
Prof. Liburn Jupolli/
Aktualisht në sferën e dokumentimit artistik e sidomos në muzikë ka shumë pak dokumente të tipit monografik, kritik, hulumtues të cilët e kanë për bazë hulumtimin më të detajuar të veprimtarisë së kontribuesve në muzikë. Kur flasim për veprimtarinë këtu është fjala për njohjen më të thellë të proceseve krijuese të autorëve apo performuesve, qasjen në punë, prapavijën e krijimtarisë, prapavijën historike dhe personale me veprimtarinë, relacionin me proceset e punës kreative, relacionin me mjetet e punës dhe shumë detaje të tjera profesionale për të cilat kemi pak njohuri në sferën e muzikës në Kosovë.
Kontribuesit në muzikë në Kosovë kanë korur suksese të mëdha dhe qëndrojnë mjaft denjësisht në skenën vendore, rajonale dhe botërore, shumëkush prej nesh është i intriguar se si dhe nga vjen ky sukses.
Ky libër tenton ti dhuroj mundësinë publikut të kuptoj më afër këto procese intra-personale të autorit të cilët sigurisht që kanë qasje, metodologji, praktikë dhe bagazh magjepsës shumëvjeçar prapë secilës punë që ne e shohim të finalizuar në skenë.
Dhe kjo është pra synimi kryesor i kësaj serie që përmes këtyre “mikro-monografive” të punës artistike të njoftojmë më thellësisht kontribuesit dhe veprimtarinë e tyre dhe në të njëjtën kohë potencialisht të mësojmë diçka të re, një mjet të ri pune, një filozofi të menduarit për punën artistike që do të na ndihmoj apo inspiroj për të qenë artistë më të mirë dhe përfundimisht edhe njerëz më të mirë.
Materiali që paraqitet në këtë botim është i redaktuar duke përgatitur një dokument më konciz që vjen nga një intervistë apo diskutim shumë më i gjatë dhe disa sesione tjera më të shkurtra jo-formale me autorin.
Gjithashtu botimi është i realizuar me kontributin dhe pëlqimin e plotë të autorit.
Materiali fillestar gjatë përpilimit të botimit ka qenë në formë më standarde nga “pyetje-përgjigje” prej transkriptimit direkt dhe i plotë, i pandryshuar i video-intervistës por kjo formë e trajtimit është ndryshuar me qëllim të ofrimit të një dokumenti më të afërt dhe më të lexueshëm në këtë format.
Kështu që ky libër që keni në dorë ka një format tjetër ku i gjithë materiali është i strukturuar me hyrje për secilën tematikë që është diskutuar dhe me përgjigje të gjata ku autori nuk ndërpritet dhe në përgjithësi lexuesi ka mundësi të ndjek në mënyrë më të “gjallë” elaborimin e mendimeve të autorit.
Natyra e intervistimit të tillë ka qenë me qëllime koncize por shumë e hapur në mënyrë që autori të mund ti shpalos të gjitha detajet nga shumë pikëvështrime, prandaj si ekip i botimit kemi vendosur që materiali të mbetet ashtu i tërësishëm dhe i pandërprerë për një përvojë më reale të mendimit dhe shprehjës së autorit.
(Hyrja e Biografisë së Ilir Bajrit)
Ilir Bajri-Biografi
Ilir Bajri është kompozitor, performues dhe organizues i ngjarjeve dhe festivaleve muzikore në Kosovë. Ai është një prej figurave më komplekse muzikore me një kontribut të gjërë në skenën artistike në Kosovë. Karriera e tij artistike dhe kompozicionale shtrihet me mbi 30 vite aktive si performues në piano, tastierë elektrike të formave të ndryshme dhe modifikim e krijim të efekteve, si dhe prezantimin e një qasje postmoderne në artet ndërdisiplinore. Veprimatria e tij lidhet ngushtë me trashëgiminë muzikore të shek.XVIII-XIX në Kosovë dhe fuzionimin me zhvillimet muzikore moderne në Kosovë nga pjesa e dytë e shek.XX në skenat alternative. Një aspekt stilistik i cili e përfaqëson një pjesë të gjuhës së tij muzikore përveç tjerash, kontribut ky i cili në vete nuk paraqitet vetëm si produkt artistik por edhe si qasje dhe filozofi e të menduarit në këto periudha. Ilir Bajri është mishërim i këtyre filozofive dhe i një qasjeje muzikore që ngërthen në vete mënyrën e të jetuarit në qytet në Kosovë gjatë fundit të shekujve XX-XXI.