
Nga Visar Zhiti/
Pjesa e parë
PASI KUJTESA U LA E LIRË
Në vitet e pasdiktaturës kujtesa kolektive, ashtu e dëmtuar, u ndje pa pengesat e jashtme, më e lirë, më saktë e çpenguar deri dhe në kërcime pindarike, pra mund të punonte sipas vetes, po guxonte dhe po kuptonte traumat, pjesët e prishura gjatë diktaturës gjysmë shekullore, zbuloi skajimet deri në mashtrime, absurdin, ndërkaq gjithçka mbetej e trembur, e kërcënuar me një si sy qiklopik përsipër, vëzhgues i Sigurimit të Shtetit, arma kryesore e Partisë-shtet në një të dikurshme fare afër, sa duket dhe e tashme e pa ikur, me gjallë ende nga të persekutuarit dhe persekutorët bashkë. .
U pa dhe është pranuar si vlerë madhore që në këto vite ka patur një vërshim botimesh, vepra të kujtesës, memoaristikë, tek ato dua të ndal, që, bashkë me “Letërsinë tjetër”, sollën të vërtetat dhe moralin që u mungonin në letrat shqipe kur sundonte Realizmi Socialist,
Memoaristika e vuajtjes dhe e qendresës e të përndjekurve, me emra persekutorësh, operativëve dhe spiunëve, kryetarë degësh, hetues, prokurorë e gjyqtarë, drejtorë burgjesh e komisarë, zv/ministra, ministra e kryeministër, deri te Komiteti Qendror e sekretari i parë, te diktatori e emra vendesh dënimi, burgje e kampe, Këneta e Vloçishtit, Burreli, aeroporti i Rinasit, Spaçi, Qafë Bari, Lezha, etj, Tepelena, Savra, Shtyllas, etj, Shtëpia me gjethe e pa gjethe, etj, etj, tronditi fuqishëm ndërgjegjen e kohës.
Natyrisht barrën e madhe të dëshmisë, të memoaristikës, do ta mbanin ata që erdhën vetë nga burgjet dhe internimet bashkë me libra të tyre, të shkruara fshehurazi, por dhe më pas, në kushte lirie. Disa s’erdhën dot se i vranë a vdiqën brenda telave me gjemba, po kështu janë zhdukur dhe dorëshkrime apo edhe përvetësuar.
“Rrno vetëm për me tregue” – titulli i veprës monumentale të At’ Zef Pllumit, mund të jetë dhe logoja apo emblema e përbashkët e gjithë kësaj prurjeje, do të thosha, e memoaristikës së re shqiptare, ku bashkërenditen “Burgjet e mia” të Dom Zef Jubanit, “Çinarët” e At Konrad Gjolaj, etj, po janë dhe veprat e Prof. Arshi Pipës, përveç poezive të burgut, eseistika, kritika e tij, Lazër Radi po kështu, Musine Kokalari, Pjetër Arbnori me kujtimet dhe dorëshkrimet nga burgu, Fatos Lubonja me veprën e rëndësishme “Ridënimi”, ditarin dhe tregimet, Lek Pervizi, – përveç prozës dhe pikturat e tij nga internimet, po kështu dhe Maks Velo me pikturën dhe “Kohën antishenjë” dhe Lekë Tasi me “Grabianin rrëzë kodrave” dhe pikturën, Spartak Ngjela me trilogjinë “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, Zyhdi Morava e Bedri Blloshmi me dosjet dhe kujtimet nga burgu dhe familja e tij martire, kujtimet e Maks Rakipajt, “I mbijetuari”, Eugjen Merlika me kampin e Tepelenës, Dine Dine me “Varkën e Karontit”, Kaso Hoxha me “Tokë e bukur, kohë e shëmtuar”, etj, Drita Kosturi, Fatbardha Mulleti Saraçi, Bardha Gjon Markagjoni, e Tomor Aliko, etj, deri dhe të deputetëve demokratë Uran Butka dhe Pjetër Pepa, që sollën dëshmi dhe zbulime. Ndjesë që s’mund t’i përmend dot të gjithë, librat e tyre s’i lënë të mbërrijnë aq larg, pa mundur të shoh biblioteka e arkiva, por me kujtesë.
Më vjen mirë që në këtë univers të letrave solla dhe unë, përveç poezive të mia nga burgu dhe burgologjinë në dy libra “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, të shkruara pas burgut tim në Spaç e Qafë Bari.
