Prof. mr. sc. Myrvete Dreshaj – Baliu
Fakulteti i Edukimit, Prishtinë
Prof. ass. dr. Begzad Baliu
Instituti Albanologjik i Prishtinës/
Në jetën krijuese dhe politike të Arshi Pipës , Kosova dhe fati i saj vetjak apo i dyzuar edhe me çështje të tjera, na del në dimensione nga më të ndryshmet . Prandaj kompleksiteti i shqyrtimit të saj është i përbërë dhe i ndërvarur, kur prej premisave jetësore dhe madje personale të tij, kur prej parimeve letrare e shijes estetike të brezit që i takonte. Ndoshta kjo është arsyeja pse disa nga esencat e tij jetësore, letrare, politike, kulturore e shkencore, jo gjithnjë në kohë dhe hapësirë na dalin komplementare si për kohën e krijuar ashtu edhe për kohën tonë. Krijues me imagjinatë të theksuar, studiues me akribi shumëdimensionale, njohës i estetikes së mesjetës dhe antikës, me përqëndrim në estetikën italiane dhe franceze, ligjërues, studiues, përkthyes e botues i letërsive perëndimore, me përqëndrim në autorët klasikë, Arshi Pipa ka dhënë modelin individual të intelektualit të angazhuar në çështjen kombëtare sipas modelit perëndimor. Në këtë kontekst do parë edhe konceptet politike dhe estetike të tij, të ndërlidhura në temën e Kosovës, si dhe ndërliqësitë që lidhen me të kaluarën historike dhe të ardhmen e saj.
Brenda kësaj teme mund të trajtohen tri çështje themelore të poetikës, të historisë dhe të kulturës së tij:
I: Poezia “Shqipnia” (Kosova si njësi gjeografike dhe historike e ‘Shqipërisë antike’) dhe poezia “Mbreti Labeat” (brenda të cilës mund të diskutohet koncepti shkencor i tij për prejardhjen e popullit shqiptar);
II: Poezitë “Kosovës” dhe “Legjenda e Drenicës” (njëra përkushtuese dhe tjetra kallëzuese), përmes të cilave mund të diskutohet qëndrimi i tij politik dhe intelektual njëkohësisht, ndaj zhvillimeve tragjike të kohës në lidhje me gjendjen tragjike në Drenicën e pasluftës së dytë botërore dhe koncepteve politike të shtetit shqiptar karshi Kosovës; dhe
III: “Rusha”, një poemë që në post skriptum Arshi Pipa e quan poemë kosovare, e cila lë hapësirë për diskutim për kontekstin e shkrimit të saj: parapërgatitjen e tij për t’u arratisur në Jugosllavi apo çastin e përpjekjeve të tij për të dhënë motërzimin (variantin) e ri të “Milosaos” së Jeronim De Radës.
I. Kosova si referencë
Në krijimtarinë letrare të Arshi Pipës, parë nga aspekti kronologjik, emri i Kosovës del për herë të parë në poezinë “Shqipnia”, me të cilën hapet “Libri i burgut”, i botuar në kuadër të vëllimit “Meridiana”. Prej shënimeve në përmbajtje del se poezia është shkruar në vitin 1946, por është botuar në vitin 1969 .
‘Shqipnia’ në kontekstin ndërndikues të letërsisë shqipe do të mund të quhej një motërzim i përmbysur i poemës së Naim Frashërit “Bagëti e bujqësia” në të cilën autori shpreh dëshprimin e tij për gjendjen sociale e ekonomike të popullit shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore dhe për psikologjinë politike të drejtuesve të tij politikë e shpirtërorë.
Meqenëse në kërkimet tona nuk bëhet identifikimi i motivit, por i njërës prej njësive të kësaj poezie, që ngritet në kategori historike dhe estetike njëkohësisht, këtu po e sjellim fragmentin e plotë të saj:
Ashtû ti nga vendi i përshpirtshëm
Buron, o Drin, e liqênit
I del përtej. E nisesh përpjet
Atdhén tue përshkue
Damár i krahnorit
Lên më të djathtën Kosovën
Qi vllán binjak t’avitë,
Si krah dashnuer mandej përkulesh,
Nji gêmin tând i prirë Rozafatit,
E derdhesh pranë vendit kû nji ditë
U bâ Shqipnia,
Kur bâni Kruja çka s’mundi Byzanti.”
