




Intervistoi: Sokol Paja/
1. Si ndjeheni përpara koncertit recital të 17 marsit në La Maison Française? Cilat janë pritshmëritë tuaja dhe cili është repertori i zgjedhur?
Së pari ju falënderoj shumë për ftesën për të bërë intervistën. Koncerti gjithmonë është një moment i veçantë, një ngjarje me shumë emocion dhe me shumë ngjyra të cilat shprehen nëpërmjet tingullit. Bota e muzikës është unike dhe e mrekullueshme. Ajo mban gjallë historinë e njerëzimit dhe të mundëson të përjetosh veçantinë e secilës periudhë kohore, pra dëgjuesi “ecën” në kohë prapa 100, 200, 300 vite. Kjo është fascinuese! Për koncertin më 17 mars po përgatitem intenzivisht dhe më gëzon fakti që interesimi i publikut për bileta është shumë i madh, përkundër ofertave të shumta kulturore që ofron Washington D.C. brenda një dite.
2. Çfarë mesazhi artistik dhe kulturor përcjell ky recital?
Se gjuha muzikore është universale dhe natyrshëm krijon ura bashkëpunimi në mes të kulturave.
3. Programi artistik që përfshin vepra nga Franz Schubert, Maurice Ravel, Johannes Brahms dhe kompozitor nga Kosova – pse e bëtë këtë zgjedhje artistike? A ka ndonjë domethënie të veçantë?
Janë bërë tani mbi 3 dekada e gjysmë që luaj piano dhe kam pasur fatin të interpretoj në shtete të ndryshme në Evropë, Azi e SHBA. Në vitet e 90-ta kur shkova si 15-vjeçare për të studiuar pianon në një universitet me renome sikur Universiteti Mozarteum në Salzburg të Austrisë, nuk kishte ende studentë shqiptarë që studionin për muzikë. Andaj, dëshiroja që me mundësitë e mia nëpërmjet muzikës të bëja diçka për vendin tim, të prezantoja dhe promovoja muzikën tonë. Në koncerte recitale në shtete të ndryshme, krahas veprave të dëshmuara pianistike nga kompozitorë botërorë, përfshij edhe vepra nga kompozitorët shqiptarë. Edhe kësaj radhe, në program kam pjesë nga kompozitorë të periudhave të ndryshme muzikore, si romantizmin me Schubertin dhe Brahmsin, impresionizmin me francezin Ravel, dhe periudhën bashkëkohore me kompozitorin nga Kosova, Fahri Beqiri.
4. Në rrugëtimin mbresëlënës artistik nga Kosova drejt skenave ndërkombëtare, suksesin tuaj kujt ia dedikoni?
Që nga fëmijëria kam pasur përkrahjen e parezervë të familjes dhe kjo vazhdon të jetë edhe sot ashtu. Në këtë profesion, disiplina strikte, dedikimi e ushtrimi në baza ditore janë thelbi. Pra pa marrë parasysh përvojën ndër vite, ushtrimi është dhe mbetet gjëja kryesore.
5. Cilat koncerte artistike në karrierën tuaj i konsideroni më të veçanta? Ku i keni ndjerë emocionet më të forta?
Secili nga koncertet e ka veçantinë e tij. Secila paraqitje para publikut është unike. Emocionet janë të dyanshme – interpreti, gjithmonë në shërbim të muzikës, performon dhe ndan ndjesitë dhe intelektin e tij me publikun, ndërsa energjia/ndjesia e publikut përcillet deri në skenë tek interpreti. Pra është një proces i mrekullueshëm ndjesish të dyanshme.
6. Si ambasadore kulturore e kombit tonë në Amerikë, sa e rëndësishme është për artistët që të përfaqësojnë kulturën shqiptare në skenat ndërkombëtare të muzikës klasike? Barra, pesha dhe përgjegjësia – a ka talente në Shqipëri e Kosovë?
