Besnik Imeri (marë nga libri “Epiri Pellazgjik”)
Lidhur me emrin e këtij qyteti të lashtë dhe marëdhënien me qytetin e sotëm të Vlorës, nga autorë të ndryshëm ka pasur mendime të ndryshme. Ne po përmendim variantin më të besueshëm dhe më të pranueshëm, sidomos nga ne shqiptarët, atë që tregon arkeologu i shquar italian Luigi Maria Ugolini në vitin e largët 1924:
“Unë nuk besoj se mund të ketë dyshim mbi identifikimin e Vlorës moderne me Avlonën (ose Aulonën) e lashtë. Një pohim të tillë e përforcojnë emri i sotëm që nuk është gjë tjetër veçse një transformim i emrit të lashtë (metatezë e thjeshtë e V dhe A); gjetjet arkeologjike që vijnë nga nëntoka, edhe pse nuk janë shqyrtuar hollësisht; më në fund pozicioni që na japin për të historianët dhe gjeografët klasikë, të cilët e panë qytetin. Ptolemeu (III,12, Paragrafi 3 dhe 4) thotë se Aulon është një port detar dhe e përmend edhe si qytetin e parë bregdetar të Bregdetit Liburnia, në udhëtimin e tij detar që kryente nga veriu duke zbritur drejt jugut.”
Nga autorët antikë është përmendur shpesh qyteti i Aulonës, por deri më sot ky qytet nuk është i zbuluar në formë përfundimtare nga arkeologët, madje, ashtu si Epidamni me Durrahun, është i dyzuar midis detit dhe tokës. Mjaft nga autorët e vendosin këtë në breg të detit në zonën e fshatit Zvërnec, që nga vendasit quhet me emrin enigmatik Triport, nisur nga fakti se në këtë zonë, në një kodër të ulët në breg te detit gjenden disa rrënoja muresh antikë, të shoqëruara këto me mure që janë të zhytura në det dhe që duken mjaftueshëm nga sipër. Por, ka autorë të tjerë, që Aulonën e vendosin disa km larg bregut të detit, rrëzë kodrave që rrethojnë sot qytetin e Vlorës. Dhe si e dhënë plotësuese në ndihmë të tyre erdhi edhe zbulimi, në fillim të viteve 70-të të shekullit të kaluar, i disa rrënojave në qëndër të qytetit të Vlorës, prapa Monumentit të Pavarësisë tek “Sheshi i Flamurit”. Por meqënëse këto rrënoja muresh fortifikuese, nga tipi i ndërtimit, i takojnë periudhës së sundimit të perandorisë romake, pra të një kohe të vonë, ndërkohë që Aulona si qytet përmendet në një kohë mjaft më të hershme, zbulimi i këtij qyteti antik me emër të bukur mbetet një detyrë e pazgjidhur akoma nga arkeologët. Por duhet thënë, se edhe këto rrënoja të stilit të ndërtimit romak, tregojnë se edhe Aulona antike duhet të jetë pranë tyre.
Unë do të pëlqeja që Aulona, ashtu si Epidamni dhe Dyrrahu, të ishte e dyzuar midis detit dhe tokës. Madje, për të qënë më i qartë, qyteti, pa dyshim, duhet të ketë qënë përreth qendrës së qytetit të vjetër të Vlorës, rreth e përqark sarajeve të Vlorajve tek “Sheshi i Flamurit”. Ndërsa, në Triport duhet të ketë qënë fortifikimi, i cili mbronte portin nga sulme të mundshme. Madje, duke parë rrënojat e mureve në kodrinën buzë detit, të cilat, sipas tipit të ndërtimit të tyre, duhet të jenë ngritur në fund erës së vjetër apo fillimit të erës së re, arrin në përfundimin, që ato janë ngritur në një kohë më të vonë se sa ndërtimi i vetë qytetit të Aulonës, ashtu si dhe Dyrrahu që, padyshim, ashtu siç e provojnë edhe legjendat, është ngritur në njëkohë më të vonë se sa Epidamni.
