Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e Albert Trocit, mjek kirurg në spitalin “Luigi Sacco” në Milano, Itali, dhënë gazetarit Sokol Paja. /
Kirurgu Albert Troci një mjek shqiptar që punon e jeton prej dy dekadash në Itali, rrëfen me detaje dhimbjen e vuajtjen në betejën që po zhvillon sot shteti Italian për të menaxhuar pasojat e tmerrshme nga Covid-19. Si drejtues i shëndetësisë në spitalin “Luigi Sacco” në Milano, Itali, doktor Alberti nuk lë pa përmendur edhe xhestin human të shqiptarëve që kanë ofruar shërbime restoranti e picerie për të gjithë punonjësit e shëndetësisë në Milano duke dhënë një kontribut human për ekipet e palodhura të shëndetësisë, në një betejë që goditi pa mëshirë sidomos Italinë. Lombardia krahinë e veriut të Italisë ishte i pari vend perëndimor liberal që u godit nga pandemia botërore.
SHPËRTHIMI I VIRUSIT NË LOMBARDI
Doktor Alberti tregon se në fillim shpërthimi i virusit i gjeti të papërgatitur italianët edhe pse nga Kina po arrinin informacione rreth këtij virusi vdekjeprurës. Numri i viktimave që në këtë pikë të pandemisë ka arritur shifrën e tmerrshme 26.644, është nga ndër më të lartët në botë pas SHBA-së. Për fat dhe si rrjedhojë e masave të marra, në momentin që po shkruaj, kemi një trend në ulje të pacientëve të ri që preken nga virusi sars-cov-2 dhe tensioni në spital është ulur shumë. Sipas Doktor Albertit, jemi akoma me masa shtrënguese të lëvizjes së qytetarëve dhe po përgatitemi për fazën e 2-të falë indikatorëve pozitivë që po vërejmë ditët e fundit.
MASAT E MARRA NGA QEVERIA
Nga data 8 mars e këtij viti, na shpjegon doktor Albert Troci, nga shteti italian u morën masa shtrënguese me mbylljen e të gjithë aktiviteve jo esenciale si bllokimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve, pezullimi i aktiviteteve didaktike, të ceremonive, spektakleve dhe kompeticionet sportive. Ky lockdown është ndër më të zgjaturit në kohë pas 77 ditëve të Wuhan-it në Kinë. Këto masa, sipas doktor Trocit pas kaq shumë kohe po shtypin egër indin social dhe ekonomik të vendit, por ishin të domosdoshme për të evitur skenarë edhe më tragjikë. Në spitalin ku punoj, rrëfen doktor Alberti, që nga identifikimi i rastit të parë me Covid-19 nisi riorganizimi i shtretërve. U përcaktua korridori që ne i quajme ”biokontenimento” se si të trajtohen këta pacientë nga momenti i arritjes në spital e deri tek trasferimi sipas nevojës në reanimacion. Jeta jonë si specialistë rrëfen doktor Alberti ndryshoi totalisht si brenda dhe jashtë spitalit. Unë si shumë kolegë me specialitete të tjera, nga Kirurg, u shëndërrova në mjek që trajton pacientë me COVID-19.
SHQIPTARËT NË LOMBARDI
Ashtu sikurse dihet tashmë, Italia ka një ndër komunitetet shqiptare me numrin më të lartë jashtë atdheut. Të gjithë shqiptarët sipas doktor Trocit, ju janë përgjigjur në mënyrë ekselente masave dhe urdhrave ekzekutivë të shtetit italian. Në luftë me pandeminë botërore shqiptarët në Milano sipas doktor Albertit u treguan shumë fisnikë. Në shumë raste shumë shqiptarë që kanë aktivitete shërbimi si restorante dhe piceri u kanë ofruar ndihmë punonjësve të spitaleve në shenjë falenderimi për punën e bërë në betejën kundër Covid-19. Një xhest shumë human që është duartrokitur dhe ka lënë një shije të jashtëzakonshme te qytetarët italianë në Milano. Një tjetër problem sipas doktor Albertit janë pezullimi i fluturimeve dhe mbyllja e kufijve. Ka patur edhe plot shqiptare që në momentin që u ndaluan udhëtimet, të cilët ndodheshin në Itali për motive të tjera, kanë mbetur fatkeqësisht të bllokuar dhe po presin që të kthehen në Shqipëri.
