

Nga Keze Kozeta Zylo/
Në mjediset e “Empire Steak House” në Manhattan, Ambasadori Blerim Reka, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosoves dha një pritje ceremoniale në Manhattan në vigjilje të 18 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Është tejet emocionuese dhe po aq krenari tek shikon shqiptarët të mblidhen së bashku dhe të respektojnë e të përulen para kësaj dite të shenjtë të Pavarësisë së Kosovës. Në hyrje prisnin me plot përzemërsi Ambasador Blerim Reka së bashku me bashkëshorten e tij fisnike pedagoge Ymrane Reka.
Ceremonia festive u hap tradicionalisht me interpretimin e himneve të Republikës së Kosovës dhe të Amerikës.
Fjalën e hapjes ceremoniale e mbajti Ambasadori Reka. Salla ishte e mbushur plot e përplot me personalitete të shquara nga Diaspora
Shqiptaro – Amerikane. Krenari të takoheshim me luftëtarë të UÇK-së si Qerim Gjocaj i cili i ka dhënë dorën në luftë Kosovës, Shpëtim Qorraj biri i dëshmorit Mustafë Qorraj dhe kandidat për në Ansamblenë e shtetit të Nju Jorkut, Gjeneral Gani Shehu etj.
Krenare të kishim midis nesh dhe nxënësen plot vullnet të Shkollës Shqipe “Alba Life” në Brooklyn Dastida Gashi e cila bashkë me të gjitha shkollat nëpër New York festuan Pavarësinë e Kosovës. Ajo ishte e shoqëruar nga prindërit e saj shqiptarë të Kosovës me kontribute, të cilët janë histori suksesi në Diasporë, Fatlinda Bajçinca dhe Agron Gashi. Ambasadori Reka përshëndeti te gjithë të pranishmit dhe i falënderoi ata për pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivitet të rëndësishëm në 18-të Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Ai e quajti Diasporën Ambasadorë të Kosovës dhe të Kombit, pasi vazhdoi ai ju ishit zëri ynë në Kosovë në një kohë, kur ne na ishte mohuar e drejta e fjalës nga sllobodan milloshevici dhe sistemi I tij kriminel. UÇK-ja me komandant legjendar Adem Jasharin, Diaspora dhe aleati yne i rëndësishëm Amerika bën të mundur që të fitonim Pavarësinë e Kosovës. Ne ju jemi përjetësisht mirënjohës.
Populli i Kosovës vuajti tmerrësisht, një shekull i kolonizuar, dhunë, gjenocid kundër shqiptarëve nga shteti serb. Tmerret, vrasjet makabre janë përjetësuar ndër filma, piktura, libra poezi si psh në Baladë Lirie e Kosovës shkruar nga poeti i shquar i Kombit Agim Shehu si: Posi nga zër’ i perëndive/ u zgjua kontinenti plak/ Nga cili akt i tragjedive/ sot mbi Kosovë kulloi kaq gjak?!Në ç’kontinent jeton kështu/ një popull si mbi rjedhë ujvare?!Foshnjat, kaq breza, qiellin blu e shohin mbi helmetat sllave/ Dhe sot i vranë në prag shtëpie/ nga tym i predhës u thinj Zoti/ Te syr’ i nxjerrë i një fëmije/ përmbys po rrotullohet globi. Ja ku jemi sot duke festuar 18-të Vjetorin e Republikës së Kosovës, shteti më i ri evropian dhe që është vendi më pro-amerikan dhe më demokratik në Ballkan.
Sot Kosova është histori suksesi i shtet-ndërtimit demokratik.
Pas ceremonisë pjesëmarrësit u argëtuan me muzikë duke trokëllitur gotat të gëzuar që Kosova po feston 18 -Vjetorin e Pavarësisë. Gëzuar përjetësisht Kosova jonë martire! TV “Alba Life” me themelues dhe producent z. Qemal Zylo do të transmetojë së shpejti në kanalet televizive kronikën e pëgatitur për këtë aktivitet të rëndësishëm.
16 Shkurt, 2026
Manhattan, New York