Ledio Xhoxhi
Punonjës shkencor në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë/
Nga studimi i veprave si edhe i shumë shkrimeve e artikujve të Aleksandër Xhuvanit për çështjet e arsimit, të shkollës e të edukatës, del se ai kishte një mendim pedagogjik të gjerë, origjinal e përparimtar. Atij i takon merita kryesore në krijimin e pasurimin sistematik të shkencave të pedagogjisë e psikologjisë shqiptare.
Aleksandër Xhuvani përpunoi një sistem të tërë pikëpamjesh për pedagogjinë dhe edukatën, për vendin dhe rolin e tyre. Në mendimin pedagogjik të Aleksandër Xhuvanit gjejmë një përcaktim të saktë, të përparuar e të plotë mbi pedagogjinë, objektin dhe rëndësinë e saj. Aleksandër Xhuvani e vlerëson pedagogjinë si një shkencë shoqërore që luan rol në formimin dhe zhvillimin e personalitetit të njeriut dhe i shërben përgatitjes dhe formimit të mësuesit. Ai e vlerëson pedagogjinë si shkencë teorike dhe zbatuese. Xhuvani vlerëson lidhjen e pedagogjisë me filologjinë, sociologjinë dhe antropologjinë të cilat i quan shkenca ndihmëse për pedagogjinë.
Në fushën e pedagogjisë Xhuvani u ndikua, në radhë të parë, nga koncepsionet pedagogjike të Rilindjes, prandaj mund të konsiderohet me të drejtë se ishte vazhdues i denjë i pikëpamjeve të tyre përparimtare; i zotimit dhe i luftës për një shkollë të re, që do të shtrihej edhe në viset më të largëta e që do të ishte e hapur për të gjithë fëmijët; për një shkollë ku do të mësoheshin te gjitha dijet e vërteta shkencore dhe ku fëmijët do të zhvilloheshin drejt në pikëpamje morale, fizike e psikike. Ky fakt është çelës për njohjen e karakteristikave dhe të rëndësisë së pedagogjisë së Xhuvanit dhe të interesimit të tij të pareshtur për veprimtarinë edukative-arsimore dhe përparimin e shkollave shqiptare.
Karakteristikë për mendimin pedagogjik të Aleksandër Xhuvanit është evoluimi i tij nga njëra etapë në tjetrën, në përputhje me kushtet historiko-shoqërore dhe shndërrimet ekonomike, kulturore, politike dhe ideologjike të vendit. Arsimin dhe edukatën, në kuptimin e gjerë shoqëror e pedagogjik, Aleksandër Xhuvani i vlerëson si faktorë të rëndësishëm për çlirim kombëtar e drejtësi shoqërore, për formimin e ndërgjegjes kombëtare, për rritjen e personalitetit të njeriut e përmirësimin e gjendjes ekonomike të popullit. Xhuvani luftoi me të gjitha forcat për një shkollë kombëtare, laike e demokratike. Ai mendonte se të gjithë fëmijëve të kombit duhet t’u jepet një edukatë kombëtare e njëllojtë, pavarësisht nga besimi e gjendja shoqërore. Xhuvani shtroi si të domosdoshme kërkesën për një arsim fillor të detyruar e të drejtuar nga shteti, duke e konsideruar si bazën e qytetërimit të një populli, si edhe arsimimin e gruas shqiptare, që përbën themelin e përparimit si shtet e si komb.
