Colonel (Ret) SF Dritan Demiraj, Ph.D.
Ish Komandant i Forcave Speciale 2007-2013.
Lajmi i publikuar dje nga Komanda e Operacioneve Speciale Amerikane (SOCEUR) në Komandën Supreme Amerikane në Europë për vendosjen e shtabit pararojë të forcave të operacioneve speciale (SOF) në Shqipëri është një lajm shumë i rëndësishëm për vendin tonë, i cili tregon edhe një herë për mbështetjen e madhe që ushtria Shqiptare vazhdon të marrë nga aleati jonë i vetëm strategjik SHBA-të. Në shtesë të këtij lajmi të shkëlqyer, do ta vlerësoja si shumë të rëndësishme vendimin e qeverisë për rritjen e buxhetit të ushtrisë me 30 % (ngelet për tu parë nëse do të bëhet realitet), rritjen e rrogave të personelit ushtarak pasi personeli ushtarak në Shqipëri ka patur shpërblimin financiar më të ulët dhe rritjen më të vogël të pagave gjatë 20 viteve të fundit, rritjen e buxhetit për modernizimin e ushtrisë dhe krijimin e kapaciteteve të qënësishme për luftën kibernetike (megjithëse ky investim kërkon shumë mjete, pajisje, fonde dhe vite për të arritur në kapacitetet e duhura). Ky vendim është një vendim historik, pasi jo vetëm që do të rrisë prestigjin e forcave tona speciale në aleancë, por do të rrisë ndjeshëm ndërveprueshmërinë midis forcave të operacioneve speciale në rajon, do të përmirësojë procedurat e vendimarrjes, planizimit dhe ekzekutimit të misioneve speciale, do të rrisë kapacitetet operacionale, të inteligjencës, do të rrisë më tej fuqinë për tju kundërpërgjigjur të gjithë ndikimeve ruse, aleatëve të tyre dhe ndikimeve të tjera antiperëndimore në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. Në të njëjtën kohë, shpresoj që me këtë rast Ministri i Mbrojtjes z. Niko Peleshi një pjesë të buxhetit të ushtrisë ta kalojë për modernizimin e Forcave të Operacioneve Speciale Shqiptare (pasi tek plani vjetor nuk u përmendën investimet tek Forcat Speciale), në të cilat që nga viti 2013 dhe deri më sot nuk është bërë asnjë investim (përveç investimit të Mimi Kodhelit që hoqi nga puna gjithë efektivët më të mirë të njësisë, shkatërroi krejtësisht këtë njësi model të NATO-s dhe tërmetit në vitin 2019 që ka rrëzuar të gjitha godinat). Ky është një lajm shumë i mirë pasi konfirmon në vazhdimësi rëndësinë që SHBA-të i kushtojnë ushtrisë Shqiptare, por në të njëjtën kohë edhe mbështetjes së Kombit Shqiptar në përgjithësi, duke e kthyer vendin tonë në një qëndër ekspertize të sigurisë rajonale në drejtim të kapaciteteve SOF në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ky është pikërisht momenti më i mirë që në rolin e vëzhguesit në këtë komandë të ftohen edhe një grup oficerësh nga FSK-ja, qeverive të së cilës prej disa vitesh u kam bërë thirrje se duhet të fillojnë përgatitjen për krijimin e njësisë së Forcave të Operacioneve Speciale. Por si erdhëm deri këtu? Integrimi i plotë i Republikës së Shqipërisë në NATO, përmbushja e detyrimeve dhe angazhimeve që rrjedhin nga anëtarësimi, veçanërisht ato të Forcave të Armatosura, prezenca me kontingjente luftarake të forcave speciale në zona operacionesh në kuadër të komandave operacionale të NATO-s në Afganistan, Irak apo dislokime të mundshme të ardhshme të Task-Forcave Tokësore të Forcave të Operacioneve Speciale (SOLTG), reformimi i tyre drejt një force të armatosur tërësisht profesioniste, të gatshme dhe të përgatitur ushtarakisht për realizimin e misionit të tyre kushtetues, reduktimi i kontributeve sasiore dhe rritja e atyre cilësore në NATO, etj i vendosin Forcat Speciale Shqiptare në një rol të ri organizimi dhe angazhimi.Nëpërmjet një qasje konceptuale të forcave