Luljeta Xhediku
New York/
Kryesia e shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. organizoi një program festiv me rastin e festave të fundvitit për banorët e Westchester County, në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.
Grupi artistik “Skënderbej” dha një shfaqje për banorët e Westchester County, duke u uruar të gjithë banorëve të kësaj zone: Gëzuar festat e fundvitit dhe Vitin e Ri 2023! Shfaqja e përgatitur u dha në qendrën kulturore “Nënë Tereza” pranë kishës katolike, “Zoja e Shkodrës” në Harstdale, Nju Jork. Atmosfera e krijuar ishte e magjishme dhe i gjithë grupi artistik vallëzoi hareshëm për të kënaqur të gjithë pjesëmarrësit. Në ekran shfaqej i gjithë historiku 5-vjeçar i shoqatës, ndërkohë që grupi performonte në skenë. Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej”, z. Imer Lacaj, i cili falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe uroi që marrëdhëniet midis dy shteteve atij shqiptar e amerikan të forcohen akoma më tepër. Z Lacaj u shpreh: “Gëzuar Vitin e ri 2023 dhe paçi sa më shumë lumturi në familjet tuaja, grupi artistik ka përgatitur një program të shkurtër dhe të bukur dhe ju ftojmë që ta shijoni”. Përveç banorëve të zonës, të pranishëm ishin edhe z. Santiago Kacares dhe Ken Switzer, përfaqësues nga zyra e ligjvënësit në Weschester County, z. David Tubiolo, dy ish-kryetarët të cilët tani mbajnë titullin Kryetar Nderi, z. Bashkim Shehu dhe z. Mark Qehaja, si dhe kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, z. Mhill Velaj. Hijeshinë këtij programi ia shtoi me prezantimin e saj plot delikatesë, Elisa Qehaja. I gjithë programi artistik nuk mund të realizohej pa kontributin e jashtëzakonshëm të balerinit z. Klevis Tafaj dhe punës së palodhur të znj. Adelina Lacaj. Programi u hap nga udhëheqësi artistik i grupit “Skënderbej”, Klevis Tafaj, i cili interpretoi solo vallëzimin “Arrëthyesi” (Prince Variation Nutcraker). Ushtari i UÇK-së, z. Qerim Gjocaj, këndoi një këngë kushtuar heroit tonë kombëtar, Skënderbeut. Më pas në skenë u performua vallja e Tropojës. Balerina e ardhshme, Ilira Memija, interpretoi shkëlqyeshëm baletin “Arrëthyesi”. Z. Paulin Gega dhe djali i tij kënduan këngën: 3 Gjergjat duke luftuar për kombin tonë. Një tjetër performancë e balerinës së ardhshme, Ilira Memija ku ndërthurej baleti klasik me atë modern do të elektrizonte sallën dhe më pas një poezi për Adem Jasharin interpretuar nga z. Isa Brecani. E si mund të përcillej kultura e tradita shqiptare pa instrumentin e trashëguar nën shekuj që i dha jetë dhe gjallëri sallës, lahuta e lashtë luajtur nga z. Marash Pali. Z. Pali u shpreh se “është një gjë e mrekullueshme që keni krijuar këtë shoqatë dhe kultivoni kulturën tonë, se kultura jonë është një kulturë që e njeh gjithë bota dhe është mëkat shumë i madh që ta lëmë pas dore. Gjithashtu, z. Marashi tha se ai ndien që lahuta po i thotë që të mos e lëmë pas dore, se lahuta është instrumenti i parë që ka shërbyer si mjet komunikimi atëherë kur nuk kishte as shkrim e as këndim”.
Serenatat korçare të kënduara nga grupi sollën aromë dhe dashuri Korçe në sallë ashtu siç është edhe mesazhi i festave të fundvitit. Udhëheqësi artistik, z. Klevis Tafaj dhe Erla Lamçe vallëzuan valsin “Princesha e babit” nga Waltz Dance. Valsi u duartrokit nga fëmijët në sallë dhe ata nuk ngurruan të futeshin dhe vallëzonin së bashku me ta. Drejtuesi artistik i programit, maestro z. Klevis Tafaj, duke falënderuar të gjithë të pranishmit falënderoi në mënyrë të veçantë të gjithë grupin për punën e palodhur për përgatitjen e këtij programi, pasi në këtë mënyrë ne paraqesim kulturën tonë dhe prezantojmë denjësisht komunitetin tonë. Më pas një valle tradicionale pogonishte ku mund të vallëzonin edhe të ftuarit. Kënga përmbyllëse kuqezi që përfaqëson ngjyrat e flamurit më të bukur në botë, e cila u vallëzua me flamuj shqiptarë në duar na dhuroi emocionet që mund t’i kuptojnë vetëm ata që jetojnë larg mëmëdheut. DJ Brian Qela kënaqi me muzikë festive për të pranishmit. Anëtarët e grupit artistik edhe vetë u mallëngjyen nga suksesi që ata patën, pasi ishte hera e parë që ata performuan për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe kuptuan se sa fuqi kanë kur ata bëhen bashkë dhe se sa shumë shkëlqejmë të bashkuar. Të lumtur nga përmbyllja me sukses e këtij viti, kryesia e shoqatës shqiptaro-amerikane uron të gjithë shqiptarët anembanë botës: Gëzuar Vitin e Ri 2023!