ISKK-ja, (Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit), me drejtorin guximtar, shkrimtarin Agron Tufa, që u detyrua të ikte, dhe tani me studiuesin Çelo Hoxha, na kanë dhënë, dëshmi, denoncim të së keqes, kujtesë kombëtare. Botimet e tyre mund të shkojnë në bibliotekat kryesore, por jo në librari dhe lexuesi që kërkon t’i ketë, s’ka ku i gjen, sepse, sipas ligjit, botimet e tyre nuk shiten. Pse kjo pengesë?! Që do të duhej të tejkalohej
Edhe kjo lloj letërsie, jo ajo e mirëfillta letrare me poezitë, romanet e dramat, por kujtimet dhe dëshmitë, janë shkruar me kulturë, me bukuri në rrëfim dhe në gjuhë, me besueshmëri e dhimbje, me vërtetësi dhe drejtësi, me mëshirë dhe falje, ku përvoja e vuajtjes është shndërruar në vlerë dhe kujtesë kombëtare. Lexohen me drithërimë, por dhe si letërsi e mirëfilltë.
Dhe sa shumë emra shkrimtarësh duhet të vihen në hyrjet e burgjeve të diktaturës, që duheshin të ishin muzeume e jo të shkatërroheshin bashkë me kujtesën kolektive.
Gjithë atë katrahurë në jetën e letrave shqipe e bëri diktatura, Partia që ishte në pushtet me Sigurimin e Shtetit, që ishin një e të pandarë, natyrisht dhe me institucione të tjera të diktaturës, përfshirë dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe Realizmin Socialist të tyre.
Ndërkaq sot është shfaquar dhe një si dukuri tjetër, pak si tinëz dhe e kundërt. Edhe pse rrallë, por po dalin si autorë dhe nga ata që dënonin dhe fusnin njerëz nëpër burgje. Jo si autorë të atye akteve, por librash. Kjo s’është ndonjë çudi, e drejta e tyre si e kujdo për të botuar, mjaton të kenë për të thënë, se dhe ata që ndalonin librat, nuk i ndalojnë dot më. As vetveten. Aq më mire po të rrëfenin të vërtetat, punët e nëndheshme dhe urdhëruesit lart, falsifikimet, torturat, dëshmitarët e rremë, përndjekjet dhe zhdukjet, etj, etj.
DUKE SHFLETUR ANTILIBRA
Që në Shqipërinë tonë në postdiktaturë apo në postenverizëm të dilnin libra për diktaturën dhe Enverin, s’do të ishte e papritur, por nga ata që drejtuan në diktaturë me Enverin në krye, që ushtruan dhunën si zeje të tyre, që dëmtuan rëndë vendin dhe jetët njerëzore dhe të mos e ndjejnë krimin dhe fajin, të mos e tregojnë si të tillë e të mos kenë pendim dhe as kërkesë faljeje, kjo jo vetëm që është befasi, por dhe turp dhe vazhdim i krimit, sipas meje.
Mbrojtja më e mirë është sulmi, mësonte Stalini i tyre.
Pas kolanës së veprave të Enver Hoxhës, kështu i quanin: “vepra” dhe s’kishin të mbaruar, fjalime e raporte të rëndomta, telegrame e urdhëra pa rendësi, kundërurdhra, porosi, kundërporosi, dialogë të përmirësuar, grafomani, do të thosha, pa filozofi, madje mediokritet vrastar, dokumenta të cunguara a të falsifikuara, memoaristikë, ku lexuesi i vëmedshëm dhe i specializuar mund të gjente dhe stilin se cili shkrimtar i Realizmit Socialist do t’i kishte punuar ato, kujtimet e Enverit, ku habitshëm në çdo ribotim hiqeshin ata emra apo nxiheshin në fotografitë ilustruese ato fytyra që do të shpalleshin armiq dhe tradhtarë, mbi të cilët skuadrat e pushkatimit do të derdhnin breshëritë e plumbave dhe mediat bashkjë me popullin breshëritë e sharjeve. .
Do të vijohej me botime të zëvendësit të diktatorit, Ramiz Alia, “Enveri ynë” do të thoshte ai, natyrisht i tyre dhe sipas atij në diktaturë ishte tepruar disi me luftën e klasave dhe me pushkatimet me gjyqe e pa gjyqe, por Shqipëria kishte ecur para, ku, në varfëri? Duke mbrojtur Enverin, duke e vënë ata para si mur, Ramiz Alia mbronte veten si vazhdues.
Vejusha e diktatorit Nexhmie Hoxha do të shkruanin “Jetën me Enverin”, një romantizëm gjakatar dhe çudi për t’u çuditur, kur ajo thotë në një intervistë se kryeministri i atëhershëm vrau veten me qëllim që të mërziste Enverin, – material për psikoanalistë a psikiatrin, kur atë akt e gjykojnë si vrasje politike, por dhe si larje hesapesh mes banditëve.
