• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DO T’IA DALIM!

March 31, 2020 by dgreca

Bisedë me znj.Bora Qehaja nga Fronti i Luftes kundër COVID-19 në Itali/

Zonja Bora Qehaja shërben në Istitutin Clinico Beato Matteo Vigevano, regjoni i Lombardisë.Ajo është në vijën e parë të Frontit të Luftës në një nga vendet më të prekura në botë nga Covid 19.  Ajo shprehet se “unë jam rritur në një vend që e ka bazë humanizmin dhe kjo forcohet më shumë kur punon pranë të sëmurëve që kërkojnë ndihmë për t’u shëruar sa më shpejt.  “

Në këtë kohë pandemike që po kalon gjithë bota, Italia është në vendin e parë që është goditur shumë keq cila është  detyra juaj në spital për t’i shërbyer popullit italian?

Unë punoj asistente në sallën e ndërhyrjeve të kirurgjisë ortopedike urologjike në Istitutin Clinico Beato Matteo Vigevano, regjoni Lombardia. Italia zë vendin e parë për nga humbjet njerëzore në botë, ngase shkaku kryesor është numri i lartë i të moshuarve që vuajnë edhe nga sëmundje të tjera, por që i bëjnë pacientët shumë të rrezikuar nga virusi.  Spitali ku punoj për hir të situatës së krijuar në Lombardi ka ndryshuar drejtimin se nuk kishim repart të sëmundjeve infektive, prandaj u detyruan të përshtatnin spitalin.  

Cili është shqetësimi juaj kryesor si punonjëse e shëndetësisë kur ndodheni pranë pacientëve tuaj?

Shqetesimi është i gjithanshëm, por në radhë të parë vjen jeta e pacientëve për t’i shëruar e shpëtuar jetën e tyre sa më parë.  Unë jam rritur në një vend që e ka bazë humanizmin dhe kjo forcohet më shumë kur punon pranë të sëmurëve që kërkojnë ndihmë për t’u shëruar sa më shpejt.  Të gjithe të sëmurët me virus nuk kanë pranë familjarët e tyre ngase nuk lejohet asnjë vizitë në spital për shkak të infektimit.  Shumë nga pacientët humbin jetën e tyre pa u dhënë as lamtumirën e fundit familjarëve.  Kjo është e dhimbshme por duhet t’i nënshtrohemi rregullave të rrepta të shëndetsise botërore.  Të vdekurve nuk u bëhet asnjë funeral, familjarët marrin njoftime për gjendjen e të sëmurit dhe vdekjen e tyre nga administrata e lartë e spitalit.

Sa kohë keni që punoni në shendetësi në Itali?

Kam 12 vjet që punoj pranë këtij spitali me përkushtim dhe ndershmëri. 

Si u ndjeve kur ju dhanë detyrën se ju do të jeni në vijën e parë të Frontit të Luftës kundër COVID-19?

Nuk është e lehtë, por detyra ime është e tillë të jem në dispozicion të sëmurëve duke rrezikuar jetën time për të shpëtuar të tyren.  Pse ta fsheh, frika të shoqëron përditë.  Po situata e krijuar nuk na lejon të mendojmë gjatë, humbjet e tyre para syve tanë janë dramatike dhe shumë të dhimbshme…  

A mendoni se do të  zhduket së  shpejti kjo epidemi globale?

Këtu në  Itali me gjithë  numrin e madh të vdekjeve patjetër që kemi shpresë. Shpresa na bën të  ndihemi të fortë dhe më të bashkuar se kurrë. Po merren masa më të  rrepta për izolimin nga qeveria.  Shpresoj t’ja dalim.                                       

Si mendoni për gjendjen e Shqipërisë parë me syrin tuaj si shqiptare dhe punonjese në spitalet e Italisë?

Shqipëria po përpiqet të eci përpara, por 30 vite tranzicion janë shumë. është për të ardhur keq që vendi ynë akoma nuk është në trupin e Bashkimit Europian.

Sistemi shëndetsor në Shqipëri lë shumë per të dëshiruar, por besoj se ata mund të jene më me fat se këtu në Itali kesaj radhe për shkak të rasteve të shumta tragjike që kanë ndodhur.            

E kishit endërr të punonit në shëndetësi?

