Artistja kontemporane Erketa Premti vjen në një rrëfim të pazakontë për “Diellin” e “Vatrës” në New York, ajo shpjegon fuqinë e artit si terapi, magjinë e artit krijues si shprehje e ekperiencës, thellësive e fshehtësive të qënies njerëzore, artin si rigjenerim shpirtëror, psikologjik dhe emocional, artin si shpëtimtar i mëndjes dhe shpirtit, artin si komunikim profesional e shpirtëror me audiencën, zhanrin e krijimit të saj artistik, artin bashkëkohor dhe nudot. Me artisten Erketa Premti bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.
“ARTI ËSHTË SI MJALTI I DEPOZITUAR I SHPIRTIT TË NJERIUT”
Diku kam lexuar një thënie ku thuhet: “Arti është si mjalti i depozituar i shpirtit të njeriut” që do thotë se arti është një formë shprehjeje e eksperiencave më të thella dhe të fshehura të njeriut. Me ka mbetur në mendje si thënie se diku në këto fjalë gjeta vetën! Një “mjalt i depozituar” brenda meje që ëmbëlsia e të cilit nuk ishte depërtuar e “shijuar” në kaq vite të jetës sime fëminore, rinore dhe madhore. Gjithçka filloi në dhjetor të vitit 2021 ku Covid-19 më “goditi” si shumë e shumë nga ne! Po them me pak fjalë zanafillën e kësaj historie, si gjithmon çdo histori e ka një filllim!
ARTI SI RIGJENERIM SHPIRTËROR, PSIKOLOGJIK DHE EMOCIONAL
Dikur një zonjë e huaj që kam takuar rastësisht në një nga profesionet që kam ushtruar në Michigan për disa vite, kishte kaluar kancer në gji. Në komunikim e sipër një nga pyetjet e mia ndërmjet miqsh që i bëra ishte si e përballoi psikologjikisht dhe emocionalisht lajmin e diagnozës. Përgjigja e saj ishte që mjeku i kishte këshilluar të fillonte diçka që ka pasur dëshirë fëmijë dhe pse nuk ishte ushtruar me pas për të evituar marrjen e antidepresantëve…dhe si fëmijë tha ajo gjëja e parë që fillojmë të bëjmë përpara se të shkruajmë e mesojmë alfabetin janë “vizatimet” në letra dhe pse talent në pikturë nuk mbaj mend të kem pasur. Kështu që mendimi i parë që me erdhi në mendje ishte pikërisht “vizatimet” e rrëmujshme të fëmijërisë kështu që mora një laps e një letër dhe fillova të vizatoja pa ditur se ç’po vizatoja. Fillova ngadalë me një gjethe dhe gjethja u bë lule (punët e saj ishin vetëm lule si në ëndrra)..nga letra në telajo, nga një tërapi u kthye në hobi dhe nga hobi në pasion dhe më pas më tregoi disa nga punët e saj sa që u mahnita dhe e tërë historia e saj më la gjurmë të fuqishme brenda qënies sime. Një ditë të bukur, mbas disa muajsh më vjen përsëri, e lumtur për faktin që ishte shëruar plotësisht, më drejton një pako të mbështjellë me shumë modesti, -për ty më thotë, e hapi dhe shoh një “fletore” me letra vizatimi 8×10, një kuti me bojëra uji dhe 2 penela dhe me thotë në momente të vështira që uroj kurrë mos ti kesh, hapi dhe fillo pikturo. Ti kurrë nuk e di kapacitetin që ke për të bërë diçka të bukur deri në momentin që e bën. E mora me shumë e përlotur për zëmergjerësinë dhe mendimin e mirë sesa me idenë për të ushtruar diçka, aq më shumë art.
ARTI SI SHPËTIMTAR I MËNDJES DHE SHPIRTIT
Që prej asaj dite 7 vite kaluan deri në dhjetori 2021 që më solli atë “momentin” e vështirë që ajo dikur e “predikoi” me frikën dhe panikun e panjohur të së njohurit Covid-19 kërkoi “dhuratën” e futur diku mes kujtimeve të mbuluara nga pluhuri i kohës dhe nxjerr atë që më vonë e quajta në vetvete shpëtimtarin e mendjes dhe të shpirtit. Ashtu e rrënuar e pafuqishme fillova të pikturoj diku një qënush të vogël ditën tjetër një njëri të “përhumbur” dhe pastaj një derbi lady kur pashë çfarë ishte fshehur brenda meje për kaq shumë vite. Dëshira për të vazhduar pikturën harroi dhe Covidin që pak ditë më parë kishte zaptuar gjithë qënien time. Pra ky “mjalti i depozituar” në qënien time po fillonte të jepte shijen e ëmbël të diçkaje të bukur që po dilte në pah nga thellësia ku ishte fshehur!
