
Prof. Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/
Ballkani historikisht ka qenë arenë e përballjeve të mëdha midis Lindjes dhe Perëndimit dhe fushë e konkurrencës së fuqive të mëdha, ose as lindje as perëndim, por një Ballkan kurdoherë i trazuar. Vendet e Ballkanit janë heterogjene në pikëpamje etnike, kombëtare dhe fetare. Ndonëse jo shumë i madh në aspektin gjeografik, ai ka qenë gjithmonë dhe mbetet një rajon shumë i brishtë, kjo për shkak të pozicionit që ka, i ndodhur në rrugët që hapen në çdo drejtim, por edhe si pasojë e konkurencës dhe mosmarveshjeve midis vetë popujve të Ballkant. Që nga Romakët në vitin 200 para erës sonë. Me pushtimin e Stambollit nga osmanët në vitin1453, bizanti mori fund dhe historia ballkanike përjetoi administrimin osman, i cili vazhdoi deri në vitin 1912. Përveç Perandorisë Osmane, Ballkani u njoh edhe me administratën e Habsburgëve. Monarkia Habsburge që nga viti 1867 e mbrapa u bë një monarki e dyfishtë dhe filloi të njihej si Perandoria Austro-Hungareze deri në fund të Luftës së Parë Botërore. Në shekullin e 16-të një perandori tjetër filloi përpjekjet për shtimin e influencave në Ballkani, ajo ishte Perandoria Ruse.
Në shekullin e 18-të në lojen e tyre për influencë në Ballkan futen edhe Anglia me Francën dhe më fuqizimin e tyre edhe Gjermanina me Italinë. Kështu nga njëra anë kemi Perandorinë Austro-Hungareze, Gjermaninë dhe Italinë, ndërsa nga ana tjetër kemi Britaninë e Madhe, Francën dhe Rusinë. Me Traktatin e Shën-Stefanit, nënshkruar më 3 mars 1878, Rusia e copëtoi Ballkanin siç deshi dhe erdhi deri para portave të Stambollit. Traktati i Shën-Stefanit donte krijimin e Bullgarisë së Madhe. Ndërhyrja e Britanis së Madhe me Austro- Hungarinë në Kongresin e Berlinit në vitin 1878 pengoi këto përpjekje ruse. Në periudhën e Luftës së Ftohtë në ekuilibrat e konkurrencës në Ballkan filloi të hyjë edhe Amerika.
Rivalitet i fuqive të mëdha në Ballkan vazhdoi dhe po vazhdon edhe sot. Shpërbërja e Jugosllavisë pas viteve 1990, Lufta në Bosnje dhe në Kosovë dhan shpresa se Perëndimi fitoi, dhe më në fund Ballkani do të ketë stabilitet. Nga ana tjetër, shpresat e vëndeve të Ballkanit Perëndimor për një integrim në Bashkimin Evropian inkurajuar ato të ecin drejt reformave demokratike, me shpresë se ato do të çojnë një ditë në përmirësimin e marrëdhënieve midis popujve të rajonit. Po kështu edhe qënja anëtare të NATO-ja e shumicës së këtyre vëndeve dhe ndjenja e sigurisë që garanton aleanca, u pa si shpresë për vendet e Ballkanit Perëndimor. E megjithatë rajoni vazhdon të jetë përsëri i trazuar.
Ideja e një Ballkani unik është hedhur që në shekullin 19-të, kur këto vende ishin nën sundimin e Perandorisë Osmane. Kjo ide është përfaqësuar më vonë edhe nga socialistet e popujve të Ballkanit. Ndoshta e tillë ishte edhe nisma ekonomike, “Open Balkan”, një alternativë momentale, por jo zëvendësuese e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo nisem e fundit u kundërshtuan nga vendet ku banojnë jo pak shqiptarë si në Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi. Kjo nisem ekonomike “Ballkani i hapur” ishte e pavënd, pasi në Ballkan akoma nuk janë zgjidhur problemet themelore të disa popujve, të cilat presin zgjidhje dhe që janë shumë më parësore sesa idetë për integrime ekonomike të shteteve të rajonit.
Europa nuk është aq naive sa të mos e dijë se një “Ballkan i Hapur” për integrime ekonomike, edhe nëse pranohet nga të gjitha shtetet e Ballkanit (që në fakt ajo e dinë që është e pamundur), nuk do të ketë asnjë element federate, por është thjesht një ide, një përpjekje për të demonstruar pakënaqësinë kundër padrejtësive të BE-së, e cila ende nuk e ka të qartë se çfarë do të bëjë për integrimin e vendeve të Ballkanit. Çdo nismë e tillë, sado qëllimmirë të ketë qenë, nuk ka arritur asnjëherë të bëhet realitet, kjo jo aq shumë për shkak të popujve të Ballkanit, se sa për shkak të politikave jo të qarta nga Fuqitë e Mëdha të kohës dhe interesave të tyre gjeostrategjike, ekonomike e kolonialiste.
