-Donatorët më të mëdhenjë të Kosovës: BE, SHBA, Zvicra e Gjermania. Në takimin e Forumit të Nivelit të Lartë mori pjesë edhe Greg Delawie – Ambasador i Shteteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë/
-Ambasadori i SHBA në Kosovë, Greg Delawie: Jemi këtu për të ndihmuar dhe përkrahur/
PRISHTINË, 11 Dhjetor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Donatorët më të mëdhenjë të Kosovës janë Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zvicra, Gjermania, si dhe vende tjera. Kjo u bë e ditur sot në takimin e Forumit të Nivelit të Lartë, të organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian, në të cilin u prezantua Raporti mbi aktivitetet e donatorëve në Kosovë gjatë vitit 2016.Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shprehu falënderimin për kontributin, përkrahjen, ndihmën dhe donacionet e dobishme që kanë dhënë qeveritë dhe donatorët e ndryshëm të vendeve mike të Kosovës.“Këto ndihma për Kosovën dhe popullin e saj, kanë ardhur në kohë të vështira dhe për këtë arsye janë të rëndësishme dhe të veçanta. Fal një përkrahje gjeneroze që ka ardhur në vazhdimësi, nga viti në vit, Kosova nuk është ndjerë e lënë vetëm”, u shpreh Kryeministri kosovar.
Ministrja e Integrimit Evropian të Kosovës, Dhurata Hoxha, duke prezantuar Raportin Vjetor për Koordinimin e Donacioneve për vitin 2016 tha se janë alokuar 164 milionë euro donacione, në formë të asistencës.“Shumat e dedikuara sipas fushave janë: Qeverisja dhe shoqëria civile me mbi 57 milionë euro, Arsimi me 17.6 milionë, Përmirësimi i menaxhimit të ujërave dhe ujërave të zeza me 14 milionë, Investimet në përmirësimin e infrastrukturës 10 milionë, Mbështetje bizneseve 9.5 milionë”, theksoi ajo.Në takimin e Forumit të Nivelit të Lartë morën pjesë edhe Natalya Apostolova – Përfaqësuese e Posaçme e BE/Shefe e zyrës së BE-së në Kosovë dhe Greg Delawie – Ambasador i Shteteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, donatorë si dhe anëtarë të tjerë të qeverisë kosovare.Gjatë takimit, ministrat gjegjës të qeverisë së Kosovës paraqiten prioritetet në fushën e Sundimit të Ligjit, Edukimin, Shëndetësisë si dhe Ndërmarrësisë e Inovacionit.
FJALA E AMBASADORITIT TË SHBA NË KOSOVË, GREG DELAWIE, NË TAKIMIN E FORUMIT TË LARTË PËR DONATORË NË SEKTORËT E SUNDIMIT TË LIGJIT DHE ARSIMIT, 11 DHJETOR 2017
Mirëmëngjesi. Kryeministër Haradinaj, ambasadore Apostolova, ministra, kolegë nga trupa diplomatike dhe donatorë. Nëse shohim përreth kësaj salle është e qartë që Kosova ka shumë miq dhe partnerë që punojnë për të ndryshuar gjërat këtu. Partneriteti i SHBA-së me Kosovën mbetet i fortë dhe bashkëpunimi i donatorëve me qeverinë është po ashtu i rëndësishëm. Javën e shkuar pamë një shembull të shkëlqyeshëm të këtij bashkëpunimi me kontributet e reja të Suedisë dhe Gjermanisë për Fondin kosovar për garanci kreditore.
Kjo është kohë kritike për Kosovën dhe rreziqet e përfitimet e ndërlidhura kurrë nuk kanë qenë më të larta. Ne jemi këtu për të ndihmuar dhe përkrahur qeverinë tuaj, por në fund të fundit, ky është vendi juaj dhe agjenda juaj. Bashkërenditja e njëmendtë dhe efektive e donatorëve është rrugë dykahëshe dhe kjo veçanërisht është e rëndësishme në Kosovë ku e kemi një hapësirë kaq të ngjeshur të zhvillimit.
Për këtë arsye, ky takim është kaq i rëndësishëm. E dimë se ka shumë prioritete për zhvillim në Kosovë, por sot do të përqendrohem në dy: sundimin e ligjit dhe arsimin.
Së pari do të flas për sundimin e ligjit dhe ju faleminderit të gjithëve që morët pjesë në veprimtaritë në kuadër të Javës kundër korrupsionit dhe për diskutimin e mirëfilltë të premten. Lufta kundër korrupsionit nuk përfundon vetëm sepse java ka përfunduar dhe çdo prioritet që do ta përmendi këtu varet nga ajo luftë. Nuk guxojmë ta humbasim përqendrimin. Jemi këtu që të kërkojmë llogari nga vetvetja dhe të tjerët për zotimet që i dhamë javën e kaluar.
