Ariana Kosova Hoxha Kryetarja e parë e lidhjes së mësuesve shqiptarë në Itali rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, angazhimin profesional dhe politik si kshilltare në zgjedhjet e 20 shtatorit në Rajonin Marche –Itali, në një intervistë dhënë gazetarit të Diellit Sokol PAJA.
KUSH ËSHTË SHQIPTARJA QË SYNON TË FITOJË NË RAJONIN MARCHE
Kandidatja shqiptare për zgjedhjet rajonale në Itali në Rajonin Marche, Ariana Kosova Hoxha ka lindur në Durrës në 1977 dhe është kryetarja e parë e lidhjes së mësuesve shqiptarë në Itali, njëkohësisht presidente e shoqatës së studentëve shqiptarë për Universitet e Maçeratës dhe Camerinos në Marche Itali. Pas shkollës së mesme ndoqi studimet e larta për mësuese e ciklit të ulët në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Për tre vite punoi mësuese në shkollën Shaqe Mazreku në Durrës. Gjatë vitit 2002 trasferohet në Itali ku sjell në jetë dy vajzat e saj Giulia dhe Sara. Dashuria dhe ëndrra për një të ardhme më të mirë i japin forcën për të rifilluar studimet në dhe të huaj sikurse edhe njohjen e diplomës shqiptare. Në Itali diplomohet në: Shkencat e edukimit dhe formimit në Universitetin Luigi Bertelli( Macerata), Master në Pedagogji për dizabilitetin( disabilitá e marginalitá LM 85. Universiteti Luigi Bertelli, Macerata), Master në shkencat politike në Universitetin Spocri, Macerata. Aktualisht studion në Fakultetin e Juridikut për Cooperazione internazionale,Universiteti i Camerinos. Në 20 dhjetor 2014 fillon të shkruaj si gazetare publiciste në gazetën Orizzonti della marca në qytetin Camerino dhe më pas në gazetën online Cronache Maceratesi të qytetit të Maçeratës. Gjatë panairit të librit në vitin 2016 zbulon hapjen e shkollës së parë shqipe në qytetin e Maçeratës dhe zgjidhet nga nënkryetarja e komunës të jetë mësuesja e gjuhës dhe kulturës shqipe. Protagoniste e shumë seminareve universitare në Itali të cilët do t’ i japin mundësinë e krijimit të projekteve për binjakëzimin e universiteteve italiane me universitetet shqiptare sidomos me Universitetin Hasan Prishtina në Prishtinë dhe Ukshin Hoti në Prizren. Para një viti mundësoi marrëveshjen ndërkombëtare ndërmjet Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe Universitetit të Camerinos themeluar në vitin 1336. Falë kësaj marrëveshje sot në Camerino studiojnë 14 studentë shqiptarë të ardhur nga Malisheva, Mitrovica, Kaçaniku, Gjakova, Fushë Kosova, Prizreni dhe Prishtina. Çdo fundjavë prej 4 vitesh drejton mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe në mënyrë vullnetare për fëmijët shqiptarë të lindur në Maçerata dhe Tolentino nga familjet që i përkasin të gjitha trevave shqiptare. Shqiptarja e parë në qytetin e Maçeratës që u punësua në zyrën e gjendjes civile dhe aktualisht është edhe pedagoge në qendrën Anffas të qytetit për të rinjtë me aftësi të kufizuar dhe autizëm. Njohja e diplomës shqiptare nga Ministria e Arsimit italian MIUR dhe studimet universitare në Itali po i mundësojnë pjesëmarrjen në konkurset shtetërore italiane për mësuesi në ciklin e ulët dhe në gjimnaze për degët Filozofi dhe Psikologji.
