
Prof. Dr. Romeo Gurakuqi
Pjesa e dytë…
Fondata “Skanderbeg”-
(Instituti i Studimeve Shqiptare – Rrethi Italo-Shqiptar “Skanderbeg”)
Një nga ngjarjet më të rëndësishme në jetën shkencore në Shqipëri pas stabilizimit të pushtimit, gjatë vitit 1940, ka qenë themelimi i “Fondacionit Skanderbeg”, i përbërë nga dy seksione: Instituti i Studimeve Shqiptare dhe Rrethi Italo-shqiptar “Skanderbeg”. Fondata dhe seksionet përbërëse mund të konsiderohen si pjesë e “arkitekturës institucionale” shkencore dhe kulturore që italianët krijuan në Shqipëri, në mbështetje të politikës së tyre të lejimit të zhvillimit të patriotizmit ideal tradicional dhe nxitjes së studimeve albanologjike për të kamufluar politikat ekspansioniste, por që u shfrytëzua maksimalisht nga njerëzit e kulturës shqiptare, për t’i dhënë një nxitje të mëtejshme, sa mundeshin, pa veshje fashiste, studimeve shkencore, të arsimit e kulturës shqiptare dhe promovimit së jetës intelektuale. Duhet të kujtojmë se aktiviteti shkencor, botues, studiues që ndërmori ky institucion, ka qenë ndër më të rëndësishmit dhe me një impakt shumë të madh e themelvënës për arsimin, shkencën shqiptare, standardizimin e terminologjisë në administratë, programimin e formimit të nxënësve, krijimin e korpusit të dokumentacionit për Ministrinë e Jashtme Shqiptare për çdo konferencë paqeje të pas luftës.
Ministria e Arsimit e drejtuar nga Koliqi, nga një organ i tipit vetëm administrativ, u shndërrua në një organ programues, shtytës, nxitës i tërë kulturës kombëtare, vatër edhe për nisma kulturore private, njëkohësisht duke funksionuar si asnjëherë më parë, edhe si organ largpamës administrativ.
Ernest Koliqi qëndroi për dy vjet ministër i arsimit, më pak se dy vjet në kryesi të Institutit të Studimeve Shqiptare Tiranë dhe Qendrës së Studimeve për Shqipërinë në Romë dhe më pak se gjysëm viti në presidencë të Dhomës së Deputetëve. Ernest Koliqi Ministër i Arsimit, mori si bashkëpunëtorë të tij njerëzit dhe shkrimtarët më në zë, (e papërsëritshme deri më tani në dikasterin e arsimit shqiptar) dhe së bashku me ata filloi hartimin dhe botimin e teksteve shkollore, që ende sot janë shembuj të çmueshëm, pse jo edhe të paarritshëm nga pikëpamja pedagogjiko-shkencore e kombëtare. Sapo mori drejtimin Institutit të Studimeve Shqiptare dhe Rrethit Italo-Shqiptar “Skanderbeg”, Ernest Koliqi u propozoi autoriteteve politike vendimarrëse që t’i jepej një tjetër jetë institucionit, në mënyrë që fondata të shndërrohej në qendrën tërheqëse të shqiptarëve dhe italianëve në kryeqytet.