Që nga viti 1918, kur në Ballkan, Fuqitë e Mëdha krijuan shtetin e sllavëve të jugut, (Mbretërin Serbo-Kroato-Sllovene) ky shtet mercenar i Rusisë dhe i Francës u bë minuese e demokracis në Ballkan, duke u përkrah fuqishëm edhe nga shtetet më të mëdha të Evropës. Prandaj ideja për një Federatë ballkanike kishte dështuar gjithmonë, pasi Serbia me mbështetjen e Fuqive të Mëdha europiane dalngadalë projektonte dhe realizonte Serbinë e Madhe brenda Jugosllavisë.
Më shumë se çdo hapësirë tjetër e Evropës, Ballkani, ndodhet i lëkundur midis Lindjes dhe Perëndimit, midis të shkuarës dhe të ardhmes së tij. E shkuara e lidh me periudhat e sundimit të Perandorisë Bizantine, të Perandorisë Otomane, të sferave të ndikimit të periudhës së Luftës së Ftohtë. Këto periudha sundimesh sot lidhen me tre shtete të fuqishme, që po përpiqen të bëhen faktor në këtë botë të trazuar, Rusia, Kina dhe Turqia.
Rusia, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurmit, është trashëguese e Bashkimit Sovjetik, njërës nga dy supërfuqitë e Luftës së Ftohtë, ka ringjallur ambicjet sovjetike dhe të Rusisë Cariste. Po kështu ajo e mbante veten trashëguese e vërtetë e Perandorisë Bizantine të Lindjes, duke i njohur vetes të drejtën e zgjerimit në territoret e dikurshme të kësaj perandorie. Qëllimet e Moskës janë të qarta, ta shtri fuqin e ndikimin e saj me përparësi të veçantë edhe në hapësirën e dikurshme të influencës sovjetike, pra në gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore, por edhe në vendet ku ka pasur parti të fuqishme komuniste të varura nga Moska.
Për arsye strategjike gjeopolitike, ajo e përqëndron infrastukturën e saj ushtarake, ekonomike sidomos në Ballkan, ku ka pasur një rol dhe prani të veçantë e vendimtare që nga koha e luftërave Ruso-Turke. Një prani të gjithanshme ka në Serbi. Ajo ka ruajtur terrenin e saj edhe në periudhat e marrëdhënieve më të acaruara me Jugosllavinë e kohës së Luftës së Ftohtë. Rusia, sidomos ajo e Putinit, është sfiduesja më e madhe e integrimeve evro-atlantike të rajonit të Ballkanit, duke arritur të vonojë, të pengojë dhe të vërë në pikëpyetje këto integrime nëpërmjet disa lëvizjeve populiste në kontinent.
Kina, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, ndërkohë ekonomia e dytë më e madhe në botë krahas SHBA, faktor me peshë të madhe botërore. Në vitet ’60-’70 të shekullit të kaluar Kina e shtriu ndikimin e saj në vendet komuniste që e kundërshtuan ose i rezistuan Bashkimit Sovjetik. Në vitet ’80-’90 e zgjeroi praninë në vendet e ashtuquajtura të Botës së Tretë. Nga periudha e Luftës së Ftohtë, Kina ka trashëguar një prani të drejtpërdrejtë të fuqishme në Shqipërinë e viteve 1960-70 dhe në vitet 1970-80 në ish Jugosllavi. Në fillim të këtij shekulli Kina po e zgjeron praninë e saj shumë më përtej këtyre hapësirave.
Turqia është fuqi e madhe rajonale dhe evropiane. Ndër 20 ekonomitë më të mëdha të botës, me synime të qarta për të hyjë në 10 ekonomitë më të mëdha të botës. Është nga anëtaret më të vjetra të NATO-s. Synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Është trashëguese e drejtpërdrejtë e Perandorisë Otomane. Perandoria Otomane, nga ana e saj, ishte trashëguese e drejtpërdrejtë e Perandorisë së Bizantit. Turqia ka shfaqur interesim fill pas Luftës së Ftohtë në rajonin që ishte pjesë e Perandorisë Otomane. Dhe kjo bën pjesë edhe në interesimin e saj për të ripërtërirë praninë në hapësirën e dikurshme të kësaj perandorie. Në Ballkan, sidomos në ish Jugosllavi dhe në Shqipëri, ajo e ka shtuar praninë e saj me investime në rritje.
Nga ana tjetër Perendimi, pas mbarimit të Luftës së Ftohtë me gjithë premtimet dhe pritshmëritë e një pranie të madhe në Ballkan mbeten larg ëndrrës së popujve të rajonit të sapo dalë nga sundimi i gjatë komunistë.
