Nga Yllka Lezo – diasporashqiptare.al

Arti ka fuqinë e jashtëzakonshme për të kapur dhe përjetësuar dhimbjen, për të përcjellë kujtesën dhe për të shëruar plagët e së kaluarës. Përmes muzikës dhe fjalës së shkruar, artistja Vlera Kastrati ka ndërtuar një rrëfim të thellë personal dhe kolektiv, ku kujtimi dhe emocioni bëhen një. Albumi dhe libri i saj, “Anatomy of My Soul”, janë një dëshmi e kësaj fuqie: një kombinim i tregimit dhe muzikës që zbulon të pathënat, përballon traumën dhe sjell në jetë kujtimet e heshtura të një kohe të vështirë.
Në këtë bisedë eksplorojmë me Vlerën sesi arti mund të shërbejë si një urë mes të kaluarës dhe të tashmes, si një formë rezistence ndaj harresës dhe si një rrugë drejt shërimit. Si e rikthen një artiste dhimbjen në krijimtari? Si ndikon kujtesa në ndërtimin e identitetit të një shoqërie të dalë nga lufta? Dhe mbi të gjitha, çfarë do të thotë të gjesh zërin tënd nëpërmjet muzikës dhe të tregosh një histori që prek kaq shumë njerëz?
Vlera Kastrati na fton të udhëtojmë mes tingujve dhe fjalëve të saj për të kuptuar më mirë jo vetëm rrugëtimin e saj artistik, por edhe atë të një brezi që ka jetuar mes humbjes, rezistencës dhe shpresës.
Publiku shqiptar në Kanada mund ta ndjekë këtë rrëfim live më 29 mars 2025 në Vankuver dhe 6 Prill 2025, në Toronto Kanada

Zgjodhët të kombinoni muzikën dhe tregimin në këtë mënyrë unike, por si lindi ideja për librin dhe albumin tuaj Anatomy of My Soul?
Unë nuk e kam menduar asnjëherë të shkruaj ndonëse në familjen time të ngushtë (vëllai, nëna) por edhe në atë të gjerë (dajat, tezja) kam qenë e rrethuar me shkrimtarë e artistë. Dëshirën për të kënduar e kam pasur që kur e kujtoj veten, një vajzë e vogël plot jetë që këndonte vetëm e në duete me këngëtare që i imagjinonte prezente në dhomën e saj. Mbante koncerte me Whitney Houston-in, Chaka Khan-in, Nexhmije Pagarushën, këndonte duke u ngjitur sa më lart në sofa për të nxjerrë tinguj më të lartë, brushat e flokëve e stilolapsët bëheshin mikrofonë, dritarja e dhomës pasqyrim i audiencës, shtrati skenë. Dashurinë për muzikën shqiptare e kam nga Nëna ime Alide Vinca Kastrati. Nëna ishte figura më e afërt e më e dashur e jetës sime për mua. Ne ishim shumë të lidhura si nanë e bijë por na lidhte shumë edhe dashuria për muzikën meqë nana kishte një shije të hollë për muzikë dhe e njihte mirë muzikën e të gjitha trevave shqiptare. Nëna ime e unë këndonim me mysafirë të ftuar e të paftuar, me familjen, me shoqet e nanës e babit. Deri në momentin kur politika e opresioni serb filloi të hynte në rrugën tonë, në shtëpi e edhe në dhomën time. Më pas, në shpirtin tim. Në ndërkohë patëm disa humbje në familje të cilat na goditën shumë emocionalisht. Atëherë u zhduk tërësisht magjia e këndimit. I zuri vendin trishtimi i mbijetesës dhe të qenit shqiptar.
Kështu kur fillova të shkruaja kujtimet e mia e kuptova se dashuria për muzikën nuk më kishte vdekur. Ishte fshehur e shtypur diku thellë në mua. Dhe duke shkruar, më vinin lirshëm e natyrshëm këngët e mia të pakënduara dhe i mbushnin rrëfimet e pathëna e momentet e parrëfyera e të vështira me emocione. Çdo gjë ndodhi natyrshëm dhe unë e lashë të rrjedhin fjalët e notat ashtu si erdhën.
Cili është mesazhi kryesor që dëshironi të përcillni me këtë vepër?