Sa i përket prioriteteve të menjëhershme për sundimin e ligjit: së pari, e dimë se duhet të merren vendime të vështira për hapat e ardhshëm për reformën e ligjeve komerciale dhe të analizës së organeve kundër korrupsionit. Ju nxisim ta nisni rishikimin e sektorit të drejtësisë dhe t’i merrni vendimet për reforma sa më shpejt që është e mundur. Kjo nuk do të thotë që t’i ndërpresim përpjekjet që janë në vazhdim e sipër, por rishikimi duhet t’ju ndihmojë për t’i përkufizuar prioritetet më të larta dhe të përqendroheni se si do ta arrini cakun. Ne dhe donatorët e tjerë mund t’ju ofrojmë mbështetje, por ky proces duhet të udhëhiqet nga Qeveria e Kosovës.
Së dyti, duhet ta adresojmë çështjen e agjendës legjislative. Kolegia ime i ceku disa ligje kryesore për agjendën për reformë evropiane. I mbështes të gjitha, por më lejoni ta theksoj sërish një veprim që besoj se është jashtëzakonisht i rëndësishëm: ka ardhur koha të miratohet Ligji i përditësuar për Prokurorin Disiplinor. Ky do të jetë hap thelbësor për të forcuar kontrollin e pushtetit dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Të sigurohemi që personeli i sektorit gjyqësor i përmbahet standardeve më të larta të disiplinës dhe llogaridhënies sepse ky aspekt është themelor në luftimin e korrupsionit, të përfundimit të kulturës së pandëshkueshmërisë dhe për ndërtimin e besimit të publikut në këto institucione. Sinqerisht, është vështirë të flitet për mundësitë për rritje ekonomike pa përparim të qartë të reformës për sundimin e ligjit.
Në fund, duhet të qëndrojmë të fokusuar në integrimin e gjyqësorit në veri të Kosovës. Kemi arritur diçka të jashtëzakonshme, por tash fillon puna e njëmendtë që gjykatat në veri të jenë plotësisht operacionale në 2018-tën. Kjo nënkupton përkthimin dhe harmonizimin e ligjeve në gjuhët shqipe dhe serbe, bartjen përkatëse të lëndëve, trajnimin e duhur të stafit dhe integrimin e vendimeve në strukturën ligjore të Kosovës.
Ngjashëm, Kosova duhet të ndërmarrë reformat në sektorin e arsimit tani për t’iu ndihmuar të rinjve ta marrin vendin e tyre të duhur në ekonominë e Kosovës.
E para dhe më e rëndësishmja, ka nevojë thelbësore për depolitizimin e punësimit të mësimdhënësve, drejtorëve të shkollave dhe drejtorëve të drejtorive komunale për arsim. Para së gjithash duhet të merren parasysh meritat kur kemi të bëjmë me punësimin e të gjithëve që janë përgjegjës për arsimimin e rinisë kosovare. Çkado më pak se kaq i dëmton këta të rinj dhe do të vazhdojë ta rrezikojë të ardhmen e Kosovës.
Po ashtu, duhet të vazhdojnë reformat në arsimin e lartë për të siguruar që të diplomuarit i fitojnë shkathtësitë dhe njohuritë që kërkohen nga tregu i tashëm dhe i ardhshëm i punës. Reformat brenda sistemit universitar publik – në të cilat kemi investuar aq shumë të gjithë ne – duhet të shihen përmes përfundimit dhe të udhëhiqen nga vetë qeveria juaj.
Kjo nënkupton zbatimin e strategjisë së Kosovës për arsim dhe përfundimin e rishikimit tashmë të vonuar të Ligjit për arsimin e lartë. Me këtë do të përmirësohet integriteti akademik, cilësia dhe gjithëpërfshirja e arsimit të lartë në Kosovë dhe sistemi do të fillojë të radhitet në linjë me standardet ndërkombëtare.
Kam folur me qindra të diplomuar përmes programeve të studimeve master në SHBA dhe të gjithë ishin sfiduar nga rreptësia e universiteteve amerikane. Të rinjtë kosovarë janë po aq të zgjuar sa të rinjtë e çdo vendi tjetër dhe ata duhet të përgatiten në mënyrë të duhur, gjë që nuk po ndodh tani.
Duhet, po ashtu, të shohim zbatimin e plotë të Ligjit për arsimin parauniversitar për mbështetjen e reformave gjithëpërfshirëse në atë nivel. Mënjanimi i akraballëkut dhe paqartësisë nga praktikat për punësim dhe këmbëngulja në standarde rigoroze të mësimdhënies janë thelbësore.
Si për sundimin e ligjit, ashtu edhe arsimin, mbajtja e forumeve të nivelit të lartë si kjo janë të rëndësishme, por të gjithë e dimë se ekipet tona tashmë po vënë në zbatim këtë punë çdo ditë dhe ata duhet të mbajnë takime të rregullta pune për të qenë efikasë. E kuptoj se mbajtja e takimeve në vetvete nuk është zgjidhje, por nëse ekipet tona nuk takohen rregullisht që pastaj të na raportojnë për përparimin dhe pengesat, as ne nuk do të mund ta kryejmë punën.
Prioritetet që i ceka nuk janë asgjë më pak se çka meriton populli i Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare luan rolin e saj duke sygjeruar zgjidhje dhe duke shtyrë përpara për ndryshim, por ky është vendi juaj. Si gjithmonë, jemi krenarë që bashkëpunojmë me ju dhe shpresojmë të shohim gjithë atë punë të mirë që do të bëhet në të ardhmen. E dimë çka duhet të bëjmë, prandaj le ta bëjmë atë!