
Eugen Kallfani, arkitek, Drejtues i Monumenteve të Kulturës në qytetin e Beratit, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën e turizmit në qytetin e Beratit, restaurimet e shtëpive, lagjet muzeale, ndërhyrjet në objektet kulturore dhe muzeun e qytetit të Beratit. Me arkitekt Kallfanin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

TURIZMI KULTUROR NË BERAT DHE NDIKIMI I COVID-19

Nën vorbullën e një krize shumë dimensionale, situata sidomos në dy muajt e parë të pandemisë ( mars – prill ) ka ndikuar në formimin e një efekti shokues në aspektin shëndetësor, psikologjik e ekonomik. Ndër sektorët më të prekur rezulton edhe ai i turizmit ku Berati në rang kombëtar vitet e fundit ka patur një rritje të jashtëzakonshme. Pezullimi i transporteve, i fluturimeve, i shtrëngimit të masave të domosdoshme të ndërmara në kuadër të politikave ndërkombëtare në fushën e shëndetësisë, pasoi me një stopim të vizitorëve me një efekt shumë negativ në turizmin kulturor, në rezervimin e hoteleve, në frekuentimin e restoranteve, të bujtinave, të strukturave të agroturizmit etj. Nëse muajt e parë të pandemisë sfida ishte të përballohej me çdo kusht situata e pandemisë me qëllimin e vetëm minimizimin e rasteve me pasojë vdekjen, gradualisht krizës shëndetësore iu bashkangjit edhe kriza ekonomike që me kalimin e javëve mori një revansh gati gati më dominues se aspekti shëndetësor. Shumë biznese në fushën e turizmit nuk u hapën në fund të muajit prill i cili ka përkuar vitet e fundit me fillimin e sezonit të turizmit kulturor. Rezervimet u anuluan fillimisht duke prekur javët e majit dhe qershorit e më pas një anullim drastik i rezervimeve edhe për muajt në vazhdim. Bizneset e hotelerisë u detyruan të pezullojnë momentalisht aktivitetet dhe hasën në vështirësi jo të vogla në aspektin financiar.

RESTAURIMET NË OBJEKTET MUZEALE TË QYTETIT
Nëntori i vitit 2019 ishte goditja e parë në aspektin financiar e më pas situata e Covid – 19 në fillim të këtij viti e çoi në kolaps edhe sektorin financiar të shtetit i cili u detyrua të ndërmerte politika financiare të fokusuara kryesisht në sektorin e shëndetësisë dhe ekonomisë.

Plani vjetor pësoi natyrshëm një përshtatje të kushtëzuar nga rrethanat por gjithsesi duke u munduar që të ” amortizojmë ” sa më shumë pasojat e rënda në fushën e turizmit kulturor.

Të koordinuar me ministrinë e kulturës u rishikua plani vjetor duke u bazuar në identifikimin e prioriteteve në disa prej monumenteve të rëndësishme që kishin nevoja më urgjente se të tjerat. Për sa i përket aktivitetit të mirëmbajtjes / restaurimit të monumenteve po punohet në restaurimin e banesave monument Kulture kategori e parë në lagjen Goricë si banesa e Bozho Fileri dhe banesa e familjes Bullari. Punimet restauruese konsistojnë në restaurimin e elementëve arkitektonikë të fasadës, të strehëve, të elementëve drusorë si kolonetat e qosheve, kornizat e dritareve, fashaturat horizontale, kolonetat e drurit në pjesen e qoshkut, në restaurimin e pjesëve të degraduara të sovasë, lyerje me dy duar shërbet gëlqere dhe me vaj lini e antimol gjithë sipërfaqet e drurit. Kjo punë e realizuar 100 % me fondet e shtetit me anë të specialistëve të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare – Berat ka bërë të mundur parandalimin e degradimit të mëtejshëm të monumenteve. Ndërhyrjet do të vijojnë dhe në monumentin tjetër kategori e parë në lagjen Goricë, në banesën e familjes Buda, ku punimet do të fokusohen në restaurimin e pjesëshëm të çatisë dhe portës kryesore të saj. Gjatë vitit sfidat e tjera janë ato të restaurimit të çatisë të banesës monument kulture kategori e dytë në lagjen “ Mangalem “, në restaurimin e kishës së “ Shën Mitrit “ dhe kishës së “ Shën Joan Gojëartit “ në kalanë e Beratit. Gjithashtu janë drejt finalizmit punimet restauruese të xhamisë së Beqarëve e cila mund të jetë pas gati dy vitesh restaurimi një diamant i trashëgimisë kulturore në Berat i hapur për vizitorët e besimtarët. Po ashtu po vazhdohet me restaurimin e interierit të xhamisë “ Mbret “ dhe të teqesë së “ Helvetive “ ku specialistë restauratorë shqiptarë po bëjnë një punë vërtet të kujdesëshme. Krahas këtyre që përmenda më sipër vlen të theksohet që paralelisht do të punohet pë restaurimin e dy ikonave në fondin e laboratorit të drejtorisë si dhe në vazhdimin e punës shumë delikate të afreskut të kishës së Shën Triadhës në kalanë e Beratit.