Nuk mendova për një mesazh ndonëse dua shumë që lexuesit të lidhen me rrëfimin/rrëfimet, të gjejnë pjesë të tyre, t’u provokohen emocionet e tyre, t’u sfidohen mendimet e qëndrimet, të kuptojnë vendin e historinë e edhe jetën.
Kujtimet e mia dhe tonat – se asnjë rrëfim nuk fillon e nuk përfundon në këtë libër – janë një vazhdimësi rrëfimesh, emocionesh e momentesh që i ndaj me shumë shqiptarë e shqiptare si nga Kosova besoj edhe nga Shqipëria.
Po ka një gjë që do të doja që lexuesi e lexuesja të merr me vete – pa imponim natyrisht– e ajo është se forca e individit shkon përtej përvojave jetësore – sado të rënda të jenë ato. Kjo forcë e individit, për mendimin tim, i ka rrënjët te fëmijëria, atëherë kur fëmija nuk i njeh ende frikërat e jetës e vështirësitë. Atëherë kur jeton magjishëm. Aty qëndron burimi i forcës e entuziazimit për jetën pavarësisht ku jemi në jetë. Mu aty është dashuria e pakalkuluar, e pamenduar, e paprekur nga racionaliteti – dashuri e çiltër si zemra e një fëmije!
Unë aty gjeta përsëri dashurinë e vullnetin për jetë kur po shkruaja këtë kohë të jetës sime. Mu te ajo vajza e vogël që donte t’i këndonte tërë botës. Me muzikë gjeta forcën të ballafaqohem me dhimbjet e jetës, gjersa po i shkruaja e të tejkaloj vështirësitë e të qenit shqiptare e të jetuarit në Kosovë.
E kuptova se muzikën nuk ma kishte marë as lufta, as serbët, as humbjet e të dashurve, as paslufta e as pamundësitë e kufizimet e Kosovës. Dashurinë për muzikën që ishte njëkohësisht dashuria për jetën e gjeta gjersa shkruaja për fëmijërinë dhe po e jetoja përsëri. Tani, duke ecur nëpër të kaluarën time pa muzikë, po e mbushja me këngë e dashuri.

Vlera, libër albumi juaj “Anatomy of My Soul” ndërthur muzikën dhe kujtesën. Si e shihni procesin e kujtimit të periudhës para dhe pas luftës në Prishtinë dhe cilat janë sfidat që keni hasur në rikthimin e këtyre kujtimeve?
Kur po shkruaja po e vuaja jo vetëm rrëfimin por edhe idenë që në krahasim me shumë shqiptarë të Kosovës unë isha e privilegjuar. E privilegjuar në kuptimin që nuk kisha anëtarë të familjes të vrarë, nuk kisha përjetuar ndonjë masakër apo s’kisha qenë prezente në momente të tilla të rënda e çnjerëzore. Ndihesha me faj. Kisha siç thonë në anglisht – survivor’s guilt – fajin e të mbijetuarit.
Por kisha parë e dëgjuar mjaft dhe po e gjeja guximin t’i thoja gjërat siç i kisha ndjerë, parë, dëgjuar e përjetuar. Dhe ndonëse e ndjeja veten fajtore shpesh, e ndjeja edhe një forcë për të ndarë rrëfimet e të tjerëve. Ishte shtytja për të rrëfyer tregimet e parrëfyera.
Jeta në Kosovë kishte sfida të mëdha, si para luftës dhe pas. Kur po shkruaja e kuptoja se gjithë kohës kishim krizë identiteti – Kush ishim ne? Çfarë do të thoshte të ishe shqiptar/shqiptare? Ku përkisnim? Pse nuk ishim bashkë me shqiptarët e Shqipërisë? Pse nuk mund të ishim të barabartë me të tjerët në ish-Jugosllavi? e pyetje të ngjashme.
Para lufte këtë krizë na shkaktoi opresioni serb kur të qenit shqiptar kishte shumë konotacione – të qenit qytetar i dorës së dytë, të mos pasurit të drejtë të kesh institucione, të marrësh vendimet e drejta, të ndërtosh politikat e duhura, të shkollohesh shqip, të këndosh shqip, të shohësh televizionin shqiptar – me një fjalë të mos kesh të drejtë të jetosh i/e lirë e të jesh shqiptar. Thjesht s’mund të ishe njeri i lumtur, i lirë e i plotësuar.
