Nga dr. Sadik Elshani
Fotot: Eva Dori, gazetare
Muaji shkurt në shoqatën “Bijtë e shqipes” është mujai i shpalljes së pavarësisë së Kosovës që shënohet e festohet me një varg veprimtarish të llojllojshme. Këtë vitë veprimtaritë ishin më të shumta edhe për faktin se ky ishte përvjetori i 15-të i shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ditë më parë u organizua një veprimtari për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë në vitet 1941 – 1944, kur u vunë themelet e arsimit shqip në Kosovë. Ndërsa më 17 shkurt për herë të parë u organizua ngritja ceremoniale e flamurit të Kosovës në bashkinë e Filadelfias. Ishte kjo një ceremony madhështore në të cilën mori pjesë edhe ambasadori i Kosovës në Uoshington, z. Ilir Dugolli si dhe i tërë personeli i kësaj ambasade. Për të dyja këto veprimtari janë botuar shkrime të detajuara, prandaj nuk është nevoja që të zgjatemi më tepër këty.
Festimet e shoqatës sonë kulmuan me mbrëmjen solemne, me darkë e muzikë. Salla ishte zbukuruar me flamujt kombëtarë: amerikanë e shqiptarë (kuqezi), si dhe atë të shtetit të Kosovës, tullumbace me ngjyrat e kaltërta e të verdha, Pak nga pak salla u mbush plot me bashkatdhetarë. Gëzimi, krenaria shprehej në fytyrat e qeshura të të gjithë pjesëmarrësve ne këtë mbrëmje festive, nga të gjitha trojet tona etnike. Pjesëmarrja e bashkatdhetarëve tanë nga Kosova që jetojnë në Philadelphia e rrethinë ishte e kënaqëshme. Kemi për çka të gëzohemi, sepse pas vuajtjeve shekullore nën thundrën e Serbisë, pas përpjekjeve mbinjerëzore dhe një lufte të pandërprerë 100 vjeçare, shqiptarët e Kosovës ngadhnjyen, dolën fitimtarë dhe më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur, shtet i njohur nga fuqitë më të mëdha dhe nga demokracitë më të përparuara të botës. Është ky një kurorëzim i suksesshëm i angazhimeve dhe luftërave të brezave të tërë të shqiptarëve, përpjekjeve dhe sakrificave të intelektualëve dhe të gjitha forcave përparimtare e atdhetare, luftës heroike të UÇK-së, punës së madhe të diasporës shqiptare të Amerikës dhe Europës dhe ndihmës vendimtare që na dhanë miqtë tanë, sidomos ShBA-të dhe aleanca e NATO-s – një bashkëveprim i bashkërenduar mirë i faktorit vendor dhe atij ndërkombëtar.
Mbrëmjen festive e hapi kryetari i shoqatës, zoti Bujar Gjoka, icili u dëshiroi të pranishmëve mirëseardhjen, duke iu uruar atyre këtë ngjarje të rëndësishme të historisë sonë kombëtare – ngjarjen e dytë më të madhe të kombit shqiptar, pas shpalljes se pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912. Pasta jai vazhdoi me një pasqyrë të ngjarjeve dhe përpjekjeve të disa figurave qëndrore të historisë sonë shumëshekullore. Në vazhdim ai ceku disa të arritura të Kosovës në fushën e sportit, kulturës, bujqësisë dhe ekonomisë dhe shprehu dëshirën që udhëheqësit e Kosovës me punë të përkushtuar ta çojnë vendin përpara drejt integrimeve përendimore, organizatave botërore, përfshirë edhe anëtarësimin në OKB. Pastaj z. Gjoka i njoftoi shkurtimisht të pranishmit për punën dhe veprimtaritë e shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe sidomos për punët dhe përpjekjet këmbëngulëse që shoqata dhe bashkësia jonë janë duke i bërë për meremetimin, rregullimin e godinës sonë të re. Si në çdo takim tonin, edhe me këtë rast, zoti Gjoka u bëri thirrje bashkatdhetarëve për të mos i kursyer ndihmat për ta kryer me sukses këtë projekt madhështor të një rëndësie të madhe, jo vetëm për bashkësinë shqiptaro – amerikane të Philadelphias, por për tërë diasporën tonë në Amerikë e gjetiu. Do të krijojmë kushte shumë më të mira për mbarëvajtjen e punës së shkollës, shoqatës dhe të bashkësisë sonë.
