- FEDERATA VATRA DHE PARTIA LËVIZJA E LEGALITETIT NGUSHËLLOJNË FAMILJEN KULLA PËR HUMBJEN E NJERIUT TË TYRE TË DASHUR, VATRANIT DHE LEGALISTIT SAMI KULLA- /
Familja e madhe Kulla në Waterbury njoftoi se në mëngjesin e së Shtunës, 7 Shtator 2019, ndërroi jetë në moshën 86 vjeçare në St. Mary’s Hospital, i rrethuar nga familja e tij e dashur.
Samiu ishte martuar me Ikbal(Kiazim) Kulla, e cila ndërroi jetë po në moshën 86 vjecare në 14 Shkurt të këtij viti.
Samiu Kulla u lind në Zemblak të Korçës më 15 Mars 1933.Ishte djali i të ndjerit Belul dhe Fatime (Bablusha) Kulla. Samiu u largua nga Shqipëria në moshën 18 vjecare, në vitin 1951, dhe pasi kaloi tre vjet në një kamp refugjatësh në Greqi, emigroi më pas në Francë dhe në Zvicër. Prej andej Samiu udhëtoi drejt Kanadasë, ku u vendos në vitin 1955 duke u mirëpritur nga kushërinjtë e tij. Samiu nuk humbi kohë por nisi menjëherë integrimin dhe iu fut biznesit. Ai hapi restorantin e tij të parë, “Miss Diana” në Toronto, dhe pati sukses deri në vitin 1969, kohë kur u transferua në Waterbury për t’u bashkuar me vëllain e tij të ndjerë Muhamer Kulla.
Kur ishte në Toronto ai së bashku me Ibrahim Kullën dhe shumë nacionalistë të tjerë u bënë mbështetje e fuqishme për Vatrën, sic ishin edhe mbështetës të Familjes Mbretërore në Mërgim.
Në vitin 1970, Samiu hapi restorantin Bill & Sam’s Diner
në Wolcott deri në pensionimin e tij në vitin 2010. Gjatë të gjithë jetës së tij, Samiu ka qenë një pjesëmarrës shumë aktiv në Komunitetin Shqiptaro-Amerikan së bashku me gruan e tij të ndjerë Ikbal.
Samiu vinte nga një familje nacionaliste, kundërshtare e regjimit komunist, mbështetëse e Mbretit Zog, dhe e përndjekur nga diktatura. Ishte kjo arsyeja përse pjesa më e madhe e familjes Kulla mërgoi në Kanada e SHBA.
Samiu ishte i apasionuar pas çështjes Kombëtare dhe u bë pjesë aktive e veprimtarive të komunitetit. Ai ishte bujar dhe nuk kurseu asgjë për çështjen Kombëtare. Siç ishte aktivist në Toronto, ashtu veproi edhe në Ëaterbury, ku nuk pushoi së punuari për çështjen Kombëtare. Samiu ishte një nga krijuesit e komunitetit Shqiptar të atyshëm dhe përherë i papërtuar në krye të puënve kombëtare dhe fetare.
Sami Kulla ishte anëtar i Vatrës dhe pajtimtar i Diellit deri në momentet e fundit të jetës së tij, sic ishte edhe një legalist i devotshëm.
Sami Kulla la pas djalin e tij, Agim Kulla me gruan e tij Myzen, tre mbesat e tij, Jetona Bardhollari dhe burrin e saj Rudi, Sheriban Kulla dhe Lindita Kulla. Të gjithë ushqejnë për të dashuri e respekt dhe ndjehen krenarë për trashëgiminë dhe veprën atdhetare që la pas. Ai gjithashtu la pas vëllezërit e tij të dashur, Neshet Kulla dhe bashkëshorten e tij Nezaqet që jetojnë në Watertoën; Vedat Kulla dhe bashkëshorten e tij Vera që jetojnë Middlebury si dhe kunatën e tij, Paula Kulla në Waterbury. Samiu gjithashtu ka lënë pas mbesa, nipër, kushërinj dhe miq.
Familja njofton komunitetin se shërbimet funerale do të kryhen ditën e Hënë 9 Shtator 2019 nga ora 5:30 deri në 8:30 p.m. në adresën:
The Albini Family Funeral Home, 430 Chase Parkway, Waterbury, Connecticut- 06708.
Ceremonia e varrimit do të organizohet të Martën me 10 Shtator 2019 në Shtëpinë Funerale, ndërsa arkivoli me trupin e të ndjerit do të përcillet në New Pine Grove Cemetery në Waterbury.
FEDERATA VATRA DHE PARTIA LËVIZJA E LEGALITETIT NGUSHËLLOJNË FAMILJEN KULLA PËR HUMBJEN E NJERIUT TË TYRE TË DASHUR, VATRANIT DHE LEGALISTIT SAMI KULLA-