Luftërat në ish Jugosllavi gjatë viteve 90 dhe përqëndrimi i Bashkimit Evropian në parandalimin e falimentimit të Greqisë nga kriza ekonomike evropiane dhe botërore që e përfshiu këtë vend më rëndë se çdo vend tjetër, ishin dy shkaqet kryesore që perendimi nuk i kushtoi rëndësi Ballkanit. Ato që mund të kishin qenë investime për integrimet perëndimore të Ballkanit u shndërruan në kredi për mbijetesën e Greqisë. Duke i shtuar këtu edhe vetë krizen që përfshiu BE-në si pasojë e zhvendosjeve të mëdha të popullsive drejt kontinentit e lanë dhe po e lënë pas dore Ballkanin. Vetëm tani Perëndimi po e kupton se prania e tij në rajon, është duke u sfiduar nga Rusia, Kina dhe Turqia, fuqi të cilat nuk nguruan të investojnë gjatë kësaj periudhe. Të tria përdorin përparësinë e traditës së marrëdhënieve me rajonin. Perëndimi mund ta fitojë sfidën, bashkë me Ballkanin, vetem duke e rritur praninë e tij të gjithanshme në rajon dhe duke e integruar, pa humbur më kohë, për asnjë arsye, në hapësirën evro-atlantike.
Po rajoni vetë? Përpos gjithë këtij kalvari të gjatë, Kosova dhe dy shtete të rajonit të Ballkanit Perëndimor që janë pjesë e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO-s), Shqipëria dhe Kroacia, nënshkruan para disa kohëve një deklaratë për thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Shtetet u zotuar se do të forcojnë hapat e përbashkët për t’iu përgjigjur kërcënimeve hibride, përfshirë kërcënimeve kibernetike, fushatave të dezinformimit të cilat mund të komprometojë ose të ndikojë në sigurinë kombëtare dhe rajonale. Ato zotohen që Shqipëria, Kosova dhe Kroacia do të eksplorojnë mundësitë e reagimit për një sërë kërcënimesh të mundshme ndaj infrastrukturës së tyre kritike. Pika e fundit e marrëveshjes është për mbështetjen që shtetet do të ofrojnë për integrimin euroatlantik. Këtu përfshihet përafrimi i politikave me institucionet dhe strukturat euroatlantike të sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe për integrimin e plotë të Kosovës në nismat rajonale të sigurisë dhe mbrojtjes në Programin për Partneritet për Paqe të NATO-s. Shpresojmë që kjo të mos ngelet vetëm në letra si shumë nisma të tjera.
Serbia ka shfaqur haptas synimin e saj për të ripërtërirë praninë e saj në vendet e ish Jugosllavisë. Kjo është tejet e dukshme në Kosovë e në Bosnjë (sidomos Republikën Serbe), ishte e dukshme edhe në Maqedoninë e periudhës së Gruevskit. Parada ushtarake e organizuar në shkallë të gjerë në kryeqytetin Beograd, duke shfaqur tanke, sisteme raketash dhe avionë luftarakë në atë që zyrtarët e përshkruan si shfaqja më e madhe e forcës ushtarake të vendit në historinë e saj, shfaqi hapur këto synime. Presidenti Aleksandar Vuçiç mori pjesë në paradën, e cila përfshinte rreth 10,000 trupa, duke thënë se shfaqja e forcës nënvizoi aftësinë e Serbisë për të mbrojtur pavarësinë dhe sovranitetin e saj dhe për të vepruar si një pengesë kundër çdo agresori të huaj. Në aktivitet u demostruan si armë të prodhuara në vend, ashtu edhe raketahedhës nga Izraeli, dronë të blerë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, tanke të furnizuara nga Rusia dhe sisteme kundërajrore nga Kina.
Po shqiptarët? Rreziqet që u kanosen shqiptarëve janë realisht të mëdha.
Mjedisi ndërkombëtar karakterizohet nga një konkurrencë e pandalshme midis shteteve, shumica dërrmuese e të cilave janë shtete kombëtare. Në këtë mjedis, ku “i forti e ha të dobëtin”, forcimi dhe legjitimiteti i shtetit janë aspekte themelore për mbijetesën e tij. Kombëtarizmi parashikon një politikë të brendshme idealiste dhe një politikë të jashtme realiste në mënyrë që shteti të konsolidohet dhe kombi të forcojë pozitat. Duhet kuptuar qartë se kjo nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri, e cila rrjedh edhe nga natyra e sistemit ndërkombëtar. Askush nuk duhet të ketë frikë të thot të vërteten se e ardhmja e shqipëtarëve varet vetëm nga ata dhe askush tjetër.