Paslufte, kishim lirinë nga serbët por na shoqëroi konfuziteti – tani cfarë do të thoshte të jesh shqiptar – a kosovar, a kosovan, a kosovian siç na emëronin! Si të kuptohej viti 0 prej kur filloi administrimi i Kosovës nga Kombet e Bashkuara; harresa e memories kolektive; mospërfillja e përvojës institucionale; politika të ndërtuara kryesisht nga ndërkombëtarë nga e gjithë bota; mungesa e lëvizjes nga Kosova pa vizë qoftë dhe për një ditë të vetme në Evropë; ndihmat e agjendat ndërkombëtare; rruga drejt westernizimi-t përtej tradicionales; kthimi nga e ardhmja – apo siç na thonin shpesh – leave the past behind and look toward the future – lëreni të kaluarën pas.
Nuk ishte fare e lehtë! Dhe a mund të ishte kaq thjesht? A mund të bëhej kaq lehtësisht?! Në libër u mundova të kuptoj çfarë po bëheshim pas lufte. Kush do të ishim? Si do ishim? Si do ishte jeta? Po transformimi ynë pas lufte – lufta për ekzistencë, lakmia për një jetë më të mirë, dëshira për të jetuar normalisht – çfarë po na bënte kjo? A po na tjetërsonte? Kam bërë pyetje po s’i kam marrë të gjitha përgjigjet.
Rikthimi në këto përvoja më jepte shumë vështirësi. Më duhej të isha e sinqertë dhe ta lejoja veten të jem e brishtë. Kështu po e gjeja lehtësinë e ballafaqimit me jetën në të kaluarën. S’kishte mënyrë tjetër. E muzika, ma lehtësonte rrugëtimin – siç e them në libër – muzika më shoqëronte gjatë peligrinazhit në shpirtin tim.
Lufta dhe pasojat e saj janë një temë e rëndësishme në kujtimet tuaja. Si ndikon lufta në kujtesën personale dhe kolektive të një shoqërie, veçanërisht kur përballohemi me trauma dhe humbje?
Lufta të tjetërson! Qoftë si individ apo si shoqëri, të ndryshon deri në atë masë sa s’të lejon më të jetosh. Duket sikur shëndërrohesh në një personalitet të ri. Ky personalitet zhvillohet si reagim ndaj traumave, po nuk je ti. Je një person tjetër i cili ka ndërruar dhe i është adapatuar traumës. Një tjetërsim i dhimbshëm!
Sipas mendimit tim, tani pas mbi dy dekada të pasluftës, ne ende jemi një shoqëri e traumatizuar, tërë kohën në nguti edhe kur s’ka nevojë të ngutesh, të paqetë edhe kur mund të jemi të qetë, të stresuar e agresiv, nuk i besojmë jetës, as sistemit, as tjetrit. Nuk mund të dalim përtej interesit personal ku mendojmë se vetëm aty kemi siguri. Kemi pak optimizëm real. S’kemi shumë forcë për të ndërtuar jetën, vizionin për jetën me qetësi e dashuri.
Kemi shumë frikëra e pakënaqësi ende. Ka shumë që duan të ikin nga vendi apo ndoshta nga vetja.
Kemi dhimbje të shtypura, të paprekura. Kemi folur pak publikisht për këto përvoja – jo si kanë ndodhur por çfarë mund të bëjmë si individ e shoqëri t’i zbusim apo t’i tejkalojmë dhimbjet.
Na duhet shumë dhembshuri e dashuri per veten, tjetrin e jetën!

Në kujtimet tuaja, si është përshkruar periudha e heshtjes gjatë gjatë dhe pas luftës? A ishte kjo heshtje një mekanizëm mbijetese ?
Heshtja ishte padyshim një mekanizëm mbijetese. Të flisje do të thoshte të rrihesh, të dënohesh, të përjashtoheshe nga puna, të burgosesh dhe të vritesh nga serbët. Të stigmatizoheshe në rastin më të mirë. Ishte më se e nevojshme për një kohë. Por jo gjatë! Jo një jete të tërë!