Mund të pyetet, po ku ka qënë më parë porti i Aulonës? Dihet që Vlora deri në prag të shekullit të XX të erës sonë takohej me detin nëpërmjet një liqeni apo lagune, që në një mënyrë apo tjetër, nga veriu lidhej me lagunën e Nartës, në veriperëndim nga kodrat e Zvërnecit, në perëndim dhe jugperëndim ndahej nga deti nga një istëm rëre, ndërsa në juglindje dhe lindje laguna arrinte deri pranë kodrave të Kaninës dhe Kuzbabasë, ku në lashtësi mund të ketë qënë edhe porti fillestar.
Por dihet, që ashtu si qytetet, edhe portet ruanin një traditë të ndërtimit të tyre. Në këtë kuptim, ai mund të ketë qënë edhe në skelë, ku sot është porti i vjetër i ndërtuar në fillim të shekullit të kaluar. Në përforcim të këtij mendimi, mund të jetë edhe fakti i ekzistencës së kalasë veneciane rreth e qark Skelës, e cila pas pushtimit të Vlorës nga Osmanët u rindërtua nga fillimi dhe ishte një nga kalatë më të bukura në Ballkan. Por ne shqiptarët, që ngandonjëherë e kemi shumë më të lehtë të prishim ndërtimet e vjetra që i takojnë historisë, pas fitores së pavarësisë, bashkia e Vlorës e prishi deri në themel dhe me gurët e saj shtroi rrugën Vlorë-Skelë. Dhe, pas tyre, të tjerë që erdhën në pushtet, themelet e saj i groposën duke ndërtuar stadiumin, Pallatin e Sportit dhe pallatet shumëkatëshe këto tridhjetë vjetët e fundit. Si përfundim, edhe ky port hipotetik pararendës i atij të Triportit, mbetet të kërkohet dhe zbulohet në të ardhmen.
Mendimi se Aulona antike duhet të ketë qënë aty ku sot shtrihet “Vlora Historike”, përforcohet edhe nga ajo që, në dijeninë time, edhe institucionet si ato arkeologjike ashtu edhe ato të monumenteve, zonë të mbrojtur, të cilësuar si zona A, kanë evidentuar pikërisht këtë zonë ku ka qënë qëndra e vjetër e qytetit të Vlorës, përreth “Sheshit të Flamurit”. Ne, me padurim, mund pyesim: ku është Aulona jonë? Por, pikërisht, aty ku kazma e arkeologut do të shenjtëronte dhe ringjallte Aulonën antike, pallatet shumëkatëshe të ngritura në këto kohë të errëta, e kanë groposuar atë thellë e më thellë, ndoshta, për të mos u zbuluar më kurrë, vetëm nëqoftëse ndonjë dorë hyjnore, ndonjë ditë, do t’i shëmbte ata.
Të dhëna interesante dhe dobiprurëse në të mirë të mendimit se Aulona antike ndodhej në rrëzë të kodrave, që nga vendasit quhen: Kuzbaba, Budak, Bregu i Orizit dhe Qafa e Topit, ku ka qënë i shtrirë edhe qyteti i Vlorës deri në mes të shekullit të kaluar, ka sjellë dhe arkeologu i shquar italian Luigi Maria Ugolini në studimin e vet “Albania Antica” publikuar në vitin 1925 në Romë, pavarësisht faktit se ai vetë është i mendimit se Aulona antike duhet të ketë qënë pranë fshatit Nartë.
“Ky qytet, i vendosur brenda gjirit të bukur me të njëjtin emër, nuk ruan gjurmë të dukshme të qytetit të lashtë portual Aulon, kështu besohet që në kohët greke ai gjendej pak më në veri, drejt fshatit fqinj të Artës…Në jugperëndim të Vlorës, pranë fshatit Artë, gjendet një pjesë bregu që quhet Kepi Triport. Deti ka gërryer sterenë duke nxjerrë rrënoja ndërtimesh që kishin qënë të mbuluara nga dheu, dhe në të njëjtën kohë shkul dhe gëlltit po këto mbetje ndërtimore…Nga këto rrëshqitje toke, pikërisht në bregun e detit, shihet fillimi i një muri të ndërtuar me gurë paralelopipedë, të cilin e gjykoj të epokës greke-romake…Nuk mund të dimë, në se ky lokalitet ishte porti i Vlorës edhe sikur vendndodhja e qytetit të lashtë të gjendej aty ku tanimë është Vlora e ditëve të sotme.”