KURBA E TË INFEKTUARVE NË LOMBARDI
Po të analizojmë kurbën e Italisë, sipas doktor Albert Trocit, tani jemi në ulje të bindshme të të prekurve të ri dhe R0 (R me zero) që është indeksi i infeksionit të coronavirusit është ulur nën shifrën <1 dhe ndodhet ndërmjet 0.2 dhe 0.5. Ky indikator bashkë me indikatorë të tjerë si numri i pacientëve të shtruar në spitale dhe atyre që kanë nevojë për terapi intensive (thembra e Akilit e shumë sistemeve shëndetësore në botë) po ulet gradualisht. Indikatori që do të ulte më vonë se të tjerët është numri i vdekjeve ditore i cili në ditët e fundit edhe pse me shifra të larta po jep një lloj frymëmarrjeje. Mbetet akoma e lartë përqindja e letalitetit (d.m.th. raporti ndërmjet vdekjeve dhe rasteve pozitive) që është akoma mbi 13%. Personat aktualisht pozitivë janë 106.103, të shëruarit 64.928. Nga personat e infektuar kemi 21.372 të shtruar në spital me simptoma dhe 82.722 ndodhen në vetëizolim në shtëpitë e tyre.
RIHAPJA DHE RIMËKËMBJA E EKONOMISË
Përgatitja për kthimin në jetë normale në Lombardi sipas doktor Albert Trocit ka hasur shumë vështirësi për të cilën qeveria ka krijuar task forcë “ad hoc”. Jeta jonë, sipas doktor Albertit, ka qenë në këtë periudhë e pezulluar si në limbon e famshme të Dante Alighierit. Këtë radhë në vend të Virgilios ndodhet Kryeministri Giuseppe Conte i cili po mundohet të nxjerrë vendin nga ky rreth. Plani i pasqyruar është ndarë në faza. Me datë 4 maj do të nisë faza e dytë ku është e detyrueshme mbajta e maskave sa herë që ndodheni në ambjente të mbyllura ose në prezencë të personave të tjerë. Mund të vizitosh të afërmit por nuk lejohet kryerja e festave publike dhe private. Lejohet aktiviteti fizik. Më e rëndësishmja është se do të rihapet shumica e industrisë së rëndë dhe të lehtë. Distancimi social do të mbetet pika kyce në të gjitha fazat. Mjetet publike do të kenë sinjale për distancimin dhe mënyrën e uljes duke e ulur kapacitetin për të ruajtur distancimin social. Më 18 maj, nqs, nuk do të ketë ringritje të kurbës do të ketë lehtësira të tjera masash. Do vërehet me shumë kujdes sjellja e kurbës dhe nëse në disa zona do të regjistrohet rritje të numrit do të krijohen mini zona të kuqe.
MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT
Në këtë luftë botërore që nuk e zgjodhëm ne, e cila na u prezantua në jetën tonë si një mik i padëshiruar, kundër këtij armiku të padukshëm dhe tinzar, sipas doktorit Albert Troci nuk duhet të ulim asnjëherë nivelin e kujdesit deri në fitoren përfundimtare. Është sëmundje reale dhe jo fantazi apo çmeduri kolektive. Kur shikon pacientë edhe në moshe jo të thyer që vdesin në vetmi pa praninë e të afërmeve dhe që përcillen në banesën e fundit në një qetësi shurdhuese të thyhet zemra. Shpresoj që ky hall botëror të nxjerrë njerëz më të mirë. Të kuptojmë se kush janë idealet e rëndësishme që duhet të ndjekim në jetë, deklaroi për gazetën Dielli, Albert Troci, mjek kirurg në spitalin “Luigi Sacco” në Milano, Itali.