speciale, si forca më e suksesshme në kohën e luftës asimetrike, rolit të tyre në mjedisin e ri të sigurisë në kushtet kur rreziqet dhe kërcënimet nga ushtritë jo miqësore me NATO-n dhe SHBA-të, ISIS-it, al-Qaedës, Talebanët Afganë, Fronti al-Nusra, Boko Harami, al-Shababi, etj janë rritur ndjeshëm, forcimi i këtyre forcave synon të identifikojë kërkesat aktuale dhe të perspektivës të përdorimit të forcave speciale, të vendimmarrjes politiko-ushtarake në përballimin e sfidave aktuale të ardhshme në ambientin e ri të sigurisë. Duke analizuar aktorët dhe faktorët që ndikojnë në procesin e përdorimit të Forcave Speciale në tërësi, gjykoj se duhet sa më shpejtë të konturohet një plan i mirëfilltë investimi, një përqasje më e mirë konceptuale, strukturore dhe e vartësisë operacionale të Forcave të Operacioneve Speciale Shqiptare (ROS), e parë si pjesë e një mozaiku më të gjerë në mjedisin e ri strategjik të sigurisë dhe të mbrojtjes, të rreziqeve dhe kërcënimeve rajonale dhe globale, në mbështetje të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në realizimin e misionit të tyre kushtetues dhe përmbushjes së angazhimeve dhe detyrimeve si anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO).Shpresoj që ky angazhim/vlerësim i pari i këtij lloji në rajon dhe jo vetëm, të kontribojë në reformimin e strukturës së forcave speciale shqiptare, me rekomandime për një strukturë më operacionale dhe të ndërveprueshme me forcat speciale të NATO-s, mbi një arkitekturë të re, përmirësime konceptuale, strukturore, infrastrukturore, modernizimi, informative, inteligjence dhe analitike, e parë në shkallë më të gjerë e ndërthurur me komandat dhe forcat e tjera të ushtrisë, për një prioritarizim strategjik dhe kontribut kombëtar cilësor, të harmonizuar në sigurinë kombëtare dhe strukturat e forcave speciale të NATO-s. Nisur edhe nga ky vlerësim, gjykoj se roli i Komandës së Regjimentit të Operacioneve Speciale (ROS) duhet vlerësuar më shumë nga Presidenti, Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes, duke e parë për herë të parë këtë komandë si një element të rëndësishëm të Sigurisë Kombëtare, si një aset strategjik të Republikës së Shqipërisë në një shoqëri demokratike, si aseti më i suksesshëm në Luftën Kundër Terrorizmit (LKT), larg backgroundit politik dhe historik. Dua të theksoj se gjatë viteve 2007-2013, Komanda e Forcave Speciale Shqiptare bazuar në mbështetjen e jashtëzakonshme të SHBA-ve, në ekspertizën e grumbulluar në shkollat dhe kurset më të mira të NATO-s dhe SHBA-ve, së bashku me stërvitjet e përbashkëta të intensifikuara gjatë atyre viteve me njësitë më të mira speciale të SHBA-së, me eksperiencën e shkëlqyer të misioneve luftarake “Eagle 1-8”, me vlerësimet dhe rekomandimet e NSHQ, USSOCOM-it, SOCEUR-it, SOCOM-it dhe DoD-së për zhvillimin dhe strukturimin e tyre, me mbështetjen e madhe të qeverisë Shqiptare dhe të tre ministrave të mbrojtjes, arriti të krijonte një njësi model e cila deri në vitin 2013 ishte kryefjala e të gjitha takimeve, konferencave dhe vlerësimeve të administratës më të lartë të SHBA-ve, Pentagonit, ISAF-it dhe NATO-s. Në rast se Shqipëria dhe kryeministri Rama në të vërtetë e vlerësojnë këtë si një super lajm, me këtë rast do të dëshiroja t’u paraqes disa rekomandime, të cilat gjykoj se duhet të shërbejnë si “Way Ahead” mbi të cilat duhet të zhvillohen Forcat Operacionale Speciale Shqiptare:1. Përfundimi i përcaktimt të plotë dhe përfundimtar të rolit dhe vendit të forcave speciale Shqiptare në dokumentat e Strategjisë të Sigurisë Kombëtare. Këto forca, duke qenë një aset strategjik për shkak të veçorisë së përdorimit të taktikave dhe teknikave jo konvencionale, për arritjen e objektivave me rëndësi të madhe politike, ushtarake, strategjike duhet të kenë në të ardhmen një përcaktim të qartë në dokumentat e Strategjisë Kombëtare. 