Nga ANGELO PANEBIANCO
Siç ritheksoi Mario Draghi në takimin e Riminit, pjesëmarrja e jonë e ndërlidhur, pa rezerva mendore n’aleancën atllantike, i përgjigjet si interesave tona si vlerave të një shumice italianësh që, deri më sot, nuk ka pranuar alternativat e demokracisë liberale: duke kuptuar për të tillë atë qeveri të përzjerë që ndërthur mbrojtjen (të papërsosur sa të duash) e të drejtave vetiake e të institucioneve të përfaqësimit.
Atllantizmi, që nga fundi i luftës së Dytë botërore, ka qënë siguri paqeje për Vëndet perëndimorë dhe qëndrueshmërinë demokratike. Ka përbërë kornizën politiko – ushtarake brënda së cilës ka mundur të zhvillohet njënjësia evropiane dhe banorët e pjesës perëndimore të kontinentit të Vjetër kanë qënë në gjëndje të punojnë për të krijuar kushtet e mirëqënies së përbashkët n’Evropë. Por atllantizmi është një krijesë e brishtë, subjekt i rrezikut të shpërthimit. Kërcënimet vijnë nga jashtë, nga pushtetet autoritare, dhe nga brënda, nga ata që në Perëndim urrejnë mënyrën e jetesës perëndimore, ekonominë e tregut, demokracinë.
Në rrafshin e jashtëm atllantizmi është i kërcënuar nga rënia relative e fuqisë së Shteteve të Bashkuara, nga ngjitja e Kinës, nga imperializmi rus, nga hapësira e shtuar e manovrave të fuqive mesatare autoritare (si Turqia dhe Irani), shkurt nga ajo që për shumë vetë është ardhja e pashmangëshme e rrëmujës që shumëpolarësia sjell me vehte.
Ka të drejtë Vittorio Emmanuele Parsi (në Revista e Politikës) kur vëren se nëse më së fundi Rusia – bashkëpuntore e dobësimit të mbështetjes evropiane ukrainasve – do të dilte fituese n’Ukrainë, NATO, me gjasë, nuk do t’i mbijetonte gjatë mundjes. Dhe fundi i saj do të përkonte me fundin e atllantizmit.
Pastaj janë trysnitë e brëndëshme. Kush n’Evropë është i frikësuar nga ndikimi i qëndrueshëm i Trump-it mbi partinë republikane, i trëmbet pasojave që brejtja e demokracisë amerikane do të kishte për demokracitë evropiane. Edhe se, duhet thënë, se Shtetet e Bashkuara zotërojnë gjithsesi kundërtrupa mjaft të fuqishëm për t’i qëndruar kthimeve mbrapa të mundëshme e kështu shpresohet.
Kundërshtarët perëndimorë të atllantizmit janë të dy llojeve. Ai më i përhapuri është edhe m’i pagdhenduri: janë ata që shfaqin kundëramerikanizëm dhe kundërshti për demokracinë liberale (vetëm një demokraci e rreme, simbas pikëpamjes së tyre). Por ka edhe një formë më të hollë të kundër-atllantizmit. Paraqitet, në dukje, si i paanshëm politik, vesh rrobet e realizmit politik dhe objektivitetit shkencor. Është qëndrimi i atyre, simbas të cilëve jemi të pranishëm në një ndeshje fuqish ndërmjet perandorish dhe atllantizmi është dora e gjatë e perandorisë amerikane. Ata nuk shprehin parapëlqim për Rusinë apo Kinën. Por thonë se në thelb perandoritë janë të barabarta, dhe në garim janë thjesht projekte të kundërta perandorake në shërbim të interesave të secilës prej tyre. Gabojnë, kur shohin në veprim projekte të kundërta perandorake? Jo nuk gabojnë. Por thonë vetëm gjysmën e së vërtetës. E thënë kështu, gjysma e së vërtetës është baraz me një gënjeshtër. Sepse perandoritë – edhe nëse mund të përcaktohet “perandori” shkurt hegjemonia ndërkombëtare amerikane – nuk janë aspak të barabarta. Simbas përpjestimeve e duke mbajtur parasysh ndryshimet e gjëndjeve historike, ndërmjet Amerikës dhe veprimtarisë së saj në botë nga njëra anë e Rusisë e Kinës nga ana tjetër, ka një hapësirë të barabartë me atë që, në gjysmën e parë të Shtatëqindës, Montesquieu zbulonte ndërmjet perandorisë së krijuar nga Anglia (tokë e lirisë, simbas filozofit francez) dhe perandorisë despotike ruse t’atyre kohëve.