Kosova këtu nuk del në funksion të plotë dhe shfaqet në rend të dytë, por ka shumë rëndësi që emri i saj shquhet në kontekst të një anatomie të plotë të trungut të Shqipërisë Veriore, të cilin lumi Drin e lidh në të gjitha përmasat e tij: historike dhe bashkëkohore, materiale dhe etike. Pra, prania e Kosovës në poezinë “Shqipnia” na del kontekstual, por edhe referncial njëkohësisht. Në këtë rast Kosova plotëson njërën prej tri koncepteve të trekëndëshit referencial: Kështjellën e Rozafës (referencë mitike), Krujën (referencë historike) dhe njërën prej burimeve të lumit Drin (referencë etike), i cili përshkon, përkatësisht lidh këtë pjesë të ‘trojeve epike shqiptare’, siç do të dëshironte t’i quante Arshi Pipa.
II. Kosova e poezisë së tij
Në vitin 1959 Arshi Pipa boton veprën, sigurisht më të mirë të tij letrare “Libri i burgut”. E shkruar ndërmjet viteve 1944-1957, vepra paraqet një nga përjetimet e tij shpirtërore dhe jetësore në burgjet komuniste të pas Luftës së Dytë Botërore. Libri është përgatitur me kujdes nga autori dhe është pajisur me një parathënie, shënime dhe indeksin e leksikut të rrallë. Siç shkruan edhe vetë Arshi Pipa në “Paraqitje”: “Libri u nda ndër aq kapituj sa qenë vendet e ndryshme ndër të cilat u shkruajtën vargjet. Ndër kta kapituj vetëm i pari dhe i fundmi nuk u shkruajtën në burg” .
Kapitulli i parë përbëhet nga tri poezi: Mujo Ulqinaku, Legjenda e Drenicës dhe Kosovës. E para është një himn për fatosin e kombit Mujo Ulqinakun, e dyta është kallëzim (dëshmi) për ngjarjet tronditëse në krahinën e Drenicës në Kosovë, ndërsa e treta përkushtim dhe protestë njëkohësisht e njërës prej pjesëve më emblematike të trojeve shqiptare: Kosovës. E para ndërtohet mbi aktin e heroizmës, e dyta mbi dramën tragjike, ndërsa e treta mbi ironinë dhe protestën. Që të tria shoqërohen me shënime në fund të librit.
*
Mujo Ulqinaku. Poezia për Mujo Ulqinakun ishte një kujtesë e Arshi Pipës e bartur shumë kohë më parë, menjëherë pas rënies së tij në mbrojtje të Shqipërisë, më 7 prill 1939. Poezia është një himn kushtuar heroit kombëtar, i cili ‘dha shemullin ma të nalt të patriotizmës shqiptare të kohnave tona, i dhanë prej nji njeriu, vendlindja e të cilit nuk asht sot e përfshime mbrenda kufinjve gjeografikë të Shqipnis. Ulqini asht nën Jugosllavinë”, përfundonte autori në shënimin e tij .
Lavdi mbi tjerët ty, o burr i Ulqinit
Qi edhe njiherë mâ shumë i shpalle botës
Sa e gjallë âsht kjo Shqipni, mâ e gjallë ndër zemrat
E t’mbetunve qi e fshâjnë përtej kufinjve:
Mâ e gjânë për tokë, mâ e thellë për shpirt, eprore
N’andrrën e ndritshme t’flijes e t’martyrit” .