Mendoj se heshtja na mbeti pjesë e personalitetit tonë kolektiv. Ne sikur harruam ta themi të vërtetën. Ka ende ngurrim të thuhet e vërteta, të sfidohet autoriteti, të parandalohet e keqja, t’u jepet emër problemeve e fenomeve të këqija.
Tani, për mendimin tim, heshtja është vetëmohim. Se çdo ngjarje kolektive, çdo padrejtësi, çdo parregullsi, sado që duket që nuk na prek ne direkt, na prek të gjithëve. Sot të thuash të vërtetën ështe akt patriotik e më se njerëzor, sado e dhimbshme që mund të jetë. E vërteta jo si kritikë mohuese e përjashtuese, por si e vërtetë çliruese sepse e vërteta të çliron. Të hap zemrën e jetën! Të ndihmon të dalësh nga burgu mental cilido qoftë ai.
Unë u mundova ta bëj këtë në librin tim duke e thënë të vërtetën besoj. Arti e thotë të vërtetën. Ndoshta, edhe më së miri. Ose arti e hap një skenë ku mund të diskutohet e vërteta. Në libër u mundova të jem shumë e sinqertë. Shpresoj ta kem arritur!
Përmes muzikës dhe kujtimeve, si mund të krijohet një lidhje më e fortë me të kaluarën, dhe si mund të ndihmojë ky proces në trajtimin e traumave kolektive?
Kur po shkruaja po mendoja– po të kishte një bibliotekë botërore globale ku secili njeri mund t’a shkruante rrëfimin e tij/e saj dhe t’a vendoste në këtë bibliotekë ku kanë qasje të gjithë. Sa çlirues do të ishte ky proces. Sa persona do ishin shëruar e sa njerëz do kishin ecur para. Ndoshta edhe shoqëri. Ka një dozë idealizimi por më shkonte në mendje shpesh.
Trauma sipas mendimit tim shërohet nëse ballafaqohesh me të. Nuk ka rrugë më të lehtë për fat të keq.
Dhe shërimi i një individi çon drejt shërimit kolektiv. Kështu fillohet. Arti është mënyra më e bukur e kreative për ta arritur këtë.

Si e shihni fuqinë e artit në trajtimin e kujtimeve të dhimbshme nga periudha e luftës? A mendoni se arti mund të mbajë gjallë kujtimet që janë rrezikuar nga harresa apo mbulimi?
Thonë shpesh se arti buron nga dhimbja – po ka edhe të tillë që e kundërshtojnë këtë mendim. Përmes artit, mendoj unë, gjejmë guximin të shikojmë dhimbjen e t’a trajtojmë atë. Pra nuk i ikim jetës e kujtimeve të rënda, përkundrazi ballafaqohemi. Është ndoshta një lloj ballafaqimi më i tërthortë, por i nevojshëm. Por nuk mjafton vetëm ballafaqimi. Është edhe mundësia për t’a zbërthyer e kuptuar. Në një mënyrë a tjetër, unë e kam bërë këtë edhe para se të shkruaj. U bë domosdoshmëri në Kosovë.
Arti, mendoj unë, i jep dhimbjes kuptim. Është një lloj alkimie – e shndërron të keqen, të ligën, dhimbjen njerëzore në një vepër të bukur, krijuese e artistike – qoftë muzikë, pikturë, libër, skulpturë a tjetër formë arti. Nuk ka mënyrë më e mirë për të mbajtur kujtimet se një vepër e tillë.
Kështu lind arti e rilind artisti!
Si mendoni se mund të përdoret arti dhe muzika për të edukuar brezat e rinj lidhur me kujtesën e luftës dhe rëndësinë e ruajtjes së historisë?
Përmes artit dhe kulturës ruajmë historinë mendoj unë. Tani, duket se arti depërton me shpejt tek të gjithë në kohën digjitale e kohën e globalizmit. Kalon lehtësisht kufij gjeografik. Qasja është më e madhe. Audienca më e gjerë. Një këngë mund të dëgjohet përmes youtube edhe nga një shqiptar në Zvicër edhe nga një shqiptare në Kanada. Po ashtu edhe një libër në amazon a një film i mirëfilltë me një link arrin kudo.
