


Sokol Paja/
Artisti i shquar i komunitetit tonë në Connecticut Flori Lloga dhuroi 2 mijë dollarë për Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Përgjatë vizitës vëllazërore në Vatër, kantautori Flori Lloga i shoqëruar nga këshilltari për art dhe kulturë z.Nazim Salihu “Noli Tv”, u pritën nga sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj dhe veprimtari i shquar i çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës z.Harry Bajraktari “Nderi i Kombit”. Në takimin vëllazëror morën pjesë edhe biznesmeni i restoranteve Kalosh Saiti e artisti Sali Buzhala. Në takim u vlerësua historia dhe vlerat e Federatës Vatra e gazetës Dielli, potenciali i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nevoja e një bashkëpunimi edhe më të fuqishëm për të maksimalizuar përpjekjet e shqiptarëve të Amerikës për atdhe, komb, komunitet dhe çështjen kombëtare në mërgatën e Amerikës.
Z.Harry Bajraktari vlerësoi Vatrën për mbështetjen që u jep artistëve e kulturës shqiptare. Artisti Flori Lloga prej vitesh është një nga emrat e spikatur e të respektuar të muzikës shqiptare bashkëkohore, i cili është dalluar për stilin e tij origjinal, tekstet filozofike aftësinë për të ndërthurur muzikën pop me elemente të muzikës shqiptare tradicionale. Kantautori Flori Lloga shquhet për tekstet e thella dhe meloditë me ndjeshmëri të veçantë shpirtërore dhe artistike që pasqyrojnë shoqërinë, dashurinë dhe emocionet më të fuqishme njerëzore.
Përveç se një artist i dashur për komunitetin tonë, virtuozi Flori Lloga është mbështetja dhe përkrahja e vazhdueshme e artistëve dhe veprimtarëve të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Restoranti i Flori Llogës Bella’gio është si një shtëpi fisnike, bujare e mikpritëse e shqiptarëve në Hartford, Connecticut. Patrioti fisnik Flori Lloga përfaqëson shqiptarin e suksesshëm, të dinjitetshëm e fisnik, për të cilën Federata Vatra i shpreh mirënjohjen dhe respektin e veçantë për mbështetjen, fisnikërinë e bujarinë e tij. Zoti i bekoftë të gjithë ata patriotë që mbështesin Federatën Vatra, institucionin më të fuqishëm historik e patriotik të shqiptarëve të Amerikës.