

Nga Keze Kozeta Zylo/
Në qytetin e Tepelenës në sheshin “Lord Bajroni” u vendos shtatorja e Tafil Buzit “Nderi i Kombit” i cili udhëhoqi lëvizjet popullore në Jug për 30 vjet kundër Perandorisë Osmane.
Zoti Brahimi ju këtë muaj finalizuat vendosjen e shtatores së kapedan Tafil Buzit “Nderi i Kombit” në sheshin “Lord Bajroni” në qytetin e Tepelenës. Na tregoni, ju lutem, ndjesitë tuaja rreth këtij aktiviteti madhështor në nderim të kryegjeneral Tafil Buzit?
Faleminderit për pyetjen! Vendosja e shtatores së kapedan Tafil Buzit në sheshin “Lord Bajroni” të Tepelenës për mua përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme e më emocionuese të gjithë veprimtarisë sime në Shoqatën “Tafil Buzi”, por dhe më gjerë. Të shohësh më në fund të ngrihet në këmbë figura e këtij burri të madh të kombit, aty ku historia dhe gjaku i tij kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, është një ndjenjë krenarie, nderimi dhe mirënjohjeje të thellë. Çdo copëz bronzi, çdo detaj i asaj shtatoreje përfaqëson jo vetëm kujtimin e një prijësi të madh, por edhe frymën e një populli që di të respektojë bijtë e vet më të shquar. Ky moment nuk ishte thjesht një akt i bukur ceremonial; ishte përmbyllja e një ëndrre të gjatë të shumë brezave buzjotë e tepelenas, të cilët gjithmonë kanë dashur ta shohin heroin e tyre të ngritur aty ku i takon, në zemër të qytetit. Si kryetar i Shoqatës “Tafil Buzi”, por edhe si biri i kësaj treve, e përjetova këtë ditë me një emocion të jashtëzakonshëm. Ishte një ditë që më solli përpara syve sakrificat, qëndresën dhe idealin e pastër të Tafil Buzit për liri, dinjitet dhe atdhedashuri.
E pranoj me krenari që ky projekt nuk do të ishte bërë realitet pa bashkëpunimin e shumë njerëzve të mirë, pa përkushtimin e anëtarëve të shoqatës sonë, pa ndihmën e institucioneve vendore, të biznesmenëve, të dashamirësve të kulturës dhe historisë sonë. E ndjej veten të lumtur që pata mundësinë të kontribuoj jo vetëm si drejtues, por edhe si financues në këtë nismë fisnike, sepse çdo ndihmë e dhënë për të nderuar figurat tona kombëtare është një borxh moral që ne ia kemi historisë dhe brezave që do të vijnë.
Në ditën e përurimit, kur unë zbulova shtatoren së bashku me kryetaren e bashkisë Tepelenë, Julinda Karteri, ndjeva sikur vetë historia po fliste. M’u kujtuan fjalët e të parëve tanë që e kanë ruajtur me nder emrin e Tafil Buzit, dhe në atë çast ndjeva se po i jepnim këtij emri një vend të merituar, një vend nga i cili do t’u flasë përjetësisht brezave për atdhedashuri, trimëri dhe përkushtim ndaj kombit. Për mua, kjo shtatore është më shumë se një vepër arti; është një simbol i krenarisë sonë, i identitetit dhe i qëndresës shqiptare.
Cilat kanë qenë disa nga vështirësitë për të arritur gjer në përfundimin me sukses të vendosjes së shtatores së Tafil Buzit në Tepelenën tonë të dashur?
Vendosja e shtatores së heroit tonë kombëtar, Tafil Buzit, në Tepelenë ka qenë një proces i gjatë, me shumë përpjekje, angazhime dhe sfida të njëpasnjëshme. Përtej entuziazmit dhe dëshirës së madhe për ta realizuar këtë vepër përkujtimore, rruga drejt përfundimit të saj nuk ka qenë aspak e lehtë.
Natyrisht, nuk isha vetëm – anëtarët e Kryesisë dhe Forumit të Shoqatës më qëndruan në krah me përkushtim dhe solidaritet.
Dua të theksoj se Roshi Ajdini ne rolin e Sekretarit të Përgjithshëm ka qenë një mbështetje e palëkundur gjatë gjithë periudhës që çoi në përfundimin me sukses të vendosjes së shtatores.
