



Sokol Paja/
Patrioti sipërmarrës e bamirës Ardian Golemi nga oficer në ushtrinë shqiptare e punonjës në fushën e radiologjisë në New York, është kthyer në një njeri shumë të rëndësishëm që mban gjallë lidhjet e bizneseve shqiptare me tregun amerikan dhe diasporën shqiptare të Amerikës. Një lidhje sa ekonomike por mbi të gjitha shpirtërore mes shqiptarëve përtej Atlantikut. “ALB-USA” është njësia e transportit ndërkombëtar të madhrave e produkteve të ndryshme nga Shqipëria në USA e cila prej 5 vjet funksionimi, është kthyer në një industri shërbimi e tregtie gjigande. Ardian Golemi familjarisht ka 17 vjet në USA dhe ka 28 pika furnizimi në Shqipëri dhe Kosovë duke ndihmuar fuqishëm tregtarët e prodhuesit shqiptarë që të eksportojnë prodhimet dhe produktet e tyre përtej Atlantikut. Tregtia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një mundësi e shkëlqyer për tregjet shqiptare e produktet shqiptare që jo vetëm të depërtojnë të konsumatori shqiptar në tokën e lirw e jo vetëm, por edhe të konkurojnë në cilësi e çmim produktet e huaja. Ardian Golemi aktualisht importon rreth 240 produkte tregtare nga Shqipëria dhe Kosova në USA duke qenë lider në transportin ndërkombëtar të tregtimit të madhrave shqiptare. Produktet që kërkohen dhe konsumohen më shumë nga shqiptarët në Amerikë janë: Vaji i ullirit, djathi, gogozharet, fasulet, jufkat, pijet shqiptare etj. Përveç shqiptarëve që janë konsumatorë besnikë, ka edhe amerikanë që blejnë produktet shqiptare që importohen prej sipërmarrjes “ALB-USA” të Ardian Golemit. Zhvillimi i kësaj sipërmarrjeje shqiptare ndër më të suksesshmet në Amerikë ka sjell një revolucion për qasjen e produkteve shqiptare ndaj konsumatorit e tregut të huaj. Sipas Ardian Golemit në fillim të importimit të produkteve shqiptare në Amerikë, 90% e produkteve i blinin veç shqiptarët, ndërsa tani raporti ka ndryshuar, 60% e konsumatorit është shqiptar e 40% tregu i huaj. Amerikanët, bullgarët dhe kryesisht ballkanas e vendet skandinave e baltike janë kthyer në konsumatorë të rregullt të ushqimeve e produkteve shqiptare. Sipas Ardian Golemit rritja e çmimeve globalisht ka krijuar shumë vështirësi në këtë tregti dhe transport ndërkombëtar. Mbajtja e çmimeve në minimumin e rritjes, ka mbajtur konsumatorin besnik të produkteve shqiptare, por nëse vazhdon kështu shprehet z.Golemi, e ardhmja do jetë me shumë sfida të panjohura. Edhe pse mungojnë statistikat zyrtare shtetërore, sipas Ardian Golemit, ka të dhëna të qenësishme se tregtia në rritje dhe eksportimi i produkteve shqiptare në Amerikë, e ka ndihmuar biznesin shqiptar, për ta bërë edhe më të qartë diferencën, duhet përkrahje qeveritare sidomos nga Ministria e Bujqësisë në Shqipëri. Z.Golemi qorton bizneset dhe prodhuesit shqiptarë pasi shqiptarët në Shqipëri sipas tij, shesin shtrenjtë dhe nisen direkt nga ideja e pasurimit të shpejtë, në vend që të ndërtojnë një rrjet të fuqishëm shpërndarjeje dhe eksporti. Aktualisht, Ardian Golemi në sipërmarrjen e tij ka 6 punonjës të gjithë shqiptarë dhe ka pikë shpërndarje në disa shtete amerikane si: Florida, Chicago, North Carolina, New York, Connecticut, Boston, Wisconsin, Pennsylvania, me përqëndrim më të fuqishëm në dy pika në New York dhe Michigan. E ardhmja e kësaj industrie shërbimi e tregtie sipas Ardian Golemit synon në hapjen e një shërbimi të posaçëm për individët që dëshirojnë të marrin në vend produktet që importohen nga Shqipëria e Kosova. Përveç “ALB-USA” Ardian Golemi me familjen zotëron dhe njësinë tregtare të shërbimit “Argjiros Corner” si një mundësi jo vetëm tregtie por mbi të gjitha si ekspozim produktesh shqiptare, një mundësi atraktive për të njohur edhe të huajt produktet e Shqipërisë e Kosovës. Ardian Golemi na shpjegon për Diellin e Vatrës se në të ardhmen synohet një shtrirje edhe më e madhe në shumicën e shteteve amerikane dhe në Kanada ku do shihet në të vazhdim detaje nga legjislacioni vendas. Ardian Golemi është një shembull i shkëlqyer i patriotit bamirës. Ai çdo muaj ndihmon me shuma monetare dhe ushqime Shoqatën Duart e Hapura, Qëndrën Kulturore Islame Shqiptare në Staten Island, Qendrën Islame të Kulturës në New Jersey, Kishën Katolike në Queens e shumë individë në fatkeqësi, ndihma e bamirësi që i kalojnë vlerën 7 mijë dollarë në muaj. “Argjiros Corner” në adresën: 28-22 Astoria Blvd, Queens, NY 11102 dhe “ALB-USA Enterprises Inc” në adresën: 529 Bryant Ave, Bronx, NY 10474, përbëjnë një investim familjar dhe patriotik që mban gjallë e të fortë lidhjen mes Shqipërisë dhe Amerikës jo vetëm në tregti por në të gjitha llojet e shërbimeve të biznesit e transportit të madhrave. Sipas Ardian Golemit shteti shqiptar duhet të ndihmojë bizneset kur duan që këta prodhues qofshin të vegjël apo të mëdhenj të eksportojnë jashtë shtetit të përshtasë legjislacionin dhe kryesorja qeveria shqiptare duhet të ndihmojë bizneset dhe favorizojë prodhuesit e vegjël në bazë, jo paketuesit e mëdhenj, mbyll rrëfimin e tij të suksesit për gazetën Dielli të Vatrës, biznesmeni bamirës Ardian Golemit.