Por, Ugolini duke u njohur me monumente dhe objekte arkeologjike, në një numër të mjaftueshëm, të zbuluara në truallin e qytetit të Vlorës, si dhe me “koleksionin Vlora” të mbledhur nga familja Vlora, dhe në veçanti nga Eqerem Bej Vlora, na jep një panoramë, e cila të bën të mendosh se këtu në lashtësi ka pasur një qytet, i cili duhet të këtë qënë Aulona. Ndjekim përshkrimin e Ugolinit:
“Megjithatë, nga trualli i zënë tashmë nga qyteti kanë dalë disa monumente:
-Shihet ende, në oborrin e kazermës ushtarake (të vendosur në fillim të shëtitores që nga qyteti të çon për në port dhe kundruall kishës së lashtë bizantine të shndëruar tashmë në xhami), një shtatore e vogël e Artemisit prej mermeri, e lartë rreth 50 cm…Ajo mban veshur hitonin karakteristik të saj, i cili i bie mbi kraharor me apoptygma të gjatë, të ngushtuar nën gjoks menjëherë nën gjinjtë nga një rrip. Në këmbë kishte sandale të kapura lart. Në të majtë të saj gjendet një qen i kruspulluar me turi të kthyer drejt perëndeshës, i gatshëm për të pritur ndonjë urdhër.
-Në të njëjtin oborr gjenden disa kapitele dhe ndonjë kolonë prej guri…shihet një pjesë kolonës mbi të cilën mbështetet një kapitel, që shërben si piedestal për figurinën e Artemisit. Shtatorja e vogël, kapitelet dhe kolonat kanë ardhur nga gërmimet e bërë në po këtë vend nga ushtarët italianë për ndërtimin e kazermës ngjitur, gjatë pushtimit tonë të përkohshëm të Vlorës (1914-1920). Këto objekte ishin vendosur në oborr të kazermës (mbetje të godinave të kësaj kazerme kanë ekzistuar deri para do kohësh se aty të ngrihej një pallat në rrëzë të kodrës, përkundruall xhamisë dhe në krah të shkallëve që ngjiten në kodër.B.I) për zbukurimin e tij.
-Nga nëntoka e Vlorës vjen një altar varri prej guri gëlqeror 1.30 m i lartë, 0.62mi gjërë dhe 0.44 m i trashë…Motivi dekorativ…Në njërën anë ka një shqiponjë dhe një gjarpër (simbolika pellazge) kundruall njeri tjetrit; mbi faqen tjetër paraqiten dy pëllumba (përsëri një simbolikë pellazge).
-Fragment i një shtatoreje të vogël gruaje, prej guri gëlqeror.
–Stela e Vlorës, gjetur brenda qytetit të Vlorës (e dëmtuar). Është punuar në të ashtuquajturin “guri gëlqeror i bardhë i Kaninës”. Përmasat: 62 cm në lartësinë më të madhe; 69 cm e gjatë…Në faqen A të ilustrimit shohim një figurë femre të veshur me peplos me apoptygma të gjatë, që është ulur mbi një fron…Përpara saj një figurë femre në këmbë (e dëmtuar)…Faqja B ruan mbetjet e një figurë femre në këmbë, të veshur me peplos me kolpos…Është e pamohueshme se kompozimet janë të mira dhe e kanë prejardhjen nga modele greke të shek. V p.Kr. Ndaj këtij datimi mund të ngrihet ndonjë kundërshtim dhe shkas për këtë japin kolonat anësore që kuadrojnë skenën. Dihet se një element i tillë fillon të shfaqet vetëm në stelat helenistike. Por unë besoj se këtu kolonat nuk kanë një rol thjesht dekorativ, por janë vënë në të kundërt për të përfaqësuar mjedisin në të cilin zhvillohet skena. Me një rol të tillë ne i ndeshim në vepra shumë më të hershme se epoka helenistike, si në lekythoi mortorë me bojë të bardhë, në vazot me figura të kuqe të stilit rogoroz, e në pllakëzat deltine në Lokri Epizefirit, që janë të gjysmës së parë të shek. V p.Kr.