Sfida më e madhe, pa dyshim, ishte sigurimi i fondeve. Kostoja e përgjithshme e shtatores arrinte rreth 3 milionë lekë të reja, pa përfshirë shpenzimet shtesë për ceremoninë dhe aktivitetet e ditës së përurimit. Në atë moment, fondet e mbledhura nuk arrinin as 10 për qind të shumës së nevojshme.
Përballë këtij realiteti, u detyruam të vepronim me shpjetësi e vendosmëri. U ndërmor një fushatë model për grumbullimin e fondeve, e cila shtrihej në disa qytete të vendit. Aktivizuam çdo anëtar të shoqatës dhe çdo simpatizant të saj. Dega e shoqatës në Durrës, e cila deri atëherë kishte qenë thuajse inegzistente, u ringrit dhe u përfshi me një energji të re në këtë mision.
Çdo kontribut, sado i vogël, vlerësohej me mirënjohje dhe pasqyrohej rregullisht në faqet e gazetës “Trebeshina”, organi ynë i komunikimit dhe transparencës me publikun.
Në këtë rrugëtim nuk munguan edhe mbështetjet e rëndësishme nga personalitete të njohura të jetës publike dhe institucionale. Dua të përmend me respekt dhe mirënjohje të veçantë z. Gramoz Ruçi, ish-kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, i cili na qëndroi afër dhe na ndihmoi me dashamirësi në çdo hap. Po kështu edhe profesorin dhe ish-politikanin e njohur Ethem Ruka, i cili ofroi përkrahje dhe këshilla të vyera.
Një kontribut të rëndësishëm institucional dha gjithashtu z. Blendi Gonxhja, në atë kohë Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, i cili e mbështeti zyrtarisht kërkesën që shoqata i kishte adresuar ministrisë për sigurimin e një pjese të fondeve publike për realizimin e shtatores.
Nuk mund të mos përmend edhe dhjetëra kontribues të tjerë – individë, biznese, bashkëfshatarë e dashamirës të figurës së Tafil Buzit – të cilët dhanë ndihmën e tyre me zemër. Emrat dhe kontributet e tyre janë publikuar herë pas here në gazetën “Trebeshina”.
Shtatorja u punua nga skulptori i mirënjohur dhe shumë i talentuar Vladimir Llakaj i cili ka pasur një sërë suksesesh në disa qytete të ndryshme me punimet nga duart e arta të tij. Cili ka qenë bashkëpunimi me skulptorin nga shoqata juaj?
Ç’është e vërteta, sapo u krijuan kushtet e nevojshme dhe projekti për vendosjen e shtatores së Heroit të Popullit, Tafil Buzi, në qytetin tonë të Tepelenës u miratua nga Këshilli Bashkiak, shoqata jonë “Tafil Buzi” nisi menjëherë hapat konkretë për përzgjedhjen e skulptorit që do të merrte përsipër këtë vepër të rëndësishme për historinë dhe identitetin tonë kombëtar. Për këtë qëllim, publikuam një njoftim në gazetën “Trebeshina”, me synimin për të testuar interesin dhe për të mbledhur ofertat nga artistë të fushës së skulpturës.
Në mbledhjen e datës 22 nëntor 2024, kryesia e shoqatës shqyrtoi me kujdes propozimet dhe modelet e paraqitura nga skulptorët Haxhi Kalluci, Leonidha Koruni dhe Vladimir Llakaj. Pas një diskutimi të frytshëm, me unanimitet të plotë u vendos që fitues të shpallej oferta e skulptorit të njohur Vladimir Llakaj. Ky vendim nuk ishte thjesht një zgjedhje profesionale, por edhe një akt besimi e krenarie, pasi Vladimiri është bir i Tepelenës, një artist që tashmë kishte lënë gjurmë të pashlyeshme me veprën e tij monumentale – shtatoren e Heroit të Popullit Selam Musa Salaria, e vendosur në lagjen “Komuna e Parisit” në Tiranë, një vepër që gëzon respekt dhe vlerësim të gjerë për dinjitetin artistik që mbart.
Vladimiri është një artist i përkorë, i përulur dhe thellësisht i ndjeshëm, që di të dëgjojë, të kuptojë dhe të përfshijë në veprën e tij shpirtin e bashkëpunëtorëve dhe dashurinë për vendin.
