
Julika Prifti/
Kur Radio Tirana më kërkoi të shkruaja një emision të plotë për Bajronin në vitin 1986, nisa të hulumtoj me dëshirë dhe kureshtje të madhe. Mblodha materiale në disa gjuhë, përktheva dhe krijova skena si për një dramë më vete. Më në fund, mbeta e kënaqur nga puna ime edhe nga komentet për emisionin që u pëlqye shumë nga dëgjuesit. Ndjenja e kënaqësisë ishte e lidhur edhe me zbulimin e fakteve të jetës së tij të panjohura deri atëherë nga publiku shqiptar.
Mbase e gjitha kjo do kishte vetëm në kujtesën time sepse, nëse e kam të saktë informacionin, programet e radios nuk janë ruajtur ngaqë mbi incizimet e vjetra janë regjistruar të reja, gjë që është për të ardhur keq. Por ja që mes dorëshkrimeve të babait këtë verë, gjeta edhe dorëshkrimin tim për Bajronin dhe shënime interesante për poetin e madh bashkë me materialet kërkimore të miat.
Në poemën e tij të njohur “Çajld Harold” Xhorxh Gordon Bajron veç përshkrimit aq të bukur të Shqipërisë ka dokumentuar edhe thesare të folklorit shqiptar. Në të vërtetë në dy këngë ose valle të kënduara ia vlen të thellohemi edhe më tej.
Këngët “Bobobo bobo” dhe “Në sevda tënde u llavasa” Bajroni i mblodhi gjatë udhëtimit nëpër Shqipëri në vitin 1809. Ato u botuan së bashku me poemën ” Çajld Harold” më 1912, me shënimet sqaruese e plotësuese në fund të tekstit. Në një kolonë teksti shqip e në anën tjetër përkthimi i lirë në anglisht, hera – herës mjaft larg ” ad literam” sepse Bajroni donte të jepte bukurinë e mendimit poetik.
Në shënime Bajroni jepte këtë sqarim: “Vërej se shqipja nuk është gjuhë e shkruar, për këtë arsye fjalët e dy këngëve që po i rrëfej lexuesit bazohet në fonetikë. Ato u mblodhën nga një grek që e flet dhe e kupton mirë shqipen”.
Ndryshe nga sa besonte Bajroni mbledhësi mund të mos e ketë ditur aq mirë shqipen ose nuk kishte njohuri për folklorin tonë. Duke lënë mënjanë edhe gabimet e shtypit e po ashtu dhe pamundësinë e alfabetit grek për të shprehur në mënyrë të saktë e besnike një seri fenomenesh karakteristike për gjuhën shqipe, në revistën “Albania” (1897 – 1909) bëhen përpjekje për të rindërtuar këto vargje me anë të logjikës së gjuhës e të këngës, por edhe në përkthimin e lirë anglisht. Ndihet si një punë e nxituar me pasaktësi e gabime, greqizmat ose u transliteruan keq ose u lanë mënjanë, kësisoj u cungua bukuria e këngës.
Në vëllimin e tretë ” Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar” janë botuar tekstet siç gjenden në origjinalin anglisht e si janë kopjuar te “Albania” duke plotësuar vende-vende boshllëqet e duke rregulluar gabimet. Megjithatë edhe aty kanë mbetur pa u plotësuar e vihet re ndonjë interpretim jo i saktë. Madje nga kënga e dytë janë lënë jashtë dy vargje me shënimin e bërë me sa duket te “Albania”: “Kënga e Bajroni zgjatet edhe me dy vargje të tjerë”. Ato së pari mund të jenë lënë jashtë nga vështirësitë që hasen për të dhënë në shqip kuptimin e tyre. Së dyti, sepse vetë Bajroni shfaq dyshimin: “Besoj se këto dy vargjet e fundit, ku ndryshon metri, i përkasin ndonjë balade tjetër,” thotë ai. Bajroni, si poet, ndien ritmin dhe kadencën, kap ndryshimin ritmik dhe prandaj bën atë vërejtje.