Ata që nuk e kujtojnë historinë a të kaluarën, janë të dënuar t’a përsërisin thonë. Ka gjenerata të reja në Kosovën e pasluftës që dinë pak për luftën, ndonëse mund t’a ndjejnë ende traumën e luftës. Apo ne dimë pak për ngjarjet në Shqipërinë e diktaturës meqë idealizonim Shqipërinë, ashtu si edhe ju dini pak për historinë e Kosovës së paraluftës.
Roli i artit, mendoj unë, është se jep rrëfimet personale. Një rrëfim që këndohet, shkruhet, pikturohet, a nuk flet më shumë? A nuk ka më shumë zë? A nuk është më emocional, më i thellë. Të prek e të merr!
Mendoj se arti ka më shumë fuqi e ndikim në kujtesë e në histori. Të njohësh një jetë do të thotë të njohësh shumë jetë. Të njohësh një etapë historie.
Në një shoqëri që ka kaluar nëpërmjet një periudhe të dhimbshme, si mund të kontribuojnë artistët dhe edukatorët në krijimin e një kujtese të drejtë dhe të plotë të asaj që ndodhi?
Së pari duhet të akomodohet artisti/artistja. Te ne këto inciativa janë të rralla. Ende nuk kemi të drejta autoriale për krijues e as hapësira për krijim a ekspozim të arteve në mënyrë sistematike. Ka vetëm iniciativa personale e artisti/artistja duhet të mendojë për të gjitha proceset vetë. Ka pak nga ata/ato që nuk heqin dorë.
Unë mendoj se duhet të ketë hapësirë për krijim që të kemi një kujtesë të drejtë e të plotë. Të mbështeten krijuesit nga institucionet gjatë procesit të krijimit. Ka shumë mundësi e mënyra po të ketë vullnet institucional.
Krijuesit tek ne janë të pasur me emocione e kreativitet, por duhet të mbijetojnë. Krijuesit kanë nevojë edhe për mbështetje institucionale pas krijimit. Edhe këtu ka mundësi të shumta. Sipas meje institucionalizimi i artit mundëson të kenë qasje në art e krijim gjenerata të tëra. Ta zëmë një libër i mirë, një album muzike, një film mund të jenë pjesë të një kurrikule shkolle, një moduli i lëndës së muzikës, edukatës qytetare, arteve etj. Muzetë e ekspozitat e përhershme poashtu. Mund të kemi libra të rinj në listën e lekturave shkollore, në sirtarët në ambasadat tona, piktura e vepra arti nëpër ambasada, shfaqje në festivalet ndërkombëtare apo festivale në vend, shkolla digjitale etj. Kjo besoj i jep jetëgjatësinë dhe krijon një kujtesë të drejtë, por edhe një vazhdimësi artit e krijueseve.
Pas përvojës së luftës, si ka ndryshuar për ju koncepti i identitetit kombëtar dhe personal? A ka ndikuar kjo në mënyrën se si shihni të kaluarën dhe të tashmen e Kosovës?
Ndoshta ka ndikuar më shumë si e shoh dhe jetoj të sotmen e të ardhmen. Tani e kujtoj të kaluarën më me lehtësi dhe e pranoj si të tillë. Të tashmen provoj ta jetoj plotësisht dhe ta ndërtoj të ardhmen ashtu si e dua. Dua të jetoj me mirëqenie.
Arti më ka dhënë forcë. Tani e kaluara nuk më heq teposhtë e nuk më shkëput nga e tashmja. Tani, të qenit shqiptare nuk dhemb aq më. Arti më ka dhënë së pari një identitet njerëzor, atë të qenit njeri para atij kombëtar, religjioz, politik, social.
Si mund të përdorim kujtesën e luftës për të ndihmuar në formimin e një shoqërie më të bashkuar dhe të fortë pas konflikteve dhe ndarjeve të mëdha?
Të lejojmë së pari veten të jemi të brishtë kur flasim për kujtesën. Është më se njerëzore të jesh i/e brishtë. Të forcon brishtësia.
Lufta është përvoja më dehumanizuese/çnjerëzore që mund ta ketë një njeri. Le ta flasim, ta filmojmë, ta shkruajmë, ta këndojmë, ta pikturojmë. Ta ndajmë në çfarëdo forme që e konsiderojmë më krijuese e më autentike.
Mendoj se këtu fillon fuqizimi i individëve e i shoqërisë, dhe vazhdon më tej drejt përparimit e drejt një të ardhme më të mirë.