Për të parën herë u botua Historia e Letërsisë Shqiptare në dy vëllime: “Shkrimtarët Shqiptarë”, e redaktuar gjegjësisht nga Namik Resuli dhe Karl Gurakuqi, ky i fundit dora e djathtë e ministrit. Nën kujdesin e Koliqit një komision i përbërë nga Aleksandër Xhuvani, Karl Gurakuqi, Kolë Kamsi dhe Eqerem Çabej, grumbulloi, përpiloi lëndën e të parës antologji, që u botua në vitin 1943 me titullin “Bota Shqiptare”. Për procesin e përpilimit të teksteve Ministri e Arsimit thirri nga Piana degli Albanesi, Profesorin arbëresh Gaetan Petrotën. Dikasteri i Arsimit i dha nji hov të madh studimit dhe mbledhjes së folklorit, ndërmarrje që është e mishëruar në vijimin e botimit të shumëvëllimëshit “Visaret e Kombit”. -Kolë Kamsi, Karl Gurakuqi hartuan “Te praku i jetës” libër leximi, për klasën e parë dhe të dytë të shkollës së mesme, tekst shtetëror, Tiranë, 1940; -po ashtu, Kolë Kamsi, Karl Gurakuqi botuan “Rreze Drite” (1941) për klasën e tretë dhe të katërt të shkollës së mesme, tekst shtetëror; Në këtë varg bën pjesë “Fjalorthi” i përpiluar nga Dom Nikollë Gazulli, që përmban 5000 fjalë të rralla nga veriu i Shqipërisë dhe që është i pari fjalor përshkrues e normativ i gjuhës shqipe. Siç e trajtuam më lart, në vitin 1940 Koliqi organizoi në Tiranë Kongresin e Studimeve Shqiptare. Nga ky kongres lindi Instituti i Studimeve Shqiptare me qendër në Tiranë, dhe pranë këtij u themelua edhe Biblioteka Albanologjike dhe Muzeu Etnologjik. Në funksion të edukimit u themelua fondacioni kulturor “Skanderbeg”. Në përbërje të Fondacionit “Skanderbeg” ka qenë edhe Rrethi (Klubi) Italo-Shqiptar “Skenderbeu”, pikëtakimi i kulturës shqiptare me atë arbëreshe.
Instituti i themeluar nga Koliqi vijoi punën në atë drejtim të përcaktuar nga ai edhe në përiudhën pas shtatorit 1943 dhe gjatë vitit 1944. Emri i këtij institucioni në vitin 1944 u shndërruar në Instituti Shqiptar për Studime dhe Arte.
Përsa i përket çështjeve që lidheshin me Kosovën, Instituti e koordinoi veprimtarinë, në bashkëpunim me entet dhe me Lidhjen e Dytë të Prizrenit me këto pikësynime: 1. Vlerat e Kosovës në të kaluemen dhe në të tashmën; 2 Landa e vlefshme për diftojsin – monografi të Shqipnis; 3. Ndihmesë për Fjalorin e Botës Shqiptare; 4. Bashkëpunim me anë të nji komisioni për mbledhjen e landës së posaçme që dëshmon për të drejtat t’ona etnike mbi Kosovën.
Me 11 maj 1944, Patër Anton Harapi i drejtoi një shkresë Kryesisë së Këshillit të Ministrave, në të cilen e informon mbi aktivitetin e Institutit, në kushtet e vështira ekonomike që po kalonte shteti, në rrjedhën e ngjarjeve ushtarake të vitit 1944, duke kufizuar shpenzimet në 5 kapituj, por duke shtuar dy kapituj me rëndësi kombëtare, që lidheshin me përgatitjen e bazës dokumentare dhe argumentuese për diplomacinë e shtetit, kur lufta të përfundonte dhe rendi i ri politik europian do të shtrohej për diskutim mes fuqive fituese. Ndër kapitujt e shtuar ishin: 1-Monografia –Guidë Shqipnija, një vëllim që konsiderohej i domosdoshëm për t’u përgatitur, për ta pasur me vehte, një dergatë e ardhshme diplomatike që do të mbronte çështjen kombëtare. Kjo monografi do të ishte e pajisur me dokumente të papërgënjështrueshme mbi të drejtat etnike shqiptare si racë dhe si komb. 2.- Veprim për Studime mbi Kosovën, që ishte një program shkencor dhe kombëtar njëkohësisht. 3- Fjalori i Botës Shqiptare (për të cilin po zhvilloheshin punimet përgatitore dhe që ishte në thelb një fjalor historik i së shkuarës, si komb dhe si racë. Këto vepra në tërësi, konceptoheshin nga drejtimi i institutit me një rëndësi të posaçme për pohimin e të drejtave kombëtare shqiptare kundrejt botës. Në këtë kuadër përfshihen edhe vendimet që mori Komisioni i Gjuhësisë dhe i Etnografisë për përktimin e veprave shkencore që flisnin për Shqipërinë.