SHQIPTARËT NË RAJONIN MARCHE
Ariana Kosova Hoxha jeton në Rajonin Marche, Rajon i populluar nga shqiptarët që në Mesjetë. Në qytetin e Loretos ndodhet kolegji ku që nga viti 1500-1800 studiuan rreth 1000 studentë shqiptarë ndërmjet tyre Andrea dhe Pjetër Bogdani, Pjetër Budi, Gjon Buzuku, Frank Bardhi e shumë të tjerë të cilët studionin në italisht dhe latinisht por zhvilluan gramatikën e gjuhës shqipe duke botuar librat e parë edhe pse fetarë në gjuhën shqipe. Sot në këtë Rajon jetojnë shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare, punojnë ,të rinjtë studiojnë në universitetet që janë krijuar në Marche konkretisht në vitin 1290 Universiteti i Maceratës dhe në vitin 1336 Universiteti i Camerinos. Më parë ndonjë nga shqiptarët ka marrë pjesë në kandidaturat komunale, por asnjëherë në kandidaturën Rajonale. Vendimin e mora nga dëshira dhe vullneti i mirë i bashkëatdhetarëve tanë. Ndihej nevoja që dikush ti përfaqësonte edhe në institucionet politike italiane. U diplomova vitin e kaluar për Master në Shkencat Politike, ndërsa tani po studioj për Marrëdhënie Ndërkombëtare ndaj mu duk e drejtë që njohuritë e fituara në studime ti vë në dispozicion për të mirën e çdo qytetari. Kur komunikova me një nga miqtë e mi gazetar italian për vendimin e kandidaturës e priti mjaft mirë dhe falë tij mu ofruan 4 kandidatura, por duhet të zgjidhja dy, një për këshilltare komunale në listën: La nostra città dhe kandidatura më e rëndësishme ajo Rajonale: Marche Coraggiose.
PROGRAMI POLITIK
Votuesit e interesuar për të votuar janë nga të gjithë komunitetet, por edhe italianë. Votuesit me kombësi të huaj shohin një shpresë për të ardhmen nëpërmjet një përfaqësuese që i përket një komuniteti të huaj. Kush ka sakrifikuar në jetë njeh edhe vështirësitë e tjetrit drejt integrimit. Programi im është:
-Imigracioni dhe integrimi
-Arsimi, binjakëzimet e universiteteve shqiptare dhe italiane
-Mjekësia
-Punësimi
-Mbrojtja e personave të brishtë: Të moshuar dhe njerëzit me aftësi të kufizuar
ARSIMIMI I STUDENTËVE SHQIPTARË
Politika për mua ka filluar me kohë. Kur njeh ligjet ndihmon edhe popullin. Në të shkuarën ka patur ligje përsa i përket shëndetësisë për qytetarët e vendeve extra komunitare dhe askush nuk i dinte, perpiqesha ti ndihmoja të gjithë pa dallim kombësie. Politika në arsim, zbulimi i bursave universitare dhe kam mundësuar ardhjen e 25 studentëve shqiptarë nga Kosova dhe 10 nga Shqipëria. Politika sociale: vjet fitova një konkurs dhe punova pranë asistentëve socialë në komunën e qytetit. Pikërisht prezenca ime në një ambjent të tillë më bëri të shoh dhe të njoh probleme të ndryshme shoqërore sikurse edhe nevojën për ti zgjidhur dhe për ti ardhur në ndihmë çdo qytetari. Nuk jam ndalur kurrë edhe në mësimdhënien e gjuhës dhe kulturës shqipe tek fëmijët shqiptarë të lindur në Itali. Kam punuar falas dhe e kam bërë me shumë dashuri, ndaj sot gjatë fushatës elektorale janë pikërisht prindërit e nxënësve që po japin kontributin maksimal duke shpërndarë lajmin kudo. Shpresoj që informacioni të përcillet kudo dhe shqiptarët të votojnë kandidaten e tyre. Nëse do të fitoj do të ndryshoj shumë problematika në lidhje me jetën e shqiptarëve si për shembull: mungesa e zyrës konsullore në Rajonin Marche, problemet e bashkimit të viteve të punës, nënshtetësia e fëmijëve shqiptarë që lindin në Itali, pra mos të presin të mbushin 18 vjeç për tu ndier italianë para ligjit dhe ndihen të huaj në vendin ku linden sikurse të huaj në truallin e origjinës.
MESAZHI PËR DIASPORËN NË USA
Mesazhi patriotik: Gjaku nuk bëhet ujë, ndaj kudo që të shkojmë nëpër botë duhet të njohim dhe të mbrojmë identiten tonë. Shpesh kur jam në seminare recitoj vargjet e At Gjergj Fishtës: “Gjuha shqype” për ti kujtuar çdo shqiptari që fëmijëve duhet tu flasim me gjuhën e shpirtit. Të punojmë së bashku për ti falur fëmijëve tanë një të ardhme të sigurt por të vetëdijshëm që jemi shqiptarë.