
Prof. Dr. Romeo Gurakuqi
Pjesa e parë…
Ernest Koliqi lindi në Shkodër 120 vite më parë (20 maj 1903) në një familje qytetare të Shkodrës më rrënjë të fuqishme shqiptarie. Ai lindi në qytetin e Pashko Vasës, Zef Jubanit, Luigj Gurakuqit, Fishtës e Mjedës. Ernesti vinte nga një formim familjar katolik, por me një ngjyrim të lehtë liberal; me një koncept të patriotizmit tipik të luftrave për pavarësi. Koliqi ishte nipi i Cuk Simonit dhe stërnip i Filip Parrucës, ndër familjet ma të vjetra tregtare të Shkodrës, prandaj ndër shkrimet e veta na ka dhënë pasqyren letrare ma të qartë të këtij mjedisi shoqëror, të cilit ai i përkiste. Shumë i ri Koliqi e filloi veprimtarinë e vet si shkrimtar. Marrëdhëniet e ngushta me Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Dom Lazër Shantojen, Benardin Palajn, Karl Gurakuqin, Shuk Gurakuqin, Nush Topallin, Kolë Kamsin, rrethi i miqvet të zgjedhur për aftësi të veçanta në fushat studimore, administrative dhe me botkuptime të qarta përparimtare politike, qenë për ate një shkollë e mbarë ku mori udhëzimet, jo vetëm për karrieren e tij si letrare, por ndikuan drejtëpërdrejtë në formimin e bindjeve të tij politike, mbi rrugën e përparimit të Shqipërisë. Në periudhën e parë të veprimtarisë shoqërore, Ernest Koliqi, që kishte një përgatitje të përsosun të shkollës klasike, tërhoqi menjëherë vëmendjen e Luigj Gurakuqit, personalitetit politik ma të shquar që kishte Shkodra së paku, dhe që njihej brenda dhe jashtë Shqipërisë si një ndër krijuesit dhe administruesit e shtetit të parë shqiptar. Luigj Gurakuqi vetë banonte në Rrugën e Gurakuqve, në mëhallen e quajtur Gjuhadol, në afërsi të shtëpisë së Shan Koliqit, atit të heroit tonë. Në këtë mënyrë, njohja, miqësia, botkuptimi e idealet e njëjta ishin fare të natyrshme.
Po ashtu jo larg shtëpisë së tij, në mjediset e Shkollës Fretnore të Lagjes Giuhadol të Shkodrës ishin pikëpjekja e intelektualëve të qytetit, “ku rriheshin çështje në lidhje me politikën e kohës kur Shqipnija ishte tue marrë nji kthesë në historin e vet.”
Rritur në këtë mjedis qytetar, patriotik dhe përparimtar dhe mjaft të ngritur nga pikpamja arsimore e kulturore, është e kuptueshme pse në bazamentet e formimit të tij Koliqi përmbante konceptime dhe perspektiva aq atdhetare, liberale, të krishtera, katolike dhe perëndimore të jetës shtetërore, kombëtare dhe asaj private. Prandaj ai gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij shumëplanëshe u përpoq, siç thoshte vetë-“me mendje të ndritur, pa mburrje…. për një zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar”. Koliqi i përket atij formimi dhe grupimi të elitës shqiptare që shpëtimin e kombit shqiptar e shihte në një kulturë moderne perëndimore, të ushqyer dhe brumosur prej virtyteve arbnore.
Pas Dezintegrimit të Perandorisë Austro-Hungareze (fuqi e madhe që e vetme pothuajse punoi për ringritjen arsimore, kulturore të popullit shqiptar, për krijimin e një elite dhe një ideologjie arbnore drejtuese për shoqërinë shqiptare), i gjithë grupimi udhëheqës më përparimtar i Shqipërisë dhe Kosovës i ktheu sytë nga Italia, pavarësisht se politika e këtij vendi ndaj Shqipërisë ndryshonte katërcipërisht nga aleati strategjik austriak.
Përmbysja e përpjekjeve 6 vjeçare për rithemelimin e një shteti kushtetues dhe parlamentar me përfshirjen edhe të deputetëve të Kosovës në Tiranë, pas kundër-revolucionit zogist të realizuar me ndihmen e forcave mercenare të ardhura nga Jugosllavia në dhjetor 1924, bëri që pjesa më e madhe e rrethit shoqëror dhe politik të lartpërmendur, ku ishte formuar Koliqi, së bashku me prijësit komunitar, të marrin rrugët e emigrimit, vuajtjeje, ndërkohe që vendi u vendos nën pushtetin diktatoria, fillimisht republikan dhe më vonë morarkist të Ahmet Zogut. Prijësi më i rëndësishëm i krahut nacionalist, demokrat dhe europianist, Luigj Gurakuqi, u përndoq dhe u ekzekutua, sipas dokumenteve të zbuluara edhe së fundmi në arkivin e ministrisë së punëve të brendshme të Kroacisë, të porositur drejtpërdrejtë nga Tirana zyrtare e vitit 1925. Po ashtu, edhe një numër i madh i përfaqësuesve të kësaj udhëheqësie dhe aktivistësh u detyruan të jetojnë jashtë, kryesisht në Itali dhe mes tyre për një përiudhë ka qenë edhe Koliqi. Me këtë dua të theksoj se pas vitit 1925 kemi një çmontim të plotë në planin e brendshëm shqiptar, të strukturës politike përparimtare dhe demokratike. Shoqëria shqiptare nuk e absorboi dhe nuk u prir, dhe nuk kishte mundëri të prirej drejt progresit të mënjëhershëm që ofronte elita intelektuale dhe e europianizueme e vendit, që mbetej në minorancë ndër nuklet e ftilluara të shoqërisë.
