NGA SHPENDI TOPOLLAJ/
In memoriam/Kaluan 20 vjet nga vdekja e profesor Arshi Pipës, njërit nga tre disidentët më të shquar të ish vendeve komuniste, sikurse e kanë cilësuar. Intelektual me profil të spikatura atdhetar, ai ishte kundërshtari më i madh ndaj ç`do diktature në përgjithësi dhe asaj komuniste në veçanti. Nuk e kishte vetëm nga librat urrejtjen për atë sistem gjakatar, por e kishte provuar hakmarrjen barbare të tij mbi kurrizin e tij dhe të familjes së tij. Bir i një juristi me ide përparimtare nga Libohova për të cilat kishte kryer edhe burgimin, vendlindja e tij qe Shkodra, qyteti me kulturën e njohur dhe prirjet më evropiane e demokratike i Shqipërisë. Shkollën fillore dhe atë të mesmen, Arshiu i kreu pranë Kuvendit Jezuit, ku dhe dolën në pah prirjet e tij letrare qysh kur ishte 16 vjeç. Studimet e mëtejshme i vazhdon në Firencen e historisë dhe artit magjik, ku pasi përfundon Universitetin, laureohet doktor në Filizofi. I mahnitur pas “Komedisë Hyjnore” të Dante Aligierit dhe lirikave të tij novatore, si dhe nga vepra e poetit dhe historianit Francesco Petrarca, ai përvetëson disa gjuhë të huaja dhe bëhet adhurues i holandezit me origjinë hebreje Baruch Spinoza, Berklit etj. Por krahas admirimit për gjithçka të mirë kishte trashëguar Italia, ai kuptoi shpejt se ku donte ta shpinte atë doktrina fashiste të cilën e urren dhe e lufton së bashku me vëllanë e tij, avokatin me emër Myzafer Pipa. Pas çlirimit të vendit, ai gjithashtu kupton demagogjinë e sistemit që partia komuniste me Enver Hoxhën në krye po instalonin në atdheun e tij dhe nuk e fsheh mospajtimin me të, gjersa në vitin 1946 e arrestojnë së bashku me të vëllanë i cili pak më parë kishte qenë i internuar nga fashistët në Ventotene dhe më pas në Prishtinë nga nazistët gjermanë. Krimi i këtij të fundit kishte qenë se duke kryer detyrën e tij si avokat, ai kishte marrë përsipër mbrojtjen në gjyqin special të “armiqve të popullit”, pjesëmarrës në grupin e deputetëve. Në pohimet e Koçi Xoxes e Vaskë Kolecit, kur u erdhi vetë radha për të dalë në gjyq, deklarohen torturat çnjerëzore që u përdorën ndaj tij derisa vdiq. Arshiun 26 vjeçar e dënojnë me 11 vjet burgim. Në burg, Arshiu shkruan poezi plot brengë e dhimbje në letra cigaresh dhe i nxjerr ato me anën e rojes së burgut, njeriut të ndershëm Hasan Gjozaj të cilit i mbetet mirënjohës, për t`ua dhënë motrave të cilat përjetuan gjithashtu egërsinë e regjimit. Koha e vuajtjes së dënimit në kënetën famëkeqe të Maliqit, torturat dhe mizoritë që ai pa dhe provoi atje, janë përshkruar me art dantesk te “Libri (i tij) i burgut”. Ja si shkruan ai këtu: “ Na shkulin thonjt me danë, ndër plagët krypë, / na këllasin e na shtyjnë / n`gërmaz me grushta, e uj kur bajm me lypë / qeshin e na pështyjnë. / na lagin dimnit qelat, elektrikun / na venë ndër veshë e gojë, / e deri ndër turpe… E qeshin tue na fikun cigaret n`sy për lojë.” Si mbaron afati i dënimit, dhe sheh se për të nuk ka asnjë perspektivë, Arshiu gjen mundësinë dhe në vitin 1958 largohet nga Shqipëria dhe përfundon