Do të shkruanin dhe kryeroja i diktatorit, Sulo Gradeci, se sa i dashur ishte Enveri me ushtarët e gardës dhe me degët e pemëve, teksa pritej më shumë nga mjeku i tij, Isuf Kalo, ku ai nuk doli dot përtej Bllokut, ku shihte parajsën, po edhe ferrin aty, çudi, jo ku ferri ishte vërtet, aq sa memoauristika e tij m’u duk, – madje ia thashë, – si e shkruar për t’i pëlqyer vejushës së diktatorit.
Ka dhe të tjerë… Por a do të lejoheshin botime kësisoj në një vend normal? P.sh., në Gjermani a mund të shkruhej me nostalgji për Hitlerin? Apo në Rumani për Çausheskun? Vendet e Europës Lindore në ish perandorinë komuniste e kanë të ndaluar me ligj të bësh propapagandë për komunizmin.
Në Shqipëri jo.
Ka të vërteta të përbashkëta si diktatura dhe mbyllja, krimet dhe përmbytjet, tërmetet, dramat, Realizmi Socialist, kooperativat dhe rrënimet, burgjet, pushkatime poetësh, plotonet, ku, sipas meje, bënin pjesë në rreshtin më pas dhe ata shkrimtarë që hartonin ekspertizat e atyre që do të pushkatoheshin, edhe ikjet janë të vërteta, kufijtë që duken dhe s’duken, mashtrimet, demokracia, librat e ndaluar dhe librat e rinj, etj, etj, por persekutimet nuk pritet të dëshmohen më mirë nga persekutorët, e vërteta tregohet nga të vërtetët.
TË KESH NDËR DUAR LIBRIN E ATIJ
QË TË VURI PRANGAT NDËR DUAR PËR LIBRIN…
Ndodh të na bien në dorë, – mua krejt rastësisht, por ka që i kërkojnë, – botime nga a për Sigurimin e Shtetit, jo si dikur, libra të shkrimtarëve të tyre, që bëheshin dhe filma, dhe përktheheshin, dhe pëlqeshehsin nga lloji i ndjekësve të tyre, bashkëpunëtorët potencialë, por tani po dalin botime nga ata që s’pritej gjithsesi se mund t’ia dilnin të shkruanin, nga hetues, prokurorë e gjykatës, komandantë e drejtorë burgjesh të diktaturës, etj.
Lanë pragat që i kishin për ne dhe moren kompjuterat. Të tyret apo tanët? Një konfiskim i pakuptuar… i pjesshëm, i padukshëm… Nejse, nga gishtat e tyre më duket se pikon ende gjaku i të tjerëve gjatë torturave në qelitë e nëndheshme. Çudi si mbërrijnë dhe në SHBA këto lloj botimesh! – thashë, kur më dhanë të shikoja memoaristikën e një të Sigurimit të Shtetit të Enverit, me mbiemrin si ai, Hoxha, që kishte shërbyer si operativ fshatrave të Kukësit, ku dhe unë kisha qenë mësues, që sigurisht ai mblidhte denoncime të fshehta dhe nga mësues të tjerë dhe kundër meje, madje ai do të ishte që do t’më arrestonte. Më pas atë e shpërngulën në Ministrinë e Punëve të Brendshme, seç e bënë drejtor, unë isha në burg atëhere. Ai do të vazhdonte të ishte në ministri edhe kur po binte diktatura, ndërkohë unë do të punoja gazetar i opozitës në “RD”. Ai do të vazhdonte dhe më vonë, drejtor atje, etj, etj. Jo se më ka interesuar, por i them këto për të treguar se i njoh ata si kundërshtar i tyre, si i dënuar i tyre, ua di aftësitë për keq, etj, etj. Dhe ata u morën me krijimtarinë time, më konfiskuan poezitë, ditarin, tregimet, – që i humba përgjithmonë (ndoshta ndonjë ditë dalin me emër tjetër, s’është çudi, ka ndodhur), pandaj po i jap të drejtën vetes t’ua kthej vëmendjen, jo për hakmarrje, janë botime për të gjithë, jo për punim të brendshëm, mund të gjykojë kushdo. Sa të vërteta sjellin dhe si? Ç’ka në botimin që kam ndër duar, të atij që më vuri prangat në këto duar? E ç’zbulon e ç’rrëfen? E shfletoj, Shih, bëma të Sigurimit të Shtetit në mbrotje të popullit nga armiqtë, kur armiku i popullit ishin ata vetë, – thashë me vete, – se si kishin zbuluar dhe kapur agjentë jugosllavë, grekë, atentatorë nga ato male ku ai ishte operativ, etj, jo