Regjisori Valmir Tertini sjell një dokumentar biografik për jetën e veprën e aktorit të madh shqiptar Bekim Fehmiu, me skenar nga Fahri Musliu dhe producent Jaklid Gace. Në një intervistë ekskluzive dhënë editorit të “Diellit” Sokol Paja, regjisori i filmit Tertini rrëfen për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, të vërtetat e jetës së Bekim Fehmiut, arritjet e tij, detaje rreth organizimit të dokumentarit jetësor dhe mbi të gjitha shuan çdo pikëpyetje për karrierën dhe jetën e aktorit të shquar Bekim Fehmiu.
NJË DOKUMENTAR PËR JETËN E BEKIM FEHMIUT
Dokumentari “Bekim Fehmiu” është rrëfimi më adekuat i një aktori të keqkuptuar, pra është e vërteta e tij nga faktet vizive, fjalët e tij, shpjegimet e të afërmve e deri tek pikëpyetjet e krijuara ndër vite. Dokumentari i gjatë artistik kushtuar aktorit shqiptar Bekim Fehmiu nisi si ide në vitin 2018 për të vazhduar si projekt filmik. Synimi ishte në 10 vjetorin e ikjes së tij fizike, pra ne 2020 te kemi premieren ne Prizren, por nuk nodhi ashtu. Pandemia e bëri të veten duke spostuar xhirimet e duke vështirësuar organizimin në Itali. Pas idesë së dokumentarit faza tjetër me takime intensive mbi skenarin dhe aplikimet për fonde. Ministria dhe Qendra Kinematografike në Kosovë e refuzuan projektin 2 herë. Qendra Kombetare e Kinematografisë në Shqipëri e financoi për të nisur punën, xhiruam fillimisht në 5 shtete, Kosovë, Shqipëri, Serbi, Bosnje, Kroaci, pandemia na ndërpreu xhirimet kështu që Italinë e lamë për një moment tjetër. Ndërkohë ne punonim në montazh por filmi nuk ishte i rrumbullaksuar, na duhej xhirime dhe në Itali, pasi mbyllem atë, tani ne kompletuam mungesat dhe ishim gati për dorën finale në post produksion. Shumë gjëra ekskluzive u zbuluan ndër vite që dokumentari të pasurohet në nivelin që është tani.
BEKIM FEHMIU SI IDENTITET KULTUROR
Bekim Fehmiu ishte aktori i parë i Evropës Lindore që luajti në Hollywood gjatë Luftës së Ftohtë dhe ishte një nga aktorët më të njohur ndërkombëtarisht. Në dokumentar Enver Petrovci thotë: “Krejt kemi pas qef me qenë si Bekimi” si dhe rastin kur ai ka ardhë me i vizitu në prova: “Po vjen Bekimi me na pa në prova, le mos bo hajgare”. Nga këto komente dhe shumë të tjera kuptojmë se identiteti kulturor i Bekim Fehmiut ishte një Idol, jo vetëm për artistet shqiptar por shumë më shumë.
NJË DOKUMENTAR QË IU PËRGJIGJET FAKTEVE RRETH BEKIM FEHMIUT
Dokumentari është observativ, pa narracion, por me intervista, i xhiruar në 6 shtete, Kosovë, Shqipëri, Serbi, Bosnje, Kroaci dhe Itali. 66 minuta. Dokumentari nis me vdekjen duke zbuluar të vërtetat e vetëvrasjes, pastaj lindja e deri tek kulminacioni i tij, shkëlqimi dhe rolet e mëdha. Kur ke famë padyshim se lindin keqkuptime dhe gojëdhena. Si u bë i njohur në ish Jugosllavi një aktor shqiptar i cili u pranua në akademi të arteve me kusht e pa njohur gjuhën serbe. Krijimi i familjes me Brankën. Largimi nga skena si protestë. Vetëvrasja etj. Të gjitha këto keqkuptime marrin fund, sepse dokumentari u përgjigjet me fakte.
SI ISHTE BEKIMI NË TË VËRTETË
Të intervistuarit e tregojnë Bekimin siç ishte në të vërtetë, që nga lindja, kulminacioni, veset e tij e deri tek vdekja. Rrëfime ekskluzive nga vëllai, gruaja, shokët, kolegët, bashkëpunëtoret e tij.
PREMIERA, NJË EMOCION I JASHTËZAKONSHËM
Premiera e madhe ishte në Tiranë, një emocion i jashtëzakonshëm për një punë mbi 5 vjeçare. Vendosëm që të bënim Premierë të mbyllur për shkak të interesimit të madh, nuk doja që të bëhej kaos dhe të mos kishte vende për të tjerët, por salla të mbushej përplot me personalitete, stafin realizues, kineastë dhe bashkëpuntorë të ftuar dhe ashtu ndodhi. Vërtetë më mirë sesa që e planifikuam. Premiera tjetër për Kosoven ndodhi në Prizren, kinemaja me e madhe atje u mbush përplot me të ftuar. Bekimi iu kthye Prizrenit tanimë në një film dokumentar dhe publiku e mirëpriti atë. Filmi dokumentar do të ketë edhe disa premiera të tjera në vendet ku është xhiruar, po ashtu dhe ekskluzivisht do vijë në NewYork për artëdashësit shqiptar dhe të huaj atje.
Trailer: https://youtu.be/60D0CPTBZVg
Video Premiera: https://www.youtube.com/watch?v=l1yubxGy1z4&t=2s