
Festivali i 64-t i Këngës në RTSH, uli mbrëmë siparin e tij, duke shpallur si fitues të këtij edicioni, Alis me këngën “Nân”. E nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, Alis triumfon në Fest 64, dhe “Nân” do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2026 në Vjenë, Austri. Sërish ishte publiku ai që vendosi, për “Nân” një baladë emocionalisht e fuqishme e shkruar nga Desara Gjini, me kompozim nga Alis Kallaçi dhe instrumentacion nga Erjet Barbullush.
Një këngë që i flet shpirtit, një hymn për një nga plagët më të dhimbshme të shoqërisë shqiptare. Një nga tempujt më të lartë të shenjtërisë së jetës, “Nân”, mbremë provoi të ngjitej më lart, në qiellin e një adhurimi të publikut, të artdashësve, të atyre që pavarësisht paragjykimeve, gjithnjë kanë ditur të zgjedhin, kanë ditur të jenë përcaktues në vendimin e jurisë, por më së shumti në atë vlerë dhe ndërgjegje të shpirtjes kolektive që do t’i përfaqësojë ata në Eurovision Song Contest 2026 në Vjenë, Austri, në një nga eventet më të rëndësishme të këngës në Evropë.
“Mu më bahet jashtëzakonisht qefi që fitusi sante shkon shumë mirë edhe me dëshirën e audiencës sepse në fund të fundit në krijojmë kangë për audienca, ne prodhojmë për audienca. Juria profesionala në mënyrë të padiskutueshme që asht shumë e rëndësishme për të shku tek detajet e krijimtarisë. Po kangt bahen për audiencën, kshtu që na vjen shumë mirë se sante jemi në nji za me audiencën”, kjo ishte ajo çfarë tha mbrëmë në Pallatin e Kongreseve, Ramë Lahaj, tenori me famë botërore, që ishte në Festivalin e 64-tërt të Këngës në RTSH, në rolin e kryetarit të jurisë, para se t’i dorëzonte Alis trofeun e këtij eventi të rëndësishëm të këngës.
Në vend të dytë dhe të tretë u renditen respektivisht, Inis Neziri dhe Sheila. Alis, me këtë fitore, bëhet automatikisht përfaqësues i Shqipërisë në edicionin e ardhshëm të Eurosong-ut, që do të mbahet në Vjenë të Austrisë. “Nân” mori 152 pikë, 68 prej të cilave nga juria, dhe të tjerat nga votimi i publikut përmes sms-ve.
Festivali i 64-t i Këngës uli siparin me një natë ku muzika ishte më shumë se spektakël. Të ftuarit specialë, nga Bleona Qerreti te dueti emocionues Elsa Lila – Aleksandër Gjoka, nga “Shkodra elektronike” te energjia elektrizuese e Tommy Cash, e shndërruan mbrëmjen në një festë të shumëzëshme. Por mbi të gjitha këto, qëndroi një këngë e vetme, e heshtur në fuqinë e saj, që nuk pati nevojë për efekte për të fituar: “Nân”.
Tani, Alis do ta çojë Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2026 në Vjenë jo me zhurmë, por me thellësi. Jo me klishe, por me dhimbje të vërtetë. Ai do ta çojë atje zërin e nënës shqiptare, mallin e saj, pritjen e saj, dashurinë e saj të pashtershme. Dhe në një skenë ku shpesh fitojnë format, “Nân” do të guxojë të fitojë me përmbajtje. Kjo është arsyeja pse kjo fitore nuk i përket vetëm Alis. Ajo i përket publikut që zgjodhi me zemër. Dhe ndoshta, pikërisht për këtë, Europa do ta dëgjojë.
Albert Vataj