Raste te tilla u japin mundësinë bashkatdhetarëve që të takohen me njër – tjetrin, të këmbejnë mendime e përshtypje për cështje të ndryshme. Bisedat vazhdonin në mes të bashkatdhetarëve për çështjet shqiptare, gjendjen në Shqipëri, Kosovë e trojet tjera shqiptare. Të gjithë pajtoheshin se, historia sado e lavdishme, është histori, tani duhet të përqëndrohemi që të ndërtojmë një shtet modern me institucione funkcionale demokratike, duke përmbushur kështu idealet dhe ëndrrën e të gjithë atyre që u flijuan për lirinë e Kosovës. Dhe për këtë është i nevojshëm angazhimi i të gjithëvë, sidomos atyre që janë në pozita udhëheqëse. Udhëheqësit e shtetit, organeve shtetërore dhe partive politike duhet të heqin dorë nga zënkat e ulëta, fyerjet, sharjet dhe akuzat e ndërsjella dhe t’u rreken me seriozitet e përkushtim çështjeve madhore të kombit tonë. Përvoja jonë historike me Serbinë dhe ngjarjet e kohëve të fundit janë dëshmi se provokimet, intrigat, kërcënimet, ëndrrat e tyre për Kosovën nuk pushojnë kurrë. Një vemendje e posaçme u kushtohej edhe ngjarjeve më të fundit, bisedimeve me Serbinë, mbyllje së këtij konflikti shekullor.
Kjo mbrëmje solemne madhështore ishte edhe një rast i mirë për t’i nderuar me “Certifikatë mirënjohjeje” disa veprimtarë të dalluar të shoqatës sonë, të cilët me angazhimin e tyre ndër vite, jo vetëm në shoqatë, por edhe në Kosovë, kanë dhënë ndihmesën e tyre të çmuar për pavarësinë e Kosovës, ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditave tona kombëtare. U nderuan: z. Destan Rukiqi, familja Osmanollaj, z. Maliq Arifaj dhe z. Xhavit Hamza.
Gjatë tërë mbrëmjes atmosfera ishte mjaft e gëzueshme, ngazëlluese, kënga dhe vallja vazhduan gjer në orët e vona. Për këtë u kujdes DJ i gjithanshëm, Renaldo Ramo dhe këngëtari i talentuar, Arjol Shpuza. Jehonin këngët dhe vallet nga të gjitha krahinat shqiptare, sidomos ato nga Kosova. Por, yjet e vërteta të kësaj mbrëmje ishin vogëlushet: Dea Ismaljati dhe Arita Rukiqi, të veshura me fustana – flamurin e Kosovës, ato i dhanë një bukuri të veçantë kësaj feste, duke kënduar e vallëzuar me atë gëzimin e dëlirë fëmijëror. Arita, nxënësja e talentuar e shkollës sonë, me plot mjeshtëri artistike këndoi këngët: “O mallet e Shqipërisë” dhe “Pse jemi të ndarë”. Edhe ushqimet ishin mjaft të shijshme e të përgatitura si për festë. Të gjithë pjesëmarrësit e kësaj mbremje ishin shumë të kënaqur dhe shprehën dëshirën që të organizojmë sa më shpesh mbrëmje të tilla të hareshme familjare.
Në këtë ditë të shenjtë për Kosovën dhe gjithë kombin tonë, shtetit të dytë shqiptar i urojmë mbarësi e përjetësi. Gëzuar!
Philadelphia, më 27 shkurt 2023
Sadik Elshani është anëtar i Këshillit Drejtues dhe ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”.