Deshira ime ka qenë gjithmonë të punoj në shendetësi dhe këtu pata mundësi të punoj dhe të jetoj me dinjitet. Këtë ëndërr ma realizoi Italia ku punoj dhe jetoj, vendi që për shumë emigrantë si unë është bërë Atdheu i dytë.               

Sa është e shqetësuar familja juaj në Shqipëri apo kudo ku ata jetojnë pasi ju jeni direkt në front të Luftës?  

Njerëzit e mi të dashur janë shumë të shqetësuar që nga nëna ime në Tropojë e deri tek vëllai im Mark Qehaja në Nju Jork i cili më merr vazhdimisht dhe më inkurajon. E ndjej shumë mungesën e tyre. Unë nuk kam shumë kohë të flas për hir të turneve të gjata, por i lexoj mesazhet e thirrjet në ato pak orë pushimi që mund të kem dhe më sjellin pozitivitet dhe më shumë forcë. 

Shpresoj dhe lutem të dalim sa më shpejt nga kjo situatë e krijuar në gjithë botën.

Ju faleminderit zonja Qehaja për bisedën dhe paci shëndet!                                                     

Bisedoi Keze Kozeta Zylo, gazetare, shkrimtare

30 Mars, 2020

Filed Under: Interviste Tagged With: Bora Qehaja, Interviste

Pagesat e mbështetjes financiare për përballimin e Pandemisë. Si? Kur? Sa?

March 31, 2020 by dgreca

Në shërbim të komunitetit/

Nga Rafael FLOQI/

Sipas Revistës Forbes/

 Departamenti i Thesarit dhe IRS njoftoi dje se shpërndarja e pagesave të mbështetjes ekonomike të pandemisë do të fillojë në tri javët e ardhshme dhe do të shpërndahet automatikisht, pa kërkuar ndonjë veprim prej shumicën e njerëzve. 

Sidoqoftë, disa të moshuar dhe të tjerë që zakonisht nuk bëjnë deklarata tatimore, do të duhet të paraqesin një deklaratë të thjeshtë tatimore për të marrë pagesën e stimulit.

Kush ka të drejtë të marrë pagesën e mbështetjes ekonomike? 

Personat e regjistruar për kthimin e taksave me të ardhura bruto të rrumbullakosura deri në shumat e75,000 dollarë për individ dhe deri në 150,000 dollarë për çifte të martuar që i paraqesin deklaratat e kthimit të taksave bashkërisht, do të marrin pagesën e plotë. Për personat me të ardhura mbi këto shuma, shuma e pagesës do të zvogëlohet me 5 dollarë për çdo 100 $ mbi pragjet e caktuara të 75,000 $ / 150,000 $ në vit.  Ata individë me të ardhura që i tejkalojnë 99,000 dollarë dhe 198,000 $ si çift sipas dokumenteve të deklaratës së taksave të përbashkëta dhe pa fëmijë, nuk janë përfitues të stimulit. Tatimpaguesit e kualifikuar që kanë paraqitur deklaratat tatimore për vitin 2019 ose 2018, do të marrin automatikisht një pagesë të mbështetjes ekonomike deri në 1.200 dollarë për individ ose 2.400 dollarë për çiftet e martuara. Prindërit do të marrin gjithashtu edhe 500 dollarë për çdo fëmijë që kualifikohet.

Po ku e di IRS-i se ku ta dërgojë pagesën time? 

Shumica dërrmuese e njerëzve nuk kanë nevojë të ndërmarrin vet ndonjë veprim . IRS-si do ta llogarisë dhe do ta dërgojë automatikisht pagesën e mbështetjes ekonomike, atyre personave që kanë të drejtë. Për njerëzit që kanë paraqitur deklaratat e tyre të taksave për vitin 2019, IRS-i do të përdorë atë informacion për të llogaritur shumën e pagesës. Për ata që nuk i kanë paraqitur ende dokumentet e kthimit të taksave për vitin 2019, IRS-i do të përdorë informacionet nga regjistrimi i taksave i vitit 2018 për të llogaritur shumën e pagesës. Pagesa e mbështetjes ekonomike, do të depozitohet drejtpërdrejt në të njëjtën llogari bankare, ku është bërë dhe kthimi i taksave.

Por nëse IRS nuk e ka informacionin e depozitës time të drejtpërdrejtë bankare, çfarë mundem të bëj? 