Kosova ishte në kulmin e synimeve dhe sulmeve për rimarrje nga ana e të dyja forcave politike rivale në Serbi në verën e vitit 1944. Vetë Shqipëria ishte në kulmin e kaosit, ndërkohë, në një ndërtesë në Tiranë, dhe dhjetra studio të improvizuara në shtëpitë private, burrat më të ditur të kombit i paraprinin historisë me punën e tyre të vyer. Ata nuk e ndërprenë në asnjë çast punën edhe kur krismat degjoheshin në Bulevardin kryesor të kryeqytetit, si besnikë të shtetit dhe kombit deri në fund, kur forcat e errësirës do të mbulonin Tiranën, Shkodrën dhe Korçën, etj., me gjak. Punimet e Seksionit “Kosova” nisën në kulmin e luftës, me 8 qershor 1944 dhe kanë marrë fund me 6 tetor 1944. Puna e këtij seksioni ka synue kryesisht përpilimin e një dokumentari historik-statistikor mbi Kosovën si dhe mbledhje dokumentesh ndër arkiva të ndryshme rreth po kësaj çështjeje. Seksioni “Kosova” ishte i përbërë prej studiuesish të çështjeve etnike shqiptare dhe prej intelektualësh të Kosovës. Qellimi i këtij seksioni dhe i Komisionit gjegjës ishte mbledhja e lëndës dhe e dokumentave mbi çështje historike, ekonomike, artistike, shkencore dhe përgjithësisht kulturore, që kishin të bënin me Kosovën dhe viset e tjera të Shqipërisë Etnike. Puna e Seksionit ishte konceptuar nga ideatorët që të bëhej përmes një bashkëpunimi sa më të ngushtë me të gjithë entet dhe privatët që zotëronin një kompetencë ditunore në degët e shkencës të lidhura me studimin e Kosovës dhe viseve shqiptare të integruara rishtazi në shtet. Profesori i kimisë dhe shkencave të natyrës pranë Liceut Kombëtar “Gjergj Fishta” në Shkodër, dr. Injac Gj. Ndojaj, që ishte edhe korrespondent i Institutit, i kërkoi autoritetit drejtues të institucionit, që në kuadrin e nismës për mbrojtjen edhe intelektuale të etnicitetit shqiptar të Kosovës, të themelohej një Komision, i cili do të shkonte në Kosovë për të kryer matje e rivelacione bio- antropometrike. Ky komision do të duhej të përbëhej prej dy studiuesash të shkencave natyrore, me të cilët zëvëndësoheshin antropologët e specializuem që mungojshin në Shqipëri, dy mjekë, një historiano-gjeograf, një linguist ose entolog dhe një alpinist udhëheqës. Propozimi i bazuar mbi qasje e studimit antropologjik të etnicitetit, synonte të vertëtonte, se banorët e Kosovës ishin historikisht dhe në pikëpamje prejardhjes fizike, shqiptarë. Koha e shkurtër në dispozicion dhe rrethanat e pasigurta, me sa kuptohet nuk e kanë mundësuar shqyrtimin e këtij propozimi dhe ngritjen e Komisionit. Ndërkohë, profesor Avni Zajmi mori nismën me hartue nji vepër mbi Kosovën, duke përfshirë në përmbajtjen e saj, të gjitha lëvizjet e zhvilluara nga Qeveria qendrore nepërmjet dikastereve dhe drejtorive të përgjithshme, si nga pikëpamja administrative ashtu edhe nga pikëpamjet kulturore, arsimore, ekonomike, etj. , që nga data e bashkimit të Kosovës me Shqipninë e vitit 1913.