Edukatën e konsideron si kusht themelor për ekzistencën e shoqërisë njerëzore. E çmon edukatën sepse nëpërmjet saj njeriu fiton përvojën njerëzore pa të cilën ai nuk mund të zhvillohet si qenie njerëzore. Termin edukatë Xhuvani e jep ne kuptimin e gjerë si rritjen, formimin, zhvillimin e njeriut dhe në kuptimin e ngushtë si sjellje e mirë e njeriut. Xhuvani e vë theksin në mënyrë të veçantë në karakterin kombëtar të edukatës. Ai e lidh atë me jetën e kombit, me gjuhën e tij, me kulturën, traditat, zakonet. Synimi i edukatës kombëtare sipas Xhuvanit është të ngjallë te nxënësi dashuri për vendin e vet e për çdo gjë që gjendet e jeton brenda në të. Aleksandër Xhuvani është kundër tezës që e konsideron edukatën si të pafuqishme në përmirësimin e natyrës së njeriut. Aleksandër Xhuvani është shprehur dhe ka mbajtur qëndrime lidhur me trashëgiminë, mjedisin dhe familjen si faktorë që ndikojnë mbi edukatën e njeriut. Trashëgiminë e konsideron si një faktor me rëndësi, por jo përcaktues. Aleksandër Xhuvanin e interesoi edhe roli edukativ i familjes. Në mendimin pedagogjik të tij gjejmë ide lidhur me rëndësinë e edukatës familjare, me rolin e nënës për edukimin e fëmijëve, ide për bashkëpunimin e familjes me shkollën. Xhuvani e quan familjen ngrehinën e parë edukatore. Në familje fillon rritja dhe edukimi i njeriut, merr njohuritë e para, zakonet e para, fillojnë të hidhen themelet e karakterit. Në përmbajtje të edukatës familjare Xhuvani përfshinte detyra të ndryshme, që nga më të thjeshtat; fillestare, si: kujdesi për shëndetin e fëmijës, higjienën, kulturën e të ngrënit, veshja, e deri në detyrat për formimin e cilësive pozitive të karakterit për edukimin me ndjenja të tilla si: të atdhedashurisë, të përgjegjësisë etj. Rezultatet e edukatës familjare Xhuvani i lidhte me kulturën e nënës, me arsimin e saj. Ndër parimet e edukatës familjare Xhuvani vlerësonte në mënyrë të veçantë atmosferën në familje, harmoninë, mirëkuptimin, por edhe organizimin e drejtë të jetës në familje. Këto i konsideronte si kushte për një edukatë të mbarë të familjeve.
Aleksandër Xhuvani thoshte se edukata duhet të jetë kombëtare e patriotike, e natyrshme, individuale e sipas kohës. Merita e Xhuvanit qëndron jo vetëm në trajtimin origjinal të këtyre parimeve, por edhe në faktin se si parim bazë të edukatës ai vë karakterin kombëtar të saj dhe e shtron atë në plan të gjerë shoqëror e pedagogjik. Mësimin në gjuhën amtare ai e shihte si element kryesor të edukatës, si shenjë të gjallë të çdo kombi, pasqyrë të qytetërimit të një populli, për të siguruar të ardhmen e vetë popullit. Ai luftoi që vendin e parë në përmbajtjen e shkollës t’a zinin lëndët me karakter kombëtar, si gjuha shqipe, leximi, historia dhe gjeografia e Shqipërisë, por edhe lëndët e tjera të përshkoheshin nga fryma kombëtare, që sistemi arsimor të ndërtohej mbi bazën e psikologjisë e të individualitetit të popullit.
Në mendimin pedagogjik të Aleksandër Xhuvanit, edukatën fizike e quante si faktor të rëndësishëm për ruajtjen dhe forcimin e shëndetit. Dy anë të edukatës fizike merrte: higjenën dhe gjimnastikën. Në mendimin pedagogjik të Xhuvanit gjejmë ide me vlerë për rolin e madh edukativ të punës në jetën e njeriut. Ai e shikonte atë si një nevojë të domosdoshme, në të cilën njeriu gjen jetën, shëndetin dhe lumturinë e tij. Ai mendonte se puna është një shkollë për të formuar karakterin, ajo shtjellon dhe shton kujtesën, gjykimin, taktin dhe vetëmohimin. Xhuvani vlerëson në radhë të parë, anën formuese edukative të punës. Ishte ndër pedagogët e parë nismëtarë që luftoi me të gjitha forcat që në mbarëvajtjen e shkollës fillore të futej edhe mësimi i punës së dorës, që çdo shkollë të kishte pranë edhe kopshtin e saj.
Si përfundim mund të them se idetë e Aleksandër Xhuvanit për pedagogjinë, edukatën dhe qëllimin e saj dallohen për kahun përparimtar, për karakterin shkencor dhe për konkretësinë. Në to shprehet shkalla e formimit të Xhuvanit si pedagog por edhe ndikimi i kohës dhe ideve pedagogjike tek disa pedagogë më të njohur.