Në javët e ardhshme, Departamenti i Thesarit planifikon të krijojë një portal në internet për individët, për të siguruar që informacionin e tyre bankar të jetë për  IRS në internet, në mënyrë që këta individë, të mund t’i marrin pagesat menjëherë, krahasuar me dërgimin e çeqeve me postë.

Unë zakonisht nuk jam i detyruar të paraqes një deklaratë tatimore. A mund të marr edhe unë pagesë?  

Po. Ka njerëzit që zakonisht nuk paraqesin deklarata tatimore do të duhet të paraqesin një deklaratë të thjeshtë për të marrë një pagesë të mbështetjes ekonomike. Tatimpaguesit me të ardhura të ulëta, qytetarët e moshuar, përfituesit e Sigurimeve Shoqërore, (Social Security) disa veteranë dhe individë me aftësi të kufizuara,  të cilët përndryshe nuk u kërkohet të paraqesin një deklaratë tatimore, po nuk do të paguajnë taksa.

Si mund ta paraqes deklaratën tatimore të nevojshme për të marrë pagesën time të mbështetjes  ekonomike? 

IRS.gov/coronavirus së shpejti do të japë informacione që do t’i udhëzojnë njerëzit në këto grupe sociale se si të paraqesin një deklaratë tatimore për vitin 2019, me informacion të thjeshtë, por të nevojshëm, përfshirë statusin e tyre të regjistrimit, numrin e personave të varur prej tyre dhe informacionin e llogarisë të depozitave të drejtpërdrejta bankare. 

Unë nuk kam paraqitur deklaratën time tatimore për vitin 2018 ose 2019. A mund të marr  pagesën e mbështetjes ekonomike? 

Po. IRS po nxit këdo që ka një detyrime për paraqitjen e taksave, poq që nuk  ka paraqitur ende  deklaratën tatimore për kthimin e taksave për vitin 2018 ose 2019 ta paraqesë sa më shpejt që të jetë e mundur atë, për të marrë pagesën e mbështetjes ekonomike. Tatimpaguesit duhet të përfshijnë aty edhe informacionet të depozitave direkte bankare për kthimin e taksave.

A do më duhet patjetër të paraqes një deklaratë tatimore? Par sa kohë janë në dispozicion pagesat e mbështetjes ekonomike? 

Për ata që janë të shqetësuar rreth mundësisë të infektimit nga vizita një vizitë tek ndonjë person profesionist për kthimin e taksave, ose tek organizatat komunitare, për një deklaratë tatimore, këto pagesa të mbështetjes ekonomike nuk do të skadojnë, Ato do të jenë në dispozicion gjatë gjithë pjesës tjetër të vitit 2020.

Ku mund të marr më shumë informacion? 

IRS do t’i postojë të gjitha informacionet kryesore në sitin e tij IRS.gov/coronavirus, sapo ajo faqe do të bëhet e disponueshme. IRS në këto kohë ka një staf të zvogëluar për shkak të epidemisë në shumë prej zyrave të tij, por mbetet i përkushtuar për t’i ndihmuar individët, që kanë të drejtë të marrin pagesa të tyre në mënyrë të shpejtë. 

Ndaj është më mirë të kontrolloni për informacionet e  reja në website IRS.gov/coronavirus, sesa të telefononi asistentët IRS, që po merren me procesin e kthimit të taksave të 2019-tës.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Rafael Floqi, Revista Forbes

NËSE VIRUSI KTHEHET NË NJË ALIBI PËR DREJTUESIT AUTORITARË

March 31, 2020 by dgreca

Nga ALESSANDRA COPPOLA/

            Më e keqja në këto kohë të karantinës, është për atë që lëviz në hapësira të ngushta, ku thithej pak liri: gjendja e spikamës është gjithmonë përligjia e përsosur për krimet e drejtuesve autoritarë (ose të politikanit që synon të bëhet). Nuk është e nevojshme të kapërxehen kontinentët, e ka treguar në Corriere Paolo Valentino: kryeministri hungarez Viktor Orban ka paraqitur një project – ligj që, në fakt, do t’I lejojë të shfuqizojë parlamentin, në kushte alarmi të pacaktuar. Nuk ka kaluar ende, por këtë javë votat duhet të jenë të mjaftueshme për të përdredhur demokracinë në Budapest e për t’i lejuar kryetarit të qeverisë me derete. “Spikama koronavirus”e prej javësh n’Egjypt nuk zhvillohet më asnjë seancë; ndërkaq studenti i Bolonjës, Patrick Zaki, mbetet në paraburgim në Kairo.