Kështu, puna e anëtarëve të Institutit vijoi deri në ditët kur “gjendja luftarake botnore, përgjithësisht, e për Shqipní veçanisht, po bâhej gjithnjì mâ e turbulltë. Në vendin t’onë nuk e njef qêni të zo’n: vëllavrasja kà fillue me bâ viktímat e veta, njerzit vriten pá mëshirë nepër rruga, nepër kafe, nepër shtëpija e kudo; qeverija nuk ká mâ asnji auktoritet; popullsín e ká kapë tmerí; jetesa bâhet përditë mâ e padurueshme, mungojnë mjetet e gjallimit; parja shqiptare shvleftësohet gjithnji; rrogat paguhen me shum vonesë. Një hije e zezë i ka rá Tiranës. Ditë të mjerueshme e presín Shqipnín e shkretë. Jeta e çdonjênit ásht në fije të pênit; ngrìhesh në mëngjes pá dijtë se ngrysesh; gjíndja âsht mbyllë mbrenda nga frìga se han ndonji plumb rrugës. Ȃsht e këshillueshme qì t’a lâjë përkohësisht Tiranën për të pritë ditë mâ të mira”. Kështu mesi i muajit shtator, tetori dhe nëntor 1944, është koha e dezintegrimit tërësor të shtetit, administratës dhe institucioneve civile të vendit, tërheqjes, largimit ose fshehjes nga raprezaljet e të gjithë anëtarëve të Institutit Shqiptar për Studime e Arte. Ata morën rrugë të ndryshme. Një pjesë, kush ia arriti të kuptonte dhe e pati mundësinë, u largua nga Shqipëria drejt emigrimit politik. Pjesa që mbeti në Shqipëri priti në dorëzim fatin që do t’i caktonte diktatori i ri, që zbriti nga malet e Jugut në Tiranë. Institucioni u dezintegrua dhe puna shkencore e disa brezave, ose u sekuestrua, ose u asgjësua, ose u fshi nga autorësia, u pervetësua nga ekipet e reja që u instaluan në kryeqytet pas 17 nëntorit 1944.
Një moment madhështor krenarie për të gjithë shqiptarët është përpjekja e paepur e Koliqit për të shpëtuar Norbert Joklin nga kthetrat hitleriane. Kjo përpjekje është tregues i shkallës së lartë të pavarësisë administrative dhe distancës së largët të Koliqit nga “sunduesat e kohës”. Shkresa e mëposhtme është vetëm një prej përpjekjeve të njohura të personalitetit shkodran, në një kohë qe ende nuk dimë me saktësi përpjekjet e tjera të bëra nga autori në nivelet më të larta zyrtare, të cilat nuk arritën t’ia shpëtonin jetën albanologut më të madh të kohës dhe të ruanin dorëshkrimet e tij të pabotuara me vlera të paçmueshme për vendin tonë. Përpjekja e Koliqit për shpëtimin e Norbert Jokl i bashkëngjitet një përpjekje të mahershme të bamun prej At Gjergj Fishtës. Gjergj Fishta e kishte propozuar Joklin në Romë, për të qënë pjesë e rëndësishme udhëheqëse e aktivitetit shkencor albanologjik në Tiranë, ndërsa Jakomonit, me 23 shtator 1939, i kishte drejtuar kërkesën për sjelljen e tij shpëtuese në Shqipëri
Vepra tjetër e madhe e Koliqit ishte shkollimi masiv i rinisë në universitetet italiane. A mund të ketë vepër më të mirë se sa shkollimi universitar i gjithë rinisë së gjimnazeve shqiptare në Itali? Këtë e realizoi Koliqi dhe rrethi i tij formativ, natyrisht me mbështetjen e madhe që ai kishte nga Mëkëmbësi Jakomoni dhe me autoritetin e padiskutueshëm që ai gëzonte brenda qeverisë shqiptare dhe asaj italiane të asaj kohe absurdesh të pamendueshme.
Interesant është fakti se në dhënien e bursave nuk është ndjekur ndonjë parim i përzgjedhjes dhe preferencës politike të kandidatëve. Këtë e themi prej faktit se në listat që kemi pasur rastin të shqyrtojmë gjejmë emra shumë të njohur më vonë, nga të gjithë përkatësitë politike të kohës: nga pjesëtarë të familjeve që mbështeten regjimin e ri, indiferentë, antifashistë deri dhe komunistë që në të ardhmen do të bëhen anëtarë të KQ të PPSH dhe pjesë e institucioneve politike dhe të propagandës. Kjo nuk do të thotë se regjimi në Itali nuk krijoi një sistem survejimi për të gjithë kontigjentin studentor. Nga dokumentacioni në dispozicion mund të themi se kjo mbikqyrje ka ekzistuar dhe ka qenë mjaft e shtrirë, por gjithsesi ajo rezulton sipërfaqësore dhe më së shumti informative se sa reaguese dhe ndëshkuese.