PRISHTINË – Gazeta DIELLI/ Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli priti te Marten në takimin e parë njoftues Ambasadorin amerikan në Kosovë Greg Delawie, me të cilin bisedoi rreth angazhimeve të Agjencisë në zhvillimin e politikave kundër korrupsionit në Kosovë.
Gjatë këtij takimi të përzemërt, Havolli e njoftoi diplomatin amerikan me prioritetet e Agjencisë dhe sfidat me të cilat po përballet në zhvillimin e politikave anti-korrupsion, ndërsa falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme që qeveria amerikane ka dhënë në fuqizimin e klimës anti-korrupsion në Kosovë dhe për ndihmën që mekanizmat amerikanë u kanë dhënë institucioneve kosovare që janë të mandatuara për zbatimin e ligjit. Havolli përmendi angazhimet e skajshme që është duke i bërë Agjencia në forcimin e politikave kundër korrupsionit, për të siguruar zbatueshmërin maksimale të kuadrit ligjor.
Nga ana e tij, ambasadori Delawie duke uruar Havollin për detyrën e re i siguroi mbështetje të parezervë në punën e tij dhe në angazhimet në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit në Kosovë, që në fakt janë dy shtyllat kryesore të misionit të Agjencisë. Ai poashtu shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit dhe garantoi përkrahje për Agjencinë në fuqizimin e politikave anti-korrupsion drejt realizimit me sukses të mandatit të saj.
Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan për fuqizimin e përpjekjeve për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit në Kosovë që esencialisht sigurojnë zhvillimin e një shoqërie me vlera demokratike./b.j/