

Biblioteka Kombëtare e Rumanisë, në bashkëpunim me Shoqatën Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë, zhvilloi të enjten, më 13 nëntor 2025, në orën 18:00, çeljen e ekspozitës së grafikës dhe vizatimit “Amprente și semne / Gjurmë dhe shenja”, të artistit të njohur shqiptar Gentian Zeka. Ekspozita u hap në sallën “Dealu Spirii” dhe u prit me interes të madh nga komuniteti kulturor, studiues, artistë dhe dashamirës të artit.
Në hapjen e aktivitetit përshëndeti parlamentari rumun dhe përfaqësuesi i pakicës së shqiptarëve të Rumanisë, Bogdan Alin Stoica, si dhe Dr. Radu Săvulescu, kryetar i ALAR-it, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit kulturor rumuno-shqiptar dhe mbështetjen e vazhdueshme për promovimin e krijuesve shqiptarë në Rumani. Gentian Zeka, i lindur në vitin 1957 në Pogradec, është një nga artistët më të spikatur të artit bashkëkohor shqiptar. Ai ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Ekspozitat e tij janë paraqitur në Austri, Gjermani, Rumani, Maqedoninë e Veriut, Suedi, Shqipëri e gjetkë, ndërsa veprat e tij gjenden në koleksione private në SHBA, Angli, Francë, Australi, Itali, Rumani dhe shumë vende të tjera. Ai është vlerësuar me çmimet “Vangjush Mio” – Çmimi II (2006) dhe Çmimi I (2008), në kuadër të Konkursit Kombëtar të Arteve Pamore në Shqipëri.
Grafikat e Zekës janë bizhuteri formash, linjash, aluzionesh dhe sugjerimesh, të frymëzuara nga format e pasura të natyrës dhe të realizuara me një finesë, elegancë dhe hijeshi të veçantë. Në ekspozitën „Amprente și semne”, artisti eksploron shprehësinë e vijës dhe të formës, duke ofruar një udhëtim delikat e poetik në memorien vizuale dhe shpirtërore të njeriut bashkëkohor. Kritika e cilëson artin e tij si një “poezi të dritës”, ku estetika ndërthuret në mënyrë organike me reflektimin filozofik dhe dimensionin e brendshëm shpirtëror.
Në hapjen e ekspozitës morën fjalën edhe Luiza Emilia Persu, piktore, në emër të Unionit të Artistëve vizualë të Rumanisë, si dhe piktori Nicolae Ionescu, i cili ishte dhe kuratori i ekspozitës si dhe kritiku i artit Luan Topçiu, të cilët vlerësuan thellësinë konceptuale dhe origjinalitetin e shprehjes artistike të Zekës. Folësit vlerësuan piktorin dhe grafistin Gentian Zeka, si një mjeshtër i rrallë për rafinamentin, sqimën, elegancën, thellësinë e mesazhit, forcën krijuese, duke e quajtur një artist të madh bashkëkohor. Ekspozita u zhvillua në kuadër të edicionit të VII-të të Ditëve të Kulturës Shqiptare në Rumani, një program kulturor i organizuar nga Shoqata “Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë” (ALAR), që synon të forcojë dhe pasurojë dialogun kulturor mes Shqipërisë dhe Rumanisë.