*
Legjenda e Drenicës. Poezia Legjenda e Drenicës, është një baladë për krimin e ushtrisë jugosllave në krahinën e Drenicës. Atë e shoqëron ky shënim i autorit: “Në Drenicë të Kosovës një krahinë me popullsi thjeshtë shqiptare mes Mitrovicës dhe Pejës, plasi më 1945 kryengritja kundër ushtrisë Jugosllave, e shkaktueme nga mizoritë e serbo-malazezëve kundër shqiptarëve vendas. Kryengritja mori përpjestime të mëdha me rebelimin e njisive shqiptare t’ushtrisë jugosllave. Ajo u shue mâ në fund, por mizorija e pashembull e tregueme në kët rasë prej ushtris jugosllave nuk do të shuhet në kujtesën e shqiptarëve” .
Funksioni i shpjegimit të autorit merr karakter të dyfishtë: i pari, njoftues për lexuesin e panjoftuar të kohës kur është shkruar dhe botuar poezia; dhe i dyti, për saktësinë e shpjegimit. Le të theksojmë edhe njëherë konstatimin e autorit “Kryengritja mori përpjestime të mëdha me rebelimin e njisive shqiptare t’ushtrisë jugosllave”. Për hir të së vërtetës, e cila edhe sot nuk shënohet në tekstet tona të historisë, kjo kryengritje fillimisht ishte rezultat i konfliktit të eprorëve shqiptarë dhe atyre serbë brenda njësiteve të rregullta të LNÇ. Për këtë kryengritje, kryesisht shkruhet si për konfliktin e Lëvizjes nacionale të Drenicës me komunistët dhe neonacistët serbë, por jo edhe për, sikur shprehet autori “rebelimin e njisive shqiptare t’ushtrisë jugosllave”.
Poezia nuk ndërtohet mbi konceptet politike e as nuk i bëhet lavdi këtij akti madhor në historinë kombëtare. Poezia është ndërtuar mbi shtratin e një poezie popullore, por jo epike, sikur jemi mësuar të lexojmë në krijimtarinë letrare të Arshi Pipës. Ajo ka një katrenë hyrëse dhe një përmbyllëse emblematike për prologun dhe epilogun e dramaticitetit të saj:
Uluron murran i çmendur
Fshân si bishë me zhgjetën n’brî
Davaritet mjegulla e dendun
Mbi katundin shkrumb e hî.
…………………………….
Qán e ama e duert i mbeten
Tu’i perdredhë n’idhnim e fshân:
“Dy qi pata shkuen e mbeten…
Bir o bir, ku do me m’lanë?
Vetëm në një rast dialogu, ne lexojmë një vlerësim sa faktografik dhe historik aq edhe si koncept politik:
“Lene, nanë! Mâ keq me u mbyllë:
ktu me e gjetë si berr e presin.
Shqé veç janë, me hyll pa hyll.
Qymen kanë ndërrue, jo vesin!
…………………………………
Fishkullon murrain rmorres,
Me frullizë tue uturî,
Hŷn ndër hekurat e dritores
Nalt te kulla shkrumb e hî .
Poezia është rimuar në stilin e poezisë popullore. Ajo është një nga poezitë e pakta lirike të këtij lloji (të tipit të baladës) në gjithë krijimtarinë e Arshi Pipës, ku hiperteksti letrar nuk ia arrin të asimilojë, me gjasë me dashje të autorit, intertekstin oral. Në katrenën e parë dhe të fundit, më shumë se lirikë popullore dhe asimilim letrar poezia shndërrohet në një art pamor. Pothuajse në të gjitha strofat katërshe, së paku dy janë dialog. Me përjashtim të ndonjë njësie leksikore, të ndërtuar kryesisht mbi bazën hipotetike të pasthirrmës apo edhe tingëllimës së fjalës paraprake, si: murran: rrmore, frulli: uturi etj., kjo poezi nuk shoqërohet me shenja të theksuara të arkaizmave, sikur ngjet në pjesën tjetër të krijimtarisë së tij, e të cilat ngriten në stilema estetike.
*
Kosovës. Poezia Kosovës, ka këtë shënim për lexuesit: “Në pranverë 1955 një grup studentash të Lyceut të Tiranës u arrestuen për arsye se kishin guxue të mprojshin haptas Kosovën si një pjesë të pandashme të Shqipnisë ethnike. Lirika âsht shkrue disa kohë mbrapa” .
