Besnik Imeri
Qyteti i lashtë i Amantias, përveç fortifikimit dhe të vendbanimit në kreshtën e kodrës në fshatin Plloçë, zotëronte edhe një territor të gjërë që nga pikëpamja gjeografike ishte mjaft i larmishëm, male, pllaja, kodra të buta, lugina dhe fusha të vogla si ajo e Brusnjes, por edhe të mëdha në pjesën fundore të luginës së Shushicës. Në këtë territor tejet të favorshëm amantët kanë ushtruar njëkohësisht bujqësinë dhe blegtorinë por edhe zejtarinë. Blegtoria, nisur edhe nga territori malor dhe kodrinor mendoj se duhet të ketë qënë në vendin e parë, kullotat verore mbi malin e Kudhësit dhe deri në Matohasanaj janë alternuar me kullotat dimërore në kodrat midis Mavrovës, Amonicës, Kaninës, si dhe vargut kodrinor që fillon në Peshkëpi deri në Selenicë. Mendohet se në mbrojtje të këtij territori kanë qënë edhe fortifikime të tjera si: Olympe, Matohasanaj, Amonica, Hadëraj, Treblova, Kanina (Thronioni), Armeni e deri tek Nymfeu, Selenica e sotme. Një përshkrim të këtij territori që zotëronin amantinën e ka bërë edhe Pjer Kabana:
“Shtrirja territoriale e shtetit të amantëve, që përfshinte luginat e mesme të Shushicës e Vjosës dhe gjithë zonën malore që i ndan e që shkon deri në afërsi të Vlorës (Aulona antike), deri në fortesën e Matohasanajt, në kontakt me Kaoninë, i përshtatej më mirë një shteti të tipit të etnosit ose koinomit, se sa polisit. Territori i tij bashkon njëherazi toka bujqësore dhe zona të mëdha malore të përshtatshme për rritjen e gjësë së gjallë, zona verore dhe zona dimërore në kufijtë detarë.”
Përpjekjen e parë për të lokalizuar Amantinë e gjejmë tek vepra e Pukëvilit. Sipas tij, rrënojat e Amantisë gjinden pranë fshatit Nivicë të Kurveleshit. I një mendje me Pukëvilin është edhe V.M.Lik. Edhe ai vizitoi rrënojat e Nivicës, dhe pa atje mbeturinat e qytetit të lashtë të Amantisë. Ndërsa në fshatin Plloçë, i pari që e ka identifikuar në këtë vend, ka qënë E.Izambert: Në vitin 1861 Izamberti tregon se arriti në fshatin Plloçë, dhe se rrënojat që shihen rreth kodrës, i përkasin qytetit të Amantisë…ai shënonte muret e akropolit, prej të cilit kishin mbetur vetëm themelet, dhe se, nën këmbët e mureve rrethues, shihen gjurmë të shumta varresh të skalitur në shkëmb. Ai kishte parë edhe një mur me 14 kontraforte, mbeturinat e qemereve të një porte dyfishe dhe 11 shkallë të një stadiumi antik…Gërmadhat e Plloçës si vend i qytetit Amantia, i njohu edhe gjeografi Guido Kora në vitin 1875…Monumentet arkeologjike të fshatit Plloçë i vizitoi edhe K.Paçi, i cili pasi shqyrtoi edhe burimet e shkruara antike, e vendosi Amantinë në rrënojat e Plloçës…Si mbështetje për lokalizimin e Amantisë në Plloçë, shërbeu edhe kulti i përhapur i Zeusit të Dodonës, të vrejtur tek monedhat, i cili, sipas Paçit shtrihej në të gjithë anën perëndimore të gadishullit deri në Shkodër…
Gjatë Luftës së Parë Botërore, në Plloçë, erdhi edhe arkeologu B.Paçe. Ai u shpreh gjithashtu për identifikimin e Amantias në rrënojat e Plloçës, duke shtuar se midis monedhave të gjetura aty me shumicë janë monedhat e Amanties…Lokalizimin e Amantisë me rrënojat e fshatit Plloçë e ka pranuar edhe L.M.Ugolini nisur, përveç të tjerash, edhe nga gjetja vetëm në Plloçë e një numri të madh monedhash prej bronzi me legjendën AMAN – TΩN, nga zbulimi i një tok monumentesh arkeologjike, dhe, më në fund, nga ruajtja e emrit të lashtë Amantie në trajtën e sotme Amonicë, në një fshat pranë Plloçës.”