            Në të njëjtën mënyrë, me të njëjtin përligjie n’Arabinë Saudite është shtyrë në datë për t’u përcaktuar proçesi që Loujain Alhathloul pret prej dy vitesh në burg, për shkelje të ligjit (pak më parë se të shfuqizohej) që i ndalonte grave të ngisnin makinën: ka shkruar Viviana Mazza. Bota është e përqëndruar tek pandemia dhe policia algjeriane arreston veprimtarin dhe paraqitësin tv Khaled Drareni, që ka treguar muajt e “hirakut, të protestës, dhe sot është i paditur për “atentat ndaj integritetit të territorit kombëtar”. Me dalë në shesh nuk është më e mundur, është e qartë: çfarë do të bëhet me pranverat që sapo po lulëzonin?

            Është rreziku i infektimit, kryeministri Narendra Modi e ka të lehtë të ndalojë në New Delhi marshimin që i bën beleg që në nëndor duke kundërshtuar dallimet kundrejt myslimanëve në Hindi. Në këto kohë përmëndet shpesh “Verbëria” e José Saramago, një infektim i bardhë që vishte sytë dhe shtazëronte njerëzit. Ja: të qëndrojmë të gatshëm, duke mbajtur sytë hapur tek virusi por edhe tek dhunimi i të drejtave themelore që rrezikon gjithashtu të rëndohet.

            “Corriere della Sera”, 28 mars 2020         Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Opinion Tagged With: Alessandra Cipola, Eugjen Merlika

VLERAT LART, ATJE KU FLUTUROJNË SHQIPONJAT

March 31, 2020 by dgreca

VLERAT LART, ATJE KU FLUTUROJNË SHQIPONJAT

“Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqipëtar/

Zemrën ti m’a gatove plot me dëshirë e me zjarr.”/

NAIM FRASHËRI/

SHKRUAN:ELENA MERLIKA/ DIELLI

            Jam shqiptare dhe krenare për atë gjë edhe se tashmë kam kaluar më shumë vite në Itali se sa në tokën time. Magjia e rrënjëve është e fuqishme.  Është e lidhur me dashurinë e natyrshme për tokën time dhe, në mënyrë të pandashme, me pasqyrimin e vlerave njerëzore të Vendit tim. Një tokë e një magjepsjeje të lashtë që shpesh bota bashkëkohore duket se nuk ka sy për t’a soditur.

            Vitet e para të jetës më kanë formuar dhe më kanë krijuar themelin mbi të cilin kam ndërtuar vështrimin vetiak të s’ardhmes. Ato rrënjë kanë ndriçuar çdo herë sfidat e mija  që kam përballuar dhe ecjen e vështirë të atij që largohet nga Vendi i tij.

            Rrënjët e mija janë njerëz, veprime, vënde, tregime…. që nuk është gjithmonë e lehtë të rrëfehen nëse nuk i ke jetuar vetë.

            Të rritur në një veçim tepër të gjatë ëndërronim shtete, vënde  të përfytyruara të përsosura me vlera të njëjta ose më të larta se tonat… ashtu sikurse imagjinata e një fëmije mund të çojë nëpër mënd.

            Pastaj u rrita dhe kuptova se përfytyrimi dhe realiteti kanë fytyra të ndryshme. Kështu bota e përsosur e përfytyruar nga një vend  i vogël i humbur zbulohet një botë e ndryshme.

            Por ti vazhdon  të punosh duke ndjekur atë skelet të ngulitur në mëndje që fëmijë e vazhdon t’a kërkosh pa pushim, duke shkuar drejt shumë zhgënjimesh.

            Por ja që në botën në të cilën banoj duket një përbindësh i padukshëm i aftë të shkaktojë vuajtje të tmerrshme. Ja një armik i padukshëm që bën botën të heshtë. Një armik që nuk dihet se si duhet luftuar e që nuk sheh në sy asnjë…. nuk kursen as gra e fëmijë.