Poezia hapet me kulmimin e aktit tragjik të refuzimit politik të Kosovës si pjesë etnike e shtetit politik shqiptar dhe tërësisë etnike të trojeve shqiptare. Ajo që në krijimtarinë letrare dhe në mendimin politik shqiptar të gjysmës së parë të shekullit XX identifikohet me atdhetarizmën, me dhembjen shpirtërore dhe krenare njëkohësisht, tash përmbyset në një rrethanë të re politike të institucioneve shtretërore dhe bëhet mburojë e këtij koncepti politik të paqenë më parë në politikën shqiptare. Ndryshe nga poezitë e tij historike dhe baladat që ndërtohen mbi rrëfimin e shoqëruar me dhembje për të kaluarën, kjo poezi hapet me vetë aktin e humbjes së Kosovës si akt dhe si fakt dhe sidomos si e drejtë morale, ndërsa brenda saj nxjerr krye një figurë e eposit shqiptar ‘klysht e Miskovit’:
Vllazën shqiptarë, Kosova s’âsht e jona
Kush me e përmend guxon ai ban tradhti!
O kob qi s’do t’harrohet kurr tevona!
Kosova e ngratë dergjet e vdes n’robni.
Prej bastardhësh tradhtue qi i zhgulën zemrën
E n’ pré ua hodhën klyshve qi Miskova
Për gjak ndërsen, me parzmën shkel nën thumbrën
Mizore sllave po jep shpirt Kosova .
Vetëm pasi e ka identifikuar situatën në të cilën gjendej Kosova, si fakt konkret, që tash kërkohet të bëhet edhe fakt shpirtëror, autori identifikon shenjat historike dhe etike të saj: ‘burrneshë’, ‘tokë ilire’, ‘gjoks Shqipnie’, ‘luaneshë’, ‘zemër Dardane’:
O tokë e bukur ku fjala burrneshë
Ilire ushton qysh me mjegull gojdhane!
Gjoks i Shqipnis, ku e ndryme si luaneshë
Ndër hekra gjëmon zemra Dardane .
Tash akti i krijimit nga zëri vetjak për një gjendje të qenë, kalon në përshkrimin e gjendjes së krijuar në vetë situatën tragjike të krijuar në Kosovë. Ndërron edhe vetë statusi i këngës. Nga përbërësit epikë të vargut kalohet në figurat baladeske, në mos elegjiake, nga kujtimi krenar për të kaluarën në përshkrimin e dhimbshëm për të tashmen:
Sot tjetërkush ta gzon frytin e punës
Mbi tokën tande, kosovar, je skllav!
Ta shof përgjakun, heu, vulën e dhunës,
Qi t’la mbi vetulla kamxhiku sllav!
Sikur ndodh përgjithësisht në të gjitha poezitë e këtij lloji pas ‘prologut’ për arsyet e reagimit të krijuesit, vjen rrëfimi për shenjat historike të krenarisë kombëtare, për mbyllet domosdo me besimin e plotë se kjo gjendje do të përmbyset si domosdo e përmbysjes të së keqes:
Qenka pra faj me lypë të drejtën tande?
Dorën me lmoshë duhet me i shtrî kusarit?
O gjuhë, ti bamu rrfé e tmerrin trande!
Do t’vijë, do t’vijë një ditë ora e shqiptarit!
Mbas nesh tjerë kanë me ardhë. S fiket Shqipnia
Pse disa qinda nesh rrzohen nën plumbin.
Se për çdo dhjetë prej nesh qi amshon lirija
Dhjetë mijë do t’i ndin e dhjetë mijë do t’humbin!
Duke shkruar për ‘zërat e poezisë’ Tomas Eliot thotë se zëri i tretë është “zëri i poetit kur ai përpiqet të krijojë një personazh dramatik që flet në vargje” . Zëri i Arshi Pipës, në poezinë kushtuar Kosovës, flet me ironi, ligjëron historinë, akuzon bartësit politikë të kohës së tij, dëshmon për faktografinë historike dhe përfundon duke iu referuar një formule poetike të poezisë shqipe, “O moj Shqypni” të Pashko Vasës.