TEZA QË DUA TË SHTROJ
Aktiviteti politik i Ernest Koliqit dhe rrjedha e jetës së tij ka ndjekur fatin e rrethit komunitar të cilit ai i përkiste, në një Shqipëri të penguar në zhvillimin emancipues nga pamjaftueshmëria politike dhe përdorimi i forcës prej mazhorancës anakroniste, imponuese vendimarrjet e vendit në të gjitha aspektet gjatë shekullit XX. I vendosur spontanisht pas vdekjes së Luigj Gurakuqit, për shkak të spikatjes, në kryesimin moral të elites së komunitetit katolik shkodran dhe shqiptar, ai pësoi fatin diskriminues të të gjithë anëtarëve të këtij komuniteti, sa herë që arsyeja dhe e mira e Shqipërisë e thërriste të qendronte në linjën e reformimit properendimor të Shqipërisë, demokratizimit dhe pastrimit të nacionalizimit shqiptar nga pesha e rendë e shekujve robëri dhe deformim të shpirtit arbnor. Kur them fatin e komunitetit dhe elitës katolike shqiptare, por edhe të pjesës minoritare të europianizueme të shoqërisë së prapambetur dhe post –otomane shqiptare, unë nënkuptoj një fat tragjik, përjashtues nga pjesëmarrja e drejtë në jetën politike dhe shoqnore të vendit, të udhëheqjes me kosto prozhmuese nga njëra anë, por edhe të sukseshme nga ana tjetër, mbasi falë tyre filizat e perëndimizimit të botës iliro-dardane mbetën gjallë. Duhet të kujtoj se përherë në këtë vend, rruga europianizuese, kushtetuese dhe parlamentare ka gjetur vështirësi, që nga Shqipëria e parë e Ismail Qemalit, tek Principata e Shqipërisë e Princ Wied-it (që u rrëzua nga otomanizmi i brendshëm shqiptar), strukturat shtetëformuese të Kuvendit të Durrësit (dhjetor 1918) dhe Kongresit të Lushnjës (janar 1920), përpjekja demokratizuese e qershorit 1924, dhe rënia e përpjekjes për ta nxjerrë Shqipërinë e paprekur dhe të bashkuar me trojet e lirueme nga Lufta e Dytë Botërore që kolapsoi nga vendosja e diktatures së terrorit në fund të vitit 1944 dhe fillim të vitit 1945. Gjithë këto ngjarje janë pasuar në momentin e falimentimit me dhunë ndaj komunitetit ku bënte pjesë Ernesti, me eliminime të personazheve udhëheqëse, me emigrim politik, me obskurantizëm të theksuem, me përjashtim të hapur dhe të fshehtë nga të drejtat dhe devijim total të rrugës rilindase për shtet kombëtar, laik dhe properendimor të udhëhequr nga mendja dhe shkolla.
NË JETËN POLITIKE TË SHQIPËRISË ERNEST KOLIQI NA RISHFAQET NË VITIN 1939:
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, Koliqi u përfshi në qeverinë e parë kolaboracioniste. Ai bëri një përzgjedhje politike që i ka lënë pas gjurmë që ende vazhdojnë të diskutohen, të debatohen dhe të jenë të kritikueshme, por Shqipërisë dhe shqiptarëve, ai edhe në këtë rast të paargumentueshëm në pikëpamje të inkoherencës me qëndrimet afatgjata, u ka bërë shërbime shembullore dhe të pangjashme, u ka hapur përspektiva që kanë lënë gjurmë dhe që përbëjnë precedentë themelore në arsimin, shkencën dhe kulturën e këtij populli.
Rasti i tij, sikurse edhe i disa figurave të tjera të kombit shqiptar që nuk mbetën mënjanë në këto ditë të vështira të LDB, përbën rastin e personaliteteve me autoritet të padiskutueshëm që i dolën përpara furisë së pushtuesit të verbuar, duke e penguar të përplaset mbi popullin, por duke implikuar
Sipas meje, duke e konsideruar vendimarrjen e klikës së Musolinit për pushtimin e Shqipërisë të pashmangshme, Koliqi mendoi ta përdorë këtë rast si moment për ta kthyer fytyrën e vendit nga Italia duke ndërprerë përfundimisht rrugën e Zogut dhe rrethit të tij për rikthim në krye të punëve, duke ripërkufizuar kufijtë shtetërorë në limitet nacionale, duke zhvillur një proces albanizues dhe pastrues të kulturës së shoqërisë vendase nga mbetjet otomane dhe duke rivendosur në pozicione përpjestimore edhe komunitetin katolik në udhëheqësinë politike dhe administrative të vendit.