            Ky përbindësh godet qytetin që më ka mirëpritur prej më se njëzet vitesh. Dora dorës zhvendoset shpejt duke mbuluar me heshtje e dhimbje gjithë Italinë.

            Kjo Itali që aq bujare ka qenë me ne shqiptarët gjëndet e sëmurë e nevojtare për ndihmë, për ngushullim, për fjalë t’ëmbla që t’i lehtësojnë dhimbjet e tmerrshme.

            Megjithatë në heshtje ngrihen fjalë t’ashpra…. që në shtratin e një të sëmuri nuk duhet të shqiptoheshin kurrë. Janë ende më të dhimbëshme me që arrijnë nga brendia e vetë familjes së saj.

            Fjalë që i arrijnë vendit të mbyllur në izolim në shtëpitë e tyre e në dhimbjet e tyre. Një mbyllje që e çon secilin prej nesh të përsijasë mbi kushtet parake të njeriut  e mbi rrugëtimin  e tij për t’u quajtur i tillë.  

            Në kërkimin e një bari konkret për t’a zhdukur, si një cunami vjen  i vetmi bar i efektëshëm për këtë virus: ngrihen të fuqishme vlerat njerëzore.

            Solidariteti e mirënjohja, si një erë e  nxehtë ngrohin shpresën… shpresën se asgjë nuk është e humbur, që nuk jemi vetëm e që mund të fitojmë. Ajo erë trupëzohet tek tridhjetë mjekë e infermierë që vijnë nga Vendi im, një Vend i varfër në kushtet e tij ekonomike, por i pasur në shpirt.

            “Nuk jemi të pasur por jo pa kujtesë. Nuk mund t’i lejojmë vetes të mos i vërtetojmë Italisë se shqiptarët dhe Shqipëria nuk e braktisin kurrë mikun në vështirësi”

            Fjalët që shoqëruan nisjen, të shqiptuara nga kryeministri i ynë, janë fjalë që do të dëshironte të shqiptonte çdo shqiptar nga çfarëdo cep i botës në të cilin ka qenë i shtrënguar të mërgojë.

            “Faleminderit Vëndit tënd”, “ç’fjalë të bukura”, “jam i emocionuar”, “ një mësim stili e solidariteti”, janë mesazhe të miqve të mij italianë, të prekur nga zemra e Vendit tim.

            U zgjova e lumtur sot, një ditë në të cilën është e vështirë të jesh e lumtur… zgjohem e lumtur sepse si shqiptare më rreh zemra e mallëngjyer për shpirtin e madh të Vendit tim, aq të përceptueshëm për të gjithë dhe ndjehem e kuptuar në krenarinë që kam në zemër për të qenë bijë e asaj toke.

            Vetëm me veprime të tilla mund të shpresojmë në një botë më të mirë e të ndryshme kur të ketë kaluar e gjithë kjo. Veprime që nuk vijnë nga pasuria lëndore por nga pasuria e vlerave njerëzore, të afta të lindin mirëqënien e vërtetë.

            Faleminderit Atdheu im!

Mars 2020                 

Filed Under: Featured Tagged With: Ate ku fluturojne Shqiponjat, Elena Merlika, Vlerat Lart

“Heronjtë e Autostradave”, në frontin e luftës me të keqen….

March 31, 2020 by dgreca

Nga Raimonda MOISIOU-Florida-SHBA/

Drejtuesit e kamionëve  (engl.”Truck drivers’, shqip. “maune”) janë ata që gjenden në frontin e parë, teksa  jo vetëm SHBA-ës po mbarë bota po luftojnë kundër përhapjes së  Covid-19. Industria e kamionëve është kërkesë më e domosdoshme në këtë Pandemi. Si rezultat i saj dhe duke vlerësuar në kohë reale çdo kërkesë sociale dhe nevojat ushqimore, të cilat rritin ndjeshëm mbështetjen, përkushtimin dhe kërkesën për punën e kamionistëve të bisnesit e kompanive të transportit. Në ballë të luftës kundër pandemisë Covid-19, gjenden edhe shoferët shqiptaro-amerikanë, ata janë katër djem dhe një vajzë, me origjinë nga Korca dhe Vlora, sikundër; Gentian Çina, Evisa Çina Bello, Erion Bello Jurges Çina dhe Blendi Dyrmishi, pjesë e kompanisë dhe bisnesit familjar; On Duty Transportation LLC, Jacksonville, Florida, e cila operon në tërë Amerikën. 

