
E martë 2 prill 2024, dhe në Frasnitën arbëreshe në Kalabri ashtu siç është zakoni që të Martën e parë pas pashkëve organizohet “Dita e Valljes” me ritualin e saj më antik nga të gjitha krahinat e tjera.
Dita e Valljes është një ceremoni sa e larmishme aq edhe e shenjtë.
Gratë arbëreshe me kostumet e tyre plot ar dhe hirë lëvizin në formë gjysëm rrethi, kapur me shami me njera tjetrën të shoqeruar nga dy burra të cilët quhen flamurtare dhe përshkruajnë rrugët e “ Katundit” duke kënduar këngë të ciklit të pranëverës, por duke i shtuar kësaj feste edhe rituale të tjera si ato të eposit si Kostandini e Doruntina, apo rapsodi kushtuar Skënderbeut.
Është momenti që dalim nga kisha dhe rastësisht takoj mësuese Lucia Martino, e cila është ndër aktivistet më të gjalla të botës arbërshe, punon me mish e shpirt për të mbajtur gjallë një teatër arbëresh, e promovon botën arbëreshe nëpër botë. Mësuese Lucia që prej vitesh në pension, atë ditë ishte shoqëruar nga një burrë të cilën nuk patëm kohë as të prezantoheshim sepse grupi Valleve nis menjëherë ritualin.
Polifonia e atyre grave, na rrëngjethi dhe sytë për një moment u ngulitën tek ato. Papritur në krahun tim ndjeva një ngashërim,kthej lehtë kokën dhe shohë zotrinë që ishte e shoqëruar ish mësuese Lucia, i cili i ngashëruar si një fëmijë.
Më emocionoi shumë.
U preka dhe unë por më shtyu edhe një kureshtje e madhe ta pyesje nëse vinte për herë të parë.
Mësues Lucia, menjeherë i hedh dorën në qafë, dhe më thotë gjithë ngrotësi:Ky është një mysafir special, është arbëresh i Argjentinës.
Them të drejtën vendi nuk po më mbante, doja ti përjetoja ato emozione tek sytë e mi disi të lagura (sepse emigrimin e njohë mirë, duke qene vet emigrante). I afrohem, i hedh instiktivisht dorën në shpatulla dhe ndërsa sytë tanë ndeshen e pyes derjtpërdrejt: A mund të më thoni përse u emozionuat kaq shumë?
- Midis atyre grave është edhe jehona e shpirtit të mëmës sime- përgjigjet arbërshi i Argjentinës. Mëma ime ka ardhur në Argentinë kur ajo ishte 13 vjeçe. Unë sot jam në pension.
Kjo është toka e mëmës sime.
Kjo është gjuha e mëmës sime.
Këto janë lotët e mëmës sime të përziera me emocionet e mia.
Dita e “Valljes” janë ato sekuenca që mëma ime me lot në sy më rrëfente për katundin e saj kur unë isha i vogël, dhe sot unë jam në pension. Këto tinguj i kam dëgjuar shumë herët, këto tinguj që herë bëhen zëra dhe herë shëndërrohen në klithma dhimje, i kam ndierë sa herë mëma i këndonte këto këngë.
Unë e njihja katundin e mëmës pa ardhur në Frasnitë. Ajo ma ka përshkuar me kaq detaje sa unë kur erdha për herë të parë skishte nevojë që dikush të më rrëfente për të. Njihja çdo shtëpi të saj, cdo gjitoni. Mëma më përsëriste shpesh shprehje ” Gjaku in i shprishur”
A keni krijuar ndonjë shoqatë arbëreshe në Argjentinë. Çmund të na thuash diçka rreth tyre?
- Unë jetoj në Buones Aires. Quhem Raul Omar Colacino. Mëma ime është me origjinë nga Frascineto, quhet Maria Colacino. Stërgjyshja ime ishte Doenica Pellicano dhe arbëreshe e Frascinetos. Ajo ka lindur në 1866- dhe ka vdekur në 1963.
Mamaja ime për të mbajtur ggallë kujtimin e rrënjëve të saj krijoi shoqatën” Frascineto”. Në ketët shoqatë jemi mbi 200 veta. Kemi krijuar një Frascineto në minaturë në Buenos Aires.
Bashkohemi dhe festojmë festat tona tradicionale.
Mblidhemi shpesh.
Kultura culinaria arbëreshe është prezente në çdo festë që organizojmë.
Sa here që mblidhemi vajzat veshin kostumin arbërsh të gjysheve të tyre që e sollën me vete. Kostumi është identiteti ynë. Ky element na dallon na bënë të veçante.
Manifestet i shkruajmë arbërisht Flisnim arbërisht midis nesh. Ndihemi arbëresh në gjak. Kemi ende “ndjenjën e apartenencës\ përkatësisë”.
Shqipërinë nuk e njohë, nuk kemi patur lidhje. Ata nuk janë kujtuar asnjëherë për ne. Ne kemi qenë gjithmonë. Ata as në fjalor nuk na kanë. Ne Skënderbeun e kujtojmë. Me Kosovën deri diku mbajmë ndonjë kontakt. Shpesh postojmë në rrjetet tona memorjen e Skënderbeut. Ne jem, jemi akoma të gjallë. E duam Shqipërinë. Është një mëmë e madhe, por duam ta ndjejmë..
Nëpërmjet teknologjisë kërkojmë të mbajmë lidhjet tona të botës arbëreshe. Ka shumë për të bërë por ne në atë aaoqeanin e madh jemi një pikëz që kërkojmë të jemi të gjallë nga “ pitoni” asimilim.
Eështë hera e parë që vini në Frasnitë\ Frascineto?
- Jo! Është hera e tretë . Sa herë që vij aq herë emocionohem,por në Ceremoninë “Vallja” kam ardhur për herë të parë. Nuk kisha marrë pjesë asnjëherë drejtpërdrejt. E kisha pritur me vite, dhe sot jam këtu mes vëllezërve arbëresh. Kam sjellë me vete edhe kostumin arbëresh të mëmës sime dhe ja kam dhuruar shoqatës arbëreshe të drejtuar nga ish mësuesja Lucia Martino. Doja që një kujtim të mëmës sime të ngelej ku janë rrënjët. Në të njëjtën kohë me këtë veprim dua që të gjithë ata që largohen për një kohë nga vendi i tyre mos të harrojnë rrënjët. Mirë ishte të ktheheshin atje ku kanë hedhur hapat e para, ku kanë derdhur lotët, ku kanë ndierë aromat e katundit të tyre, ku kanë parë për herë të parë malin, e kanë ndeshur ajrin për herë të parë kur dolën në dritë, e mbi të gjitha mos të harrojnë gjuhën, këtë gjuhë arbëreshe që mëma ime shpesh ma përsërit: gjuha jonë është më e bukura, dhe më e lashta në botë!
Raul, ju faleminderit për fjalët,për emocionet që më dhuruat, dhe nëse do të kujtoheni ju lutem një përqafim të ngrohtë nga bota shqiptare mëmës suaj, që iu ka rritur dhe edukuar me këtë frymë arbërore! (Në vijim një almanak me fotografi)
Ornela Radovicka
Qëndra albanologjike mbi kulturën dhe gjuhën arbëreshe themeluar në 1980
Aktivitete nga bota arbëreshe në Argjentinë .
Tradicioni kulinaria arbëreshe në Argjentinë
Raul dhuron shoqatës arbëreshe në Frascineto drejtuar nga ish mësuesja Lucia Martin kostumin arbëresh të mëmës së tij