
Nga Keze Kozeta Zylo/
Në ditën e shtunë plot diell në ishullin e magjishëm në Staten Island, New York erdhi për një vizitë në Shkollën Shqipe “Alba Life” Ambasadori i Kombit në Staten Island që është nje nga degët e shkollave shqipe në gjithë Nju Jorkun Ambasadore Dr. Suela Janina.
Ambasadore Suela Janina Përfaqësuesja e Përhershme e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara u mirëprit nga z. Qemal Zylo themelues dhe drejtor i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life”, nga mësuesit Entela Muda, Elona Shkreta, Fatlinda Gashi dhe Rozeta Hyseni, prindërit dhe gjithë nxënësit. Takimi së pari filloi me prindërit para shkollës publike amerikane PS: 9 që është e njohur si një Shkollë Kombëtare me Shiritin Blu.
Një buqetë e bukur me lule bore, bardhë e blu iu dhurua Ambasadores nga nxënesët e shkëlqyera të kësaj shkolle Bora Alikaj dhe Laura Leka.
Dr. Suela falënderoi të gjithë prindërit që i janë bashkangjitur këtij Misioni Kombëtar dhe vazhdoi se ju bashkë me fëmijet tuaj sillni një copëz shqipërie këtu në këtë shkollë model. Shumë prindër si Hoxha, Martini, Qorraj, Caushi, Meka, Gjonbalaj, Coku, Balinski, Hajri e shumë të tjerë bashkëbiseduan me Ambasadoren Janina duke shprehur mirënjohjen e pakufishme për këtë shkollë që ka hapur dyert për të gjithë, për mësimin e Gjuhës Shqipe.
Pas takimit plot sukses me prindërit e shumtë, Ambasadore Janina vizitoi në fillim klasën e grupmoshës së më të vegjëlve ku jep mësim mësuesja e përkushtuar dhe e kualifikuar Elona Shkreta. Ambasdore Janina u mirëprit me duatrokitje dhe iu shprehu dashurinë dhe mirënjohjen nxënësve të vegjël që ulen në bangat e kësaj shkolle plot mirësi për të mësuar Gjuhën Amtare. Mësuese Elona Shkreta e përshëndeti dhe i uroi mirëseardhjen Ambasadores pranë kësaj shkolle dhe tha se ne punojmë fort në këtë shkollë e cila ka plot 17 vjet që ushtron këtë mision të shenjtë. Më vonë nxënësit e saj kërcyen vallen duke bërë thjesht mësim të rregullt me provat për Festivalin e Shkollave Shqipe që do të zhvillohet, më 8 Qershor. Ambasadore Janina me një komunikim të thjeshtë tërhoqi nxënësit në biseda të lirshme me ta dhe iu tha se gjuhën shqipe duhet ta mësoni dhe të mos e harroni kurrë.
Edhe në klasën e e më të rriturve të mësuese Entelës Ambasadore Janina u mirëprit me duartrokitje dhe me fjalinë e mirëseardhjes. Në dërrasë ishte shkruar për mikpritjen që po i bënin nxënësit me mësuesen, ndërsa mësuese Entela ftoi nxënëset e talentuara si Leka dhe Rudini të lexonin në shqip dhe anglisht fjalën e mirëseardhjes.
Ambasadore Janina u prezantua para klasës nga z. Qemal Zylo i cili foli shkurt për historikun e kësaj shkolle dhe foli me krenari për mësuesit, nxënësit, prindërit dhe për këtë shkollë që është dhe fidanishtja e Alba life. Ambasadore Janina shprehu mirënjohjen që iu rezervua për takimin me këtë shkollë dhe tha se emocionohem kur ju shikoj që jeni ulur në bangat e shkollës dhe mësoni gjuhën e nënës. Ajo i falënderoi përzemërsisht themeluesit, familjen Zylo, mësueset Muda, Shkreta dhe gjithë mësueset e Alba Life. Mbajeni fort këtë titull të rëndësishëm “Ambasador i Kombit”, Gjuhën Shqipe dhe Atdheun mos e harroni kurrë.
Duke e përcjellë me plot respekt në hollin e shkollës z. Amir Suka, ndërkohë drejtor i programeve të TV “Alba Life” e falënderoi Ambasadoren Janina dhe foli fjalë miradie për këto shkolla shqipe duke shprehur mirënjohjen e pakufishme për themeluesit, mësuesit. Ai vazhdoi se këto shkolla janë bërë model i mësimdhënies, frymëzimi dhe burim idesh për të hapur shkolla të tjera, por e rëndësishme është që ne duhet t’ju jemi përjetë mirënjohës.
Takimi u filmua nga z. Amir Suka president i kompanisë së mirënjohur “Alba Pro” dhe fitues i shumë çmimeve Emmy në New York.
Vlen për t’u përmendur dhe shprehim mirënjohjen në emër të gjithë stafit dhe mësuesëve të gjithë ambasadorëve që kanë ardhur në këtë rrugëtim të gjatë 17 vjeçar si: nga Amerika: Kryediplomati, Heroi i Kosovës, Ambasador William Walker, nga Shqipëria: Ambasadore Floreta Faber, Ambasador Ervin Bushati në Washington, Ditmir Bushati Ministri i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë, Ambasadori Agim Nesho në Kombet e Bashkuara, Ambasadore Suela Janina në Kombet e Bashkuara, Donika Gërvalla Ministre e Jashtme e Repbulikës së Kosovës, Ambasadore e Kosovës në Washington Vlora Citaku, Ambasadorët e Republikës së Kosovës në Konsullatën e Kosovës në Manhattan si: Bekim Sejdiu, Teuta Sahatqija, Frymëzim Isufaj, Blerim Reka etj. Kanë vizituar shkollat dy presidentët e Kosovës z. Albin Kurti dhe kanë përshëndetur virtualisht Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës z. Glauk Konjufca.
Të gjithë ambasadorët e Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës janë mirëpritur me plot respekt nga këto shkolla, jashtë politikave, pasi partia jone është vetëm Gjuha Shqipe dhe natyrisht bëhen frymëzim për nxënësit shqiptarë që janë lindur dhe rritur jashë trojeve shqiptare, sidomos për ata që kanë ëndrra për t’u bërë diplomat.
Ishte një e shtunë e punës së përhershme vetëm SHQIP dhe që do të mbahet gjatë në kujtesën e nxënësve dhe të mësuesëve pasi Ambasadore Dr. Suela Janina me një elekuencë në të folur dhe plot thjeshtësi la mbresa tek tek të pranishmit dhe preku zemrat e nxënësve.