Nikollë Camaj, Kryetar i Lidhjes Demokratike Shqiptare, në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon situatën politike në Mal të Zi, shqiptarët si faktor politik përcaktues në skenën politike malazeze, sfidat e Komunës së Tuzit me administrim shqiptar, iniciativën “Ballkan i Hapur” pa Kosovën e Malin e Zi dhe takimet me diasporën shqiptare në Amerikë. Me z. Nikollë Camaj bisedoi Editori i “Diellit” Sokol PAJA.
SITUATA E PËRGJITHSHME POLITIKE NË MAL TË ZI
Asnjëherë më e ndërlikuar, dhe me më shumë të panjohura. Me një qeveri “ekspertësh”, e cila nuk gëzon përkrahjen e shumicës që e ka zgjedhë, por e cila nuk merr guximin për ta shkarkuar, edhe pse, gjasat janë se shkarkimi është i pashmangshme. Pastaj parlamenti me retorikën e viteve të 90-ta, nuk premton asgjë të mirë. Një situatë e këtillë nuk mund të mbahet gjatë, por askush nuk e di zgjidhjen. Se a do ketë rekonstruktim të kësaj qeverie, rikuperim forcash politike për një qeveri të re, apo zgjedhje të parakohshme, si epilog i krejt kësaj, nuk i dihet, por shpresoj të mos pritet gjatë.
SHQIPTARËT SI FAKTOR POLITIK NË MAL TË ZI
Statusi i shqiptarëve edhe tutje mbetet i pazgjedhur. Them edhe se jemi në një pozitë të pa lakmueshme, mes dy blloqeve të papranueshme për të ardhmen e vendit. Në njërën anë pushtetarët klero-fashistë , në anën tjetër opozita e krimit të organizuar, e që pret përkrahjen tonë për të rrëzuar këtë qeveri, e për të formuar të renë. Në një situatë të re, që shpresojmë se do të ndoll, duhet të prihemi nga interesat tona kombëtare, e assesi nga ajo që është “interes i madh shtetëror” siç ishte rasti më 1997-ta, pastaj në kohën e referendumit për pavarësi të Malit të Zi, apo të integrimit në NATO.
“BALLKAN I HAPUR” PA MALIN E ZI DHE KOSOVËN, SI ËSHTË PRITUR NË PODGORICË DHE CILI ËSHTË GJYKIMI JUAJ
Podgorica zyrtare nuk e ka mbështetur, ndërkohë që nënkryetari i Qeverisë D. Abazoviq, gjatë një vizite në Tiranë i ka premtuar përkrahje në këtë drejtim, z. Rama. Për mua është një projekt e papranueshëm, derisa të mos zgjidhen raportet Kosovë Serbi. Nuk mund të krijohet një bashkësi e tillë, me dikë që ka pretendime territoriale. Duaje kojshinë, por mos e prish portën, thotë një fjalë e urtë. Sidoqoftë, jam për bisedimet të çdo lloji me fqinjët, por të vendoset vetëm për variante, të leverdishme e të pranueshme për kombin në përgjithësi, e jo të pjesëve të tij.
ÇDO NDODH NË TUZ? SI PO E QEVERISIN SHQIPTARËT KOMUNËN SHQIPTARE
Tuzin po e qeverisin subjektet që u angazhuan, disa prej tyre me dekada, për themelimin e komunës së plotë, dhe kjo ishte jo vetëm e arsyeshme, por është gjëja më e mirë që ka mundur t’i ndodhë Tuzit, në mandatin e parë të administrimit autonom. Kryesisht jemi të orientuar në rregullimin e infrastrukturës, të lënë mbas dore me dekada, si edhe në mirëmbajtjen e ambientit. Po ashtu, jemi në bisedime edhe me investues, për hapje të vendeve të reja të punës, e që disa janë në fazën përfundimtare.
TAKIMET ME DIASPORËN NË AMERIKË
Takimet me diasporën janë gjithherë të veçanta dhe kuptimplote. Përpos takimeve të drejtpërdrejta, ata na hapin shumë dyer të administratës amerikane, aq të nevojshme për ne. Siç dihet, diaspora jonë, përpos ndihmave materiale vendlindjes, që janë të shumta, dha kontribut të madh në jetësimin e idesë për komunë të plotë, si edhe në marrjen e pushtetit nga partitë që po e qeverisin. Nga kjo vizitë, do të veçoja takimet me shoqatat shqiptare ne New York, Michigan e Californi, si edhe vizitën Federatës panshqiptare Vatra. Një pritje të ngrohtë organizoi edhe majori i qytetit-motër Rochester Hills. Po ashtu, isha edhe në departamentin e Shtetit, për të shkëmbyer informacione mbi statusin tonë. Të gjitha këto dëshmojnë se Malësidashësit përherë i rrinë pranë vendlindjes së vet.
THIRRJE PËR DIASPORËN SHQIPTARE NË USA QË TË BASHKOHEN DHE TË KONTRIBUOJNË PËR VENDLINDJEN
Ata nuk kanë nevojë për thirrje; kanë nevojë vetëm për sinqeritetin tonë.