputura në gjysmë për ardhmërinë e tyre të lirë. Por, çdo popull që harron historinë e vet është i detyruar ta rikujtojë përmes përsëritjes. Kështu të pakën thuhet dhe unë shpresoj shumë dhe lutem që kjo të mos na ndodhë kurrë! Miqtë e Agimit, vazhdojnë të mbesin miqtë tanë t’i përkrahim dhe mbështesim si na përkrahën dhe mbështetën ata gjatë dhe pas luftës.
LUFTA E UÇK NDAJ OKUPATORIT SERB E DREJTË DHE E NDERSHME
Lufta e UÇK-së ishte luftë mbrojtëse e një populli që me decenie të tëra u pengua qëllimshëm në arsimim, edukim, siguri, ekonomi e shëndetësi. Po mos të ishte e tillë nuk do të mund të gëzonte përkrahjen e aleatëve si NATO-ja dhe Bashkimi Evropian. Djemtë e vajzat, që iu përgjigjen kësaj mbrojtje ishin gjaku më i pastër i kombit që synoi lirinë dhe në bashkëpunim me forcat aleate po e gëzojmë sot. Të gjykosh për luftën, e cila ishte e domosdoshme në mbrojtje të një populli që po shfarosej në mënyrën më bizare, është jo e logjikshme, por të gjykosh për vepra të padrejta personale është e drejtë edhe detyrë e çdo gjykate.
KUSH ISHTE AGIM RAMADANI (3 MAJ 1963 – 11 PRILL 1999)
Heroi i Kosovës Agim Ramadani i njohur në luftë si komandant “Katana’ ishte komandant i Brigadës 138, komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, në Koshare. Ishte strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur. Ishte njëri prej komandantëve më të shquar dhe më aktivë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ra dëshmorë më 11 Prill 1999 në Koshare. Ai dhe vepra e tij do të kujtohet dhe nderohet përjetë.