Shoqata “Tafil Buzi” në njëzetë e ca vjet histori të krijimit të saj është bërë shumë e njohur për shkak të aktiviteteve të saj si për shembull, në rastin e fundit, duke e vendosur Tafil Buzin përkrah Ali Pashë Tepelenës, një nga figurat më të shquara historike të Kombit. Cilat janë disa nga arritjet e shoqatës ndër vite?
Shoqata Atdhetare-Kulturore “Tafil Buzi” ka lindur nga dashuria për vendlindjen dhe nga përkushtimi për ta mbajtur gjallë kujtimin e një figure të pavdekshme të historisë shqiptare. E themeluar “de jure” më 17 qershor 2002 dhe “de facto” më 22 prill të po atij viti, ajo mori jetë nga një grup burrash buziotë të mençur e vizionarë, që besonin se atdhedashuria nuk duhej të mbetej vetëm fjalë, por të merrte trajtë konkrete në veprim.
Në atë mbledhje themelimi, ku fryma e Buzit dhe e traditës përplasej me shpirtin e përkushtimit qytetar, morën pjesë Sadik Bejko, Eqerem Xhelili, Kujtim Çibuku, Ramadan Çelaj, Abedin Kalemi, Ferrik Danaj, Kujtim Kreci, Et’hem Bakaj, Ferrik Selmani, Mylsym Mindaj dhe Seit Ajazi. Ata vendosën me njëzëri që shoqata të mbante emrin e kapedanit legjendar buziot, Tafil Buzit – simbol i trimërisë, urtësisë dhe dashurisë për lirinë.
Kryetar i parë u zgjodh poeti, shkrimtari, profesori dhe politikani i njohur, Sadik Bejko, një figurë që i dha frymë e seriozitet këtij ideali.
Shtatë vjet më vonë, shoqata njohu një zgjerim të ri me anëtarësime të shumta dhe ndryshime në organet drejtuese. Në radhët e saj u shtuan Eqerem Osmani, Eqerem Lalaj, Asim Brahimaj, Limo Pazaj, Diana Kalemaj, Besnik Meta, Musa Xifaj, Izet Binaj, Sulo Hamzaj dhe Bardhyl Rredhaj. Kryetar u zgjodh Eqerem Osmani, ndërsa Sadik Bejko mori titullin Kryetar Nderi, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të vyer.
Pas ndarjes nga jeta të z. Eqerem Osmani, më 18 shtator 2022, drejtimin e shoqatës e mori z. Medin Duro, i cili me përkushtim e vizion vijoi rrugën e të parëve. Ndërsa më 3 maj 2025, pas dorëheqjes së tij të parevokueshme, në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të Shoqatës “Tafil Buzi”, anëtarësia më nderoi me besimin për të marrë unë drejtimin e ri të kësaj shoqate.
Ky besim më shton përgjegjësinë, por edhe krenarinë për të vijuar misionin e shenjtë që paraardhësit tanë e kanë mbajtur gjallë për më shumë se dy dekada.
Më 5 tetor 2008, në zemrën e fshatit Buz Qendër, u përurua busti i Tafil Buzit, duke përjetësuar në bronz figurën e kapedanit që për dekada kishte jetuar vetëm në kujtesën e popullit. Më 13 tetor 2013, Shoqata përjetoi një tjetër moment kulmor: Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i akordoi Tafil Buzit titullin e lartë “Nderi i Kombit”.
Në fushën e krijimtarisë historike e artistike, janë botuar dhe promovuar një sërë veprash që i japin frymë e fjalë kujtesës së përbashkët: libri “Tafil Buzi – kryekënga e trimave” nga Limo Pazaj, “Krahina e Buzit dhe Tepelena” nga Bedri Serjani, poema “Baladë për Tafil Buzin” dhe “Tafil Buzi – Nderi i Kombit” në gazetën “Trebeshina” nga Feti Zeneli. Shoqata ka gjallëruar jetën kulturore me aktivitete të tilla si “Buzi-Folk”, Festivali Folklorik “Jehona e Vjosës”, e së fundmi, me përurimin e shtatores madhështore të Tafil Buzit në qytetin e Tepelenës – një arritje që e vendos këtë figurë përkrah Ali Pashë Tepelenës, në panteonin e historisë sonë kombëtare.
