

Sokol Paja/
New York, 29 Mars 2023 – Ambasador Blerim Reka Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në New York dhe Këshilltari Diplomatik Fatmir Zajmi zhvilluan një vizitë zyrtare në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA. Ata u pritën nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha, Editori i Diellit, Dr. Pashko Camaj, Ilir Cubi, Paulin Mërnaçaj, luftëtari i lirisë Shpend Gjocaj, Prek Pllumaj dhe gazetari Halil Mula. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha në fjalën e mirëseardhjes ndër të tjera tha se: “Eksperienca juaj Ambasador Blerim Reka dhe profesionalizmi juaj ka sjellë rezultate të shkëlqyera për të kanalizuar energjitë pozitive patriotike në shërbim të interesave të shtetit të Kosovës. Vatra do të punojë fuqishëm në krijimin e një trekëndshi kombëtar, patriotik e diplomatik Tiranë- Prishtinë-Washington”. Ambasador Blerim Reka deklaroi në takim se: “Vatra është filozofi, Vatra është institucion kombëtar, Vatra është përbashkim kombëtar. Vatra ishte promotore e krijimit të shtetit të Kosovës dhe vazhdon dhe sot të ketë një rol të fuqishëm. Në emër të Konsullatës së Kosovës ju përgëzoj për punët e mira kombëtare. Shqipëria dhe Kosova duhet ta përkrahin institucionalisht Vatrën. Të hapet një katedër studimore në Tiranë dhe Prishtinë që studion veprimtarinë e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA” u shpreh z.Reka. Në takim u dakordësua fuqizimi i bashkëpunimit institucional në interes të përbashkët të çështjes kombëtare.