Në mënyrë përfundimtare lokalizimin e Amantias së lashtë në kreshtat e kodrës të fshatit Plloçë e kanë bërë arkeologët shqiptarë Hasan Ceka dhe Skënder Anamali: “Më në fund, provën më të qartë, na e japin monedhat me legjendën AMAN – TΩN, të cilat në Plloçë gjinden me shumicë, kurse në qëndrat arkeologjike fqinjë, ose mungojnë ose janë të rralla.”
Por Paçe, Ugolini (indirekt) dhe Ago Agaj hedhin dyshime se, qyteti i Amanties nuk ndodhet tek fortifikimi i kreshtës shkëmbore pranë fshatit Plloçë, por poshtë në fushë midis tri fortifikimeve: atij të Plloçës, Amonicës dhe Mavrovës. Ndjekim së pari, Ugolinin.
“Të bollshme janë mbetjet arkeologjike që gjenden në perëndim të fshatit Ploçë, në një largësi më së shumti dy orë (bëhet fjalë për ecje më këmbë ose me kalë). Në qytet (që vendasit e quajnë “gjutet”), lokalitet që gjëndet rreth një orë rrugë në perëndim të Plloçës, gjenden të shpërndara aty-këtu nëpër tokë blloqe kuadratikë, të të njëjtit tip me të cilat janë ndërtuar muret e Plloçës. Sipas gjithë gjasave, ato i përkisnin murit mbrojtës ose ndërtesave të mëdha të këtij “qyteti”. Ka blloqe të tjera të të njëjtit tip, të shpërndara nëpër tokë në qafë të Bosit (mund të jetë qafa e Buallarit), që gjendet pranë po këtij vendi. Gjithashtu në qytet, në pronat e Hazbi Nurçes gjenden shumë mbetje tullash dhe tjegullash të lashta, gjurmë të mureve me blloqe të mëdha dhe varre në formë arke me pllaka të mëdha. Pak më në perëndim, drejt përroit Brumis, në truallin e zotërinjve Sulejmani, gjenden tre tuma të mëdha, të grupuara së bashku.”
Pra Ugolini përshkruan dy vende, të cilat janë në perëndim të Plloçës, me diferencë nga njeri tjetri larg Plloçës prej një ore. Me të drejtë na lind pyetja, se, nëqoftëse e para ishte Olympe, atëhere kjo e dyta, me diferencë një orë nga Plloça është “Fusha e Brusnjës” në fshatin Vajzë, të cilën e përshkruan mjaft mirë Ago Agaj, duke dhënë edhe mendimin se në Brusnje duhej të ishtë Amantia e vërtetë, ndërsa kalatë e Mavrovës (Olympes), Amonicës dhe fortifikimi në kreshtën e Plloçës ishin në mbrojtje të saj. Por nuk përjashtohet mundësia, që në rastin e dytë, Ugolinimund ta kishte fjalën për kalanë e Amonicës. Për lokalizimin e tij duhen identifikuar personat dhe pronat e tyre, që përmend Ugolini.