se s’ka patur të tillë, por Sigurimi Shqiptar, sipas disa vështrimeve të tjera të studiuesve apo specialistëve në këtë fushe të minuar, nuk ka qenë i aftë t’i zbulojë e gjejë ata që ishin vërtet të shërbimeve të huaja të spiunazhit dhe në vend të tyre kanë kapur të tjerë, pa prova, me dyshimet se edhe mund të ishin, e pse të mos ishin? Dhe kështu realizonin planin e caktuar nga Partia për numrin e caktuar të armiqve, por dhe tmerronin popullin, etj, etj. Ndryshe pa terror si do të sundohej? Unë kam njohur në burg të dënuar si agjentë apo atentatorë në tentativë të udhëheqjes së lartë, të më lartit, fshatarë të gjorë nga Veriu e Jugu që dhe vetë habiteshin me akuzën dhe dënimin, kur s’kishin patur ndonjë qellim të tillë, thoshin, dhe s’kishin patur asnjë lloj arme, veç kazmës… Të shërbimeve sekrete të huaja, që punojnë në dëm të vendeve tona, të Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, duket se ka, me ç’gjejmë ndonjëherë në media e rrjetet sociale, të infiltruar dhe në institucione të rëndësishme apo në shërbimet diplomatike, edhe në diasporë, në uzurpime të heshtura të shoqatave, kulturore e religjioze, të katedrave, etj.
Ndërkaq botime të tilla në përgjithësi, që rrjedhin dhe nga Sigurimi i Shtetit, nuk arrijnë të shtojnë shqetësimin dhe vëmendjen në drejtime të tilla me rëndësi kombëtare, përherë aktuale, por i shkapërcejnë pritshmëritë, më saktë nuk i arrijnë ato që do të duheshin të dëshmonin, krimet shtetërore, dënimin e së kaluarës diktatoriale, persekutimet, ndjesën e vonë, etj, por hidhen në çështje përtej tyre, jo vetëm të kompetencave, por dhe të aftësive dhe të pritshmërive duke shpjeguar ata kështu pluralizmin shqiptar, si nisi deri dhe psikoanalizën e protagonistëve të lëvizjeve për ndryshim dhe të lidershipit, që gjithmonë paskësh qenë nën kontrollin e tyre, pra, të Sigurimit të Shtetit.
KTHIM
NË QELINË E KUJTESËS.
Para se them se ç’thotë ai për lidershipin e demokracisë në postdiktaturë, madje dhe u bën biografitë si në dosje, po nxjerr dhe unë se ç’kam shkruar për atë në botimin tim memoaristik, burgologjinë “Rrugët e ferrit”, kam një pasazh, që po e sjell dhe këtu:
Kur pashë operativin e zonës, atë që zbatoi aksionin e arrestimit tim, njiheshim, na vinte në fshat, pinte me ne, flinte në dhomën tonë në shkollë, se ishte bashkëqytetar me dy kavajasit, më duket se i kishte futur në tavë ata, hiqte nga supi çantën e punës me rrip të gjatë, të kyçur me një dry të vogël sa një prangë zogu (që do të zmadhohej dhe do të bëhej dryni i portës së qelisë sime) ah, ajo çantë lëkure (si e bërë me lëkurë të dënuarish), më e frikshme se revolveri, që e hiqte shkujdesshëm, por edhe me krenari të pafshehur dhe e linte në parvazin e gjerë të dritares, pranë shtratit të B. Katroshit, që do t’ia lironte e do të flinte me kavajësin tjetër, me “qesharakun” F. Fosa. Unë kisha fjetur dhe mbi dy tryeza të afruara, mbulohesha me hartat, atë të Shqipërisë dhe të botës, mbushesha me shtete, por ai, vërtet, po me atë revole më erdhi tani në qeli? U pamë sy më sy. Nuk e njoha menjëherë. Prej uniformës. Kapela e ngritur përpjetë mbi krye dhe çizmet e zeza bënin që të dukej edhe më i gjatë. Pse më arrestoi vetë? Operativët nuk e kanë këtë të drejtë a privilegj, përveç rasteve flagrante. E dija se e thoshte shpesh miku i tij, Katroshi. Dhe shtonte: tani që kam këtu Bujar Hoxhën, s’është pak, a, operativ zone, kaq i ri, a, nuk pyes për asnjërin, as për Veli Gjicin, që ka shkollë partie, jo më për drejtorin e shkollës. Edhe unë mund të arrestoj kë