ARTI SI KOMUNIKIM PROFESIONAL E SHPIRTËROR ME AUDIENCËN
Pak nga pak fillova të ndaja punët e mia artistike si fillim me mikeshat e mia më të afërta dhe kolegët e punës sime, merrja çdo mendim dhe kriticizëm si një njëri i etur për ujë në mes të shkretëtirës kur shikon ujë për hër të par mbas kaq kohësh. Pastaj fillova të ndaj punën time në Social Media. Aty pastaj platforma është shumë më e gjerë dhe mendimet dhe opinionet filluan të buronin dhe nga artista amator dhe professional. I dëgjoja mendimet, kritikat dhe vlerësimet e tyre me përulësi, të cilat më kanë vlejtur dhe vazhdojnë të më vlejnë si një shkollë arti në vetvete. I marr opinionet dhe mendimet nga të gjithë me shumë dëshirë e respekt, se nga to mësoj dhe vazhdoj të mësoj çdo ditë në krijimtarinë time.
ZHANRI KRIJUES ARTISTIK: ARTI BASHKËKOHOR DHE NUDOT
Zhanri im krijues është arti bashkëkohor ku inkludohet në disa nga punët e mia edhe nudo! Bukuria femërore është ekzistenca e humanizmit! Në punët e mia spikatën larmia e ngjyrave, konturet që shoqërohen me detaje që janë karakteristikë e imja dhe në natyrë. Disa nga punët e mia janë frymëzuar nga jeta personale, gjithashtu nga disa mikesha të miat përsa i përket artit nudo, gjithashtu inspiruar dhe nga artistë të mëdhenj si për shembull Patrick Nagel, piktor i viteve 80 që ka vdekur në moshën 38 vjeçare ku sot e kësaj ditë veprat e tij kanë një vlerë shumë të lartë monetare, normal dhe i paarritshmi Van Gogh. Përsa i përket artistëve shqiptarë me tërheqin shumë punët e Artur Muharremit, Artur Gorishtit, Berta Xhomo, Artur Alija e shumë të tjerë.
KRIJIMTARIA ARTISTIKE SI PASION I “ÇUDITSHËM”…
Krijimtaria për mua është jo vetëm si një terapi dhe hobi tashmë po është kthyer dhe në një pasion të “çuditshëm”. Them të çuditshëm se ka pasur netë që nuk kam pasur gjumë, fantazia dhe dëshira për të shprehur atë që kisha brenda vetes ka qenë e pandalshme. Dhe kur pata momentet më të vështëira të jetës nga një problem shëndetësor, ku pagjumësia që sillnin dhimbjet e papërballueshme dhe për të eleminuar ilaçet e dhëna nga mjeku, kam punuar deri në orët e para të mëngjesit për të “harruar” dhimbjet dhe për të “trajtuar” anën psikologjike që sëmundja të përballë. A ndodhë ndonjëherë “mosbesimi” ke vetvetja? Normal që ndodhin “dilemat”, dikur kam lexuar përsëri një thënie ku thuhet “çdo artist ka qënë dikur amator” dhe gjithashtu i madhi Van Gogh dikur ka thënë: “Nëse ti dëgjon një zë brenda teje që të “thotë” që ti nuk je piktor atëherë me gjithë forcën dhe sigurinë tënde pikturo dhe do shikosh që ky zë brenda teje do të heshtë”. Gjithmonë, duke pasur parasysh kokat e mëdha të artit në këtë zhanër motivimi dhe dëshira nuk do mungojë. Normal që perfeksioni vjen me praktikë, unë nuk jam profesioniste gjithashtu as shkollë në këtë fushë nuk kam bërë, po di të them një gjë që për momentin po shijoj bukurinë e atij “mjalti” të fshehur brenda meje që u përmend pak më sipër dhe sadisfaksioni që unë marr prej saj është një legaci që unë do lë në telajo…përgjithmonë.