SHKRUAN: BEPPE SEVERGNINI-PËRKTHEU:EUGJEN MERLIKA/DIELLI*
Tridhjetë vite më parë, e enjte 8 gusht 1991, anija tregtare Vora, e përshtatur për transportin e sheqerit, hynte në portin e Barit me tetëmbëdhjetë mijë shqiptarë në bord: një qytet. Atë ditë vere ndryshonte historia italiane e mërgimeve. Mbasi kishte eksportuar njerëz për më shumë se një shekull – tridhjetë milionë nga 1861 deri më 1985 – fillonim të importonim. Ende nuk kemi sosur.
Përfytyresa e Vlorës është e shtypur në kujtesën tonë të përbashkët. Anija kullonte qënie njerëzore: rrinin gjithandej edhe mbi oxhakët edhe mbi antenat. Autoritetet italiane autorizuan ankorimin në port – çfarë mund të bënin ndryshe – por urdhëruan që anija të kthehej mbrapsht mbas pak orësh. Një gjë e pamundur, natyrisht duke mbajtur parasysh ngarkesën. Sapo mbërritën në port shqiptarët filluan të hidheshin në ujë. Një skenë madhështore e dramatike, që dukej se dilte nga fantazia e Dante Alighierit. Ndërsa ndodhte nga trasmetimi i drejtpërdrejtë televiziv, përpara një Italie mosbesuese.
Data dhe episodi më erdhën në mëndje duke lexuar”Më parë italianët (po, por cilët’)” të Francesco Filippit, historian i mendësisë (kështu e përcakton pala e kapakut të botimit Laterza). Një syzim i thatë e i dobishëm, plot me numëra e fakte, i lezetuar me idealizëm dhe i parfumuar me ideologji. Një libër që detyron t’arsyetuarit. Autori pohon se në verën e vitit 1991 Italia, për të parën herë, kthehej në Amerikën e dikujt tjetër. Shqiptarët, të hipnotizuar nga televizioni i ynë i shkujdesur i viteve 80, ishin të bindur se përtej horizontit, fillonte parajsa. E shëmbur diktatura, vinin të shikonin si ishte bërë.
Anija Vlora duhet të përbëjë një përkujtesë të stërmadhe. Dhe një qortim. Mërgimi nuk mund të mbarështohet me fatalizmin e zemrës (një iluzion i së majtës, nga Laura Boldrini tek Alexandria Ocasio-Cortes). Po nuk mund të kthehet mbrapsht, as të kontrollohet krejtësisht, siç tregon e djathta (nga Donald Trump tek Matteo Salvini para-Draghit). Historia nuk kërkon leje. Hyn pa trokitur. Ka një mërgim të pashmangëshëm dhe një mërgim të organizueshëm. Pra, të fillojmë të organizohemi. Dhe të veprojmë, të vetëdijshëm se diçka duhet të pranojmë. Përndryshe në horizont, t’ardhur nga Afrika, do të shfaqen dhjetë, njëqind, njëmijë Vlora. E atëherë do të jetë vonë.
“Corriere della Sera”, 19 qershor 2021 – Përktheu Eugjen Merlika