


Sokol Paja/
Artistet Linda Lupi dhe Anila Hetoja vizituan Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”. Ato u pritën nga editori i Diellit dhe këshilltari për art kulturë në Vatër z.Nazim Salihu “Noli Tv”. Në fjalën e mirëseardhjes editori u shpjegoi historinë e Federatës Vatra, të gazetës Dielli, historinë dhe përpjekjet e emigracionit shqiptar në Amerikë në dobi të çështjes kombëtare. Editori shpalosi veprimtarinë patriotike, kulturore e atdhetare të Vatrës nën udhëheqjen e kryetarit Dr. Elmi Berisha, Kryesisë e Këshillit të Vatrës në dobi të interesit kombëtar dhe komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Z.Nazim Salihu u shpjegoi artistëve organizimet kulturore dhe promovimet e kulturës kombëtare që Vatra si institucion lider atdhetar i zhvillon në komunitetin shqiptar në Amerikë.
Piktorja Linda Lupi vlerësoi Vatrën si qendër shqiptarie për shqiptarët e Amerikës, rrëfeu emocionet e ekspozitës “E kuqja” në shtëpinë e kryebashkiakut të New York-ut Eric Adams, domëthënien artistike dhe rëndësinë historike të pikturës së heronjve të kombit Gjergj Kastriotit, Osmail Qemalit, Isa Boletinit e Adem Jasharit, kënaqësinë e takimit me bashkatdhetarët e suksesshëm shqiptarë në New York, rëndësinë e promovimit të artit dhe kulturës shqiptare ndërkombëtarisht, rrugëtimin e saj artistik dhe bashkëbisedimin e ngrohtë me Eric Adams si promovues dhe mbështetës i artit e komunitetit shqiptar në New York. Artistja Anila Hetoja përveç rrugëtimit artistik e krijues theksoi rëndësinë që ka arti shqiptar në promovim të kulturës kombëtare.
Kush janë artistet Linda Lupi dhe Anila Hetoja:
Linda Lupi është një artiste vizuale dhe moderatore me karrierë të gjerë në art, media dhe akademi. Ajo ka përfunduar studimet në Liceun Artistik “Naim Frashëri” në Vlorë, më pas në Universitetin e Torinos (DAMS – Disiplina e Artit, Muzikës dhe Spektaklit) dhe në Universitetin e Arteve në Tiranë në degën Pikturë/Multimedia. Studimet e mëtejshme në Master Shkencor për Komunikim dhe Marrëdhënie Publike Politike në Universitetin Europian të Tiranës kanë pasuruar më tej formimin e saj profesional.
Ka qenë asistente pedagoge në Universitetin e Arteve dhe aktualisht është pedagoge në Universitetin New York të Tiranës, duke kontribuar në formimin e brezit të ri artistik.
Në media, është e njohur si autore dhe moderatore e programeve kulturore “Art Cult” në Euronews Albania dhe “E Bukura Je Ti” në radio, ku ka sjellë mbi 100 intervista frymëzuese me personalitete nga fusha të ndryshme. Aktualisht moderon emisionin “Ora e Tiranës” në Top News. Si artiste, Linda Lupi ka marrë pjesë në ekspozita dhe simpoziume kombëtare e ndërkombëtare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Itali, Turqi, Egjipt dhe Rusi, duke fituar çmime dhe vlerësime për veprat e saj konceptuale.
Anila Hetoja është artiste shqiptare e diplomuar në Ekonomi-Financë në Tiranë dhe ka përfunduar studimet në Interior Design në RCC Yorkville University në Toronto, Kanada, duke ndërthurur ndjeshmërinë krijuese me formimin akademik shumëdisiplinor.
Karriera e saj përfshin një sërë ekspozitash personale dhe pjesëmarrje në aktivitete ndërkombëtare në Gjermani, Egjipt, Kosovë, Maqedoni dhe Bullgari, ku ka bashkëpunuar me artistë të njohur nga mbarë bota. Ekspozita e saj e parë, “LOVE” (Tiranë, 2016), shënoi fillimin e një rruge të suksesshme që u pasua me koleksionet “Motivet Tradicionale” (2017) dhe “Natyrë” (2019), vepra që mishërojnë harmoninë, jetën dhe lidhjen e fortë me mjedisin natyror.
E njohur për stilin e saj origjinal dhe për teknikën krijuese “Work with Cups”, Hetoja eksperimenton me ngjyra të gjalla dhe materiale të riciklueshme, duke krijuar kompozime plot energji, simbolikë dhe shpirt artistik. Deri më sot, ajo numëron 8 ekspozita personale dhe ka marrë pjesë në një sërë simpoziumesh ndërkombëtare, ku ka përfaqësuar me dinjitet artin shqiptar.
Sot, Anila Hetoja është një emër që mishëron fuqinë, pasionin dhe kreativitetin e gruas moderne shqiptare , një artiste që, përmes origjinalitetit të saj, i jep jetë bukurisë, harmonisë dhe identitetit kulturor.