Pavarësisht kolaboracionizmit politik, shërbimi ndaj italianëve në asnjë rast nuk kaloi në cënimin e jetëve individuale të asnjë shqiptari të thjeshtë, përfshirë edhe rininë komuniste. Mbi ate dhe personalitetet e tjera të ngjashme si ai, nuk rënduan urdhëra arrestimesh e vrasjesh ndaj qytetarëve shqiptarë. Ne në arkivë nuk kemi gjetur asnjë të tillë, ndërkohë që kemi ndërmjetësime të pafundme dhe të padallimta për falje fajesh rinore dhe bursa ndaj studentëve edhe komunistë. Ndryshe nga kolaboracionistët e tjerë të mirëfilltë në Ballkan, mbi të cilët rëndojnë urdhëra vrasjesh me mijëra ndaj kundërshtarëve politikë dhe sidomos të përndjekjes së hebrenjve gjatë luftës, mbi Koliqin dhe të gjithë të tjerët, nuk rëndojnë akuza të tilla. Rëndojnë veç firmosja e një numri ligjesh dhe aktesh të tjera, që kanë shënuar gjunjëzimin formal të Shqipërisë, që nuk janë pak, por janë thelbësisht të ndryshme me urdhërat përshkallëzues që dhanë homologët e tjerë anë e kend Europës nën thundrën nazi-fashiste, të cilët kryen krime kundër njerëzisë së vet. Aktet formale “njollosëse” ai është përpjekur t’i kompensojë me një shërbim shembullor dhe rilindas ndaj atdheut në fushën e arsimit, zgjerimit të këtij sistemi për herë të parë në “Tokat e Lirueme”, shkollimit universitar të të gjithë rinisë, zhvillimit të shkencave albanologjike dhe botimeve të paarritshme në aspektin e formimit albanianist të nxënësve shqiptarë. Së fundi, vepra e tyre është krejt e dallueshme nga e atyre që dhanë dhe ekzekutuan urdhëra vrasjesh, për dobi të komunizmit e jugosllavizmit, gjatë dhe pas LDB. Do të doja që për ilustrim të jepja disa pasazhe nga vetë Koliqi, që i komunikohen për herë të parë publikut të gjerë. Ja si e shprehte Ai, pozicionin e tij si ministër, në një letër tjetër drejtuar Karl Gurakuqit: “….Ndërgjegjen e kam të qetë. Kam krye gjithmonë detyrën si shqiptar i mirë në rrethanat ma të vështira, tue ia vu menden substancës së shqiptarizmit, jo dukjes. Ata që më njohin mirë e dijnë se akuzat qi më drejtohen janë krejt pa themel. Ti je nji prej atyne qi me je gjetë pranë si bashkëpunëtor në rasat ma kritike. Ti e din mirfilli se gjatë kohës seme këshilltarët italjanë nuk pijshin uj. Pergatitja me tekste, vendosun nji herë e mirë mbi terminologjin shkollore; themeluem Institutin e Studimeve Shqiptare qi edhe komunistat tue i nderrue vetëm emnin e mbajtën, përmirësuem gjendjen e mësuesve e të profesoreve, çuem arsimtarë ndër klinika e sanatoriume. Kryefjala jon kje (në nji kohë në të cilën italjanët zotnojshin): Kultura shqiptare mbi të gjitha. Dërgova studjoza me mbledhë lajme historike në të gjitha teqet e bektashijvet, nisa studenta nder male me mbledhë pasurinë folklorike, futa nder xakona në Kosovë (para çlirimit) konviktorë vendas me libra shqip. Sa erdha si minister mora rishtas në shërbim Lasgush Pogradecin e Gjergj Kokoshin të pushuem nga predecesori em, e u dhashë rrogat e mbrapambetuna. Lirova me garanci personale, mbas nji konflikti t’ashpër me gjeneral Guzzoni. para të cilit asokohe dridhej mbarë Shqipnija, Tajar Zavalanin, Vasil Andonin Mihail Zallarin. Mora në shërbim Abaz Ermenjin sa këtheu nga Greqia (në mos ta mirrshem në shërbim do të shkonte qyshë atëherë në Ventotene)”.
Në kohën e Koliqit Ministria e Arsimit përshkohej nga një frymë liberale, që ishte krejt e kundërt me drejtimet politike të dhëna nga ato që Ernesti i quen “sunduesat e kohës” “Giro, shkruan Koliqi, pat protestue rreptësisht sa herë për vepren teme tepër nacjonaliste si arsim, por Jacomoni s’e lente me na qite pengime në Ministri; patem shti (në librin e Historisë së Letërsisë) në radhë të shkrimtarëvet Midëhat Frashërin, Fan Nolin, Faik Konicen, kundershtarë të deklaruem t’atij rregjimi, e plot të tjerë. Patem shtu edhe Migjenin, për të dhanë një shembull të letërsisë me kujdese shoqnore.”