
Përktheu nga BBC Rafael Floqi/
E paraqitur dhe tregtuar pa mëshirë si simbol seksi, Brigitte Bardot e vendosi kinemanë franceze në hartën botërore. Brigitte Bardot, e cila ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare, përmbysi portretizimin e ngurtë të grave në kinemanë e viteve 1950, duke u shndërruar në mishërimin e një epoke të re të çlirimit seksual.
Në ekran, ajo ishte një “koktej” francez hijeshie lozonjare dhe sensualiteti kontinental. Një botim e quajti “princesha e buzëqeshjes provokuese dhe kontesha e thirrjes joshëse”, një imazh që ajo vetë më vonë e urrente. E shitur pa skrupuj si simbol hedonist seksi, Bardot u ndje e penguar në ambicien e saj për t’u bërë aktore serioze. Përfundimisht, ajo hoqi dorë nga karriera për t’iu kushtuar mbrojtjes së kafshëve.
Vite më pas, reputacioni i saj u dëmtua kur bëri deklarata homofobe dhe u gjobit disa herë për nxitje të urrejtjes racore. Djali i saj gjithashtu e paditi për dëme emocionale, pasi ajo kishte thënë se do të kishte preferuar “të lindte një qenush”. Ishte një njollë në kujtesën e një ikone, e cila – në kulmin e saj – e bëri bikinin, dëshirën femërore dhe kinemanë franceze pjesë të hartës globale.
Jeta e hershme
Brigitte Anne-Marie Bardot lindi në Paris më 28 shtator 1934. Ajo dhe motra e saj, Marie-Jeanne, u rritën në një apartament luksoz në lagjen më elitare të qytetit. Prindërit e saj katolikë ishin të pasur dhe tepër rigorozë, duke kërkuar standarde të larta nga fëmijët. Miqësitë e vajzave kontrolloheshin rreptësisht; kur thyen një vazo të dashur të prindërve, u ndëshkuan me rrahje.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, me trupat gjermane që pushtonin Parisin, Bardot kalonte shumicën e kohës në shtëpi duke vallëzuar nën tingujt e pllakave muzikore. Nëna e saj e inkurajoi dhe e regjistroi në mësime baleti që në moshën shtatëvjeçare. Mësuesja në Konservatorin e Parisit e përshkroi si nxënëse të shkëlqyer dhe ajo fitoi disa çmime.
“Jeune fille”
Megjithatë, Bardot e ndiente jetën mbytëse. Në moshën 15-vjeçare, ajo kujtonte më vonë: “Kërkoja diçka, ndoshta përmbushjen e vetvetes”. Një mik i familjes e bindi të pozonte për kopertinën e revistës Elle, dhe fotografitë shkaktuan sensacion. Në atë kohë, gratë në modë kishin flokë të shkurtër dhe veshje të kuruara me kujdes. Flokët e Brigitte-s binin lirshëm mbi shpatulla; me trupin e hollë e atletik të balerinës, ajo nuk ngjante me modelet e tjera.
Në moshën 16-vjeçare, ajo u bë fytyra më e famshme e kopertinave në Paris. Fotografitë e saj tërhoqën vëmendjen e regjisorit Marc Allégret, i cili i kërkoi asistentit të tij, Roger Vadim, ta gjente.
Roger Vadim, “ujku i egër”
Provimet për film nuk patën sukses, por Vadim – gjashtë vjet më i madh – e mori nën mbrojtje, fillimisht si protezhe dhe më pas si e fejuar. Ata nisën një lidhje intensive. Kur prindërit e Bardot e zbuluan, kërcënuan ta dërgonin në Angli. Në shenjë rebelimi, ajo tentoi vetëvrasjen, por u shpëtua në çastet e fundit.
Prindërit u dorëzuan, por ndaluan martesën deri sa Brigitte të mbushte 18 vjeç. Sapo e kaloi këtë moshë, çifti u martua.
Shndërrimi në ikonë
Vadim filloi ta formësonte Bardot-in si yllin që besonte se ajo mund të ishte. Ai shiti fotografitë e dasmës në Paris-Match dhe e mësoi si të sillej në publik.
Ajo mori role të vogla në shumë filma, shpesh si figura femërore të pafajshme, por provokuese. Deri në vitin 1956, ajo ishte kryesisht e famshme për pozimet me bikini – një veshje ende e ndaluar në disa vende – dhe për flokët në stil “koshere”.
Pastaj erdhi filmi që e bëri yll: “And God Created Woman”. Në SHBA shkaktoi skandal, ndërsa filozofja Simone de Beauvoir e shpalli ikonë të “lirisë absolute”.
Nga fama te polemikat
Bardot u identifikua plotësisht me personazhet që luante. Ajo u divorcua nga Vadim, pati martesa dhe lidhje të tjera, u bë aktorja më e paguar në Francë, por shpesh ankohej: “Nuk kam pasur shumë mundësi të aktroj; kryesisht më është dashur të zhvishem”.
Ajo fitoi vlerësime kritike në filmin Le Mépris të Jean-Luc Godard, por u lodh nga imazhi i saj si “kotele-seksuale”.
Aktiviste për të drejtat e kafshëve
Në vitin 1973, pas gati 50 filmash, Bardot u tërhoq nga aktrimi për t’iu kushtuar mbrojtjes së kafshëve. Ajo themeloi Fondacionin Brigitte Bardot dhe u bë një nga figurat më të zëshme të kësaj kauze.
Fund i trazuar
Vitet e fundit u shoqëruan me procese gjyqësore për deklarata raciste dhe homofobe. Megjithatë, në vitet 1960 ajo ishte zgjedhur fytyra zyrtare e Marianne, simboli i Francës.
Pas tre martesash të dështuara, disa tentativash vetëvrasjeje dhe një jete të trazuar, Bardot mbetet një figurë kontradiktore: ikonë e lirisë femërore, por edhe e polemikave të thella.
Ajo la pas bashkëshortin e katërt, Bernard d’Ormale, ish-këshilltar i politikanit të ekstremit të djathtë Jean-Marie Le Pen.