– Shtatorja e Vashës së Vlorës (e dëmtuar) është me interes për sa i përket veshjes mjaft të veçantë, por edhe llojit të artit. Edhe kjo shtatore vjen sigurisht nga qyteti i Vlorës dhe nga i njëjti vend në të cilin qe zbuluar stela që sapo kemi shqyrtuar. Ka një lartësi prej 87 cm dhe është punuar me gurin gëlqeror të Kaninës…Shtatorja paraqet një figurë femre, me pamje të shquar dhe moshë të re…Shtatorja ka një veshje komplekse…(të cilën e kemi përshkruar tek paragrafi për veshjet pellazge)…Forma e veshjes është mjaft e veçantë dhe nuk afrohet aspak me tipat e veshjeve klasike. Përkundër, ajo afrohet mjaft me veshjen e figurinës së bronzit e Gurit të Zi (Shkodër), veçanërisht për pjesën e sipërme të tunikës. Ajo ngjason edhe me bustin e koleksionit Vlora për sa i përket tri copave të veshjes, vendosjes së tyre mbi trup dhe mëngëve…Kjo më shtyn të mendoj se kjo lloj veshje ishte e posaçme për vendin.
–Lapidar varri me kolonë të dyfishtë prej mermeri, lartësia 52 cm. Të dy kolonat janë të bashkuara dhe të gdhendura në një bllok të vetëm. Lapidari është gjetur nën themelet e shtëpisë së Xhemil bej Vlorës (vend ku sot ndodhet lulishtja dhe varri i Ismail Qemalit). Lapidari u vendos në kopshtin e Pallatit Bashkiak të Vlorës (në këtë godinë sot ndodhet Muzeu Historik Vlorë).”
Nga ky përshkrim i gjatë nga Ugolini krijojmë një bindje të qëndrueshme, se të gjitha këto monumente dhe objekte arkeologjike të gjetura kryesisht në një perimetër të ngushtë të “qëndrës historike” të qytetit të Vlorës, dëshmojnë, padyshim, se aty duhet të ketë qënë edhe Aulona antike.
Këtë bindje e përforcon edhe një fakt interesant, se pikërisht në këtë zonë ka pasur edhe shumë objekte kulti, kisha, xhami dhe teqe, por ato që bëjnë dallimin midis tyre janë xhamia e Muradies dhe teqja e Kuzbabasë, të cilat ndodhen, e para, në rëzë të kodrës së Kuzbabasë, dhe, e dyta, në majë të saj. Xhamia e Muradies, zyrtarisht dhe sipas institucioneve të monumenteve të kulturës, është ndërtuar nga sulltani Sulejmani i Madhërishëm në fillim të shekullit të XVI; ndërkohë që banorë të vjetër të qytetit të Vlorës tregojnë se kjo xhami më parë ka qënë kishë. Madje, godina e xhamisë, po ta shikosh me vërejtje dallon nga pikëpamja ndërtimore dhe stilit të ndërtimit të mureve me rreshta tullash që ndërpresin muret me breza paralelë, format e dritareve dhe të dyerve, zbukurimet ornamentistike të tyre, të kujtojnë më shumë një kishë mesjetare të stilit bizantin, se sa një xhami. Kuptohet, që këmbanorja është shembur dhe në vend të saj është ndërtuar minarja. Madje, dyshohet se kjo kishë duhet të jetë ndërtuar në antikitetin e vonë si një kishë paleokristiane, këtë e vërteton edhe ajo që ‘trotuari’ përreth saj është një metër poshtë nivelit të tokës. Po kaq janë edhe themelet e rrënojave romake prapa Monumentit të Pavarësisë, gjë që mund t’i vendosë ato në të njëjtënperiudhë ndërtimi.