Ka shumë të ngjarë që kemi të bëjmë me një dukuri të njohur në folklor. “Për të dhënë një ide të dialektit shqiptar ose arnaut të Ilirisë, po përkthej këtu dy këngë popullore që këndohen me valle si nga burrat dhe nga gratë pa dallim,” shkruan Bajroni. Pra, kemi të bëjmë me një këngë që shoqërohet me valle, ose më saktë një valle e kënduar. Një pjesë e valleve të kënduara e ndryshojnë ritmin në fund. Koda më e shpejtë e më dinamike shënon njëherësh kulmin dhe mbylljen. Bajroni ka të ngjare të mos e ketë ditur këtë karakteristikë të disa valleve tona, prandaj edhe thyerjen e tetërrokëshit në gjashtë rrokësh e merr si pjesë e huaj që i është asimiluar rastësisht.
Transliterimi i saktë i këngëve të mbledhura nga Bajroni ka interes në radhë të parë për të dhënë hijeshinë e bukurinë e vërtetë folklorike sepse u zgjodhën nga një poet i njohur, por nuk mbeten jashtë edhe interesat gjuhësore dhe semantike.
Te kënga e parë, vargu 5 në origjinal është: “Ha pe nderi escrotini”. Te “Albania” është dhënë “Hape derën e shkretë”. Duhet të ishte “Hape derën shkretënë” sepse kësisoj ruhet i plotë edhe ritmi edhe rima, edhe fonetika historike. Duhet përmendur se shqipja ka pasur shumë më tepër fjalë proparaoksitone.
Dy vargjet e fundit të këngës ” Bobobo bobo”, “Plu hari te tire te/ Pluhur cia pra seti”, nga “Albania” janë lënë bosh, kurse nga instituti janë plotësuar në mënyrë hipotetike. “Pluhuri të errëtë/ pluhuron çaprazetë”. Në përkthimin e lirë këto vargje jepen: “Mos ngri shumë pluhur se të rëndohen armatimet”. Rindërtimi më i afërt i tyre do të qe: “Pluhuri që tirretë ( ngrihet) të pluhuron çaprazetë “. Te kënga e dytë “Në sevdanë tënde u llavdosa” plotësimet dhe korrigjimet e bëra nga redaktori Qemal Haxhihasani (1916-1991), folklorist dhe historian me shumë reputacion, duken me vend, me përjashtim të vargut “E ti m’u bëre e pabesë si një dhëndro të lartë” ku kuptimi ka mbetur i errët dhe greqizma ” dentroi” (dru) e përkthimit fillestar është marrë si fjala shqipe dhëndër. Mendoj se rindërtimi më besnik do të ishte: “U dashurova vashëzo me zemërën të haptë. / E ti më braktise si një dru i thatë”. Edhe përkthimi i lirë në anglisht këtë kuptim ruan: ” Ti më abandonove si nje pemë yë thatë”. Dy vargjet e fundit që i mungojnë tekstit tek “Albania”: “Udi vura dorini, udiri cicova cilti mora”, në përkthimin e lirë të Bajronit janë: “Ç’ndjesi provova kur vura dorën time mbi gjinë tënd/. Unë dorën e hoqa po ajo më dridhet akoma”. Përafërsisht mund të rindërtohet në formën: “U të vura dorënë në gjinj që t’ i mora/ U dorëthatë ç’heq (?) u edhe të ftohtë mora” që mund të ketë edhe rindërtime të tjera më të sakta.
Për këto ndijesi që e gjen tek poezia popullore shqipe, Bajrpni shprehet me habi se gjen një lloj paragonizmi me ato që thotë Sokrati i lashtë ndër shkrimet e veta.
Studiuesit e folklorit mund t’i kenë analizuar edhe më tej këto vargje dhe këngë. Nëse jo, ky shkrim mund të jetë një nxitje që do të jepte një rezultat të kënaqshëm edhe për lexuesit e sotëm.