Kultura është ajo nëpërmjet së cilës njerëzit identifikohen. Në fushën e muzikës klasike barra dhe përgjegjësia janë të larta, meqë ndër shekuj ekzistojnë figura që kanë vendosur tanimë standarde të arta. Duke u nisur që nga kompozitorët e njohur që njëkohësisht ishin edhe instrumentistë të shkëlqyer, si Bach-u, Mozarti etj. Për ilustrim, njëri ka lindur para gati 4 shekujve, kurse i dyti, janarin që shkoi, do ta festonte ditëlindjen e 270-të. Pra këto standarde të arta mbi interpretimin e muzikës ekzistojnë tanimë e sa shekuj. Dhe, në kohën e sotme për instrumentistin e sotëm, barra është e lartë.
Së pari nevojitet një shkollim superior që aftëson krijimin e shkathtësive për t’ia mundësuar muzicientit që të kuptojë e hulumtojë botën e kompozimeve të titaneve të literaturës muzikore, e më pastaj që të aftësohet për t’i interpretuar këto. Ky shkollim është specifik dhe duhet të fillojë që nga fëmijëria. Pastaj krahas shkollimit (muzikor), nevojitet edhe një sistem i tërë përreth, siç janë mundësitë për të interpretuar, konkurset muzikore, festivalet etj. Pra talente ka shumë, por talenti duhet të shkollohet. Viteve të fundit mundësitë janë bërë më të mira në vendet tona dhe janë hapur edhe mundësi bursash. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Ka qenë e nevojshme që në baza individuale të sakrifikohet për të arritur. Rrjedhimisht, edhe duke qenë se jemi një vend i vogël, mendoj që rëndësia e artistëve që përfaqësojnë kulturën shqiptare në skenat ndërkombëtare është e madhe dhe e rëndësishme. Është një gjuhë universale që kuptohet dhe çmohet gjithandej. Një gjuhë që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit dhe ta tregosh rrëfimin e kulturës e vendit tënd në çdo anë të botës.
7. Cili është mesazhi juaj për të rinjtë shqiptarë që duan të ndjekin një karrierë në muzikën klasike?
Muzika është e bukur dhe ndjesia e interpretimit është e paçmim. Por, për ta bërë profesion, nevojitet gatishmëria për sakrificë dhe një disiplinë e vullnet i madh.
8. Kush është Ardita Statovci?
Kam lindur në Prishtinë, ku edhe kam filluar mësimet e pianos që në fëmijëri. Në moshën 15-vjeçare jam pranuar për studime në Universitetin Mozarteum, në vendlindjen e Mozartit, në Salzburg të Austrisë. Pas përfundimit të studimeve të magjistraturës në Salzburg, kam vazhduar studimet pasdiplomike në Akademinë Pianistike në Imola të Italisë, si dhe në Indiana University në SHBA, ku mora ftesën për të studiuar me pianistin legjendar Menahem Pressler.
Kam performuar në recitale pianistike, si soliste me orkestra dhe në koncerte të muzikës së dhomës, në salla me renome si Musikverein në Vjenë të Austrisë, Elbphilharmonie në Hamburg të Gjermanisë, si dhe në shumë salla të njohura koncertale në Evropë, Azi dhe SHBA.
Së bashku me pianisten zvicerane Ariane Haering, prej më shumë se dhjetë vitesh kemi formuar një duo pianistike të quajtur ARIADITA Duo, me të cilën performojmë në nivel ndërkombëtar. Krahas interpretimit, përpiqem të ndihmoj pianistët e rinj nga Kosova duke u krijuar mundësi për bursa dhe paraqitje koncertale në Evropë. Gjithashtu jam pedagoge pranë Washington Conservatory of Music, ku drejtoj klasën time të pianos. Përveç kësaj, mbaj masterklasa për piano dhe muzikë kamertale në vende të ndryshme të botës dhe shërbej si anëtare jurie në konkurse pianistike. Ju falënderoj shumë për bisedën dhe pyetjet inspiruese! https://www.arditastatovci.com/en_vita_ardita.php
Foto: A. Llapashtica