BERATI, NJË MAGJEPSJE PËR TURISTËT E HUAJ

Viti 2020 në fakt pritej të ishte një vit shumë i suksesëshëm sepse në turizmin kulturor vijimësia e një sezoni të ngjashëm me atë të vitit 2019, ku u kap një shifër rekord rreth 143 000 vizitorë do të përkthehej në një mundësi të madhe që ky vit të ishte edhe më i suksesëshëm në këtë aspekt. Në rang kombëtar për nga numri i vizitorëve, Berati ka shënuar numrin më të madh të frekuentuesëve, përjashtim bën këtu Butrinti i cili është shumë i frekuentuar gjatë sezonit veror, por i shtrirë në harkun e gjithë vitit dhe në mesataret mujore mund të themi se Berati është një nga destinacionet më të rëndësishme në rang kombëtar por nuk e ekzagjerojmë po të themi edhe një nga destinacionet më interesante në Europën jug –lindore. Në Berat turistët vizitojnë Kalanë e saj madhështore me një sipërfaqe 9.6 ha të vendosur mbi kodrën e rrethuar me murre masive të larta e me 24 kulla vrojtimi të cilat janë dëshmi e shtresëzimeve të ndryshme nga pikëpamja historike dhe ndërtimore. Berati është një nga shembujt e rrallë të kalasë së banuar, një qytet ku jeta prej afërsisht 2500 vjet ka vijuar pa ndërprerje. Në murret e kalasë “ lexohen “ trakte të murreve të periudhave të ndryshme që dëshmojnë për një dinamikë të rëndësishme të zhvillimit të qytetit. Bukuritë e kishave bizantine të Kalasë me afresket e tyre mahnitëse, sharmi i lagjes Mangalem, i qendrës mesjetare me xhaminë “ Mbret “ me teqenë e “ Helvetive “ me “ konakët e dervishëve” , të “ xhamisë së Beqarëve “, të kishës së “ Shën Mëhillit” në shkëmb , të kishës së “Shën Spiridhonit “ e “Shën Thomait “ në Goricë, të urës së Goricës, të kalasë së Goricës, të muzeut ikonografik “ Onufri “ , të muzeut Etnografik etj. Pra me dhjetra monumente të kultit ortodoks e musliman dhe qindra shembuj interesantë të arkitekturës së banesës popullore. Rrugicat e Mangalemit japin ndjesinë e një “muzeu të gjallë “ e të hapur drejt natyrës. Mali i Tomorrit i dyti mal më i lartë në Shqipëri me majën 2416 metra “ dominon” pjesën lindore të një qyteti mbresëlënës të rrethuar me kodra. Pra vizitorët në Berat kanë mundësi pafund që itenerari i tyre turistik të jetë i larmishëm dhe tepër dinamik duke u “ zhytur “ thellë në historinë e një qyteti që lë mbresa shumë pozitive tek të gjithë.
BIZNESET E TURIZMIT MES RIMËKËMBJES E FALIMENTIT

Bizneset në Berat, kryesisht ato të sektorit të turizmit kanë qenë më të “ goditurat “ nga vala e pandemisë dhe efekti i tyre si e theksuam më lart ka qenë shumë negativ. Pas hapjes graduale restorantet dhe hotelet janë hapur por me përjashtim të disa rasteve sporadike të frekuentimit në fundjavë nga vizitorë vendas, ( kryesisht nga kryeqyteti ) duhet thënë se sidomos pjesa e hotelerive thuajse ka qenë e pa frekuentuar. Ndihma dhe masat e ndërmara nga qeveria ka patur efekt lehtësues por gjithsesi krahasimi me pritshmëritë e të ardhurave nga turizmi e ka zbehur shumë edhe atë pjesë sepse shumë biznese kanë minimizuar stafet, kanë pezulluar aktivitetet ose punojnë me personel shumë shumë të reduktuar. Disa grupe nga Bjellorusia apo Bullgaria kanë qenë prezente në qytet ditët e fundit dhe shpresojmë që gradualisht situata të përmirësohet. Qeveria është munduar të përballojë këtë me pagën e luftës, me ndarjen në këste të tatimeve, në incentiva favorizuese por gjithsesi situata ngelet përsëri e komplikuar dhe sfiduese edhe për shtetet më të fuqishme të Europës e jo më për buxhetin e një shteti të vogël si Shqipëria ku sektori i turizmit dhe sektorë të tjerë që gjenerojnë të ardhura falë tij, zënë një peshë të madhe në GDP.
TURIZMI, DRITË NË FUND TË TUNELIT
Në këtë kohë të pazakontë turizmi kulturor ngelet përsëri një nga sektorët që japin shpresën e optimizmin drejt normalitetit që të gjithë presim. Marja e disa nismave si për shembull lejimin e vizitave falas të muzeumeve ditën e djelë, apo reduktimi i çmimit të biletës gjatë ditëve normale të javës kanë për qëllim “ thithjen “ e turistëve vendas për të frekuentuar qytetin, për tu akomoduar në hotele apo për të drekuar në restorantet që ofrojnë një kuzhinë tradicionale shumë të pëlqyer. Nisma si ajo e normalizimit të situatës në aspektin e përkujdesjes apo ndaj mirëmbajtjes pastër të sitit, të vijimit të aktivitetit restaurues apo nisma si ajo e mirëmbajtjes së pikës vrojtuese nga çanaku duke shtuar elementë të rinj të vëzhgimit me dylbi nga pika paronamike mbi qendrën historike, janë disa risi pozitive në aspektin e promovimit të qendrës historike të Beratit. Gjithashtu disa telereportazhe, emisione në televizionet më të shikuara në vend apo edhe video promovovuese shumë interesante kanë patur si qëllim promovimin e turizmit dhe të bizneseve jo vetëm në qytet por edhe në struktura të agrobiznesit në rrethinat e Beratit, në kanionet e Osumit, në kantinat e verërave etj.