në SH.B. Amerikës, vend ku demokracia krijonte mundësi të reja. Këtu, ai pas përpjekjeve të pareshtura, caktohet për të dhënë mësim në Kolegjin e Arkansasit si profesor i filozofisë dhe pastaj në Universitetin e Minasotes ku jep lëndën e tij të preferuar, atë të letërsisë italiane. Bie në sy erudicioni i tij i jashtëzakonshëm në disa fusha si gjuhësi, letërsi, filozofi, sociologji, publicistikë etj. dhe në këto vite shkruan e boton veç librit të sipërpërmendur edhe një mori veprash të tjera që e bënë mjaft të njohur si “Lundërtarë”, “Rusha”, “Meridiana”, “Kritika letrare”, “Montale dhe Dante”, “Jeronim De Rada”, “Letërsia shqipe: perspektiva sociale”, “Letërsia bashkëkohore shqiptare”, “Vargu popullor shqiptar”, “Politika e gjuhës në Shqipërinë socialiste”, “Shqipëria staliniste. Aspekte ideopolitike”, “Studime mbi Kosovën”, “Tipologjia dhe periodizmi i letërsisë shqiptare”, “Fan Noli si një nga figurat kombëtare dhe ndërkombëtare shqiptare”, “Bisedë përmbi Kadarenë”, “Fenomeni Kadare”, “Humanistët italo – shqiptarë”, libri i shkruar në burg qysh në 1955 “Skica e një konceptimi mbi jetën plotësuar me Mbi gjeniun” (italisht) etj. I palodhur, si studiues dhe polemist i pakompromis, ai ka marrë pjesë aktive në shumë simpoziume e takime shkencore, dhe ka botuar një sërë artikujsh me shumë vlerë në revista të ndryshme si në Amerikë ashtu edhe në Evropë. I djegur nga malli e dashuria për atdheun e tij, me përmbysjen e komunizmit, Arshiu , tani i renditur krahas Ernest Koliqit dhe Martin Camajt, erdhi në Shqipëri, ku pa se ëndrra e tij ishte bërë realitet. U çmall me njerëzit e tij të dashur, motrat e tij të shtrenjta, Bukurushin, Nedretin dhe burrat e tyre, intelektualë të mrekullueshëm, të ndjerët shkrimtarë Bardhyl Shehu dhe Uran Kalakulla i cili kishte kaluar plot 21 vjet në burgferrin shqiptar të asaj kohe së bashku me të respektuarin demokrat Pjetër Arbnorin. Në moshën 77 vjeçare profesor Arshi Pipa, tani i vlerësuar në vendin e tij, ndërron jetë në Washigton. Besimi i tij te demokracija, neveria e hapur ndaj diktaturës, urretja për barbarinë komuniste, guximi qytetar për t`i shprehur bindjet e veta, karaktei i tij i pathyer, mosnjohja e asnjë kompromisi me të keqen, etja e pashuar për dije, vullnet për të krijuar sa më shumë, dashuria për vendin e tij, ishin tiparet kryesore të këtij njeriu të jashtëzakonshëm. Nuk e di në ç`rrethana filozofi materialist anglez Tomas Hobsi të cilin dua të besoj se vetë ai nuk do ta ketë pasur dhe aq për zemër, pati thënë se “Çdo njeri është i rëndësishëm pasi vdes”, por di se vepra e tij shumëplanëshe dhe përherë në shërbim të kulturës tonë, e bënë Arshi Pipën jo vetëm të rëndësishëm, por edhe të pavdekshëm. Se fjala dhe mendimi i tij, nuk lindën thjesht nga talenti, por edhe pse, sikurse thotë vetë: “Ndër gropa burgjesh shkrye për gurë e baltë; / mbërthye qelash ndër pranga, / nga gjoksi i shtypun shungullon ma e naltë / kur del prej s`thelli kanga.” Se ai gjithmonë ka pasur bindjen e Tomas Fulerit se “E sotmja është nxënësja e të djeshmes.”