Andej na priret shpirti i fortë me hove
T’dalldisuna ngadhnjimi, ushton jehona:
O vllazën, nalt ju ballin! Prej Kosove
Der n’Çamëri Shqipnija âsht gjithë e jona .
Poezia Kosovës, i takon tipit të poezisë së shkruar brenda atmosferës së krijuar politike menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, një tip ky përgjithësisht i poezisë morale, pavarësisht se e filluar si një poezi e ironisë, nuk pritej të ketë një përfundim të mbështetur në frymën e romantizmit kombëtar, që në mënyrën më të përmbledhur është bartur në qarqet e idealistëve shqiptarë, të cilëve në këtë kohë iu takonte edhe Arshi Pipa.
III. Marrëdhëniet shqiptaro-serbe, simbioza mesjetare
Çështja e parë që del e diskutueshme në lidhje me veprën letrare të Arshi Pipës “Rusha” është koha e shkrimit dhe tema e trajtuar. Çka e kishte nxitur interesimin e Arshi Pipes që t’i qasej një teme të tillë, kur është shkruar kjo vepër dhe pse pikërisht në këtë stil letrar.
Vepra është shkruar në vitin 1956, kur marrëdhëniet serbo – shqiptare ishin shkëputur plotësisht, për të mos thënë ato ishin në kulmin e krizës politike dhe morale. Komunikimi kulturor dhe politik serbo – shqiptar mungonte. Paradigma e aktualizimit historik të marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve gjithashtu mungonte plotësisht. Arshi Pipa ishte në prag të arratisjes në ish-Jugosllavi. Atëherë si të shpjegohet interesimi i Arshi Pipës për të kërkuar në këtë temë, e cila për nga përmasa historike nuk është shkruar as për herë të parë as për herë të fundit .
Një anë të interesimeve tona e shpjegon vetë autori në Parathënien e vendosur në hyrje të librit: “Rusha” âsht nji poemë tregimtare mbi marrëdhâniet mes Shqiptarëvet dhe Serbëvet në gjysmën e dytë të shekullit XIV në Kosovën e atëhershme. Thelbi i tregimit janë doket dhe zakonet e malëcorëvet të Veriut ashtu si formulohen te Kanuni i Lekë Dukagjinit, në nji gjuhë qi âsht nji shkodranishte e pasunueme me fjalë dhe frazeologji të nëndialekteve gegnishte” .
Në vazhdim të shpjegimeve të tij “të domosdoshme”, sikur shprehet Pipa, për kuptimin e poemës, sjell disa të dhëna kur më shumë e kur më pak të rëndësishme dhe komplementare për të diskutuar të gjitha faktet në një parathënie si kjo.
Kërkimi ynë në këtë drejtim është nxitur nga disa paradigma historikë, letrarë dhe krahasues në njërën anë dhe personal e tekstor në anën tjetër. Duke hulumtuar në biografinë dhe në bibliografinë e autorit të kësaj vepre letrare e historike të Arshi Pipës kemi vënë re disa përbërës të përhershëm që kanë përshkuar jetën, veprën letrare e ekstraletrare, si dhe veprën historike dhe politike të tij. Kjo vepër neve na del një simbiozë e traditës letrare (popullore dhe asaj të shkruar) shqipe me referencë veprën emblematike të kësaj fare “Këngët e Milosaos” të Jeronim De Radës .
Le të shohim disa nga këto referenca.
Autori: Njohës dhe studiues i letërsisë popullore, me përqëndrim në trashëgiminë kombëtare dhe ballkanike të eposit historik e legjendar, një prej temave më të diskutuara në studimet ballkanike të kësaj lëmie. Njohës dhe studiues i letërsisë shqipe, me përkushtim në letërsinë e arbëreshëve të Italisë, dhe për më tej njohës, studiues e botues i veprës letrare dhe estetike të Jeronim de Radës. Njohës, studiues dhe madje polemizues i përkushtuar në çështjen e pazgjidhur të Kosovës në rrethet kulturore e politike shqiptare, në rrethet kulturore e politike të mërgatës shqiptare në diasporë, me përqëndrim në Amerikë dhe në qarqet kulturore, shkencore e politike ndërkombëtare.
Historia: Tema e vendosur në kohën e mesjetës (shek. XIV), në kohën e konflikteve të mëdha ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, respektivisht në kohën e përpjekjeve të princave serbë e shqiptarë për të vendosur pushtetin e tyre në krahina të caktuara të kësaj hapësire. Përtej këtij përcaktimi, ngjarja e vendosur në një fshat ndërmjet Pejës dhe Gjakovës. Një hapësirë (tash e rrudhur) e Shqipërisë Veriore, ku burojnë ngjarjet e këngëve kreshnike dhe ku formohet një traditë njëherë kombëtare e eposit shqiptar të kreshnikëve, por më tej edhe të atij eposi biling të simbiozës shqiptaro – serbe e malazeze dhe shqiptaro – boshnjake. E njëjta kohë dhe pothuajse e njëjta hapësirë e zhvillimit të ngjarjeve të veprës së Jeronim de Radës “Këngët e Milosaos”. Këtu do të mund të diskutohej një shënim i tij në post skriptum, që reflekton moshën e eposit dhe në mënyrë të ndërsjellë bartë pasoja për praninë e eposit dhe madje jo vetëm të tij në trojet e kulturën shqiptare. “Mbasi toponimia e cyklit âsht po ajo e cyklit boshnjak, ká gjasë qi vargu kreshnik të jetë natyralizue i tillë në nji periudhë kohe relativisht të vonë, kúr nji simbiozë kulturore boshnjako-shqiptare ishte realizue, nxitun dhe përkrahun nga politika antisllave austro-hungareze” .
Një qëndrim i shkurtër i Arshi Pipës në Sarajevë dhe sidomos disertacioni i Stavro Skendos , duket ta kenë errësuar mjaftueshëm mendimin e tij për t’iu qasur moshës së eposit shqiptar, i rënë plotësisht nën ndikimin e shkollës sllave. Shkolla albanologjike, si edhe studiues të shquar të këtij problemi (Maksimilian Lamberci, Agnia Desnickaja etj.) e kanë tajkaluar këtë dilemë tashmë të përsëritur për mëse një shekull. Mosha e eposit tashmë diskutohet vetëm nga një pjesë e shkollës sllave. Jehona e historisë së eposit sllav tashmë është e ndieshme në të gjitha strukturat dhe sidomsos interstrukturat e tij. Insistimi i shkollës sllave për të nxjerrë eposin shqiptar si një lloj letrare të shekullit XVII ka marrë përgjigje të plotë. Në shekullin XVII vërtet ka pasur një konflikt austro-osman, por ky shekull njëkohësisht është kohë e marrëdhënieve shumë të mira ndërmjet shqiptarëve e sllavëve (shih periudhën nga Pjetër Budi e deri te Pjetër Bogdani) dhe koha e largimit të fisit Kelmend krahas sllavëve në kohën e të ashtuquajturës shpërngulje e madhe serbe në krye me Arrsenie Çernojeviqin III, si dhe vendosja e tyre në Nikinci e Hërtkovci. Pra, konflikti serbo-shqiptar i reflektuar në epos është shumë i mëhershëm dhe kjo jehonë dëgjohet që me ardhjen e tyre në Gadishullin Ilirik. Të gjitha ndryshimet e mëvonshme (pas vendosjes së Perandorisë Osmane) janë veshje të jashtme (shih antroponimet e patronimet etj.), që në thelb janë të mesjetës së hershme apo të fundit të antikitetit.
Struktura tekstore: Vargu dhjetërrokësh i veprës së Arshi Pipës dhe i këngëve kreshnike. Për strukturën e këtij vargu Pipa ka dhënë edhe një shënim në prolog, të cilin nuk e shohim të arsyeshëm ta diskutojmë, sepse mendimi teorik i studiuesve shqiptarë për këtë problem tashmë është i pranuar përgjithësisht , pavarësisht se studiuesit serbë pasi kanë humbur betejën me mospraninë e sintaksës sllave edhe më tej përpiqen që strukturën rrokjesore dhe të rimës i quajnë të përshtatura në një kohë të vonë, me qëllim që ta ndërlikojnë me moshën e vonë.
Makrostruktura e veprës: Vepra ka tri pjesë, të cilat shoqërohen me një hyrje dhe një përfundim. Të gjitha pjesët kanë një tekst shpjegues në hyrje. Përtej ndikimit makrostrukturor të epit të Jeronim de Radës, në rrafshin tekstor ngre krye një ndikim i traditës letrare të krijuar nga Gjergj Fishta dhe epopeja e tij “Lahuta e Malcis”. Po kaq i rëndësishëm del përplotësimi filologjik i veprës me një fjalorth shpjegues, një vlerë kjo shembullore dhe e pranishme në shkollën shqiptare nga tradita historiko-letrare dhe filologjike mes dy luftrave botërore, sidomos në qarkun e Shkodrës, ku u formua edhe autori i saj.
Personazhet: Kujtojmë se kulmin e përqasjeve historike, letrare dhe estetike ndërmjet historisë, letrares dhe orales e paraqesin personazhet. Së pari, ndikimi i eposit, (personazhi i Gjelinës) dhe madje i prozës së shkurtër Dardhomeli (mbase një motërzim i antroponimit Kokërrmeli). Së dyti, ku duam të arrijmë ne, transformimi letrar i temës në përqasje me ndikimin e De Radës. Vepra e Jeronim de Radës mban titullin “Këngët e Milosaos”, ndërsa vepra e Arshi Pipës quhet “Rusha”. Pra, fjala është për një përmbysje të parëndësishme në kontekst të ndërtimit të temës, sepse edhe në veprën e Jeronim de Radës edhe në veprën e Arshi Pipës në intertekst synohet miti i dashurisë, anipse në të parin ndërmjet shtresave shoqërore ndërsa në të dytin mes shtresave etnike. Personazhet e veprës së Jeronim De Radës, veç tjerash janë: Milosao, Rina etj., ndërsa personazhet e veprës “Rusha” të Arshi Pipës janë: Milisdravi, Rusha etj. Si të tilla këto vepra mund të mbanin edhe emrat e përkundërt: “Rina” e De Radës dhe “Milisdravi” i Arshi Pipës, pa e dëmtuar strukturën ndërtimore dhe artistike të tyre .
Përfundim
Në të tri rrafshet, ku Kosova përshfaqet si tekst dhe kontekst njëkohësisht historik, kulturor dhe estetik, Arshi Pipa ngre probleme të mëdha të makrostrukturës (si bartëse e historisë), të ideve (si traditë kulturore) dhe të poetikës (si transforimim i zhanrit letrar oral dhe arketipizimit gjuhësor të estetikës së letërsisë “në vargje”, siç do të veçonte autori). Pipa përmbys konceptin e Tomas Eliotit se vjersha e mbushur me informacion kthehet në prozë. Përkundrazi, ai mendon se duke shkruar sipas një parimi ritmik, tingullor e fiziologjik të gjuhës së rëndomtë, por të pasuruar të popullit, mund të shprehë më së mirë personalitetin e tij dhe të së vërtetës që e thotë. E shkruar nga një krijues me dije fillestare në fushë të filozofisë, me një trashëgimi shkollore kombëtare në fushë të mendimit kritik dhe me prirje për të kërkuar shenjat etnolinguistike e estetike të një ambienti të theksuar rural (ai ishte emocionalisht me traditën kanunore të malësorit shqiptar), vepra e tij letrare të kujton krijimtarinë e bashkëkohësve të tij: Martin Camajt në letërsi dhe Gjelosh Gjokajt në pikturë.