Por në të mirë të këtij mendimi na vjen edhe një informatë e dyfishtë e sjellë nga Ugolini, të përmendur më lart nga ana e jonë, ku ai kishte dijeni të saktë për pararendsen e xhamisë:
“Shihet ende, në oborrin e kazermës ushtarake (të vendosur në fillim të shëtitores që nga qyteti të çon për në port dhe kundruall kishës së lashtë bizantine të shndëruar tashmë në xhami), një shtatore e vogël e Artemisit prej mermeri…”
Dihet që në fillim të erës sonë, me triumfin e krishtërimit ndaj paganizmit, ose monoteizmit ndaj politeizmit, objektet e kultit pagane, faltoret, tempujt, etj, pasi u shkatëruan apo u dëmtuan u kthyen në kisha dhe manastire; dhe, pas shumë shekujsh, atë që kishat dhe manastiret u bënë tempujve dhe faltoreve pagane, ju desh ta provonin në kuriz të tyre prej xhamive dhe teqeve, të cilat, edhe ato, u ngritën mbi themelet apo rrënojat e tyre. Kështu përsëritet historia, si një cikël i vazhdueshëm me përmbysje dhe rrokullisje.
Logjika e ngjarjeve, me të drejtë të bën të hamendësosh, se kisha e stilit bizantin është ngritur mbi themelet apo rrënojat e një tempulli të lashtë. Gjetja në këtë vend e shtatores së Artemisës të bën të dyshosh, dhe është një provë, se aty afër kjo hyjneshë mund të ketë pasur edhe faltoren apo tempullin e saj.
Ngacmimin për këtë mendim, përsëri e kemi marrë prej Ugolinit, i cili, i nisur nga arkitektura e një stele varri të gjetur në atë vend, konkretisht anës stilistike të kolonave që e kufizonin atë, hedh dyshimin se këto objekte të kësaj natyre në antikitet kanë qënë shenjë dalluese, se aty pranë ka pasur ndonjë vend të shenjtë. Ndjekim Ugolinin:
“-Stela e Vlorës, gjetur brenda qytetit të Vlorës (e dëmtuar)… Në faqen A të ilustrimit shohim një figurë femre të veshur me peplos me apoptygma të gjatë, që është ulur mbi një fron…Përpara saj një figurë femre në këmbë (e dëmtuar)…Faqja B ruan mbetjet e një figurë femre në këmbë, të veshur me peplos me kolpos…shkas për këtë japin kolonat anësore që kuadrojnë skenën. Dihet se një element i tillë fillon të shfaqet vetëm në stelat helenistike. Por unë besoj se këtu kolonat nuk kanë një rol thjesht dekorativ, por janë vënë në të kundërt për të përfaqësuar mjedisin në të cilin zhvillohet skena…Prej tyre do të kujtoj, në lidhje me argumentin që po shtjelloj tashmë, një krater të mrekullueshëm atik të mesit të shek. V p. Kr., që mban një skenë blatimi dhuratash për dy perëndeshat Ade dhe Kora, të cilat paraqiten të ulura dhe mbajnë simbolet karakteristike të vetat. Por, ajo që na intereson më tepër, është se djathtas dhe majtas tyre është vendosur një kolonë dorike me kanelyra, që vazhdojnë në trungun e kapitelit. Këto dy kolona, për mendimin tim, nuk kanë vetëm një rol të pastër dekorativ dhe as atë për të kufizuar qartë skenën, e cila është thelbi i krejt paraqitjes skenike, por janë për të treguar vendin në të cilin qëndronin dy perëndeshat, domethënë një tempull. Me fjalë të tjera: kolonat nuk janë një zbukurim dekorativ, por janë vënë aty për nevoja të përcaktimit të mjedisit.”
Pra, kodra e kuzbabasë është një vend i shenjtë, pasi pranë saj ka qënë i ndërtuar një tempull në lashtësi, i cili, nisur nga shtatorja e Artemisës që është gjetur aty pranë, mund të ketë qënë tempulli i Artemisës; dhe, në antikitetin e vonë, tempulli u shndërua në një kishe paleokristiane; dhe, në mesjetë, kjo kishë bizantine u kthye nga osmanët në një xhami, dhe, sipër, në majë të kodrës, u ngrit edhe një teqe. Dihet që në antikitet tempujt ngriheshin pranë qyteteve. Këtë e vërtetojnë të gjitha zbulimet arkeologjike në brigjet e Mesdheut. Tani mbetet që kazma e arkeologut ta zbulojë këtë qytet të humbur.
Besnik Imeri (marë nga libri “Epiri Pellazgjik”)