“Aktualisht ne gjendemi në rrugë, larg familjeve tona në këto ditë të vështira të atdheut tonë të dytë, Amerikës, – na shpjegon në linjë telefonike, Evisa Çina Bello, (vajza korçare “që çan rrugët e Amerikës me kamion”) e cila është njëkohësisht edhe Presidente e Kompanisë. 

“Hera -herës iu rikujtoj shoferëve që të ndjekin këshillat e rekomanduara për Covid-19 dhe shëndetin e tyre, pasi ne e kalojnë pjesën më të madhe të ditës në punë dhe rrugë.  Unë shpresoj që njerëzit duhet të kuptojnë sakrificat e shoferëve të kamionëve, që po bëjnë për të ndihmuar vendin, të përballojmë dhe të sfidojmë Covid-19, të gjithë  së bashku.”

Duke iu referuar shoferëve të kamionëve, Evisa thotë  se ata janë “Heronjtë e autostradave”!

Ndërsa kamionisti Gentian Cina na shpjegon merakun dhe shqetësimin, që të arrijnë në kohë reale në destinacion për furnizimin e supermarket- eve ushqimore dhe shpërndarjes së furnizimeve kritike për spitalet, që jeta e njerëzve të funksionojë normalisht në vend. “Kemi marrë parasysh edhe rrezikun që na kanoset se edhe mund të infektohemi, por jemi ne ata që duhet të sigurojmë raftet e dyqaneve ushqimore dhe higjenike të jenë plot dhe insitucionet e mjekësisë dhe ato farmaceutike të kenë mjetet e nevojëshme që iu duhen. 

“Covid-19” ka kufizuar dhe mbyllur disa bisnese, dhe kështu ne përballemi me sfida të reja- shprehet kamionisti Jurges Çina,- i cili në këtë situatë pandemie bën rrugët drejt “vatrës së pandemisë”, shtetin e New York-ut, Connecticut dhe Massachuset. Jurgesi na përmend këto shtete, ku qeveria federale amerikane ka urdhëruar mbylljen e ndalesave, e cila e bën të vështirë për nevojat personale, për të pushuar dhe për të regjistruar kohën e drejtimit të kamionit. Megjithëse shteti i ka liruar masat e kufizimeve për ne shoferët  për sa orë mund të drejtojmë kamionin, që të transportojmë ngarkesat emergjente, përfshirë furnizimet mjekësore e sanitare. Në destinacionet e shkarkimit të ngarkesave ne iu nënshtrohemi testeve të Covid-19, në disa raste edhe në hyrje të shtetit respektiv.

Ndërsa COVID-19 vazhdon të përhapet në tërë Amerikën, këta drejtues kamioni janë më të rrezikuarit për t’u prekur nga virusi gjatë punës së tyre.

Drejtuesi i kamionit, Erion Bello shprehet se ai nuk i trembet punës as unë as kompania jonë “On Duty Transportation LLC”, unë e bashkëshortja ime Evisa jemi në frontin e luftës me të keqen. Ne jemi në rrugë e vende të ndryshme,  jashtë çdo ditë e natë, kështu që shanset që të marrim virusin është i lartë. Ajo që më tremb, sinqerisht frikën më të  madhe kam përcjelljen  e virusit  në shtëpi te fëmijët tanë. Por në bazë të këshillave dhe rekomandimeve familjet e shoferëve të kompanisë janë në karantim dhe kemi mëse një muaj që shihemi e flasim vetëm nëpërmjet Facetime.

Ndërsa drejtuesi Blendi Dyrmishi me origjinë nga Vlora, në “flakëzën e virusit”, kabinën e kamionit që është edhe “dhomëza” jonë e mbajmë shumë të pastër. Ne kemi lënë familjet dhe fëmijët tanë, kemi hequr dorë nga çdo argëtim i fëmijëve dhe gëzime familjare, sepse tashmë është mundësia të reflektojmë për këtë situatë kaq të vështirë të krijuar, duke marrë përgjegjësitë dhe të shkojmë përtej thirrjes së detyrës. Këtë e tregoi dhe falenderimi i veçantë për gjithë drejtuesit e kaminëve  nga Presidenti Trump dhe mbështetja  më e madhe për ne është edhe mirënjohja e komunitetit. 