Ndjekim Agon: “Rrëzën e fushës së Brusnjes, në fshatin Ploçë, populli e quante “rrëza e Qytetit”, duke nënkuptuar se dikur aty mund të kishte qënë një qytet i vjetër dhe i famshëm. Këto tri kala, të Ploçës, të Amonicës dhe të Mavrovës përbëjnë një zinxhir mbrojtës të qytetit të “Fushë Brusnjes”, e cila ndodhet në mes dhe e ruajtur mirë nga çdo anë dhe ku duhet të ketë qënë Amantia e Vjetër…Aty është gjetur një unazë floriri e trashë me gur të kuq të errët, në të cilën ishte gdhendur me një zotësi të pashoqe një grua me hushtë dhe kandar në duar (Perëndesha e Drejtësisë Mat)…”
QYTETËRIMI I AMANTIES
Hasan Ceka, babai i arkeologjisë shqiptare dhe Skënder Anamali, një nga katërshtyllat e kësaj godine madhështore, tregojnë se Amantia u bë qytet i zhvilluar në shek. të IV p.e.s.: “Një dëshmi…japin monedhat e gjetura në Plloçë të cilat i përkasin shek. IV p.e.sonë. Midis tyre më të shumta janë monedhat e Dyrrahut, Korkyrës, Korinthit, Epirit dhe maqedonisë…Në fund të shek. IV Amantia filloi të kishte marrëdhënie tregtare edhe me Apulinë…”
Duhet të themi se, sipas arkeologëve Luigi Maria Ugolini, Izambert, B.Paçe, K.Paç dhe drejtuesve të ekspeditës arkeologjike të saj, Hasan Ceka dhe Skënder Anamali, Amantia ka qënë një qytet i zhvilluar, pasi në të janë zbuluar monumente të rëndësishme arkeologjike si: mbetjet e një tempulli, stadiumi, mure madhështore, objekte arqitektonike, shtatore, relieve, mbishkrime në gur, ndërtesa, gjimnazi, dhe, si një gjë e rrallë, varret monumentale, një ekonomi dhe tregti e zhvilluar deri tek prerja e monedhave, një demokraci e zhvilluar dhe struktura shtetërore moderne për kohën, një jetë e pasur shpirtërore dhe një adhurimi i veçantë i perëndive pellazge të Dodonës dhe Olimpit, sidomos të kryeperëndisë së tij, Zeusit, dhe Afroditës etj; ku sipas Ugolinit Amantia duhet të ishte i rëndësishëm me një zhvillim të madh dhe i lulëzuar, i pajisur me shtatore, i pasur me ndërtesa të zbukuruara me mermer të gdhendur, si dhe i veçantë ndër qytetet e Ilirisë dhe Epirit.
B.Paçe ka kumtuar për një mbishkrim dhe për një reliev të gjetur në Plloçë, si dhe për teprica muresh me teknikë shumë primitive…Muret që rrethojnë kreshtën e kodrës ku ndodhet qyteti antik i Amantias, me një gjatësi të përgjithshme prej rreth 2100 m vendosin brenda tyre një sipërfaqe prej 18 ha. Muret kanë një trashësi nga 1.8 deri në 3 m dhe janë të tre tipeve: poligonal, trapezoidal dhe kuadratik izodomik. Fortifikimi ka pasur pesë porta, kullat janë të rralla dhe duhet të jenë ndërtuar në kohë të vonshme në periudhën e lulëzimit të këtij qyteti në shek. III dhe të II p.e.s. Dallues dhe veçori e mureve të këtij fortifikimi janë kontrafortet, që në pjesën perëndimore të tij në bashkëpunim me kullat shoqërojnë një portë kryesore të hyrjes në qytet. Qyteti duhet të ketë pasur katër porta.
Akropoli, si të gjithë sivllezërit e tij në qytetet e Epirit dhe Ilirisë, është ngritur në fillimet e jetës së vendbanimit apo qytetit, muret e tij, në pjesë të veçanta, janë ngritur me blloqe gurësh të mëdhenj të përmasave 2.60 m x 1.75 m x 0.90 m. Në to mungojnë kullat, ndërsa porta në pjesën juglindore është e veçantë me portikë dhe harqe zbukurues. Nëpërmjet një qafe, që ndodhet në rrëzë të kreshtës së tij, në pjesën jugperëndimore të tij, akropoli lidhet me një tempull të lashtë, i verifikuar si tempulli i Afroditës, dhe në kohë të mëvonshme, edhe me stadiumin dhe gjimnazin në pjesën lindore të tij.
Luigi Maria Ugolini në librin e vet “Shqipëria e Lashtë” për qytetërimin dhe lulëzimin e Amanties pohon: “Grupi i rrënojave të lashta…tregon se qyteti të cilit ato i përkasin (Amanties) duhet të ishte i rëndësishëm. Një hamendësim i tillë merr peshë nëse gjykohet që qyteti ishte i lulëzuar, i pajisur me shtatore, i pasur me ndërtesa të zbukuruara me mermer të gdhendur, dhe pse larg qëndrave me përhapje më të madhe kulturore, nën ndikimin e të cilave ai jetonte: Athina, Roma dhe, më vonë, Bizanti. Prandaj tek unë lindi menjëherë dëshira për të ditur, se cilit prej qyteteve të lashta…mund t’i përkisnin ato rrënoja që unë i kam kundruar me admirim…arrita në përfundimin se ato duhet t’i përkisnin qytetit të lashtë të Amantias, kujtimet historike të të cilit i kemi tek Cezari në lidhje me luftën civile, por edhe tek Ciceroni.”
- Muret e qytetit
Për të pasqyruar këtë qytetërim të Amanties, nuk mund të mos e fillojmë nga muret madhështore të saj. Përsa këtë po i drejtohemi një prej shtyllave të arkeologjisë shqiptare, eksploruesit të saj, Skënder Anamalit, i cili në Kuvendin e I-rë të Studimeve Ilire, shtator 1972, nëpërmjet fakteve, pa e përmendur shprehimisht, hedh dritë mbi origjinën pellazgjike të këtij fortifikimi kaon. Ai na thotë se, akropoli i Amanties ka blloqe gurësh me përmasa: 2.60 m X 1.75 m X 0.90 m, dhe në vijim: “E.Izamberti për muret e akropolit të Amanties shkruante (më 1861) se nuk kanë mbetur – veçse themelet, pjesërisht helenike ose maqedone dhe pjesërisht nga juglindja prej gurësh të mëdhenj çiklopikë të vënë mbi shkëmbin e prerë -…B.Paçe u mjaftua të shkruajë në lidhje me muret e akropolit, se maja shkëmbore e Plloçës kurorëzohej me mbeturina muresh të një teknike shumë të vrazhdë…botanisti A.Baldaçi i vizitoi rrënojat e lashta të Plloçës. Dy herë, në vitet 1892 e 1894, ai u ndal në “shkëmbin e madh mbi të cilin ngrihen nga ato rrënime të ashtuquajtura pellazgjike…
Trakt muri pellazgjik. Amantia-Vlorë. (Foto.Shtator 2021)
…Nga akropoli i Amanties është ruajtur një copë mur që është, një shembull shumë i bukur i përdorimit të blloqeve poligonalë: shkëmbi, dhe muri sipër tij, formojnë një tërësi monolite. Mbi shkëmbin e skalitur me faqe të sheshuara janë vendosur blloqe gurësh poligonalë, me përmasa mesatate të puthitura mirë. Janë ruajtur tetë rradhë gurësh. Muri zgjatet këtu rreth 28 m. dhe ka një lartësi të ruajtur prej 8 m. Në këtë pjesë muri është ruajtur dhe një lug për kullimin e ujrave, i punuar në një bllok të vogël, i cili del pak jashtë. Kësaj faqeje muri i përket edhe një copë mur ku janë të përdorura me mjeshtëri, blloqe gurësh trapezoidalë…Lidhja e murit me shkëmbin këtu është bërë, duke sheshuar faqen e sipërme të këtij të fundit (shih foton më poshtë)…
Trakt muri poligonal. Amantia-Vlorë
Në skajin perëndimor të kësaj faqeje, në disa pjesë të murit janë ruajtur disa blloqe gurësh të mëdhenj: Një blok është 2.30 m i gjatë, 1.25m i gjerë dhe 0.88 m i trashë; një tjetër është 2.60 m i gjatë, 1.75 m i gjerë dhe 0.90 m i trashë…Ajo që bie në sy gjatë gjurmimit dhe studimit të mureve të akropolit të Amanties, është në përgjithësi, uniteti i tyre. Pavarësisht nga trajta e blloqeve paralelopipedi, poligonalë apo trapezoidalë, muri ka qënë ngritur në një kohë dhe ndërtuar me të njëjtën teknikë. Këta janë po ata ndërtues vendas që punuan edhe në ndërtimet e tjera të qytetit të tyre…
Në Amantie kemi teknikën e zakonshme të përdorur në përgjithësi, në ndërtimin e mureve në qytete e kalatë ilire, duke filluar nga shek. IV p.e.s.”
Rrënojat e tempullit të Afërditës në Amantia.
Arkeologu Skënder Anamali e vendos, përfundimisht, kohën e ndërtimit të kalasë së Amanties në shek. e IV p.e.s. Pra, në antikitet, duke mos i lënë asnjë mundësi mureve të akropolit për një periudhë më të hershme të ndërtimit të tyre. Madje, çuditërisht, të gjitha muret e këtij fortifikimi i vendos në të njëjtën periudhë kohore ndërtimi. Gjë që duket pak e pamundur. Por ai me guxim thotë, se këtë fortifikim, këto mure, godina banimi dhe publike, stadiumin me gjimnazin, si dhe objektet e kultit, i kanë ngritur dhe ndërtuar vendasit.
Me fjalë të tjera, Izamberti, Baldaçi pohojnë drejtëpërsëdrejti se, akropolin e Amanties e kanë ndërtuar pellazgët, ndërsa B.Paçe duke folur për për teprica muresh me teknikë shumë primitive, le të kuptohet se ato kanë qënë mure pellazgjikë. Në të njëjtën kohë, Anamali na tregon se, Ugolini dhe K.Paçi i janë shmangur mureve të lashta të akropolit të Amanties. Ata-thotë Anamali-nuk i përshkruajnë muret rrethuese, të cilat kalojnë përqark majës shkëmbore të Ploçës, dhe që ruhen mjaft mirë në pika të ndryshme. Gjithashtu, as edhe monumentet, të cilat para tyre i kishte njoftuar E.Izamberti.
Ndjekim Anamalin:
“Monumentet arkeologjike të fshatit Plloçë i studioi edhe Karl Paçi (Patch), i cili mbasi i shqyrtoi edhe burimet e shkruara antike e vendosi Amantinë në rrënojat e Plloçës…Është interesante të thuhet se arkeologët, që erdhën në këtë fshat, Paçi e të tjerë, nuk i përshkruajnë muret rrethues të cilët kalojnë përqark majës shkëmbore të Plloçës dhe që ruhen mjaft mirë në pika të ndryshme, as edhe monumentet të cilat, para tyre i kishte sinjalizuar E.Izamberti. K.Paçi dhe më vonë Ugolini u tërhoqën më tepër pas monumenteve të shpërndara në fshat, nëpër shtëpitë dhe oborret. K.Paçi duke gjetur në Plloçë monumente të ndryshme arkeologjike, skulptura, mbishkrime, etj…”
Në plotësim të këtij konstatimi të Anamalit japim një përshkrim të Ugolinit (i bërë në vitin 1924) për rrënojat e Amanties:
“Fshati i sotëm (i Plloçës) është në pjesën më të madhe i mbyllur në perimetrin e mureve të epokës greko-romake, të cilat, të përbëra prej paralelopidë gëlqerorë në përmasa më të mëdha apo më të vogla, mbronin qytetin e lashtë, ose më mirë akropolin, që gjendet mbi majën e rrëpirtë të kodrës. Brenda në fshat gjenden dendur rrënojat e qytetit të lashtë. Mund të thuhet se çdo shtëpizë ruan në muret e jashtëme copa skulpturore të lashta, që vihen si zbukurim i shtëpisë, sipas një zakoni mjaft të përhapur në Shqipërinë Jugore. Kam parë trungje shtatoresh, disa edhe me punim të kënaqshëm apo të mirë; stela me paraqitje figurative; voluta kapitelesh; friza të hijshëm me gjethe palmash ose me dredhka akanti; motive të tjera arkitekturore, etj.”
Nga përshkrimi i mësipërm i Ugolinit mësojmë: Së pari, për kohën e ndërtimit të mureve të qytetit, siç i quan Ugolini, të periudhës greko-romake, gjë që është e vërtetë, pasi në këtë periudhë (helenistike) midis shekujve të IV dhe të III p.e.s qyteti i Amanties u zhvillua dhe lulëzoi. Vetë tipi, përmasat dhe teknika e ndërtimit të mureve të këtij qyteti i përkasin kësaj periudhe. Por këtu duhen përjashtuar trakte të veçanta të blloqeve të gurëve të mureve të akropolit, të cilat i përkasin një periudhe mjaft më të hershme, asaj pellazgjike, gjë që Ugolini nuk e përmend. Së dyti, për një masakër arkitekturore të objekteve arkeologjike të vendosura në mure shtëpish, ku nuk përjashtohet mundësia edhe e dëmtimit të tyre. Ne mund të pyesim, se ku ndodhen sot këto objekte: janë dëmtuar apo janë grabitur?!
Ne shtrojmë edhe pyetjen tjetër: Përse nuk kanë dashur ata (Paçi dhe Ugolini) të flasin për muret e lashta të akropolit? Apo ndoshta ju shmangën, pasi ato mund t’ju imponoheshin që të arrinin në përfundimin (e padëshirueshëm) mbi origjinën pellazgjike të këtyre mureve?!! Apo ndoshta, ‘të babëzitur’ për të marrë ose për të blerë objekte arkeologjike, skulptura, shtatore, mbishkrime, etj, nuk u ra ndër ment të vrojtonin muret e akropolit.