Të Shtunën me 16 Mars në mjediset e restorantit MAESTRO në Bronks, ish nënkryetari i Vatrës Asllan Bushati festoi në prani të familjes, miqëve dhe një grupi vatranësh 70 vjetorin e lindjes.
Z. Bushati i parapriu festës me një urim të hershëm në mëngjesin e së shtunës në fb, ku shkroi me sens humori:
PLOT 70-të SOT
Familjarë, vllezër e motra, nipa e mbesa, vatranë, miq, shokë e dashamirë,
ju njoftoj se sot(në orën 5:30 të mëngjezit sipas orës së Shqipërisë),
përfundova me sukses rrotullimin e 70-të rreth diellit. Ndjehem mirë . Shëndeti
dhe mendja nuk më kanë lënë akoma. Por që të mos lodheni me njoftimet e mija
vjetore , ju bëj me dije që sot se i pranoj urimet tuaja progresivisht për
71-njishin deri tek 100-ta. Pas ditlindjes së 100 nuk pranoj më urime. Në të
njejtën kohë, lutem pranoni edhe ju, në kohë dhe paradhënie edhe urimet e mija
për ju, e familjarët tuaj: “qofshi mirë me shëndet dhe rrofshi gjatë”.
ASLLAN BUSHATI…
Gjatë drekës festive që z. Bushati dhe familja shtroi për miqtë dhe vatranët, të pranishmit i shprehën urimet më të mira, duke i uruar dhe shumë vite të tjera aktive.
Kryetari i Vatrës Dritan Mishto, në urimin e tij shprehu kënaqësinë që ishte i pranishëm në këtë gëzim të familjes dhe miqëve ët Bushatit dhe evidentoi cilësitë më të mira të Bushatit, i cili gjithçka në jetë, siç tha ai, e ka fituar me zotësitë e veta, me vullnetin e vet dhe se në shkollë ka qenë një student i shkëlqyer dhe në jetë një ushtarak i zoti.
Më pas e uruan edhe miku i tij Zef Balaj, dr. Pashko Camaj, Lek Përlleshi, Prof.dr. Muharrem Dezhgiu, Dalip Greca dhe të tjerë.
Në fund të festës katër orëshe, Bushati ftoi mbesën e tij Erën dhe nënkryetarin e Vatrës Agim Rexhaj për të ndarë tortën e Ditëlindjes.(Dielli)