Është afërmëndsh që Amerika është e zotuar në një shemëri me të tjerat fuqi të mëdha e që mbron pozitat e forcës që ka fituar në botë. Por kufizimi në pranimin e faktit që perandoritë garojnë mes tyre , do të thotë shtirje se nuk ka asnjë ndryshim ndërmjet rendit ndërkombëtar të krijuar nga Shtetet e Bashkuara dhe imperializmat autoritarë. Mund edhe t’a quani “rend liberal” atë me drejtim amerikan nëse ju duket një shprehje që nxjerr në pah zëmërbutësinë e tepërt perëndimore. Por mbetet fakti që i ngjizur (edhe se me kundërshti të pashmangëshme e me çmimin e aq gabimeve) nga shoqëria e hapur perëndimore, rendi ndërkombëtar me drejtim amerikan është rrënjësisht i ndryshëm nga “paqet perandorake” ruse ose kineze.
Muri i Berlinit nuk shërbente për t’u ndaluar gjermanëve perëndimorë që të arratiseshin në Lindje. Dhe afganët e gjorë që binin nga aeroplanët n’aeroportin e Kabulit vitin e shkuar nuk donin të shpëtonin se ishin duke ardhur amerikanët. Donin të shpëtonin se amerikanët po iknin. Ka diçka hipokrite në mënyrë të vagëlluar tek ata që i vënë në të njëjtin rrafsh të gjitha perandoritë, ose t’ashtuquajturat perandori. Asnjëri prej tyre, në fakt, nuk do të donte të jetonte nën regjime alla Putin apo Xi Jinping.
Ndoshta, siç thonë disa, për shkak të gabimeve perëndimorë ose të ardhjes së botës shumëpolëshe, atllantizmi është i dënuar. Nëse kjo do t’ishte e vërtetë çfarë duhet bërë? Si do t’i a dalim ne evropianët? Ka ndonjë që mendon se Evropa mund të qëndronte më këmbë vetëm nëse do t’a dëshironte. Por cila klasë drejtuese, ju lutem, do të duhej të kishte drejtuar një Evropë pa mbështetjen amerikane, të detyronte njënjësimin politik dhe mbrojtjen evropiane? Ndoshta Gjermania mund të mishëronte këtë drejtueshmëri? Të shihet me kujdes. Megjithëse historia është përsëri “në lëvizje”, simbas formulës së historianit Arnold Toynbee, Gjermania nuk është e gatëshme të marrë përsipër nderet dhe detyrat e kësaj drejtueshmërie. Pa drejtueshmëri Evropa nuk mund të shpresojë në vetëmjaftueshmërinë politike. Evropa na duhet pa tjetër, por një autonomi e saj e plotë politiko-strategjike nuk është sot e konceptueshme.
Atllantizmi dhe shoqëria e lirë perëndimore mbeten të lidhur me një fije të dyfishtë: simul stabunt, simul cadent. O mbijetojnë sëbashku o bien sëbashku. Le t’a kujtojmë në këtë fushatë zgjedhore që të gjithë (rusët të parët) vërejnë me kujdes duke hamendësuar që Italia është hallka m’e dobët e zinxhirit atllantik. Në çdo rast lajmërimet për vdekjen e atllantizmit janë të parakohshëm. Loja është e hapur dhe parashikimet të pasigurtë.
“Corriere della Sera”, 29 gusht 2022 Përktheu Eugjen Merlika