Krahas këtyre arritjeve të mëdha, numri i aktiviteve të dorës së dytë është i pafund: takime, diskutime, riformatime të strukturave, të gjitha të fiksuara në plane pune të detajuara mujore, tremujore e vjetore.
A mendoni se ka ardhur koha, në fakt duhej me kohë, se pas Tafil Buzit një vend meritor në histori ka dhe legjendari Fejzo Arrëza për t’i ngritur shtatoren e munguar në Tepelenë? Ai u vra në vitin 1878 nga andartët greke i cili vuri nën komandë rreth 200 burra për të luftuar me trimëri kundër andartëve grekë. Duke i hedhur nje sy busteve, monumenteve në Tepelenë më rezulton se nuk ka ndonjë hero që ka luftuar kundër andartëve dhe masakrave greke.
Po t’i kthehemi historisë sonë të lavdishme, pas emrit të ndritur të Tafil Buzit që ndezi pishtarin e lirisë në gjysmën e parë të shekullit XIX, një tjetër emër, po aq i denjë për nderim, ngrihet si një mal krenarie në horizontin e kohës – ai i kapedanit legjendar Fejzo Arrëza. Jo shumë larg vendlindjes së Tafilit, në po atë truall të bekuar të krahinës së Buzit, lindi dhe u burrërua ky trim, që mori stafetën e luftës dhe ia përcolli brezave me gjakun e derdhur për atdhe.
Fejzo Arrëza, biri i një familjeje të ndershme e punëtore, pa pasuri të mëdha veç dinjitetit dhe besës, lindi më 1840 në fshatin malor të Arrëzës, rrëzë Trebeshinës. Rriti shtat ndër gurë e shkëmbinj, mes këngëve të burrave dhe legjendave për trimërinë e të parëve. Rreth zjarrit të oxhakut dëgjonte rrëfime për Hasan Agën – nëpunësin besnik të Ali Pashë Tepelenës – dhe për Asllan Kondurin e shumë të tjerë, që jetën e tyre e vunë në altarin e Atdheut. Këto histori, që i ndiznin shpirtin, e bënë të kuptonte herët se jeta e shqiptarit ka vlerë vetëm kur është në shërbim të lirisë.
Në rininë e tij, Fejzo Xhafo Arrëza shërbeu për pak kohë si oficer në ushtrinë osmane, ku shfaqi zgjuarësi e trimëri të rrallë. Por, shpejt, ai e kuptoi se pushka e tij nuk mund t’i shërbente kurrë një perandorie të huaj. Me zemër të ndezur nga urrejtja ndaj çdo pushtuesi, braktisi gradat e arta dhe mori në dorë flamurin e nderit. Në krye të një çete prej 40 burrash të pathyeshëm, ai u bë një nga kapedanët më të njohur të viseve të Tepelenës, Përmetit e Beratit – një emër që përmendej me respekt në çdo kuvend burrash dhe në çdo këngë trimërie.
Jehona e pushkëve të tij ushtoi për vite me radhë në Luginën e Vjosës e të Osumit, në ultësirat e Ballabanit, në kodrat e Gllavës, në malet e Skraparit e Leskovikut. Çeta e Fejzo Arrëzës u bë simboli i qëndresës shqiptare kundër andartëve grekë dhe qarqeve shoviniste që kërkonin të ndanin trojet e kombit tonë.
Korriku i vitit 1878 shënon faqen më të lavdishme të jetës së tij. Në përballje me andartët grekë, Fejzo Arrëza dhe burrat e tij zhvilluan beteja të ashpra, duke luftuar si luanë për çdo pëllëmbë toke. Edhe pse i rrethuar, përballë një vdekjeje të pashmangshme, ai hodhi poshtë me përbuzje çdo ftesë për dorëzim. “Shqiptari nuk dorëzohet kurrë!” – ishte fjala e fundit që la pas. Dhe aty, në atë përleshje të pabarabartë, ai ra si një dëshmor i vërtetë, duke dëshmuar me gjakun e vet se liria fitohet vetëm me sakrificë.
