



Patrioti Shaban Haliti rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, historinë e themelimit të Ansamblit “Vatra” në Zvicër që daton që nga viti 1993, aktivitetet kulturore, patriotike, atdhetare e komunitare me qëllim për të ruajtur gjuhën, kulturën, historinë dhe traditën shqiptare në mërgatën e Zvicrës. Me patriotin Shaban Haliti bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.
HISTORIA E THEMELIMIT TË ANSAMBLIT “VATRA”
Ansambli “Vatra” daton që nga viti 1993 kur një grup bashkëatdhetarësh formuan Klubin shqiptarë “Vatra” e që një vit më vonë një grup entuziastësh dhe artdashës themeluan seksionin e kulturës e që menjëherë më vonë mori emrin Ansambli i sotëm “VATRA” pra pikërisht në tetorin e vitit 1994 filluan hapat e parë të vallëzimit shqip nga Nexhmedin Isufi, Arsim Berisha, Ilmi Luma, Rexhep Dreshaj e shumë të tjerë të cilët e lindën dhe konsoliduan një Ansambël i cili për plot 30 vite dha kontribut të pa parë në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave tona kulturore. Pra në këtë “Vatër” gjetën veten qindra aktivistë, artistë, valltarë e koontribues që e kam të pamundur ti përmendi me emra të përvetshëm sepse jan një armatë e tërë patriotësh. Për ti veçuar janë përpos themeluesve të lartpërmendur edhe kryetarët që e morën barrën dhe e koordinuan këtë Ansambël e që ishin Arsim Berisha, i ndjeri Bajram Oruqi, Nexhmedin Isufi dhe kryetari aktual i cili filloi hapat e parë të vallzimit në Vatër për ti mbetur besnik deri më sot, Lulzim Krasniqi, një valltar dhe aktivist i pandalshëm. Kurse unë isha në kontakte të ngushta që nga themelimi, përcjella dhe përkraha shumë manifestime dhe organizime të Ansamblit e për tu përqëndruar si përfaqësues i këtij Ansambli që nga viti 20012 e deri më sot e që për mua është një nder i veçantë.
VEPRIMTARITË KRYESORE ARTISTIKE QË ZHVILLONI GJATË VITIT
Veprimtaria kryesore artistike e kulturore dhe qëllimi i Ansamblit “Vatra” ishte dhe është edhe sot e kësaj dite kultivimi dhe prezentimi i valleve, këngëve dhe kulturës së mirëfilltë shqiptare këtu në shtetin Helvetik. Nuk mund ti përmendi me emra se janë shumë kontributorë por kryesia dhe aktivistët e Ansamblit VATRA meritojnë shumë respekt të veçantë dhe janë shtylla kryesore e Ansamblit si Zhuj Gashi, Driton Zeqiraj, Rexhep Dreshaj, Gzim Dani e shumë tjerë.
ROLI I “VATRËS” NË KOMUNITETIN SHQIPTAR PËR RUAJTJEN E TRADITAVE E KULTURËS KOMBËTARE
Vatra ka luajtur një rol jashtëzakonisht të madh në rajtjen dhe përcjellja e vlerave tona te gjeneratat e reja që lindin dhe rriten këtu. Pra thjeshtë kontributi dhe përkushtimi i ruajtjes së gjuhës, traditave dhe vlerave tona kombëtare posaçërisht te gjeneratat e reja. Ne motivojmë, rekrutojmë dhe ua mësojmë fëmijëve vallet, këngët, recitimet dhe gjuhën shqipe.
BASHKËPUNIMI ME ORGANIZATAT E TJERA SHQIPTARE PËR TË RRITUR PATRIOTIZMIN DHE ATDHETARINË TE SHQIPTARËT E MËRGUAR
Ansambli “Vatra” ka bashkëpunim me shumë Ansamble shqiptare, shkolla shqipe e shoqata shqiptare këtu në Zvicër dhe më gjerë gjithëandej ku ka shqiptarë dhe jemi shumë të hapur për të gjithë ata që kontribuojnë në ruajtjen e kulturës sonë kombëtare.
ANSAMBLI “VATRA”, VLERËSIMET DHE PJESËMARRJET NË AKTIVITETE KOMBËTARE E NDËRKOMBËTARE
Ansambli “Vatra” ka marrë pjesë gjithëandej Europës nëpër festivale e festa kombëtare dhe ndërkombëtare. Vlen të përmendet pjesëmarrja në festivalin gjithëkombëtarë të Berlinit në vitin ku Vatra mori çmimin e parë të jurisë, pastaj festivalin e Gjirokastrës në 2009 disa herë në festivalin e Klinës, në Zarë të Kroacisë, në Kongreshaus Zürich në festivalin e kombeve që mbahej nëpër Europën juglindore, dhe më të veçantat janë edhe në vitin 2022 në festën më të madhe tipike Zviceriane e quajtur Schwingfest apo në shqip festa e mindjes e pehlivanëve ku Vatra ishte Ansambli i parë i një kulture jo vendore i cili përformoj para dhjetëra- mijëra të pranishmëve. Dhe së fundi edhe në festën shumë tradicionale të quajtur Albanifest e cila ka një tradit qindra vjeçare dhe gjithashtu Ansambli Vatra në vitin 2024 dhe 2025 ishte Ansambli i parë shqiptar i cili prezentoi me krenari kuzhinën, kulturën dhe traditën shqiptare për tri ditë me radhë.
PROJEKTET E BINJAKËZIMIT PËR TË ARDHMEN E ANSAMBLIT “VATRA”
Ne kemi pas dhe kemi bashkëpunim me ansamble dhe shoqata shqiptare në mënyra të ndryshme por nuk kemi ndonjërën për ta veçuar konkretisht. Shpresojmë në të ardhmen të thellohen kontaktet dhe bashkëpunimet gjithandej ku veprojnë shoqatat shqiptare dhe ne jemi shumë të hapur dhe mirëpresim dhe admirojmë secilin kontribut kombëtar.