Si ka qenë përvoja juaj duke prezantuar librin përveç shtëpisë Kosovës edhe në Holandë.
Për herë të parë kur kam jetuar jashtë Kosove ka qenë gjatë studimeve MA në New York, Columbia University. Aty pata një “çlirim” nga Kosova, që vinte padyshim nga shkëputja gjeografike. Dhe, më duket mu aty filloi kërkimi i vetes më me ngulm – sepse padyshim New York-u të flet e të pëshpërit e të flet përsëri pa ndalë. Të pyet; Kush je ti? Çfarë do nga jeta? Cila është ëndërra jote? Të thotë: Çdo gjë është e mundur! Apo siç thonë newyork-ezët – the sky is the limit!
Pas kthimit në Prishtinë, u dhashë pas pune për të ndihmuar reformave arsimore e të ndaja njohuritë që mora. Po, përveç njohurive kisha marrë me vete guximin e new york-ut. Pata filluar të marr kurse muzike njëkohësisht deri sa po punoja.
Kur fillova të shkruaj librin e muzikën, shkova të bëj një program muzike jazz në Romë, Itali. Aty takova një muzicient Amedeo Tommasi, një pianist briliant, aranzher jazz-i, kompozitor i jazz-it dhe muzikës së filmit. Më pas kuptova se kishte bashkëkomponuar me Ennio Moriccone një pjesë nga filmi “The legend of the Pianist 1900” një nga filmat më të bukur e me muzikë të jashtëzakonshme. E kisha parë shumë herë.
Qysh nga takimi i parë në studion e Amedeos, filluam të inçizonim këngët. Pas dy këngëve nuk e përballoja financiarisht inçizimin e këngëve dhe jetesën në Romë prandaj për dy vjet me rradhë kam punuar në Prishtinë e kam shkuar në Romë për të inçizuar këngët tjera.
Pastaj, në një udhëtim në Toskanë, kam takuar rastësisht Lary Bloom, redaktor i librave autobiografik i cili vepron ne Yale University dhe bashkarisht online kemi redaktuar librin.
Më pas, me vëllain tim Arben Kastrati, aktor e regjisor, kemi bërë spotin e pare të këngës “I’ve Sinned” në Prishtinë.
Ai më takoi me një regjisor francez Nicolas Duval i cili më ftoi në Paris ku në pjesë të ndryshme të qytetit xhiruam spotin e dytë këngën Paris.
Dhe kështu vazhdoi edhe xhirimi i video klipit të tretë “Teardrop” me Berat Hasanin në Prishtinë.
Librin e muzikën (në gjuhën angleze dhe shqipe) e kam prezentuar disa herë me International Women’s Group në Prishtinë, Ambasadën Franceze në Prishtinë, Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë, ndërkombëtarë diplomat e shqiptarë.
Në fund të vitit 2024 u prezentua edhe në ambasadën tonë në Hagë. Tani do të prezentohet në Vancouver në Kanadë më 29 mars dhe në Toronto në konsullatën e Kosovës më 06 prill 2025.
Çfarë do të donit që publiku të marrë me vete pas leximit të Anatomy of My Soul dhe dëgjimit të muzikës suaj?
Gruaja përjeton dhe shpreh ndjenjat me një thellësi të jashtëzakonshme. Zëri i saj në art – pavarësisht formës së artit – është një vlerë e patjetërsueshme. Gratë meritojnë më shumë hapësirë, mbështetje dhe një platformë më të fuqishme për të shprehur talentin e tyre. Duhet t’u krijohen më shumë mundësi për afirmim, njohje dhe promovim, sepse arti nuk është i plotë pa kontributin e grace. Në vend që të mbeten thjesht muza, gratë sot janë krijuese, duke sjellë një thellësi emocionale unike në çdo formë arti që prekin. Kjo e pasuron peizazhin artistik. I jep dimensione të reja. Është një trashëgimi që i jep artit më shumë jetë.
Ky libër i kushtohet një gruaje të veçantë, nanës time të ndjerë Alide Vinca Kastratit – një grua e cila gjithmonë do të jetë burimi im i dashurisë dhe grua e cila ka simbolizuar qëndrueshmërinë e hekurt të nënës shqiptare.
Ajo s’arriti ta lexonte librin!