Basha: Deputetët gjermanë inkurajuan miratimin me konsensus të ligjit për dekriminalizimin/
CDU e Kancelares Merkel i jep mbështetje të plotë dhe të gjithanshme Partisë Demokratike në aksionin e saj politik dhe në hartimin e programit qeverisës.Lajmin e bëri të ditur Kryetari Partisë Demokratike, Luzim Basha në faqen e tij Facebook.
“Me zyrtarët e lartë gjermanë, ndamë shqetësimet lidhur me zhvillimet në Shqipëri, të cilat po shkojnë në drejtim të kundërt me parimet e vendeve demokratike dhe janë larg përmbushjes së standarteve europiane”, shkruan Basha,
“Kusht i panegociueshëm për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian mbetet për partnerët gjermanë, dekriminalizimi i politikës shqiptare. Gjatë takimeve që zhvillova në Berlin, deputetët gjermanë vlerësuan propozimet e Partisë Demokratike dhe inkurajuan miratimin me konsensus të ligjit për dekriminalizimin”, vijoi ai.
“Një tjetër shqetësim i diskutuar në takimet me deputetët gjermanë ishte dhe procesi zgjedhore i 21 qershorit. Deputetët gjermanë dhe kreu i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestag, Gunther Krichbaum, i kanë cilësuar tërësisht të papranueshme për një vend që aspiron të bëhet anëtarë i Bashkimit Europian, shkeljet e konstatuara në raportin e OSBE-ODIHR-i, për zgjedhjet”, bëri të ditur Kreu i PD.
Basha foli edhe për debatin politik të CEZ. “Mega afera CEZ, ishte po ashtu çështje e bisedës. Mora mbështetjen e plotë të partnerëve tanë gjermanë, për iniciativën e Partisë Demokratike, për të angazhuar hetues ndërkombëtarë për zbardhjen e kësaj afere si mënyra më e mirë për një hetim të plotë dhe të besueshëm”, shkruan Basha.
Ai bëri të ditur se, Partia Demokratike po bashkëpunon ngushtësisht me kristiandemokratët e Kancelares Angela Merkel për hartimin e alternativës së saj; programin qeverisës të demokratëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “CDU, po na jep ekspertizën e saj për ofertën tonë të zhvillimit të vendit dhe kthimit të shpresës qytetarëve tanë që të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri dhe jo të shohin si shpresë emigrimin”, përfundon postimin Basha.