Historia e Fejzo Arrëzës është një gur i çmuar në mozaikun e lavdisë sonë kombëtare. Ai ishte një luftëtar i jashtëzakonshëm, një kapedan që meriton nderim e kujtim të përjetshëm. Prandaj, mendimi për t’i ngritur atij shtatoren e munguar në Tepelenë është më shumë se një dëshirë – është një detyrim moral ndaj brezave dhe historisë.
Shoqata “Tafil Buzi” ka marrë përsipër këtë mision fisnik: të ruajë e të nderojë figurat e shquara të krahinës së Buzit, që me trimërinë e tyre kanë mbrojtur nderin e kombit. Dëshira është e madhe, por rruga drejt realizimit kërkon mirëkuptim dhe bashkëpunim me institucionet ligjore e administrative të Bashkisë Tepelenë. Siç dihet, krahina jonë bën pjesë në Bashkinë Memaliaj, kështu që edhe ngritja e shtatores së Tafil Buzit kërkoi kohë e përkushtim për të gjetur gjuhën e duhur të bashkëpunimit.
Por asgjë nuk do të na ndalë. Shoqata “Tafil Buzi” do të vazhdojë me këmbëngulje këtë rrugë të shenjtë për të përmbushur misionin e saj: të mos lejojë që pluhuri i harresës të mbulojë emrat e heronjve që dhanë jetën për Atdhe.
Cila ka qenë fëmijëria juaj dhe shkollimi ndër vite në Shqipëri?
Kam lindur, më 18 mars të vitit 1961, në fshatin Komar të Tepelenës, rrëzë malit me të njëjtin emër, përfshirë në “Tri Çukat” e Gllavës – një vend i qetë, i mbuluar me dritën e bardhë të mëngjesit dhe aromën e tokës pjellore. Rrjedh nga një familje me rrënjë të thella në traditë e fisnikëri, ku nderi dhe puna kanë qenë gurë themeli të jetës së përditshme.
Babai im, Adem Qamil Brahimi, ishte një prej bijve të atij brezi që idealin për liri e kishte frymëmarrje. Në maj të vitit 1943, ai iu bashkua forcave partizane dhe luftoi deri në nëntor të vitit 1944 në radhët e Brigadës së Parë Partizane në Korçë. Pas çlirimit, shërbeu për një dekadë të tërë si ushtarak po në atë qytet, derisa në vitin 1953 u kthye në fshatin e tij të lindjes. Atje, në zgjedhjet e para pas kthimit, bashkëfshatarët e zgjodhën kryetar të këshillit të fshatit – një shenjë e respektit dhe besimit që gëzonte ndër bashkëfshatarët e tij.
Kur në vitin 1957 u themelua kooperativa bujqësore, ai iu përkushtua punës si brigadier dhe më vonë si magazinier, deri në vitin 1985, kur mbylli jetën e tij me dinjitet dhe përkushtim ndaj tokës dhe njerëzve.
Rrugëtimi im arsimor nisi në shkollën fillore të fshatit Komar, ku mësuesit e parë më mësuan të lexoj dritën e dijes me të njëjtin respekt si dritën e diellit që binte mbi fshatin tim të dashur. Arsimin 8-vjeçar e vazhdova në Gllavë, ndërsa më pas u regjistrova në shkollën e mesme bujqësore “Tafil Buzi” në Buz, një vatër që më përgatiti për jetën e punës dhe përballjes me tokën, bagëtinë dhe njerëzit.
Në shtator të vitit 1980, sapo mbarova shkollën, nisa punë si brigadier blegtorie në kooperativën bujqësore të Selckës, detyrë që e mbajta deri në dhjetor të vitit 1982. Dy vitet që pasuan, 1983 – 1984, i kalova në shërbimin ushtarak në Sarandë, ku disiplina dhe përvoja më forcuan karakterin.
Pas ushtrisë u ktheva sërish në vendlindje, duke vijuar punën në kooperativë, fillimisht si brigadier, e më pas, nga janari i vitit 1987 e deri në prag të ndryshimeve të mëdha demokratike, si përgjegjës sektori në kooperativën e Selckës. Përveç punës së përditshme, mora pjesë aktive edhe në jetën shoqërore të komunitetit: isha Sekretar i Komitetit të Rinisë për fshatrat e kooperativës, ndihmësgjyqtar në Komar, anëtar i Pleniumit të Rinisë së rrethit të Tepelenës dhe kandidat i Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, përfaqësues i rinisë kooperativiste në Kongresin e 8-të të saj, etj.
Pas viteve ’90, kur koha nisi të frynte me erërat e lirisë e ndryshimit, lashë vendlindjen për të ndërtuar një jetë të re. Fillimisht u vendosa në Berat, ku për gati shtatë vite shërbeva si me rrobë ushtarake. Në vitin 1998 mora rrugën drejt Tiranës, ku nisa punë në Policinë e Shtetit, detyrë që e mbajta deri në vitin 2005.
Ndërkohë, dëshira për dije më shtyu të vijoj studimet e larta: nga viti 2004 deri më 2007 përfundova ciklin “Bachelor” në degën Administrim Biznes, ndërsa gjatë viteve 2008 – 2010 përmbylla me sukses Masterin Shkencor për Administrim Publik. Prej vitit 2005 e në vazhdim, kam ndërtuar e menaxhoj me përkushtim një biznes familjar, fryt i punës dhe vizionit tim për të ardhmen.
Në udhëtimin tim jetësor kam patur përkrah bashkëshorten time, Lola Bakia (Brahimi), bashkëfshatare dhe bashkudhëtare e përkushtuar, me të cilën kemi rritur dhe edukuar tre fëmijë të mrekullueshëm: Dionën, Ledjan dhe Skerdin.
Diona, vajza e madhe, e diplomuar për Financë – Bankë, punon prej 13 vitesh në “Intesa Sanpaolo Bank Albania” dhe është nënë e dy vajzave të bukura. Ledja ka përfunduar studimet për Administrim Biznes dhe punon prej 11 vitesh në OSSHE, ndërsa djali, Skerdi, i diplomuar për Inxhinieri Mekanike, menaxhon tashmë për nëntë vite biznesin tonë familjar, duke e çuar atë përpara me energjinë e brezit të ri.
Në këtë mënyrë, nga rrënjët e Komarit të vogël, jeta ime është shtrirë në kohë e hapësirë si një rrugë që fillon aty dhe vazhdon drejt horizonteve të një Shqipërie që ndryshon, por që gjithmonë mbart brenda vetes aromën e dheut të fëmijërisë sime.
Cilat janë disa nga projektet si shoqatë që do të realizoni në të ardhmen?
Në mesin e këtyre nismave, vendin e parë e zë puna për ngritjen e Muzeut të Tafil Buzit në Buz Qendër. Ky muze do të jetë jo vetëm një tempull kujtese për heroin tonë kombëtar, por edhe një qendër studimore e edukative për brezat që do të vijnë. Duke qenë një ndërmarrje me përmasa të mëdha, realizimi i tij kërkon bashkëpunim të gjerë dhe mbështetje të ndërsjelltë, pasi një barrë kaq e rëndë nuk mund të mbahet vetëm mbi supet e shoqatës, sado përkushtim e resurse njerëzore, materiale e financiare të zotërojë ajo.
Një tjetër projekt i rëndësishëm, tashmë në fazë përgatitore, është botimi i librit “Gjurmë muzeore të Tafil Buzit”, nga i njëjti autor që ka sjellë më herët veprën “Tafil Buzi – Nderi i Kombit” në gazetën “Trebeshina”, z. Feti Zeneli. Ky botim i ri do të jetë një dëshmi e pasur dokumentare e historike, e shoqëruar me një kapitull të veçantë, “Shtatorja në Tepelenë”, kushtuar përpjekjeve dhe veprimtarive që shoqëruan inicimin, përgatitjen dhe vendosjen e shtatores së Tafil Buzit në qytetin e Tepelenës – si një homazh i përjetshëm ndaj figurës së tij.
Përveç këtyre, Në themel të çdo nisme që ndërmarrim qëndron dëshira për ta mbajtur gjallë frymën e Tafil Buzit – frymën e trimërisë, mençurisë dhe dashurisë së pashtershme për atdheun.
Autorja e intervistës mban titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Medaljen e Meritës Presidenciale dhënë nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Është publiciste, shkrimtare, autore e tetë librave, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York, Ambasador i Kombit, Gruaja e Vitit 2022, NY dhënë nga Motrat “Qiriazi”.
19 tetor, 2025
New York