Suela Dyrmishi , “Owner” e “On Duty Transportation LLC” shprehet se: “Nëse kamionët do të ndalonin edhe për një ditë, furnizimet mjekësore nuk do të dorëzoheshin në spitale, postat dhe paketat e SH.B.A-ës do të bllokoheshin  dhe do të fillonte mungesa e konsumit ushqimor. Pa kamionët deri në katër javë, do të kishim paralizim të plotë për të  gjithë ekonominë tonë.”

“Ndikimi i Covid-19 mund të shihet në të gjithë vendin brenda supermarketeve e dyqaneve ushqimore, ku disa  boshlleqe kanë kërkesa të mëdha. Unë iu them se nuk ka nevojë për panik, sepse ne jemi këtu për njerëzit dhe po bëjmë çmos që në raftet e dyqaneve mos u mungojë asgjë që nga letrat dhe mjetet higjenike e deri te ushqimet. Ju vetëm na falenderoni dhe shprehni mirënjohjen dhe krenarinë tuaj për zellin e paepur të drejtuesve të kamionëve,- shprehet Suela.

Jurges Çina shton se falenderimi dhe mirënjohja në disa raste është evidente te disa bisnese të restoranteve pranë “Gas station” ku edhe furnizohemi me karburant, dalin e na përshëndesin dhe na befasojnë me ushqim dhe pije falas, sepse ata vlerësojnë faktin që nëse ata e kanë marrë atë ushqim që gatuan, një kamion e solli atë- thotë Jurgesi duke qeshur.  

Për fat të mirë, -thotë Gentiani,- ne kamionistët nuk po ndalemi gjatë kësaj pandemie, sepse 

Administrata Federale e Sigurisë së Transportit ka hequr dorë nga kufizimi i tyre, e cila na lejon ne të ngasim 11 orë në ditë. Kështuqë të gjithë po ndihmojnë kamionistët duke mos i ndaluar shpesh në ndalesat e kamionëve, për të zvogëluar rrezikun e ekspozimit të tyre ndaj virusit. Edhe kur kalojmë përmes stacionit e peshimit, veç detyrës që bëjnë dhe testimit për Covid-19,  ata na sjellin fruta të ndryshme dhe pije, me qëllim që të mos sëmuremi, se nëse ne kamionistët sëmuremi në rrugë, nuk ka kush i zvendëson. Nëse kamionistët sëmuren dhe ata largohen, të gjithë do të ndjejnë efektet e tyre, – përfundon Gentiani.  

Ndërsa një tjetër shoferi veteran, shqiptaro-amerikani me origjinë nga Korça, Arben Hysi, thotë se numuron në ripin e kamionit të tij qindra-qindra mijra kilometra, që kur iu bashkua industrisë së kamionëve në vitet ’90, por se kurrë nuk ka pasur një përvojë të tillë pandemie të këtij niveli. Arben Hysi, një kamionist i karrierës thotë jse të gjendesh në rrugë së bashku me mijra kamionë të tjerë është veçanërisht e rëndësishme, dramatike dhe tejet e vështirë në këtë kohë, kur më shumë se kamionë normalë janë ende në rrugë. Këshilloj që të jemi më të kujdesshëm në drejtimin e kamionit për të evituar sat ë jetë e mundur aksidentet rrugore, jemi në një luftë me një armik hije që nuk e merr vesh nga të qëllon. 

Drejtuesit e Kamionëve janë pjesë e një zinxhiri më të madh të herojnve të panumurt që po luftojnë me të keqen Covid-19, për të mbajtur shoqërinë tonë vitale dhe unike. 

Këtë po bëjnë edhe këta bij të Korçës e Vlorës, që në Atdheun e dytë të tyre kanë zgjedhur të punojnë“Truck Divers”, por tashmë ata janë shndërruar në “Heronjtë e Autostradave” në luftë me të keqen.

*Raimonda MOISIU/Writer & Freelancer/ Florida SHBA    

Filed Under: Featured Tagged With: Heronjte e Autostradae, Raimonda Moisiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 662
  • 663
  • 664
  • 665
  • 666
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT