Nga Faik KRASNIQI/
Shumë intelektualë në gjithë botën janë vlerësuar vite më vonë pas vdekjes së tyre, pasi në atë kohë që jetonin, nuk i donte njeri vetëm për faktin se udhëheqësi i vendit i ka shpallur “armik të popullit” apo nuk ka pëlqyer çfarë shkruante. Shumë prej tyre u duheshe të shkruanin në gjuhë ”sekrete” (si them unë), duke shkruajtur fabula apo historira me kafshë apo diçka tjetër që simbolizonte atë që donin të thonin.
Pra, çfarë quanin të këqinj më parë, i quajnë intelektualë sot, e kush e di se cilët prej njerëzve që quajmë budallenj sot, do quhen intelektualë vite më vonë nga fëmijët tanë.
……
Ne shqiptarët kemi një nevojë shumë të ngutshme për një doracak nocionor e kuptimor, në të cilin në formë më të zgjeruar do të sqaroheshin kuptimet që bartin në vete fjalët: intelektual, intelektual i pavarur, profesionistë etj. dhe secilit nocion do t’i bashkëngjitej edhe ndonjë emër nga personalitete përkatëse ndërkombëtare dhe personalitete shqiptarësh. Intelektualët janë krenaria e një kombi, shpresa e tij për një të ardhme sa më të ndritur. Fatkeqësisht shumë nga këta u detyruan të largohen nga atdheu dhe të vënë dijet, inteligjencën,.zotësinë e tyre në shërbim të vendeve ku jetojnë.
……
Në Kosovë ka vdekur intelektualizmi. Kosova nuk ka më intelektualë të mirëfilltë! Në Kosovë ka vetëm intelektualë mercenarë që punojnë për interesa të partive dhe grupeve të caktuara! Psh: Akademia e Shkencave të Kosovës, kurrë nuk del me një qëndrim zyrtar për çështjet madhore të Kosovës, për ta orientuar për së mbari shtetin, e sidomos tash që jemi në një gjendje shumë të rëndë. Shtrohet pyetja: çfarë na duhen atëherë këta të ashtuquajtur akademikë, kur nuk bëjnë asgjë për interesin e Kosovës, se tek e fundit për atë punë paguhen, apo rrinë aty që të marrin nga 2000-3000 euro rroga në muaj e beneficione të tjera! Akademikë dhe intelektualë, mos fleni, por zgjohuni nga gjumi i arushave dhe punoni për të mirën e vendit!