2. Rishikimi i infrastrukturës ligjore që rregullon funksionimin e tyre, ripërcaktimi i detajuar i misionit dhe detyrave që kryejnë këto forca brenda dhe jashtë vendit, në përputhje me definicionet e strategjisë që do të hartohet për forcat speciale. 3. Zhvillimi i forcave speciale duhet të jetë i orientuar drejt integrimit dhe arritjes së ndërveprueshmërisë së plotë me ato të forcave speciale të NATO-s. Parësore është vendimmarrja për krijimin e kapaciteteve të një Task Force për Operacionet Speciale (SOTG) brenda vitit 2022.4. Hartimi i një plani afatmesëm dhe afatgjatë të zhvillimit të forcave speciale, i ndarë në faza me qëllim krijimin dhe deklarimin në NATO të SOTG-së si plotësisht operacionale (FOC) deri në fund të vitit 2022.5. Rishikimi i strukturës së komandim-kontrollit dhe strukturës së tyre. Mbështetur në rekomandimet e NSHQ-së, SOCOM-it dhe eksperiencat e forcave speciale të vendeve aleate, rekomandoj si të detyrueshme që ato të jenë nën vartësinë e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe rekomandoj krijimin e një zyre për forcat speciale në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.6. Krijimi i një krahu mbështetës ajror në dispozicion të Regjimentit të Operacioneve Speciale (ROS). 7. Duhet realizuar sa më shpejtë shtrirja e sistemit BICES në garnizonin e Zall-Herr-it.8. Stërvitja e personelit të ROS-it në kurset e ofruara nga NSHQ në Monx. 9. Kompletimi i ROS-it me pajisje operacionale moderne të ndërveprueshme me NATO-n (veshmbathje multicam, armatim modern, pajisje shikimi nate, etj). 10. Rritja e menjëhershme e pagesës së vështirësisë së forcave speciale dhe komando, rifillimi i procesit të seleksionimit pasi kjo do t’i hapë rrugë rekrutimit cilësor të të rinjve që duan t’i bashkohen këtyre forcave. Sot shumica e efektivit është jashtë gjendjes së duhur fizike, taktike dhe motivimit që kërkohet në këto forca për shkak të shumë arsyeve. Padyshim që ky proces nëse fillon sot do të kërkojë të paktën 3-4 vite për tu përmbyllur. 11. Ndërtimi i menjëhershëm i ndërtesave të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019, përmirësimi i kushteve të jetesës, punës dhe stërvitjes, pasi që nga viti 2019 efektivi vazhdon të punojë dhe jetojë në çadra. 12. Ndërtimi i një shtëpie moderne taktike dy katëshe me shumë dhoma, ndërtimi i një godine moderne për izolim (ISOFAC) me të gjithë elementët e saj, pasi ky projekt e kërkon urgjentisht këtë ambient për planizimin dhe ekzekutimin e operacioneve speciale gjatë stërvitjeve të përbashkëta me njësitë e huaja speciale. Me këtë rast dëshiroj të falënderoj nga zemra të gjithë operatorët e forcave speciale Shqiptare “ROS” dhe të shprehja mirënjohjen më të thellë për familjen e Kapiten Feti Voglin, “Dëshmor i Atdheut”, Rreshter Ibrahim Bashës “Dëshmor i Atdheut” dhe Rreshter Marenglen Bramatit.Kushdo që është i interesuar për rolin, misionet, strukturën, stërvitjen, pajisjet, mësimet e nxjerra etj mund të gjeni një analizë të hollësishme për operacionet speciale nga muaji tetor 2001 në Afganistan, Irak, Afrikë, etj deri tek konflikti në Nagorno-Karabakh në datën 10 nëntor 2020 gjatë konfliktit Azerbaxhan-Armeni, mund ti lexoje tek libri:”Forcat Speciale dhe Lufta Asimetrike”, Tirane, 2021. Colonel (Ret) SF Dritan Demiraj, Ph.D.Ish Komandant i Forcave Speciale 2007-2013.