t’më dojë kokrra e qejfit. Thirrej shpesh kohët e fundit në Kukës, s’e dija se ku, por rroga nuk i pritej. Kur e shihja ashtu të zbehtë, kujtoja se e kishte nga rruga e gjatë, 5- 6 orë më këmbë. Penel. Çfarë? Ke peeneeel? – iu mbajt goja më shumë dhe u gajas. Ç’pati? Dhe në gjumë po thoshte: pee-pee-nis, jo, penel. A, duhej të ishte pseudonimi i tij. Ti je Mali, po i thoshte një ditë atij tjetrit, por, kur hyra unë, pushuan. Asnjëherë operativi nuk më dha një sinjal a paralajmërim, natyrisht brenda detyrës së vet e rregullave, kështu ia donte puna, as kur pinte në darkat që shtronim në dhomën tonë në shkollë. Asnjë institucion ose zyrtar nuk e bëri këtë, përveç shtëpisë botuese që më kërcënonte: do ta pësosh keq kështu, se ka më, edhe më keq, por unë e merrja si të folur ordinere redaktorësh. Nëse unë nuk e kisha kuptuar, ky ishte faji im. Doje dhe të shpërnguleshe ti, të shkoje afër familjes? Ja, të afruam, në burg… Ti kujton se e ka në dorë seksioni i arsimit, po të gjitha i ka në dorë Sigurimi i Shtetit. Ne jemi Partia dhe Partia është ne. – Ke ndonjë gjë? – nëpërdhëmbi duke ndenjur larg, fare larg, te dera. Aq meritoja. Po sikur kapa një kërshëri idioti tek ai, se ç’ndieja unë këtu dhe sikur donte të më pyeste: hë, si të dukem? Pallosh shteti. Si? Dhe u shtrembërua vërtet. – Neveri, – thashë. – Çfarë? – Më pyete nëse kam ndonjë gjë, neveri kam. S’dinte ç’të thoshte. Dhe e kuptova ç’i kishte munguar kokës së tij dikur, më qe dukur e mangët, kapela me yllin e kuq. Me të ikur si gjithë të tjerët, pa përshëndetur, siç erdhi, pashë se i kishte rënë ylli mbi dysheme. Dhe më tej prapë ylli. Sërish… Sa herë i paska rënë?! Ishin njolla gjaku, se ku e kisha çarë këmbën…
Edhe pse nuk punojnë më në Sigurimin e Shtetit, se ky institucion famëkeq s’është më, por u kalua nën emërtim tjetër, SHIK, dhe ata vetë nga operativë e hetues, prokurorë, gjyqtarë e drejtorë burgjesh, komisarë partie, kryetarë degësh e sekretarë të parë, etj, janë kthyer në biznesmenë, kanë ikur dhe janë bërë qytetarë të Europës dhe Amerikës, janë shndërruar në avokatë të demokracisë dhe do të duhej ta fillonin duke mbrojtur klientët e tyre të dikurshëm, ata që i arrestonin dhe i torturonin qelive dhe i dënonin mizorisht me burgim të gjatë, por përkundrazi bëjnë avokatin e diktaturës, që atëhere ajo s’e lejonte profesionin e avokatit, mbrojnë me fanatizëm institucionen e tyre famëkeqe, Sigurimin e Shtetit, Partinë e Punës, megjithëse të shndërruara.
Psikologët e traumës si Judith Herman ose Bessel van der Kolk thonë se rastet kësisoj janë një formë e re e riviktimizimit: kur shoqëria u jep zë të barabartë xhelatëve, ajo hesht viktimën dhe thërmon shërimin. Jo barazi midis atyre që vuajtën ferrin dhe atyre që e krijuan ferrin, jo barazi mes të vërtetës dhe mashtrimit. S’ka barazi morale mes kujtimeve të të persekutuarit dhe manipulimeve të persekutorit. S’ka rrëfim të sinqertë nga ata që kurrë nuk kanë kërkuar ndjesë. S’ka pajtim pa drejtësi. Dhe mbi të gjitha: botime te tilla të Sigurimit të Shtetit janë krimi i radhës. Tani sigurisht që shfrytëzojnë dosjet, që i përgatisnin vetë me denoncimet e bashkëpunëtorëve të tyre a të spiunëve, u duhen prapë sidomos nga ata që u vjen ndoresh dhe shkrimësia, përdorin punimet e të tjerëve specialist, etj, etj. Pse ky ngulmim? Ç’duan të përhapin? Sociologë si Aleida Assmann (ekspertë të kujtesës kolektive) paralajmërojnë: “Nëse viktimat nuk e fitojnë të drejtën për të shkruar historinë, atëherë historia do të shkruhet nga ata që bënë padrejtësinë.”