Ndriçim Kulla/
Në fillim të viteve nëntëdhjetë, edhe unë, si shumë të tjerë që kishin pasionin e të shkruarit dhe ishin si të dehur nga liria e të shprehurit, e fituar befasisht, bëja shumë projekte, pjesa më e madhe e të cilëve nuk kishin gjasa për t’u realizuar kurrë. Një nga projektet e mia të asaj kohe ishte që të shkruaja një libër biografik për Nënë Terezën. Unë mendoja se me qenë se Nënë Tereza ishte shqiptare, duhej që për të të kishte dhe një biografi të shkruar nga një shqiptar (atëherë nuk më kishte rënë ende në dorë biografia e parë për Nënë Terezën e botuar në Itali nga një shqiptar, Dom Lush Gjergji). Në atë kohë isha emigrant në Greqi, ashtu si qindra mijëra shqiptarë të tjerë, të cilët kishin qenë të detyruar të merrnin rrugët e botës për të siguruar jetesën. Atmosferën time shpirtërore të asaj kohe e kam përshkruar në librin tim “Shi i egër” (“Phoenix”, 1996). Diku duhet ta kem edhe sot një fletore me shënime për biografinë që mendoja të shkruaja për Nënë Terezën. Më pas kjo fletore mbeti në grumbullin e shënimeve, siç e ka çdo krijues, dhe një pjese e madhe e të cilave nuk kanë për t’u përdorur ndoshta kurrë, se i tillë është procesi i krijimit, siç e përshkruan saktë edhe Ismail Kadare në librin “Ftesë në studio”.Vite më pas, duke punuar mbi një monografi për At Giuseppe (Zef) Valentinin, vura re një pikëpjekje të çuditshme mes jetës së tij dhe asaj të Nënë Terezës. Pikërisht në vitin 1922, kur Zef Valentini erdhi për herë të parë në Shqipëri, Nënë Terezës, që atëherë ishte dymbëdhjetë vjeç, iu shfaq për herë të parë dëshira për t’u bërë murgeshë, domethënë iu shfaq vokacioni, siç thuhet në gjuhën teologjike. Biografi i saj indian, Navin Kaula, shkruan në të parën biografi të autorizuar për të, duke u bazuar në rrëfimet e saj:
“Kur banoja me prindërit në Shkup dhe sapo kisha mbushur dymbëdhjetë vjeç, më lindi dëshira të bëhesha murgeshë”, kujton Nënë Tereza.
Kështu, pikërisht në kohën që Nënë Terezës iu shfaq së pari ajo ndjenjë, e cila do të përbënte pikënisjen e misionit të saj madhështor në botë, një misionar i madh katolik vinte në Shqipëri. A nuk duket se këtu Providenca (ndikimi hyjnor) ka ndërhyrë duke krijuar një lloj sistemi feedback, siç quhet në shkencat e natyrës një marrëdhënie ushqyese e ndërsjellë brenda një cikli? Në shkencat e natyrës shembulli i atij që quhet positive feedback është: “X krijon më shumë Y dhe ky nga ana e tij krijon më shumë X”.
A nuk është krijuar edhe një marrëdhënie e ngjashme mes At Zef Valentinit dhe Nënë Terezës? Kuptohet pa dijeninë e tyre. Pikërisht në vitin kur shqiptares më të famshme e më të madhe të të gjitha kohërave, i lindi ndjenja që do ta largonte nga vendlindja për ta bërë misionare globale, gjë që nuk mund të mos pranohet se krijoi një mungesë për botën shqiptare të ngushtë, në Shqipëri, në atdheun e Nënë Terezës, erdhi një misionar i madh kulturor si At Zef Valentini, i cili do të bënte për kombin e saj shërbime po ashtu të jashtëzakonshme, si ato ajo që bëri për Indinë dhe botën, por në një fushë tjetër, në atë të kulturës. Kjo përkitje të bën të admirosh atë sistem të mrekullueshëm që ka krijuar Kisha Katolike në shekuj e që funksionon vetiu, që plotëson me diçka aty ku diçka merr për ta çuar në tjetër vend. Zef Valentini dhe Nënë Tereza, jezuiti i porsa shuguruar 22-vjeçar dhe vajza 12-vjeçare nga Shkupi, ndonëse krejt të panjohur mes tyre, në një çast u lidhën si foshnjat siameze dhe kjo lidhje vazhdoi gjithë jetën, ndonëse nuk ka të dhëna që ata të jenë takuar ndonjëherë.
Sa më tepër që thellohesha në kërkimet për jetën dhe veprimtarinë e At Zef Valentinit, aq më e qartë bëhej kjo pikëpjekje e jetës së tij me atë të Nënë Terezës. Ishte vetëm një pjesë e ngjashmërisë së madhe të jetëve të tyre. Gjithmonë e më tepër po më krijohej ideja se biografia ime për Zef Valentinin do të duhej të ishte një libër i dyfishtë, pra një biografi për të dhe për Nënë Terezën, diçka e ngjashme me metodën që kishte përdorur Plutarku te “Jetë paralele”.Pikërisht këtë jam munduar të skalit në këtë vepër nga më të dashurat që unë kam shkruajtur dhe besoj se ja kam arritur.