
Akademik Kristo Frashëri, personalitet i shquar i historisë, kulturës dhe arsimit shqiptar lindi në Stamboll më 4 dhjetor 1920 në një familje atdhetare nga Frashëri i Dangëllisë.
U riatdhesua familjarisht dhe u vendos në Tiranë në vitin 1927. Në vitin 1940 kreu shkollën e mesme dhe u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firences. Më 1942 u burgos dhe u internua nga administrata fashiste e pushtimit dhe në vitin 1943 kaloi në rreshtat partizane.
Në vitin 1945 -1952 punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar (sektori i kreditit). Ndërkohë ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Institutin e Lartë Pedagogjik (1951–1955).
Prej vitit 1953 ai ishte punonjës shkencor në Institutin e Shkencave. Në vitin 1955 punoi në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë dhe më 1957-n në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Në vitin 1966 u dënua nga politika e kohës dhe u dërgua për pesë vjet për “riedukim” si mësues në shkollën e mesme të Përmetit. Në vitin më 1971 u emërua përsëri punonjës shkencor në Institutin e Historisë, ku doli në pension (1990).
Në vitin 1997 u emërua zv.kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore, që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë: Antikiteti, Mesjeta, Rilindja Kombëtare dhe Koha e Sotme. Ka trajtuar tema jo vetëm nga historia politike, por edhe ekonomike, shoqërore e kulturore. Ka marrë pjesë me referate në veprimtari shkencore kombëtare e ndërkombëtare dhe ka botuar artikuj në një varg revistash shkencore, brenda dhe jashtë vendit. Akad.Kristo Frashëri është autor i kapitujve që trajtojnë historinë mesjetare të Shqipërisë dhe periudhën e Rilindjes Kombëtare në “Historinë e Shqipërisë” në dy vëllime (botim i USHT, 1959, 1965).
Në vitin 1954 ka botuar një vështrim mbi jetën dhe veprën e Sami Frashërit dhe më 1958-n një vështrim mbi Gjergj Kastriotin – Skënderbeun; më 1964-ën botoi veprën “Historia e Shqipërisë”, vështrim i përgjithshëm e i përmbledhur që nga parahistoria deri në vitin 1960” (botuar në disa gjuhë të huaja). Është autor i teksteve të historisë së Shqipërisë për shkollat e mesme gjatë viteve ’70 -‘80, bashkautor i “Histoire de l’Albanie” (Lion, 1974). Më 1984-n ka botuar monografinë “Abdyl Frashëri”. Është bashkautor dhe bashkëredaktor i “Historisë së Shqipërisë” vëll. II, 1984 dhe bashkautor i “Historisë së popullit shqiptar” vëll. II, (2002). Vepra të tjera të tij janë: “Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878 -1881” (1997); “Skënderbeu – jeta dhe vepra” (2002); “Historia e Tiranës” (2004); “Burimet historike shqiptare të shek. XV për Skënderbeun” (në origjinal dhe në përkthim shqip) (2005); “Himara dhe përkatësia etnike e banorëve të saj” (2005); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH 1878–1941” (2006); “Identiteti kombëtar shqiptar” (2006); “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (28 Nëntor 1912)” (2008); “Historia e qytetërimit shqiptar (Nga kohët e lashta deri në fund të Luftës së Dytë Botërore)” (2008); “Historia e Kosovës. Dardania (Kosova Antike)” (2009); “Skënderbeu i shpërfytyruar “ (2009); “Bajroni në Shqipëri dhe takimet me Ali Pashë Tepelenën (Vjeshtë 1809- 2009); “E vërteta mbi shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e enciklopedisë së Shkupit” (2010); “Historia e Dibrës” (2012); “Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878-1881” (2012); “Ismail Qemali – Album” (2012); “Etnogjeneza e shqiptarëve Vështrim historik” (2013); “Principata e Arbërisë : 1190-1215” (2014); “Jeta e një historiani” (2014); “Ahmet Zogu : vështrim historik” (2014); “Shqipëria në Konferencën e Paqes, Paris 1946” Vështrim Historik (2015); “Kongresi i Përmetit (24-28 Maj 1944)” Vështrim Historik dhe Burime Dokumentare (2015); “Historia e Çamërisë” (2015).
Si pedagog i historisë së Shqipërisë në Universitetin e Tiranës dhe si punonjës shkencor ka dhënë ndihmesë në përgatitjen e historianëve të rinj.
Ka marrë dy herë Çmimin e Republikës të klasit I (1961, 1984). Është dekoruar me urdhrat “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Kombit”.
Akademik Kristo Frashëri u nda nga jeta më 31 janar 2016.