-Ministri Shyqiri Bytyqi takim me përfaqësuesit Korpusit të Paqes në Kosovë dhe të Drejtorive Komunale të Arsimit/
-Korpusi i Paqes është një program vullnetar i drejtuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, misioni i të cilit përfshinë sigurimin e asistencës teknike, duke ndihmuar njerëzit jashtë SHBA-ve që të kuptojnë kulturën amerikane dhe duke ndihmuar qytetarët amerikanë që të kuptojnë kulturat e vendeve të tjera./
-Në 17 gusht 2017 Ambasadori amerikan në Prishtinë Greg Delawie ka udhëhequr ceremoninë e betimit të grupit më të ri, të katërt, të përbërë nga 35 vullnetarë të Korpusit të Paqes në Kosovë/
-Grupi i parë i Korpusit të Paqes i SHBA-ve kishte 25 vullnetarë, të cilët mbërritën në Kosovë në 8 qershor 2014, ndërsa betimin solemn e dhanë në 20 gusht/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 20 Mars 2018/ Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi priti sot në takim përfaqësuesit Korpusit të Paqes në Kosovë dhe të Drejtorive Komunale të Arsimit. Ai i ka ftuar Drejtoritë Komunale të Arsimit që të nxisin interesimin e komunitetit për të bashkëpunuar me vullnetarët e Korpusit të Paqes, të cilët janë të angazhuar në mësimdhënien e gjuhës angleze.Qëllimi i këtij takimi ishte sensibilizimi i drejtorëve të shkollave, duke ditur që ka komuna të cilat nuk janë përfshirë në këtë vullnetarizëm të Korpusit të Paqes, në përfitimet që sjellë ky Korpus, diskutimi për mundësitë e reja dhe zgjerimi i bashkëpunimit.Ministri Bytyqi ka falënderuar përfaqësuesit e Korpusit të Paqes dhe e ka vlerësuar punën e tyre vullnetare, në ndihmën që po u ofrojnë mësimdhënësve në dhënin e mundësisë së përfitimit të teknikave të reja të mësimdhënies.
Ai tha se, Korpusi i Paqes ka disa vite që në Kosovë është i angazhuar për të ndihmuar mësimdhënësit tanë në mënyrë praktike. “Përmes kësaj forme të bashkëpunimit po bartet edhe kultura amerikane dhe jemi mirënjohës për të gjitha përpjekjet që kanë bërë për popullin e Kosovës. Kërkoj nga ju që t’i njoftoni shkollat e komunave prej nga vini, në mënyrë që të gjitha shkollat të kenë mundësi të aplikojnë dhe të përfitojnë nga kjo mundësi e mirë që po ofrohet nga Korpusi i Paqes”, është shprehur ministri Bytyqi duke iu drejtuar përfaqësuesve të Drejtorive Komunale të Arsimit.Korpusi i Paqes është një program vullnetar i drejtuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, misioni i të cilit përfshinë sigurimin e asistencës teknike, duke ndihmuar njerëzit jashtë SHBA-ve që të kuptojnë kulturën amerikane dhe duke ndihmuar qytetarët amerikanë që të kuptojnë kulturat e vendeve të tjera.
Korpusi i Paqes vazhdon që të sjellë në Kosovë ndihmën përmes vullnetarizmit të tyre. Pritet edhe nënshkrimi i një Marrëveshje Bashkëpunimi në mes të Ministrisë së Arsimit dhe Korpusit të Paqes.Në 17 gusht 2017 Ambasadori amerikan në Prishtinë Greg Delawie ka udhëhequr ceremoninë e betimit të grupit më të ri, të katërt, të përbërë nga 35 vullnetarë të Korpusit të Paqes në Kosovë. Ata shërbejnë në shkollat kosovare për dy vite në kuadër të programit arsimor në gjuhën angleze pranë Korpusit të Paqes në Kosovë, si mësues të gjuhës angleze, pasi edhe iu ndanë certifikata për përfundimin me sukses të trajnimit gjatë tre muajve në Kosovë. Ambasadori amerikan Delawie me atë rast theksoi se, “vullnetarët e Korpusit të Paqes paraqesin një partneritet ndërmjet dy vendeve tona” dhe se, “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndër miqtë dhe mbështetësit më të ngushtë të Kosovës”.
Grupi i parë i Korpusit të Paqes i SHBA-ve kishte 25 vullnetarë, të cilët mbërritën në Kosovë në 8 qershor 2014, ndërsa betimin solemn e dhanë në 20 gusht, poashtu pas trajnimit parapërgatitor në komunitetet në Kosovë.
Para se të shkonin në pikat e tyre të shërbimit vullnetarët u aftësuan për tre muaj në mënyrë gjithëpërfshirëse për aspektet ndërkulturore, gjuhësore, dhe teknike.
Korpusi i Paqës filloi programin e tij të parë në Kosovë me ftesë të Presidentes së atëherëshme Atifete Jahjaga, e cila në 9 shtator të vitit 2013 me ambasadoren në atë kohë të SHBA-së në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, nënshkruan marrëveshjen ndërshtetërore për hapjen e programit të Korpusit të Paqes në Kosovë.
“Me këtë marrëveshje, Kosova bëhet shteti i 140 nikoqir i Korpusit të Paqes, organizatë kjo e vullnetarëve amerikanë e themeluar nga Presidenti Kenedi, që me dekada kanë ndërtuar ura të miqësisë mes popujve përreth botës”, theksoi atëherë Presidentja në ceremoninë ku ishte edhe drejtoresha e Korpusit Amerikan të Paqes, Helen Lowman.
Fillet dhe misioni i Korpusit të Paqes datojnë nga viti 1960 kur senatori i atëhershëm John F. Kennedy sfidoi studentët e Universitetit të Michigan-it për t’i shërbyer shtetit të tyre në kauzën epaqes duke jetuar dhe punuar në shtetet në zhvillim në nivel të homologëve të tyre lokalë. Nga ky frymëzim u ngrit një agjencion i qeverisë federale i përkushtuar ndaj paqes dhe miqësisë në botë.
Tre qëllimet fillestare të Korpusit të Paqes mbeten të njëjta: 1. Të ndihmojë popullin e shteteve të interesuara për të plotësuar nevojat e tyre për gra dhe burra të aftësuar; 2. Të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të amerikanëve nga ana e popullit të cilit i shërben; dhe 3. Të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të popujve tjerë nga ana e amerikanëve.
Vullnetarët e Korpusit të Paqes janë të përkushtuar ndaj ndërtimit të kapaciteteve lokale dhe zhvillimit të qëndrueshëm në nivelin bazë, për dallim nga financimi tradicional i zhvillimit.